Kombëtarja, Berisha premton premio për Norvegjinë

0
147

Altin Vorpsi

ekipiQeveria shqiptare do të vendosë një shpërblim për fitoren e kombëtares me Norvegjinë më 7 qershor. Ky ishte premtimi I Kryeministrit Sali Berisha gjatë një takimi me stafin dhe futbollistët kuqezinj në mjediset e “Tropikalit”, ku është akomoduar kombëtarja shqiptare. Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria nuk është shumë larg Brazil 2014

 

 

Resorti ku akomodohet përfaqësuesja jonë ka pasur dje një mik të veçantë. Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, zhvilloi një takim me ekipin kombëtar të futbollit përpara ndeshjes kyçe që do të zhvillojë kjo skuadër ditën e premte. Në “Qemal Stafa” do të na vizitojë Norvegjia, skuadra që vetëm pak muaj më parë mposhtëm falë “perlës” së Hamdi Salihit.

 

Vlerësimi për De Biazin

Në fjalën që mbajti para tërë lojtarëve të kombëtares sonë, Berisha përfitoi nga rasti për të përshëndetur trajnerin për punën e bërë në udhëheqjen e ekipit drejt niveleve dhe rezultateve më të larta: “Përshëndes trajnerin tuaj, i cili ka arritur që të udhëheqë ekipin drejt niveleve më të larta, drejt rezultateve më të larta dhe në këtë kampionat keni bërë ndër lojërat më të bukura, por jeni edhe afër një momenti shumë të rëndësishëm dhe ju falënderoj për të gjitha rezultatet e arritur, edhe si ekip, edhe individualisht, sepse në ekipe të tjera keni shkëlqyer”.

 

Më afër Brazilit

Më tej, numri një i qeverisë shtoi se kuqezinjtë janë më afër se kurrë kualifikimit historik. “Do të gëzohem shumë më tepër kur të shkojmë ne në Brazil dhe e vërteta është se nuk jemi larg atij momenti. Unë ju uroj shumë përzemërsisht suksese! E falënderoj trajnerin për punën e mirë që ka bërë dhe nuk e ka shumë të lehtë, pasi e ka me përgjegjësi të madhe dhe ju garantoj se do të përpiqem që t’ju mbështesim edhe më shumë, sepse ju e meritoni plotësisht. Keni dëshmuar talentin, aftësinë, shkallë të madhe përgatitjeje. Futbolli është një sport me një dinamizëm të paimagjinueshëm”, – tha Berisha.

 

Shpërblimi

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri kërkoi që të motivonte më shumë sportistët tanë duke u premtuar edhe një premio: “Unë ju uroj suksese dhe ju siguroj se qeveria do të ketë një premio për fitoren, sepse e meritoni plotësisht. Shpresoj dhe uroj që të fitoni, por natyrisht loja është lojë dhe sytë e shqiptarëve kudo që janë, janë në stadium dhe presin fitoren. Natyrisht, gjakftohtësia është miku juaj numër një, më shumë sesa emocioni. Nuk duhet kurrë që emocioni të mbizotërojë gjakftohtësinë në fushë. Unë erdha t’ju mbështes për gjithë përfaqësimin që ju i bëni Shqipërisë, flamurit, vendit”. Kryeministri Sali Berisha në fund të takimit premtoi se do të jetë në tribunë për ta ndjekur nga shkallët e stadiumit sfidën Shqipëri – Norvegji.

 

Vizitën e Kryeministrit e përshëndeti edhe trajneri Xhani de Biazi, i cili e siguroi kreun e qeverisë së të gjithë futbollistët që do të zbresin në fushë, do ta nderojnë bluzën kuqezi. “Në radhë të parë dua të falënderoj Kryeministrin për mbështetjen që po na jep. Jam i sigurt që të gjithë këta djem që janë këtu sot, do ta nderojnë bluzën kuqezi, duke dhënë më të mirën e tyre në fushën e blertë. Por futbolli nuk është një shkencë ekzakte, sepse jo gjithmonë fiton më i miri. Ne do të bëjmë më të mirën, sepse dëshirojmë të ndjekim atë një ëndërr që kemi pasur që në fillim të këtyre eliminatoreve. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse e dimë që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, madje shumë më e vështirë se sfida që fituam në Oslo. Premtimi që mund të bëjmë është ky, do ta përgatisim në mënyrën më të mirë të mundshme këtë takim dhe do të japim maksimumin për ta fituar”, – tha komisari teknik italian.

 

Dorashka e sfidës

Gashi për Shqipërinë: Në Tiranë do të bëjmë maksimumin për të fituar

Një shqiptar duhet të marrë për dore Norvegjinë ndaj Shqipërisë. Të gjithë sytë e skandinavëve në prag të ndeshjes së 7 qershorit në Tiranë janë drejtuar nga mesfushori me origjinë nga Gjakova, Ardian Gashi, që kohët e fundit është kthyer në një njeri të rëndësishëm për përfaqësuesen e Egil Olsenit, ndaj futbollisti 32-vjeçar kërkon t’ia shpërblejë besimin trajnerit, duke deklaruar se do të japë maksimumin në ndeshjen e “Qemal Stafës”: “Po stërvitemi fortë për sfidën ndaj Shqipërisë. Jam në një formë të mirë, siç kam treguar dhe në dy ndeshjet e fundit me Helsinborgun në kampionat, ku kam mundur të shënojë edhe dy gola, gjë që nuk para ndodh shpesh. Takimi i Tiranës ka shumë presion, por ne jemi të përqendruar maksimalisht dhe kemi një objektiv të qartë në mendje, që janë tri pikët”. Për Gashin, e rëndësishme për takimin e së premtes do të jetë që Norvegjia të mbajë gjallë shpresën për një vend në Botërorin Brazil 2014: “Shqipëria është një skuadër që ka ardhur në rritje dhe këtë e tregoi dhe në sfidën që luajtën në Norvegji, megjithatë në Tiranë ne do të bëjmë maksimumin për të fituar dhe do të përpiqemi të jemi sa më shumë këmbëngulës. Unë jam gati të luaj kudo që dëshiron trajneri, qoftë si mesfushor i tërhequr apo qoftë dhe si mesfushor i avancuar. E rëndësishme në këto momente është ecuria e skuadrës”. Gashi është një prej futbollistëve me origjinë shqiptare që vesh fanellën e Norvegjisë dhe para ndeshjes së Oslos, ai spikati për deklaratën e tij, se nëse do t’i paraqitej mundësia për të shënuar ndaj kuqezinjve, nuk do të gabonte siç bëri Granit Xhaka në ndeshjen Zvicër – Shqipëri 2-0.

 

Flasin “Bomberat”

Salihi dhe Bushi kërkojnë të ulin euforinë

“Bomberi” i të kaluarës dhe si të tashmes nuk flasin vetëm një gjuhë vetëm në fushë. Hamdi Salihi dhe Alban Bushi janë dy pjesëtarët e vetëm të kombëtares aktuale shqiptare, që i kanë shënuar Norvegjisë në të shkuarën. Goli i sulmuesit shkodran në stadiumin “Uleval” të Oslos është shumë i freskët në kujtesën e tifozëve kuqezinj, ndërsa menaxheri i kombëtares i ka ndëshkuar norvegjezët në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2000, pikërisht në nëntor të 1998-ës. Që nga ajo kohë, Norvegjia dhe Shqipëria kanë ndryshuar shumë. Sipas Alban Bushit, nordikët kanë më pak cilësi, ndërsa kuqezinjtë janë përmirësuar sa i përket frymës së grupit. Tifozët kuqezinj presin një tjetër mrekulli nga këmbët e Hamdi Salihit, por sulmuesi shkodran me shumë modesti thekson se drejt suksesit të çon vetëm loja në grup.

Përtej entuziazmit dhe euforisë që ka përfshirë opinionin sportiv në vend, Bushi dhe Salihi theksojnë se një fitore e mundshme nuk është se të siguron pjesëmarrjen në botëror. Shqipëria ka grumbulluar 9 pikë në 5 ndeshjet e para, sikurse Islanda, ndërsa grupi E kryesohet nga Zvicra me 11 pikë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency