PD prezanton kandidatët Kryeministri: Në 2015-ën gati rruga që lidh Peqinin me Tiranën

0
128

Ina Jano

bero ne peqin

Berisha, akuza për kandidatët socialistë dhe vlerësime për Dashnor Sulën

 

Në dy vitet e para të mandatit të ri, pra deri në vitin 2015, Peqini do të lidhet me një rrugë të re me Tiranën. Ky ishte lajmi më i mirë që mund t’u jepte Kryeministri Berisha të gjithë peqinasve dje në mitingun e hapjes së fushatës elektorale. Duke folur me vlerësimet më të larta për deputetin aktual të këtij qyteti, Dashnor Sulën, Berisha tha se rruga është një premtim që do të mbahet dhe se infrastruktura është një prej atyre prioriteteve që nuk do të ndryshojnë edhe në katër vjeçarin e ardhshëm. “Zotohem para jush se mandatin që vjen, do të marrim statusin e vendit kandidat, i cili shoqërohet me qindra milionë euro. Do hapim negociatat për vendet anëtarë në BE. 4 vitet që vijnë do asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë në rrjetin e Peqinit dhe qarkun e Elbasanit. 4 vitet që vijnë në rast se biznesi në Peqin u rrit me 70%, me taksa që ulem dhe hoqëm me masat e tjera, bizneset e Peqinit do të rriten së paku me dy herë. 4 vitet që vijnë do të trefishojmë grantet për fermerët e Peqinit dhe e mbarë Shqipërisë. Do të rimbursojmë makineritë. Do të ndërtojmë dhe rindërtojmë gjitha shkollat dhe kanalizimet. Bashkimi i Peqinit me Tiranën, me daljen e veçante nga Komuna e Paprit në Baldushk është zotimi ynë. 12 km kanë mbetur, ju jap fjalën se dy vitet e para të mandatit do keni lidhje direkte me Tiranën”, – premtoi Berisha.

Në fjalimin që zgjati rreth 20 minuta, kreu demokrat si në të paktat herë, vlerësoi në mënyrë të drejtpërdrejtë deputetin Dashnor Sula, ndoshta edhe për vetë faktin se ai është i vetmi për këtë qytet. “Unë kam nder të madh të paraqes para jush sot deputetët e qarkut të Elbasanit, të paraqes sot para jush birin tuaj, deputetin tuaj Dash Sulën dhe t’ju rrëfej këtu se çdo projekt që është zbatuar në këtë qytet dhe në fshatrat anekënd këtij rrethi ka pasur angazhimin total, kërkesën e vazhdueshme dhe insistimin e pandërprerë të Dash Sulës, i cili nëse ka ndonjë teprim, ka dashurinë e pakufishme për ju dhe për qytetin e tij. Për këtë unë e përgëzoj”, – u shpreh lideri i selisë blu. Nga ana tjetër ai sulmoi ashpër kandidatët e PS-së për deputet në këtë qytet. “Këtu garojnë 2 kushërinj të parë, për Dash Pezën nuk flas, se atë që ta bën i yti nuk ta bën njeri. Atë që i bëri Alfredi nuk ja bëri njeri. Për Alfredin do u them dy fjalë. Kur kandidoi një natë në televizion thoshte regjimi i tmerrshëm i Berishës. Tani Alfred nëse karakteri i burrit ekziston dhe ekziston mund të them se paske deficit të lindur. Në kohën kur Alfredi çirrej në televizion për regjimin e Berishës, Alfredica ishte drejtoreshë në regjimin tim. Pra vota këtyre nuk u jepen. Nuk ka interes tjetër përveç interesave personale. Ju garantoj se me Dash Sulën do të ktheni në realitet të gjitha projektet për Peqinin e zhvilluar, të gjitha infrastrukturën moderne. Do të ecim të sigurt drejt integrimit të Peqinit, të Shqipërisë në BE”, – u shpreh Berisha. Shefi i qeverisë tha se alternativa e mazhorancës është më shumë punësim, infrastrukturë moderne, integrimit, ndërkohë që kundërshtarët që sipas tij ma ë alternativën e mashtrimit teksa tha se kreun e opozitës dhe Nastradini do e kishte zili’. “Dje fliste në Cërrik dhe u shtone qytetarëve universitet janë piramidë se Gjermania na paska gjithsej, 6 gjer në 10 universitete. Mbretëria e Danimarkës sipas tij na paska gjithsej 6 Universitete. Mashtrim total dhe Nastradini do ja kishte lakmi”, – shtoi Berisha. 

 

 

             Forumi i energjetikës

Kryeministri mbron TAP-in: Vendimi, në përputhje me rregullat e tregut

I ftuar në forumin energjetik të organizuar nga Konfindustria, kreu i qeverisë, Berisha, për herë të parë ka bërë deklarata jo si ato të herëve të kaluara pasi ka mbrojtur projektin për TAP, jo vetëm si një nga projektet më fizibël, por e ka krahasuar edhe me Nabucon. Ai duke shprehur bindjen e tij për këtë projekt se do të jetë fitues, tha se Shqipëria nuk kërkon asgjë më tepër sesa respektimin e rregullave të tregut. Zoti Berisha e konsideroi si shumë të rëndësishme edhe bashkëpunimin për TAP, me Kroacinë, Bosnjë Hercegovinën dhe Malin e Zi. “Unë uroj dhe besoj se vendimi do të jetë për këtë projekt, për të cilin konsorciumi serioz ka vite të tëra që e elauburon gjithçka në detaje. Ka vite të tëra që ka përgatitur çdo gjë dhe është i gatshëm të fillojë punën. Dua të theksoj këtu se edhe për ekuilibrat energjetike të Evropës ky projekt duhet marrë me përparësi. Ndaj Nabuco light, i cili është një projekt në nxitim e sipër, është një projekt që lindi nga projekti Nabuco big. Me këtë nuk duhet të them se nuk duhet të ndërtohen, por koha pret. Uroj dhe shpresoj që vendimi të jetë i bazuar mbi parimet e tregut. Ne nga konsorciumi nuk kërkojmë gjë tjetër veçse respektin e plotë të rregullave të tregut”, – nënvizoi kryetari i mazhorancës. Duke ftuar investitorët të kenë sytë nga Shqipëria për të investuar edhe më shumë në këtë sektor, Kryeministri tha se Shqipëria ka potenciale të mëdha ujore dhe më shumë se 2/3 e tyre janë të pa shfrytëzuara. Sipas tij Shqipëria ka potenciale për të shfrytëzuar në fushën e hidrokarbureve, ka potenciale të mëdha eolike dhe solare. Shefi i ekzekutivit u shpreh se, Shqipëria do të bëhet një vend lider në Rajon në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe në eksportin e saj.

 

 

Town-hall me transportuesit

Kryeministri: Përpjekje maksimale për të zgjidhur hallet tuaja

Kreu i ekzekutivit, Berisha, në vijimësi të bashkëbisedimit me grupe të ndryshme të interesit në të gjithë vendin, dje u takua me përfaqësues të shoqatës së transportuesve. Në qytetin e Durrësit, lideri demokrat zhvilloi një bisedim të gjatë me ta, duke mbajtur shënim të gjitha shqetësimet e tyre dhe duke premtuar zgjidhjen sa më të shpejtë të tyre. Duket se problemet dhe shqetësimet më të mëdha të kësaj kategorie lidheshin me taksat dhe faturat e larta të doganave. Kryeministri në të gjitha rastet tha se ai do përpiqet që të gjejë zgjidhje të përshtatshme, por në këtë prizëm deklaroi se duhen marrë masa dhe duhet bashkërenduar puna edhe me institucionet e tjera. Kryeministri ka kujtuar se gjatë qeverisjes së tij ky sektor është shndërruar në një promotor zhvillimi, por edhe qeveria ka bërë shumë përpjekje për kushte më të mira. “Nga viti 2006 në vitin 2012, sektori i eksporteve është rritur rreth 3 herë. Më të mëdha se eksportet janë importet dhe më të mëdha se eksportet dhe importet, janë transportet e brendshme. Ky sektor është shndërruar në promotor zhvillimi. Me masat që ka marrë qeveria ju lëvizni në kushte më të mira se vite më parë, në një Port me kapacitete dhe shërbime krejt të ndryshme dhe më të mira se më parë. Këto rritje janë një sfidë e madhe, për ju për qeverinë dhe për vendin”, – u shpreh Kryeministri. Sipas Berishës qeveria është e vendosur për mbështetjen e tyre, brenda të gjitha mundësive të saj. “Ne përpiqemi të lehtësojmë barrën burokratike, qeveria është e vetëdijshme për vështirësitë të gjeni në ndonjë vend mik”, – tha Berisha. Përfaqësues të shoqatës kanë ngritur shqetësimin e taksave, në mënyrë të veçantë me Italinë, për të cilat kanë thënë se janë që prej viteve ‘90 dhe me gjithë ndërhyrjet apo përpjekjet e bëra nuk kanë gjetur zgjidhje. Një tjetër problem ka qenë tarifa e parkimit në doganën e re, që sipas tyre është e shtrenjtë. Për këtë, problem Kryeministri Berisha ka garantuar se do të ndërhyhet për të arritur një zgjidhje në favor të transportuesve. Gjatë bashkëbisedimit Berisha akuzoi kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako se ka aplikuar në këtë qytet taksat më të larta për biznesin e vogël. “Durrësi është qyteti ku biznesi i vogël ka taksat më të larta në të gjithë vendin. Këshilli Bashkiak i Durrësit ka çuar dosjen në Prokurori për Kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjel Dako, pasi ai në kundërshtim me ligjin vendosi tarifat e taksat ndër më të lartat për biznesin”.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency