Protesta para prokurorisë pas mbylljes së dosjeve të mjekëve

0
171

Elton Qyno

nikollNikollë Jakaj së bashku me djalin kërkojnë të hyjnë me forcë në prokurori. Ndërhyn policia

 

Një banor i Lezhës ka zgjedhur të protestojë përpara Prokurorisë së Tiranës, pas pushimit të kallëzimit që ky i fundit kishte kryer ndaj disa mjekëve të QSUT-së, për akuzën e “Mjekimit të pakujdesshëm”. Nikollë Jakaj, gati një vit më parë, kishte shtruar bashkëshorten e tij Dile Jakaj, në një pavijon të spitalit “Nënë Tereza”, ku gjatë mjekimit e moshuara ka gjetur vdekjen në ambientet e spitalit. Për humbjen e jetës së bashkëshortes, Nikollë Jakaj së bashku me djalin e tij kanë akuzuar mjekët, të cilët i kanë bërë mjekime të gabueshme dhe për pasojë të afërmes së tyre i kanë kushtuar vdekjen. Nisur nga kjo situatë, Nikollë Jakaj dhe djali i tij i janë drejtuar Prokurorisë së Tiranës, ku kanë bërë denoncimin. Menjëherë pas këtij kallëzimi organi i akuzës ka nisur hetimet kundër mjekëve të akuzuar se kishin abuzuar me detyrën. Si kallëzuesi dhe personat e dyshuar se kanë kryer veprën penale janë marrë në pyetje, ku mjekët kanë mohuar faktin e përfshirjes së tyre në veprimtari kriminale, pasi çdo veprim që e kanë kryer ndaj pacientes Dile Jakaj, e kanë kryer sipas rregullores mjekësore dhe duke ju referuar diagnozës së sëmundjes së saj. Mirëpo tjetër mendim ka pasur bashkëshorti i viktimës, i cili ka akuzuar direkt mjekët e kallëzuar se kanë neglizhuar rastin dhe se i kanë dhënë mjekim të gabuar pacientes së mbërritur me urgjencë nga zona e Lezhës. Mirëpo pas disa muaj hetimesh, organi i akuzës ka vendosur të pushojë hetimet për këtë çështje, duke mos gjetur prova për implikimin e mjekëve në veprimtari abuzime. Pas këtij vendimi ka ardhur dhe reagimi i Nikollë Jakajt, i cili së bashku me të birin ditën e djeshme ka protestuar para Prokurorisë së Tiranës, duke u larguar vetëm pas ndërhyrjes së forcave të policisë së komisariatit nr. 3.

Protesta në prokurori

I tensionuar nga vendimi i pushimit të hetimeve, Nikollë Jakaj së bashku me djalin e tij ka udhëtuar nga Lezha në drejtim të Tiranës, ku ka kërkuar të takojë prokurorin e çështjes, me qëllim për të sqaruar plotësisht rreth marrjes së këtij vendimi. Mirëpo teksa është prezantuar tek punonjësi i prokurorisë, Jakaj nuk është pritur nga prokurori i çështjes dhe për pasojë ka filluar të protestojë dhe të bërtasë, se drejtësia në Shqipëri kishte marrë fund dhe se prokurorët, mjekët dhe gjyqtarët janë një shtresë e korruptuar. Duke qenë se Jakaj ka insistuar të hyjë brenda ambienteve të prokurorisë, duke përdorur dhe forcën, punonjësit e sigurisë kanë njoftuar efektivët e komisariatit nr. 3 në Tiranë. Pas mbërritjes së këtyre të fundit, sërish Jakaj nuk ka pranuar të heqë dorë nga dëshira e tij për t’u futur në takim. Mirëpo pas një bisede të gjatë me efektivët e policisë ai është larguar së bashku me ta jashtë ambienteve të Prokurorisë së Tiranës. “Ata duhet të hetojnë këtë ngjarje, ka një vit e gjysmë që më sorollatin, tallen me mua. Unë kallëzova, e di pse vdiq gruaja ime këta bëjnë ç’të duan, kanë sjellë polici sikur ç‘do bëj unë, unë asgje as kam ndërmend tua prish luksin , dua të di pse vdiq gruaja ime”, – tha ai ndërsa policia po e largonte me forcë nga hyrja e prokurorisë.

Ekspertiza mbylli hetimet

Marrja e vendimit për pushimin e hetimeve ndaj kallëzimit të bërë nga shtetasi Nikollë Jakaj ka ardhur pas konkluzionit përfundimtar të aktit të ekspertizës së mjekësisë ligjore,e cila përcaktonte se vdekja e gruas nuk kishte ardhur si rezultat i mjekimit të pakujdesshëm të mjekëve. Sipas burimeve policore, mjekësia ligjore doli në përfundim pak ditë më parë se Dile Jakaj ndërroi jetë nga tromboza në mushkëri dhe se vdekja e saj nuk ka ndodhur nga neglizhenca e mjekëve, pasi ajo është kuruar sipas diagnozës së duhur. Pas këtij konkluzioni prokuroria mbylli hetimet, por nuk është i këtij mendimi bashkëshorti i gruas i cili pretendon se gruaja mund të kishte shpëtuar ndaj dhe gjatë ditës së djeshme, ka shkuar në Prokurorinë e Tiranës, duke dashur të marrë sqarime nga prokurori i çështjes.

 

Arrestimi

Kapet 31-vjeçari maqedonas, ishte në kërkim

Një shtetas maqedonas i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në pikën kufitare të Morinës. Sipas informacioneve të marra pranë Policisë së Kufirit dhe migracionit bëhet e ditur se Vesel Ibrahimi, 31 vjeç, nga Gostivari, është vënë në pranga. Ndalimi i tij është bërë pasi gjatë kontrollit të dokumentacionit në hyrje për në territorin shqiptar ka rezultuar se ishte person në kërkim ndërkombëtar për llogari të drejtësisë maqedonase. Tashmë 31-vjeçari është në dhomat e paraburgimit, të komisariatit të policisë së Kukësit, ku po kryhen edhe procedurat e ekstradimit të tij. Deri tani policia nuk ka bërë të ditur asnjë detaj për veprën penale që i riu ka kryer, për të cilën dhe është shpallur në kërkim nga pala maqedonase. Pritet që në ditët në vijim shtetasi maqedonas të dalë para gjykatës për tu njohur me masën e arrestit në burg 40 ditor, kohë kjo që caktohet deri në pritje të ardhjes së letërporosisë nga shteti maqedonas.

 

Lëvizjet në prokurori

Kreu i akuzës së Korçës vjen tek Krimet e Rënda

Ndryshimet në prokurori në disa qytete të vendit janë ndjekur edhe nga kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili ka marrë pjesë në prezantimin e tyre. Në Elbasan Elvis Gogaj i cili është transferuar në Prokurorinë e Kurbinit është zëvendësuar nga Genti Osmani. Edhe në qytetin e Korçës Përparim Vukaj i cili e ka drejtuar këtë institucion prej 4 vitesh është transferuar pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë dhe është zëvendësuar nga Ferdinand Elezi i cili ka ushtruar funksionin e kryeprokurorit në qarkun e Durrësit. Prezantimet janë kryer me dyer të mbyllura, por ajo që mësohet është fakti që prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka kërkuar nga prokurorët e sapoemëruar të bëjnë gjithçka në shërbim të popullit dhe drejtësisë shqiptare. Pak ditë më parë, edhe Presidenti i Republikës dekretoi gjashtë prokurorët e rinj që do të ushtrojnë detyrën e tyre pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

 

 

Bomba “Molotov” kundër Kryeministrisë dhe Kuvendit, arrestohet Skënder Tufa

Policia e Tiranës vijon arrestimin e njëpasnjëshëm të ish-të përndjekurit politik Skënder Tufa, ku gjatë ditës së djeshme ky i fundit është kapur së bashku me shokun e tij Petrit Lipo. Sipas policisë së Tiranës, Skënder Tufa dhe Petrit Lipo dyshohet se po montonin dy bomba “Molotov” në afërsi të Universitetit Politeknik në Tiranë, duke bërë parandalimin e ngjarjeve tepër të rënda, pasi lëndët shpërthyese do të përdoreshin kundër godinës së Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit. I kontaktuar në telefon ish-i përndjekuri Skënder Tufa ka shpjeguar se në momentin e arrestimit ai së bashku me shokun e tij kanë qenë duke ecur në parkun e liqenit, kur papritur para tyre kanë dalë efektivat e policisë si dhe më pas kanë nxjerrë nga duart e tyre bidonët e mbushur me benzinë. Tufa përjashtoi mundësinë se ai ka lidhje me dy shishet e mbushura me benzinë. Ndërkohë që, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e komisariatit numër 1 dhe disa specialistë të xhenios, të cilët kanë gjetur në vendngjarje dy shishe plastike. Kurse pas ekzaminimeve të kryera, Skënder Tufa dhe Petrit Lipo janë shoqëruar në polici. Policia e Tiranës bën me dije se materialet i janë dërguar prokurorisë, e cila do të nisë një hetim për këtë rast. Ky nuk është hera e parë që Skënder Tufa dhe disa prej shokëve të tij të arrestohen nga Policia e Tiranës. Në një raport të disa ditëve më parë, Avokati i Popullit vinte theksin në monitorimin dhe ndjekjen e vazhdueshme nga ana e policisë ndaj shtetasit Skënder Tufa. Mirëpo disa ditë pas këtij raport rekomandimi, Policia e Shtetit e ka përgënjeshtruar këtë lajm, duke bërë me dije se nuk ka kryer ndjekjen e Tufës, ashtu siç pretendon ky i fundit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency