Pushohet çështja në Emiratet e Bashkuara, gjykata liron Hajdin Sejdinë

0
202

Sonja Caka

hajdinU arrestua 1 muaj më parë në Morinë, për llogari të Interpolit

Biznesmeni 60-vjeçar akuzohet për mashtrim bankar në Dubai

 

Hajdin Sejdia fiton lirinë afro një muaj pas arrestimit në pikën kufitare të Morinës. Vendimi është marrë nga Gjykata e Kukësit pas kërkesës së akuzës për pushimin e këtij gjykimi, me argumentin se nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kishin lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, nuk ka mbërritur dosja me materialet e akuzës, ndërsa është deklaruar se çështja për mashtrim bankar ndaj biznesmenit Sejdia është mbyllur. E gjendur përballë kësaj situate, ndërsa biznesmeni është mbajtur 1 muaj në qelitë e paraburgimit në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, gjykata vendosi ta lintetë lirë 60-vjeçarin.

Seanca

Gjykata e Faktit në Kukës la të lirë dje Hajdin Sejdinë, biznesmenin kosovar të arrestuar me 14 prill në pikë kalimin kufitar të Morinës. Dje ishte përcaktuar nga gjykata si dita për shqyrtimin e dosjes që kishte mbërritur para disa ditëve nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Pasi kanë shqyrtuar këtë dosje, trupi gjykues ka vendosur lirimin e tij, me argumentin se vetë dosja ka ardhur me pushimin e kësaj çështjeje. Sipas vendimit të gjykatës, vetë drejtësia e Emirateve të Bashkuara e kishte konsideruar procesin të mbyllur. Burime nga Gjykata e Prokuroria bëjnë me dije se dosja e ardhur nga Emiratet e Bashkuara tregon se Sejdia nuk ka ndonjë detyrim në këtë shtet. Duket se Ajdia me avokatët e tij në shtetin arab i ka mbyllur procedurat dhe akuzat për mashtrim financiar në këtë shtet. Policia dhe të afërm të Sejdisë nuk kanë lejuar median të jetë e pranishme, por pas daljes nga salla e gjyqit, ai është shoqëruar sërish për në dhomat e paraburgimit, ku dhe ka kryer procedurat e duhura për lirim.

Arrestimi

Biznesmeni 60-vjeçar Hajdin Sejdia u arrestua më 14 prill nga policia kufitare e Kukësit dhe menjëherë u dërgua dhe për ndihmë mjekësore në spitalin e Kukësit dhe më pas ka qëndruar në dhomat e paraburgimit në Kukës. Ditë më parë u përhapën dhe lajme për lirimin e tij, por që më pas rezultuan të pavërteta. Ndalimi i Sejdisë u bë për llogari të Interpolit, ndërsa 60-vjeçari po udhëtonte nga Tirana në drejtim të Kosovës. Policët kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të tij dhe, siç mësohet, e kanë ndaluar atë në afërsi të pikës kufitare me Kosovën për verifikim, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Emiratet e Bashkuara për mashtrim bankar. Hajdin Sejdia është ekstraduar edhe disa vite më parë nga autoritetet zvicerane, sepse ai akuzohej për mashtrim të shumë personave në shuma të konsiderueshme. Ai kishte përdorur edhe andej të njëjtën skemë mashtrimi si në Shqipëri me skemat piramidale. Por pasi bëri shtatë vjet burg në Zvicër, më pas arriti të fitojë lirinë. Pas kthimit në Tiranë, ai hyri në tratativa me pronarët e tokës në krah të Bibliotekës Kombëtare dhe, pasi bleu tokën, shpalosi idenë e tij për një hotel madhështor. Që nga ajo kohë, për shumë vite u hap një gropë e madhe, e cila u kthye në vatër prostitucioni dhe të përdoruesve të drogës. Vetëm pak kohë më parë u kthye në lulishte. Sejdia krijoi edhe shoqërinë “Iliria Holding”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency