Basha: Me mbështetjen e qeverisë, 4.2 milionë euro për rikualifikimin e bllokut

0
119

bashaRikonstruktohet bulevardi “Petro Nini Luarasi”

Berisha: Për dy vjet asfaltojmë çdo rrugë në Tiranë

Qëndrimi i Ramës për simbolin e demokracisë në Kavajë, Kryeministri: Fyerje ndaj shqiptarëve

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, dhe Kryeministri Sali Berisha kanë qenë dje të pranishëm në përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e bulevardit “Petro Nini Luarasi”, në njësinë bashkiake nr. 2, një investim prej 63,7 milionë lekësh, i financuar nga Bashkia e Tiranës. Ky bulevard kishte një rëndësi të veçantë,pasi përgjatë tij vendoset Tregu Elektrik si edhe për mbi 15 mijë banorët që jetojnë përgjatë saj, prej vitesh ishte lënë në harresë, duke u kthyer në një rrugë tejet të amortizuar e madje ku nuk ishte hartuar qoftë edhe një projekt për rikonstruksionin e saj. Për këtë arsye si edhe për shkak të kërkesave të vazhdueshme të qytetarëve, Bashkia e Tiranës e futi ndër prioritet e para të saj. Kryebashkiaku u premtoi banorëve se me mbështetjen e qeverisë do të nisë shumë shpejt rikualifikimin urban të të gjithë bllokut, një investim, 4.2 milionë euro. “Sot (dje) me përfundimin e punimeve, dua t’ju siguroj edhe një herë se besimi që ju keni si qytetarë të Tiranës, tek Bashkia e Tiranës, për t’u përkushtuar ndaj shërbimit dhe punës për qytetarët, larg frymës së konfliktit politik, larg luftës politike që i kushtoi banorëve të kësaj zone plot 11 vite rrugë të pashtruara, kushte të papërmirësuara, do të jetë një besim që do të shpërblehet, pasi rruga, bulevardi “Petro Nini Luarasi” është vetëm fillimi i punës sonë. Në partneritet me qeverinë e Kryeministrit Berisha, ne do të bëjmë të mundur shumë shpejt nisjen e rikualifikimit urban të gjithë këtij blloku, me një vlerë prej 4.2 milionë dollarësh, gjysma e fondit e parashikuar si mbështetje nga qeveria e Kryeministrit Berisha”, – u shpreh Basha.

Kryeministri

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha ka garantuar banorët e njësisë 2 se qeveria do të mbështesë maksimalisht bashkinë e Tiranës, në mënyrë që brenda dy viteve të ardhshme të mos ketë rrugë të pashtruara. “Për qytetarët e Tiranës të cilët me votën e tyre në 2011 i prenë faturën për në autobusin mavi ish-kryetarit, u them se çelet një kapitull i ri për Tiranën e tyre, për Tiranën e mbarë shqiptarëve, pasi siç e dini në 11 vite u punua vetëm në tri akset dhe ne nuk mohojmë, nihilizmi nuk është kultura jonë, nuk është morali ynë, u punua në tri akse dhe u injorua pothuaj gjithçka tjetër, aty ku ishin 80% e banorëve. Ndihesha i turpëruar sa herë që lexoja shtypin e huaj apo e dija dhe vetë se po të dalësh jashtë qendrës së Tiranës, zbret në baltë dhe në baltë të pafund, zbret në rrugë të rrënuara dhe kjo ishte e vërtetë. E vërteta është se inventari i rrugëve të paasfaltuara, shesheve, rrugicave është mbi 250 kilometra, por e vërteta është që sado të kushtojnë, ne do i asfaltojmë ato brenda dy viteve që vijnë”, – deklaroi Kryeministri.

Simboli i demokracisë në Kavajë

Kryeministri e ka konsideruar fyerje ndaj shqiptarëve qëndrimin e kryesocialistit Rama ndaj simbolit të demokracisë, dy gishtave, të vendosur sot në sheshin e Kavajës. “Fyerja që shoferi i autobusit u bëri demokratëve të Shqipërisë dhe të gjithë atyre që me dy gishta lart, në mënyrën më të qytetëruar shembën diktaturën e etërve të tij, diktaturën më mizore në Evropë, ftoj të gjithë demokratët, të gjithë qytetarët që këto 10 ditë të përshëndesin njëri-tjetrin sa më shumë me dy gishtat lart, jo vetëm se këto janë simboli i të gjithë asaj çka qytetarët e Tiranës, Kavajës dhe të gjithë Shqipërisë arritën kundër një regjimi barbar, por kjo është buqeta më e shkëlqyer e fitores së 23 qershorit”, – u shpreh Berisha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency