Neglizhoi sëmundjen e pacientes akuza merr të pandehur kirurgun

0
587

pacientDorian Bozaxhiu nuk kreu biopsinë pas konkluzionit përfundimtar të EKO-s

 

Një kirurg i një spitali privat në Shqipëri është marrë i pandehur nga Prokuroria e Tiranës për akuzën e “Mjekimit të pakujdesshëm”. Organi i akuzës ka mbyllur hetimet për kirurgun Dorian Bozaxhiu, pasi ky i fundit nuk ka mjekuar siç duhet një vajzë 27-vjeçare të quajtur Naida Kapo. Kjo e fundit është diagnostikuar nga një masë tumori në gji, por që në fakt pas përfundimit të operacionit mjeku i pandehur nuk ka vlerësuar siç duhet konkluzionet e një EKO-je, duke i neglizhuar ato. Një gjë e tillë ka sjellë moskurimin e mëtejshëm siç duhet të sëmundjes dhe për pasojë tumori ka avancuar më tej. Sipas Prokurorisë së Tiranës, pas operacionit në gjirin e djathtë, 27-vjeçarja Naida Kapo është paraqitur tek kirurgu Dorian Bazaxhiu, duke i treguar EKO-n, por i pandehuri sipas prokurorëve nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për kryerjen e biopsisë ndaj dy formacioneve të konstatuara në këtë EKO. Në kushtet kur masa tumoriale po avanconte, pacientja sipas prokurorëve, është shtruar urgjent në një klinikë tjetër private ku është kuruar dhe ka hequr këtë masë, ndërsa pas operacionit vajza është larguar nga Shqipëria për t’iu nënshtruar kimioterapisë në një spital në Itali.

Mjeku nuk bëri biopsinë

Në kërkesën për gjykim të Prokurorisë së Tiranës thuhet se me neglizhencën e tij kirurgu Dorian Bazaxhiu i ka rrezikuar seriozisht jetën vajzës 27-vjeçare. Nisur nga këto veprime elementët e mjekimit të pakujdesshëm në formën e neglizhencës kanë sjellë rëndimin e gjendjes shëndetësore dhe rrezikimin e jetës së pacientes, sepse i pandehuri, pasi është njohur me EKO-n e pacientes së tij duhet të kryente menjëherë biopsinë, çka do të sillte sipas prokurorëve edhe një heqje në kohë të masës dhe shmangie të zhvillimit të tumorit. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe për pasojë gjendja e pacientes është rënduar deri në atë masë sa ajo është shtruar në një klinikë tjetër mjekësore. Për pasojë, nga analizimi i të gjithë situatës është mësuar se mjeku Bazaxhiu ka neglizhuar sëmundjen e pacientes së tij dhe menjëherë kanë nisur dyshimet, ndërkohë që familjarët e vajzës i janë drejtuar Prokurorisë së Tiranës ku dhe kanë bërë kallëzimin penal. Dosja është hetuar për disa muaj ku gjatë hetimeve të kryera janë marrë në pyetje të afërmit e vajzës, si dhe vetë 27-vjeçarja. Ajo ka treguar me detaje të gjitha procedurat e mjekimit. Ndërkohë që disa ditë më pas është marrë në pyetje dhe mjeku, i pandehuri Dorian Bozaxhiu i cili gjatë dëshmisë së tij ka pranuar se vajza 27-vjeçare ka qenë pacientja e tij, por nuk ka pranuar se ai të kishte kryer ndonjë gabim gjatë mjekimit.

Dosja në gjykatë

Pavarësisht nga pretendimet e kirurgut Dorian Bozaxhiu, ky i fundit tashmë është marrë i pandehur dhe se dosja në ngarkim të tij i është dërguar Gjykatës së Tiranës, për shqyrtim. Ende nuk është hedhur shorti elektronik për caktimin e gjyqtarit të çështjes, por pritet që një procedurë e tillë të kryhet në ditët në vijim. Bozaxhiu nuk ka pranuar në asnjë moment akuzën gjatë fazës së hetimit, ndërkohë që familjarët e vajzës 27-vjeçare kanë akuzuar pikërisht mjekun për sjelljen e anomalive të rënda në shëndet.

 

Xholi, drejtor Hetimi
Madrid Kullolli, në krye të Task-Forcave

Dekretimi i 6 prokurorëve të rinj nga Presidenti Nishani në Prokurorinë e Përgjithshme ka bërë që kryeprokurori Llalla të organizojë punën në këtë institucion. Kështu prokurori Madrid Kullolli, nga dje është urdhëruar të drejtojë Drejtorinë e Njësive Task-Forcë, ndërkohë që prokurori Adnand Xholi, do të drejtojë Drejtorinë e Hetimit, ndërsa Rovena Gashi Drejtorinë Juridike me Marrëdhëniet me Jashtë. Gjithashtu, prokuror Arqile Koça, i cili ka ushtruar funksionet në Drejtorinë e Hetimit dhe Ndjekjes Penale tashmë do të drejtojë Drejtorinë Gjyqësore dhe të Mbikëqyrjes së Vendimeve Penale dhe Vuajtjes së Dënimit. Nëpërmjet shtimit të prokurorëve dhe rishpërndarjes së tyre, z. Llalla ka forcuar Drejtorinë e Inspektimit, Sektorin Kundër Korrupsionit, si edhe Sektorin e Përgjimeve Telefonike, duke shtuar në këtë mënyrë aftësitë hetuese dhe mbikëqyrëse të Prokurorisë së Përgjithshme.

Aksidenti në Tiranë
Makina plagos rëndë karrocierin 60-vjeçar

Një aksident me pasojë plagosjen e një 60-vjeçari është shënuar mëngjesin e së hënës pranë “Misto Mames” në kryeqytet. Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se një makinë ka përplasur një karrocë, duke lënë të plagosur rëndë karrocierin, Sinan Mulleti, 60 vjeç. Sipas policisë automjeti është larguar menjëherë nga vendngjarja, pas aksidentit, ndërkohë që i plagosuri është dërguar në spital, ku mësohet se gjendje e tij shëndetësore është në rrezik për jetën. Policia ka nisur punën për kapjen e drejtuesit të mjetit i cili dyshohet se ka qenë duke lëvizur tej normave të shpejtësisë kur ka goditur karrocën. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë në pyetje janë marrë disa persona që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk është konfirmuar arrestimi i drejtuesit të mjetit.

Droga në port
Durrës, bllokohen 70 kg lëndë narkotike

Një sasi prej 64.90 kg lëndë narkotike është bllokuar dje në portin e Durrësit. Lënda narkotike e cila dyshohet si kanabis sativa u gjet në një mjet rulo të tipit “Ford”. Policia kufitare e Durrësit arrestoi pronarin e mjetit, shtetasin Artan Hajdari, 40-vjeç, banues në Sheq të Madh të Fierit. Automjeti në të cilin ishte fshehur lënda narkotike po priste të ankorohej në tragetin e linjës, Durrës-Ancona. Për veç drogës personit posedues iu sekuestruan edhe një aparat celular dhe një shumë e konsiderueshme parash. Nisur në këto rrethana ndaj tij është ngritur akuza e trafikut të narkotikëve të mbetur në tentativë, ndërkohë që policia dhe prokuroria janë duke kryer hetime për zbulimin e personave të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë trafik droge. Për pasojë është marrë në pyetje drejtuesi i mjetit shtetasi i arrestuar Artan Hajdari, por ky i fundit nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë.

 Ngjarja në Rrugën e Elbasanit, pas sherrit në telefon për paratë
Plagosja në kazino, shpallen në kërkim
administratori dhe badigardi i policisë private

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim dy persona për konfliktin me armë dhe thika ku tre persona mbetën të plagosur. Sipas policisë, në kërkim janë Artan Thomaraj, administrator i një policie private dhe badigardi Artur Suçi. Policia e Tiranës sqaroi se të plagosur janë dy kushërinjtë Alban dhe Admir Dogjani, si edhe Thimi Marku, ky i fundit i plagosur me thikë. Burimet policore thanë se grindja ka nisur në telefon mes Markut dhe Bledar Rexhës, ky djali i hallës së dy kushërinjve Dogjani. Grindja ka vijuar në kazinonë në rrugën “Dervish Hima”, ku ndodhej Marku, ku dhe janë goditur me grushte, thika dhe armë. Personat e përfshirë në konflikt deri disa ditë më parë kanë qenë punonjës të së njëjtës shoqëri të policisë private. Për pasojë, sherri ka degjeneruar deri në atë masë sa protagonistët kanë nxjerrë thikat dhe pistoletat. Si pasojë e kësaj përplasjeje janë plagosur rëndë tre persona. Sipas policie ngjarja e rëndë është regjistruar në Rrugën e Elbasanit, rreth orës 22:30, ndërkohë që të plagosurit janë transportuar me shpejtësi në Spital Ushtarak. Dy vëllezërit e plagosurit me armë zjarri, njëri prej të cilëve paraprakisht mësohet se më parë ka punuar roje në kazino, janë konfrontuar me rojet e sigurisë së “Global Security”, që kishte detyrë të ruante kazinonë, pasi kishin disa kohë që luanin dhe kishin humbur një sasi parash. Për këtë arsye duke dashur të rikuperojnë paratë e humbura ata kanë kërkuar një shumë tjetër borxh, por edhe atë e kanë humbur. Vëllezërit Dogjani kanë nisur të reagojnë dhunshëm brenda kazinosë, kanë thyer objekte dhe kompjuterin ku luanin. Për këtë sjellje të papranueshme rojet e kazinosë i kanë ndaluar, por aty ka nisur një grindje me grushte, leva e dërrasa derisa ka përfunduar me plagosjen me armë jashtë kazinosë nga njëri prej rojeve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency