Integrimi/ Fyle: Nesër progres-raporti. KE: Vendet aspirante të luftojnë krimin e korrupsionin

0
108

Gëzim Saliu

 “Duhet siguri ligjore për bizneset, stimulim për investimet dhe vende pune”

fyleKomisioneri në largim për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefan Fyle, bëri me dije dje se raporti i progresit i përvitshëm për vendet që aspirojnë të bëhen pjesë e BE-së do të miratohet ditën e nesërme. Sipas eurokomisionerit, ky do të jetë raporti i pestë dhe i fundit dhe se reforma administrative është shtylla e tretë e raportit. “Këtë vit, fokusi kryesor reforma administrative. Raporti do të jetë edhe për vendet anëtare e BE që ndodhen pas “timonit drejtues” si dhe për vendet kandidate dhe aspirante. Qytetarët duhet të kuptojnë benefitet e zgjerimit”, – u shpreh Fyle.

 

Komisioni Evropian

Ndërkaq, Komisioni Evropian publikoi disa konstatime para progres raporteve për vendet aspirante për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në krye të listës së kërkesave të KE-së qëndron shteti ligjor që sipas Komisionit Evropian përbën zemrën e procesit të zgjerimit. “Vendet aspirante duhet të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin që cenon vlerat demokratike dhe ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të një vendi, zhvlerëson arsimin dhe standardet demokratike”, – theksohet në konstatim. Më tej, KE vlerëson se sistemi gjyqësor duhet të jetë efektiv dhe i paanshëm është pika tjetër e rëndësishme e procesit. “Kjo përfshin qasje në drejtësi, gjykim të drejtë, financim adekuat për gjykatat dhe trajnim për magjistratët etj. Mjedis i qëndrueshëm për bizneset. Kjo do të ofronte siguri ligjore për bizneset, stimulim për investimet dhe vende pune. Lufta aktive kundër krimit të organizuar, duke përfshirë armët, drogën, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe financiare, kibernetike dhe krimit mjedisor”, – theksoi KE. Progres-raporti i vitit të kaluar përmendi disa zhvillime pozitive në vend që kishin të bënin me standardet e zgjedhjeve, kalimin demokratik të pushtetit, disa reforma të ndërmarra nga qeveria si edhe kërkesa e vazhdueshme për dialog politik mes mazhorancës dhe opozitës. Që prej këtij raporti, marrëdhëniet mes shumicës dhe pakicës janë përkeqësuar ndjeshëm, duke kulmuar me bojkotin e Parlamentit nga ana e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Sipas opozitës rikthimi në Kuvend mund të vijë vetëm kur mazhoranca të vë në zbatim vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kur kryeministri të bëjë një mea culpa lidhur me ngjarjen e ndodhur në Parlament ku u godit deputeti demokrat si edhe si përfundim me ndërmarrjen e iniciativës për të hetuar inkriminimin e institucionit më të lartë legjislativ. Për këtë të fundit, kreu i qeverisë është shprehur parimisht dakord, por ndërkohë duke dënuar sjelljet në Kuvend, Rama ka theksuar se pretendimet e opozitës për një dhunë të dirigjuar nga ai nuk qëndrojnë. Në këto kushte mundësitë e rikthimit të dialogut mes palëve si edhe opozitës në Parlament duken të largëta. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka theksuar shpesh përmes përfaqësuesve të lartë të tij se thelbi i ecjes përpara në rrugën drejt integrimit janë reformat konsensuale dhe dialogu mes palëve.

 

 Aplikimet në Presidencë/ Mbyllet gara për zgjedhjen e guvernatorit të ri të BSH-së. Rama: S’ka ngërç me Nishanin

Mesnatën e së dielës ka skaduar dhe afati i lënë në dispozicion nga kreu i shtetit për aplikimet në garën e hapur për zgjedhjen e guvernatorit të ri të Bankës Qendrore. Kështu, më 19 shtator, vetëm një ditë pas shkarkimit nga Parlamenti të Adrian Fullanit nga posti i guvernatorit dhe anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, Presidenti i Republikës Bujar Nishani shpalli vakant postin në krye të Bankës së Shqipërisë dhe paralelisht fillimin e procedurave për emërimin e guvernatorit të ri. Për 2 javë me radhë, ne adresën aplikime@president.al, të gjithë të interesuarit për postin e guvernatorit kanë pasur mundësinë të dërgojnë dokumentet e skanuara. Ndërkohë, një javë më parë, me 30 shtator, përfundoi afati i lënë nga Kryeministri lidhur me aplikimet për bordin drejtues të BSH-së. Ndërkaq, Kryeministri Rama i ftuar dje në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” tha se bashkëpunimi me Presidentin për këtë çështje është shpresëdhënës. “Jemi në një marrëdhënie të hapur, në një marrëdhënie komunikimi të rregullt. Kemi pasur edhe kundërshti që janë shprehur të hapura, edhe me votë, apo Presidenti me deklarata. Në disa raste është kaluar caku, ka pasur disa kapërcime, por në të gjithë rastet me duhet ta them se asnjëherë ne si shumicë nuk kemi rënë në batakun e asaj tradite që e ka parë gjithmonë atë godinë ku qëndron presidenti, si pjesë që mund të goditet me topa balte. Nga ana tjetër ka pasur edhe aspekte pozitive bashkëpunimi. Dialogu që kemi hapur për të ardhmen e Bankës së Shqipërisë është mjaft mbresëlënës”, – tha ai. Sa u përket zgjedhjeve të ardhshme vendore, i pyetur lidhur me kandidatin e mundshëm për kryeqytetin, Rama tha: “Zgjedhjet janë vitin e ardhshëm e s’kemi nge për këto gjëra. S’kemi nevojë të marrim shumë kohë, ne funksionojmë si aleancë, hyjmë në zgjedhje si aleancë dhe do të bëjmë një fitore më të madhe se ajo e 23 qershorit”.

 

 Strategjia e qeverisë për drejtësinë/ Naço: Garantojmë respektimin e parimit të kontrollit dhe balancës së pushteteve

Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, deklaron se ndryshimet ligjore në sistemin e drejtësisë nuk ezaurojnë konceptin dhe vizionin e qeverisë për reformën në drejtësi. “Vizioni i qeverisë shqiptare mbështetet fort në garantimin e respektimit të parimit të kontrollit dhe balancës së pushteteve”, – tha Naço në tryezën e rrumbullakët “Reformimi i Sistemit Gjyqësor në Shqipëri”. Më tej ai bëri të ditur disa nga piketat e strategjisë së qeverisë për drejtësinë, duke nënvizuar se ajo do të bazohet tek reformimi i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë; Këshillit të Lartë të Drejtësisë; Konferencës Gjyqësore Kombëtare; Këshillit të Prokurorisë; Shkollës së Magjistraturës dhe Edukimit Juridik Universitar si dhe në reformimin e organizimit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. “Për arritjen e këtij objektivi madho, kërkohet kontributi i të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë në këtë proces, vlerësimi i mendimit dhe ekspertizës të shoqërisë civile, ekspertizës të misioneve të asistencës të partnerëve ndërkombëtar (veçanërisht misionit Euralius) përfshirë Komisionin e Venecias, ndërveprimi i Legjislativit me Ekzekutivin dhe ngritja e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për Reformën Ligjore (përfshi edhe një grup ekspertësh të nivelit të lartë) pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”. Ndërkohë duke komentuar paketën e qeverisë për drejtësinë, të kundërshtuar nga Presidenti dhe opozita, Naço tha se ndryshimet e ligjit për KLD-në nuk janë asgjë tjetër, veçse transpozim i dispozitave të akteve nënligjore që vetë ky institucion ka miratuar me vendime të tij, por faktikisht të pazbatuara. “Ligji i ri parashikoi qartë që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, të mos transferohen ose ngrihen në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, si dhe një vit pas mbarimit të këtij mandati”. Sipas ministrit, në frymën institucionale të bashkëpunimit dhe ligjshmërisë kushtetuese të institucioneve të pavarura, nën parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve nga njëra anë, por dhe të parimit të ligjshmërisë nga ana tjetër, u bënë ndryshimet ligjore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ku me propozim të Presidentit të Republikës, si zëvendës kryetar i KLD-së, të zgjidhet një nga anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency