Prezanton deputetët Rama: Në Berat marrim 6 mandate

0
166

Gëzim Saliu

rama“Mirënjohje për Erion Braçen dhe Marko Bellon”

 

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, shpreh bindjen se “Aleanca për Shqipëri Evropiane” do të arrijë të marrë 6 mandate deputeti në Qarkun e Beratit në zgjedhjet e 23 qershorit. Në prezantimin e kandidatëve për deputetë të PS-së në këtë qark, kryesocialisti tha se votat për socialistët do të derdhen si rrebesh, ashtu si edhe shiu që binte gjatë aktivitetit të djeshëm. “Si ky shi që hapi fushatën e skuadrës sonë të Rilindjes në Berat, ashtu dhe votat e 23 qershorit do derdhen nga të 4 anët e këtij qarku për PS-në dhe “Aleancën për Shqipëri Evropiane” dhe do t’i japim Parlamentit të Shqipërisë të paktën 6 deputetë nga Qarku i Beratit. Nëse ju e merrni edhe pak me inatin karakteristik beratas, i bëjmë dhe 7”, – deklaroi Rama.

 

Vlerësimet

Para prezantimit të kandidatëve për deputetë në Qarkun e Beratit, Rama shprehu mirënjohjen për të gjithë ato figura socialiste që kanë kontribuar më parë në këtë qark dhe që tashmë ndodhen në front të ri, si Erion Braçe apo që nuk janë më në lista si Marko Bello. “Unë dua në fillim të fjalës sime të shpreh disa mirënjohje. Në radhë të parë i shpreh mirënjohjen time të madhe një deputeti të vjetër, edhe pse në moshë të re, që disa mandate e përfaqësoi denjësisht popullin e Beratit, dhe sot gjendet në vijën e parë të frontit për Fierin, Erion Brace. Mirënjohje dhe një tjetër deputeti që edhe pse nuk është në lista, ka shërbyer në dy legjislatura, Marko Bellos. Më tepër dua t’i shpreh mirënjohje të thelle një njeriu që e kam mik, Selman Hoda. Dua t’i jem mirënjohës dhe ta siguroj që po mbaron periudha e rezistencës për të mbrojtur Beratin nga qeveria, kryetarin e Bashkisë së Beratit Fadil Nasufi”, – theksoi Rama.

 

23 qershori, si 22 marsi

Në Berat, kreu socialist i konsideroi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit të njëjta për nga rëndësia me ato të 22 marsit të vitit 1992, ku PD siguroi një fitore të thellë ndaj së majtës. “23 qershori është i rëndësishëm sa i 22 marsi i 92-shit. Vota e 23 qershorit nuk vendos se kush do qeverisë gjatë 4 viteve të ardhshme, por fatin e një gjenerate të tërë. Nuk u them demokratëve të bëhen socialistë, por ndihmojeni PD-në të shpëtojë dhe të “rilindë”, mos e votoni PD-në e Saliut që në opozitë ta shëroni bashkë me të tjerë”, – tha ai. Më tej ai u drejtoi një pyetje demokratëve të Beratit, duke thënë: “T’u bëj një pyetje atyre që votojnë PD-në, demokratëve të këtij qarku dhe pyetja ime është se cili vend, cili shtet fqinj, cili shtet në Ballkan dhe vend dhe shtet në Evropë, që do mund ta kishte këtë pasuri të jashtëzakonshme që nuk është vetëm pasuri shqiptare, por dhe botërore do e kishte lënë në pikë të hallit?” Më parë, lidershipi i opozitës në autobusin e “Rilindjes” përgjatë rrugës në Berat u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për numrin e madh të biznesmenëve në listat e PS-së, duke theksuar se të bësh biznes apo sipërmarrje nuk është krim, por punë. “Ata që vijnë nga bota e biznesit në politikë, siç kanë bërë dhe bëjnë të paktën për sa na përket, do të lënë biznesin dhe do të merren me politikën, kanë arsyet e tyre për t’i bërë këto zgjedhje dhe janë zgjedhjet e tyre të lira dhe plotësisht të respektueshme”, – deklaroi kreu i PS-së Edi Rama.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency