Premtimet e fushatës për mandatin e tretë Berisha: Rroga minimale 350 dollarë, pensionet 150, rritja ekonomike rritet 50%

0
149

Ina Jano

berishaQeveria do të marrë përsipër 100% të gjitha shpenzimet shëndetësore, ilaçet e pensionistëve

Subvencionim për transportin urban dhe interurban për pensionistët

 

Kur edhe 5 ditë na ndajnë nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në vend Kryeministri Berisha, zgjodhi që në takimet elektorale të ditës së djeshme të bëjë premtime të fuqishme elektorale. Pas premtimit për të gjithë mësuesit se do të kenë një pagë prej 700 dollarësh, shefi i ekzekutivit u shpreh se të njëjtin fat do të kenë edhe ato që quhen rroga mesatare. Gjithashtu një tjetër premtim i liderit demokrat ishte se rroga minimale në vend do të arrijë në 350 dollarë, ndërsa lidhur me pensionet nuk do të jenë më poshtë se 150 dollarë. “Jam sot këtu për t’u zotuar para jush, në këtë shesh dhe para mbarë shqiptarëve se gjatë mandatit të ardhshëm rroga minimale do të rritet në 350 dollarë, rroga e mësuesit dhe rroga mesatare do të arrijnë në 700 dollarë. Ftoj pensionistët e Fierit, pavarësisht nga bindjet e tyre, të bashkohen me ne, pasi kudo ku jetojnë, në fshat apo qytet, katër vitet që vijnë nuk do të ketë pension nën 150 dollarë”, – premtoi lideri i demokratëve. Megjithatë, duket se projektet që ai ka për katër vitet në vijim janë të mëdha. Përveç këtyre premtimeve, ai u ndal në disa shtresa të shoqërisë, të cilët do të marrin një vëmendje të caktuar gjatë katër viteve të ardhshme. Me një axhendë të ngjeshur, kreu i selisë blu vetëm pasditen e djeshme mori pjesë në tre takime elektorale përmbyllëse për zgjedhjet e 23 qershorit. Ai ishte në Fier, Berat dhe Lushnjë, ndërsa sheshet e këtyre qyteteve ishin të mbushura me qytetarë të cilët do t’i rezervojnë votën e tyre Partisë Demokratike.

Pensionistët

Në fjalimet e mbrëmshme, Kryeministri duke pasur parasysh se pensionistët janë një nga kategoritë më besnike të votuesve, bëri premtime të mëdha për ta. Lideri demokrat u shpreh se përveç faktit se nuk do të ketë pensione që do të jenë nën 150 dollarë, sigurisht që do të këtë një kompensim 100 për qind për të gjitha shpenzimet shëndetësore dhe ilaçet e pensionistëve. “Ftoj pensionistët e Fierit, pavarësisht nga bindjet e tyre, të bashkohen me ne, pasi kudo ku jetojnë, në fshat apo qytet, katër vitet që vijnë nuk do të ketë pension nën 150 dollarë. Qeveria do të marrë përsipër qind për qind, të gjitha shpenzimet shëndetësore dhe ilaçet e pensionistëve. Qeveria do të subvencionojë transportin urban dhe interurban për pensionistët, do të miratojë ligjin e statusit të pensionisti. Në të katër vitet që vijnë, qeveria do të përballojë me buxhetin e saj, 90 për qind të të gjitha shpenzimeve në shtëpitë e kujdesit të të moshuarve”, – nënvizoi kreu i mazhorancës.

Të rinjtë e emigrantët

Zoti Berisha gjithashtu tha se dyert e universiteteve do të jenë të hapura për të gjitha kategoritë e studentëve, ndërsa u shpreh se do të ndërtohen shkolla profesionale në çdo rreth dhe qark. “Të reja e të rinj, katër vitet që vijnë, për çdo njërin prej jush që do të punësohet, qeveria do t’u paguajë sipërmarrësve, kontributet e çdo detyrim fiskal për tre vjet. Qeveria do të financojë kualifikimin tuaj falas në çdo sipërmarrje ku ju do të shkoni. Për të gjithë të rinjtë me profesion, qeveria do të garantojë mikrokredi të buta për vetëpunësim”, – premtoi lideri demokrat. Ndërsa duke u ndalur tek emigrantët, kreu demokrat nënvizoi se të gjithë ata që do të hapin një biznes në Shqipëri do të kenë 3 deri në 5 vjet pa asnjë detyrim fiskal dhe në rast se ata që duan të ndërtojnë fermat e tyre, çdo projekt i tyre do të financohet me grante.

Gratë

Diferenca e pagës mes meshkujve dhe femrave është ulur ndjeshëm, megjithatë Kryeministri premtoi ulje të mëtejshme të tyre. “Ftoj nga kjo platformë të gjithë zonjat, gratë e vajzat e Fierit dhe të mbarë Shqipërisë të bashkohen me ne, sepse gjatë këtyre pak viteve, ne ia dolëm që diferencën e rrogave midis burrave e grave nga 36 për qind ta zbresin në 70 për qind. Jam këtu për të siguruar nënat e motrat tona se kjo diferencë, katër vitet që vijnë do të përgjysmohet. Garantojmë të gjitha gratë shtëpiake të Fierit dhe mbarë Shqipërisë, se do të krijojmë sipas dëshirës së tyre, sistemin e dypunësimit, në të cilin qeveria do të marrë përsipër kontributet e sigurimeve shoqërore dhe trajnimin e tyre. Sikundër do të miratohet gjatë vitit të parë, ligji për statusin e nënave kryefamiljare dhe të gjithë mbështetjen që ato meritojnë.

Të papunët

Kryeministri premtoi ulje të papunësisë, ndërsa pohoi se të gjitha rrogat dhe pensionet do të rriten dyfish mbi të gjitha çmimet e indeksuara. “Jam këtu për të garantuara të papunët e Fierit dhe mbarë Shqipërisë se pagesa e papunësisë do të dyfishohet dhe se qeveria do të përballojë kualifikimi e tyre falas në çdo sipërmarrje. Ftoj të gjithë qytetarët që janë në ndihmë ekonomike se ndihma ekonomike do të rrihet në masën 50 për qind dhe se çdo pagesë, rrogë, pension, pagesë papunësie dhe e ndihmës ekonomike jo vetëm do të indeksohet me rritjen vjetore të çmimeve, por do të jetë gjithnjë dy herë më e lartë se ajo”, – nënvizoi Berisha nga Fieri.

Për PS-në

Kreu i demokratëve nuk mund të rinte pa përmendur edhe kundërshtarin e vet politik. Duke i ftuar të gjithë shqiptarët që të votojnë për alternativën e djathtë dhe numrin 44, u shpreh se PD-ja do të mbajë premtimet e saj. Numri një i qeverisë tha se në 23 qershor përballen modeli i bojkotit dhe modeli për mirëqenien. Berisha nuk ka kursyer sulmet ndaj kreut të PS-së duke akuzuar por fshehje të pasurisë. “Rama politikani duhet të jetë transparent duhet ti tregojë çdo qindarkë të pasurisë, sepse politikani pasurinë e ka nga rroga dhe taksat që u merr atyre. Unë jam Sali Berisha. Kam 20 vjet që punoj kam një apartament 125 metra, kurse ti po ecën me një vilë 57 metra të gjatë në themele me një pallat në shpinë dhe nuk tregon asnjë qindarke se ku i more para që ndërtove. Qytetarët kanë një edukatë dhe kod etik dëgjojnë njëri-tjetrin nuk bëjnë fyerje si ju. Që fyeni mbarë e mbrapsht kush ju del para. Ne biem as biem dakord nuk shkojmë dhe shkulim veshin”, – tha ndër të tjera zoti Sali Berisha.

 

 

 

Premtimet e PD-së për mandatin e ardhshëm

Rroga minimale 350 dollarë

Rroga mesatare 700 dollarë

Rroga e arsimtarëve 700 dollarë

Pensioni minimal mbi 150 dollarë

Pagesa e papunësisë do të dyfishohet

250 mijë vende pune

Shpenzimet shëndetësore dhe ilaçet e pensionistëve 100%

Subvencionim i transportit urban dhe interurban për pensionistët

Miratohet ligjin e statusit të pensionisti

Mbulim 90% të shpenzimeve në shtëpitë e kujdesit të të moshuarve

Ligji për statusin e nënave kryefamiljare

Bizneset e emigrantëve 3 deri në 5 vjet pa taksa

Ndihma ekonomike do të rrihet në masën 50%

Ulje të mëtejshme të taksave

 

Idrizi: Ju pres në 19 qershor në Qafë-Botë

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, u takua dhe bisedoi me tregtarët tek Tregu Çam në Tiranë, me të cilët diskutoi për problemet e tyre dhe për qasjen e PDIU-së ndaj biznesit të vogël. Gjithashtu, ai u përqendrua në historinë e këtij tregu, të themeluar nga shqiptarët e Çamërisë pas dëbimit si një shenjë e integrimit të tyre natyrale brenda kryeqytetit të të gjithë shqiptarëve. Gjatë takimeve me këta banorë, z. Idrizi përsëriti nevojën e një politike të re mbi ekonominë, duke u bazuar në dy konceptet kryesore të PDIU-së: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe bashkimin ekonomik kombëtar. Ai premtoi angazhimin e deputetëve të ardhshëm të PDIU-së në heqjen e barrës fiskale ndaj bizneseve të vogla, si edhe në rritjen e mbështetjes financiare ndaj tyre. Më pas Idrizi theksoi rëndësinë e emrit të këtij tregu, i cili ndodhet në qendër të kryeqytetit, ashtu sikurse edhe Çamëria sot është në zemrën e çdo shqiptari. “Ky treg ndodhet në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë, ashtu sikurse edhe Çamëria është në zemër të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Unë gjej rastin të ftoj çdo shqiptar, që të bashkohet me ne më 19 qershor në Kllogjer dhe në Qafë-Botë, për të respektuar ata që humbën jetën dhe për të çelur Varrezat e Shqiptarëve të Çamërisë në Qafë-Botë. Është shumë e rëndësishme që ne, shqiptarët, e Çamërisë apo të trevave të tjera, kemi mbyllur një kapitull të rëndësishëm me të kaluarën, duke respektuar ata që dhanë jetën vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë në një gjenocid të ashpër. Po, në datën 19, ne do të mbyllim fushatën zgjedhore të PDIU-së, në Qafë-Botë, në kufirin shqiptaro-shqiptar, që ndan Çamërinë nga atdheu. Ftoj të gjithë shqiptarët të jenë pjesë e këtij pelegrinazhi”, – deklaroi Idrizi.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency