Pritë para shtëpisë, tre persona rrahin barbarisht kandidatin e FRD-së

0
136

Elton Qyno

Mithat HoxhaMithat Hoxha qëllohet në mesnatë me grushte dhe sende të forta në kokë nga persona të paidentifikuar

Kandidati: Më kërcënuan me vdekje të mos kandidoja, nuk arrita të shihja personat që më goditën

 

Rrihet barbarisht kandidati për deputet i Frymës së Re Demokratike, Mithat Hoxha. 50-vjeçari ka qenë duke u kthyer në banesën e tij në Roskovec, kur papritur i kanë zënë pritë tre persona të paidentifikuar prej tij dhe e kanë qëlluar me sende të forta në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e goditjeve të forta në trup, 50-vjeçari ka mbetur pa ndjenja, ndërkohë që kanë qenë kalimtarët e rastit ata që i kanë dhënë ndihmën e parë, duke e transportuar më pas së bashku me familjarët në drejtim të spitalit të Fierit, ku dhe Mithat Hoxha ka marrë mjekimin. Kandidati për deputet ka marrë plagë të rënda në pjesën ballore të kokës, gjë e cila i ka shkaktuar atij gjendjen e të fikëtit. Sipas Mithat Hoxhës, një sulm të tillë ia kishin paralajmëruar persona të ndryshëm në zonën e Roskovecit, por ai asnjëherë nuk i kishte marrë seriozisht kërcënimet dhe se në asnjë rast nuk ka njoftuar policinë e Fierit për kërcënimet e ndryshme që i vinin. Aktualisht, Hoxha vazhdon të qëndrojë i shtruar në spitalin rajonal të Fierit, pasi ka fraktura të shumta në trup dhe hematoma në pjesën e fytyrës dhe syve, ku si pasojë e ënjtjes së të cilëve Hoxha nuk është në gjendje të shohë shumë mirë. Incidenti në fjalë ka prapavijë politike dhe se drejtuesit e FRD-së në Fier, por edhe në Tiranë e lidhin ngjarjen me kërcënimet e vazhdueshme, që kandidatit të tyre i janë bërë për t’u tërhequr nga gara për deputet në qarkun e Fierit. Edhe kryesuesi i listës së kandidatëve të Frymës së Re Demokratike në Fier, Shezai Çobo, thotë se dhuna ka prapavijë politike.

Tërhiqu nga kandidimi!

Sulmi fizik mbi kandidatin e FRD-së në Fier ka  ardhur pas kërcënimeve të vazhdueshme ndaj tij për t’u tërhequr nga gara. Persona të ndryshëm të forcave politike që veprojnë në Roskovec dhe Fier e kanë kërcënuar 50-vjeçarin që të mos bënte fushatë elektorale në disa fshatra të Roskovecit dhe në Roskovec, pasi në të kundërt ai do të ishte i vdekur. Me gjithë këto sulme, Mithat Hoxha nuk ka pranuar të tërhiqet, por ka vijuar fushatën elektorale të tij, duke kërkuar votën e çdo qytetari në çdo shtëpi të Roskovecit dhe në fshatrat përreth. Mirëpo atëherë kur ai kishte menduar se kërcënimet ishin vetëm kërcënime, tre persona i kanë ngritur pritë rreth orës 23:00 të mesnatës, kur Hoxha ishte duke u kthyer në banesë. Ai sapo kishte përfunduar një takim pune në zyrën e tij elektorale dhe më pas ka vendosur të shkojë në banesë. Por teksa kthehej në familje, tre persona e kanë sulmuar befasisht duke e qëlluar me grushte dhe sende të forta. Për disa sekonda, Mithat Hoxha ka kërkuar ndihmë dhe ka bërtitur, por më pas është rrëzuar në tokë pa ndjenja si pasojë e goditjeve në pjesën e kokës. Gjatë atyre pak sekondave të sulmit, Hoxha nuk ka qenë në gjendje të njohë asnjë prej autorëve, duke mos treguar asnjë emër në policinë e Fierit. Kjo e fundit ka shkuar në vendngjarje pas denoncimit që familjarët kanë bërë në polici, ndërkohë që në vendin e krimit nuk është gjetur asnjë send personal i autorëve, që mund të sillte identifikimin e shpejtë të tyre. Lidhur me kërcënimet e marra policia ka bërë me dije se nuk ka regjistruar asnjë denoncim nga Mithat Hoxha, për persona konkretë. Faktin e kërcënimit uniformat blu e kanë marrë vesh pas ndodhjes së ngjarjes në orët e mesnatës në Roskovec.

Hetimi i policisë

Lidhur me ngjarjen në fjalë, policia e Fierit ka urdhëruar shoqërimin e dhjetë personave, ku pas marrjes në pyetje të tyre, sërish personat e shoqëruar janë lënë të lirë. Për llogari të hetimeve është kërkuar të merret në pyetje dhe shtetasi i dëmtuar Mithat Hoxha, por për shkak të turbullirës, ky i fundit në orët e mesnatës ka pohuar se nuk ka qenë në gjendje të tregonte atë që i kishte ndodhur. Për pasojë policia e Fierit, i ka marrë dëshminë ditën e sotme, ku Hoxha ka treguar atë çfarë mbante mend. Mësohet se ai nuk ka dhënë asnjë emër për policinë dhe prokurorinë, por ka pohuar vetëm emrat e personave me të cilët kohet e fundit ka pasur debate dhe kërcënime lidhur me kandidimin e tij si deputet në Roskovec. Aktualisht policia dhe prokuroria e Fierit janë duke kryer hetime, ndërkohë që janë duke mbajtur në vëzhgim personat që mendohet se janë autorë të keqtrajtimit të kandidatit për deputet të FRD-së, Mithat Hoxha.

Liljana Hoxha

Gruaja e Mithat Hoxhës, Liljana, ka deklaruar në media se bashkëshorti i saj ka marrë kërcënime të shumta nga persona të ndryshëm, kërcënime këto që shkonin deri me vdekje. Shkak ka qenë garimi i tij për deputet në Roskovec dhe takimet elektorale që bënte në qytet dhe fshatrat për rreth.

Arben Malaj

Kandidati për deputet i pavarur në Vlorë, Arban Malaj, dënon sulmin ndaj kandidatit të FRD-së në Roskovec, Mithat Hoxha. Përmes rrjetit social Facebook, Malaj thekson se çdo rast incidenti cenon integritetin e zgjedhjeve. “Ditën e djeshme është shënuar një ngjarje e rëndë, ku kandidati i FRD-së është dhunuar fizikisht. E dënoj këtë akt të shëmtuar!”

 

Reagimi i partisë së Mithat Hoxhës

FRD: Akti kriminal, policia

të garantojë jetën e qytetarëve

Partia Fryma e Re Demokratike e cilësoi ngjarjen e së dielës mbrëma si një akt kriminal dhe që për më tepër është bërë ndaj një personi publik dhe me përgjegjësi politike. Duke i bërë thirrje policisë që të garantojë jetën për të gjithë qytetarët, kjo forcë politike tha se përgjegjësit duhet që të dalin përpara drejtësisë. “FRD e dënon ashpër aktin kriminal dhe e konsideron atë si një akt kërcënues për jetën dhe për integritetin e procesit zgjedhor në Fier. Zoti Hoxha ishte kandidat zyrtar i FRD-së, ai ishte në fushatë elektorale, ndaj çdo goditje ndaj tij përbën akt politik kundër kandidatit, kundër bindjeve dhe veprimeve të tij politike, kundër FRD dhe kundër standardit të konkurrencës elektorale. FRD kërkon publikisht nga Policia e Shtetit të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vendosur përpara drejtësisë personat përgjegjës. Policia e Shtetit duhet të mbajë dyfish përgjegjësi për zyrtarët lokalë të cilët kanë injoruar denoncimet e zotit Hoxha për presione të vazhdueshme nominale për shkak të aktivitetit të tij politik dhe elektoral. Në një shtet të së drejtës të gjithë ata janë njësoj përgjegjës si edhe ata që kanë kurajën të godasin një qytetar të lirë, një politikan dhe një person publik, ndaj FRD zotohet publikisht se do të ndërmarrë çdo hap institucional për të vendosur përpara ligjit të gjithë ata që e kanë shkelur atë, që kanë nxitur krimin dhe që e kanë realizuar atë”, – përfundon deklarata e FRD, ndërsa ata shtojnë se do të vijojnë garën elektorale jo vetëm në Fier, por në të gjithë vendin.
 

Politika dënon ashpër ngjarjen e Roskovecit

Topi dhe Oketa: Drejtësia të

zbardhë krimin, policia të mos flejë
Kryetari i FRD-së, Bamir Topi, denoncoi dhunën e ushtruar ndaj Mithat Hoxhës, kandidat i FRD-së në Roskovec. “Nuk dua të vë gishtin tek askush, tek asnjë parti, se ajo që ka rëndësi është roli ndaj institucioneve të shtetit. Kam kritikë të ashpër ndaj policisë. Se qysh nga momenti i ndodhjes së këtij akti të rëndë nuk kanë marrë mundimin të jetë prezent dhe aq më shumë nga të dhënat që kemi nga denoncimet e herë pas hershme të z. Hoxha, Policia e Shtetit ka për detyrë të mbrojë jetën”, – tha ai. Gazmend Oketa, nga spitali i Fierit, pas vizitës së bërë tha se nuk është detyra e tij që të politizojë ngjarjen. “Unë nuk mund ta politizoj ngjarjen, këto ngjarje të përsëritura në fushata zgjedhore. U takon organeve të drejtësisë të zbardhin ngjarjen”, – deklaroi Oketa. Por gjithashtu këtë rast nuk e ka lënë pa e komentuar edhe lideri socialist Rama, i cili në një reagim në Twitter ka bërë fajtor demokratët këtë ngjarje. Kreu i PS-së shkroi se në Roskovec operojnë kriminelë ndërsa i ka drejtuar një thirrje dhe Kryeministrit Berisha. “Lajm i hidhur dhuna ndaj kandidatit të FRD-së në Roskovec! Aty operojnë kriminelë të ushqyer e të ndërsyer nga Sokoli i Saliut! Sali distancohu!”, – u shpreh dje Rama. Për ngjarjen në fjalë reagoi edhe kandidati i pavarur Arben Malaj, i cili bëri thirrje për të zhvilluar të gjithë një fushatë të qetë dhe të civilizuar.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency