Financat e partive politike, TIA: Shqipëria, me nivel mesatar transparence, 5.9 pikë

0
161

Florenc Drizari

mitingTransparency International Albania (TIA) publikon raportin për financimet e partive politike

 

 

“Partitë politike në Shqipëri kanë dështuar në bërjen publike të informacionit financiar

për publikun, anëtarët e partisë dhe votuesit”. Këto janë disa nga gjetjet e studimit të fundit të Transparency Internaticional Albania, i cili ka pasur në fokus pushtetin dhe partitë politike në Shqipëri nën ndikimin e parasë, duke e vlerësuar Shqipërinë me një nivel mesatar transparence.

“Financimi politik në Shqipëri shënoi një rezultat mesatar prej 5.9 pikësh përmes analizës së studimit CRINIS, me fokus në financimin vjetor të partive politike. Rezultatet e këtij kërkimi kategorizohen në tre grupe kryesore vlerësimi: pamjaftueshëm (0 deri në 3.3), mesatar (3.4 deri në 6.7) dhe mirë (6.8 deri në 10). Pikët e vlerësuara për Shqipërinë janë në kategorinë “mesatare”. Ky vlerësim është pasqyrim i një kuadri ligjor të përmirësuar, por implementim jo të mirë në praktikë. Indikatorët e vlerësuar”, – thuhet në raport.

Ekspertët e TIA-s vlerësojnë se me gjithë parashikimin në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ligji nuk respektohet dhe për këtë arsye, ata rekomandojnë shtimin e një dispozite të veçantë ligjore për të rregulluar publikimin e këtyre informacioneve nga vetë partitë politike.

Raporti i TIA-s i referohet deklarimit të të ardhurave të partive politike për vitin e shkuar dhe çdo informacion i përket periudhës deri në qershor 2013. Transparency International Albania sqaron se nuk mban përgjegjësinë për ngjarje të ndodhura pas kësaj periudhe, apo pasojat e përdorimit të tij për qëllime apo kontekste të tjera. Ky studim është realizuar me ndihmën ­financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze, por në të thuhet se përmbajtja është përgjegjësi e vetme e Transparency International Albania dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze.

 

PËR KQZ-në

 

Raporti i TIA-së evidenton një përgjegjësi të madhe për KQZ-në, në zbardhjen e burimeve të të dhënave financiare dhe deklarimet që bëhen nga partitë politike në Shqipëri.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ndërmarrë investigime proaktive për të verifikuar llogaritë financiare të partive politike. Faza e parë e raportimit financiar vjetore nga partitë politike në Shqipëri nxori në pah dobësitë e funksioneve mbikëqyrëse të KQZ dhe mungesën e një kontrolli adekuat për besueshmërinë e informacionit të deklaruar nga partitë, duke qenë së raportet nuk investigohen nga ekspertë të KQZ apo audituesit e pavarur të përcaktuar nga KQZ. Bazuar në mosaplikimin e penaliteteve apo sanksioneve të duhura, ne rekomandojmë që autoriteti shtetëror të hetojë në mënyrë proaktive financat e partive me qëllim promovimin e transparencës dhe implementimin efektiv të ligjit.

Ligji citon se dhurimi i fondeve jopublike, me vlerë më të madhe se 100,000 lekë (afërsisht

720 euro), duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme, të hapur në një bankë nga partia

politike”, – shkruhet në raport.

 

Rekomandime të TIA-s për transparencën financiare të partive politike

1.Publikimi i informacionit financiar nga partitë politike duhet të rregullohet përmes dispozitave specifike ligjore dhe të monitorohet nga autoriteti mbikëqyrës shtetëror.

2.Raportet e financimit vjetor dhe financimit të fushatave elektorale duhet të dorëzohen të ndara në rastet e viteve zgjedhore.

3.Identifikimi dhe raportimi i dhurimeve në natyrë duhet të rregullohet me dispozita ligjore të qarta e adekuate.

4.Dispozitat ligjore mbi parandalimin e mosrespektimit të rregullave ligjore të parashikojnë masa dhe penalitete më të forta.

5.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të ndërmarrë investigime proaktive për të verifikuar llogaritë financiare të partive politike.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency