Berisha, lezhjanëve: Shqiptarët presin nga ju mandatin e pestë

0
126

Ina Jano

Berisha-ne-LezheHapet fushata elektorale dhe prezantohen kandidatët

Çdo të thoshte shpirti i Skënderbeut për bllokimin e statusit nga Rama

 

Duket se qarku i Lezhës, është një prej atyre ku kreu i PD-së Berisha shpreson se do të marrë një mandat më shumë, se sa mori në zgjedhjet e 2009, gjë që do të reflektohet edhe në shpërndarjen e ardhshme të mandateve në Parlamentin e ri. Kryeministri u ka bërë me dije të gjithë banorëve të këtij qarku, se të gjithë shqiptarët e presin një ndryshim të tillë nga Lezha, duke deklaruar se ky qytet duhet ti japë edhe mandatin e pestë kësaj force politike. “Po shkojmë drejt 23 qershorit. Të rinjtë dhe të rejat, gratë dhe burrat e këtij qarku, qytetarët e mrekullueshëm të Lezhës e kanë provën e madhe. Çdo qytetar i Lezhës, çdo qytetar i këtij qarku, çdo qytetar i Tiranës, mbarë kombi shqiptar dhe shqiptarët kudo që janë presin nga ju mandatin e artë, mandatin e 5-të. Miqtë e mi, a ju kujtohet juve kur me Pal Dajçin, 10 vjet më parë, na u desh t’u themi atyre se me djemtë e Mamurrasit ne edhe ua japim duart, por ne jemi demokratë dhe besojmë te vota. Ne besojmë te paqja. Se na kërcënonin, na zinin prita, por ato janë të shkuara dhe nuk kanë vlerë. E thash këtë tani që me votën e Kurbinit ti lëmë në opozitë, të paktën edhe për 12 vjet të tjera”, – tha Kryeministri Berisha nga inaugurimi i rrugës. Lezha prodhon 7 deputetë, dhe me shpërndarjen aktuale, 4 i takojnë PD-së dhe 3 PS-së.

Integrimi

Ndërsa pasditen e djeshme, Kryeministri ka çelur zyrtarisht fushatën elektorale, ku nuk kanë munguar as akuzat për bllokimin e integrimit për kryesocialistin Rama. Berisha ka pohuar se duke kthyer kokën nga vari i Skënderbeut, çfarë do të thoshte shpirti i këtij të fundit. “Zoti Rama, këtë, asnjëherë, askush nuk ia ka bërë vendit të tij. Në qoftë se 1 moment në këtë shesh të ndaleshe dhe dilje para varrit të Skënderbeut, imagjino se çfarë do të thoshte shpirti i tij, njeriu që udhëhoqi kombin në betejë pas beteje për të mbrojtur vlerat perëndimore të tij”, – tha Berisha përpara të gjithë lezhjanëve të cilit, kishin mbushur sheshin kryesor të qytetit. Ai u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarët, që të votojnë për PD-në, duke vënë shenjën e barazimit mes partisë që ai drejton dhe integrimit. Kryeministri nënvizoi se është selia blu ajo që gjithë këto vite ka bërë të mundur që vendi të ecë përpara në rrugën e integrimit, pavarësisht se nuk ka qenë gjatë gjithë kohës në pushtet. “Ne mblidhemi në këtë shesh , në këtë tubim madhështor në nderim të njëri-tjetrit, sepse në këto vite në rrugën drejt Evropës, në rrugën tonë drejt perëndimit, ku na prin, na frymëzon përjetësisht Skënderbeu. Ne ia dolëm të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO. Ne ia dolëm të firmosim marrëveshjen e stabilizim asocimit, ne ia dolëm të lëvizim të lirë, pa viza drejt Evropës. Ne ia dolëm të miratojmë statusin e vendit kandidat. Por u bllokuam për tre ligje. Pra ne jemi qytetarë me besim të madh tek vetja, tek Lezha, tek e ardhmja jonë. Nga kjo tribunë u bëj thirrje qytetarëve të qarkut Lezhë, demokratë, socialistë, të pa parti të bashkohemi së bashku në rrugën tonë drejt Evropës”, – shtoi lideri demokrat, në një atmosferë plot energji në këtë qytet.

Për PS

Kryeministri Berisha tha se PS-ja nuk ka lider, dhe është një parti pa vizion, ndërsa e cilësoi kryesocialistin si një piktor të dështuar. “Në parimet tuaja nuk ekzistojnë qëndrime anti europiane. Ato qëndrojnë vetëm në mendjen, shpirtin e atij që ka uzurpuar kreun e Partisë Socialiste. Sot, i madh e i vogël, i djathtë dhe i majtë, pa parti, cilido qoftë konstaton se në selinë mavi ka lumenj fjalësh, ka lumenj shpifjesh, ka lumenj trillimesh dhe mashtrime, por nuk ka një gjë, nuk ka lider, nuk ka ide ,nuk ka vizion. Ky piktor i dështuar ka nxjerrë tani teorinë e Shqipërisë gënjeshtër. Sipas tij, shtëpitë që ju keni ndërtuar janë të gënjeshtërta, energjia që s’ndërpritet është gënjeshtër, rrugët e reja që inaugurojmë janë gënjeshtër, miliona turistë që vijnë janë të gënjeshtër. Po perse të dashur qytetarë të gjitha këto? Sepse ai jeton prej vitesh në autobusin mavi, me xhama të zeza dhe nuk sheh asgjë përreth”, – tha Berisha.

Premtimet

Kreu i qeverisë ka premtuar vijimësi të reformave që do të ndërmerren nga mazhoranca edhe gjatë mandatit të tretë.  “Unë zotohem para jush se 4 vjeçari që vjen do të krijojë 250 mijë vende punë në mbare Shqipërinë. Me taksat që kemi hequr, biznesi në Lezhë dhe në Shqipëri do të njohë një hov të ri, të madh. Me shtimin , trefishimin e granteve për fermerët ne do të risim së paku me 30 % punësimin në bujqësi. Me dyfishimin e numrit të turisteve në Lezhë, ne do të rrisim me 50 % numrin e të punësuarve në sektorin e turizmit”, – përfundoi kreu i mazhorancës.

 

 

Inaugurohet rruga

Përfitojnë 9500 banorë, Kryeministri: Do shtrojmë çdo metër

Rikonstruksioni i rrugës Shënkoll – Tale – Hidrovor, në qarkun e Lezhës, është një investim me vlerë rreth 136 milionë lekë, financim i OFIDI dhe qeverisë shqiptare dhe u vjen në ndihmë 9500 banorëve të kësaj zone. Numri një i ekzekutivit premtoi shtrim rrugësh dhe përfundim të infrastrukturës në të gjithë vendin dhe tha se për çdo dollar të investuar në infrastrukturë, përfitimi është 5 dollarë. “Gjatë këtyre viteve ne kemi financuar 42 mijë fermerë. Në qoftë se ne dhamë 56 milionë dollarë grante për fermerët, në katër vitet që vijnë do t’u japim 165 milionë dollarë, në mënyrë që ju të lulëzoni edhe më shumë fermat tuaja”, – u shpreh kreu i PD-së, përpara banorëve të zonës. Rikonstruksioni i rrugës Shënkoll – Tale – Hidrovor është në vijim të investimeve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit në qarkun e Lezhës. Më ndërtimin e kësaj rruge bregdeti i Tales, një ndër plazhet më të bukur të zonës, mund të shfrytëzohet dhe të frekuentohet gjerësisht jo vetëm nga banorët e zonës, por edhe nga qytetarët që vijnë nga rrethi i Kurbinit, Mirditës, Tiranës, nga Kosova e më gjerë.

 

Investimet në Lezhë

Në qarkun e Lezhës, Kurbin e Mirditë, janë investuar mbi 1.5 miliardë euro, duke bërë të mundur ndërtimin e mbi 520 kilometrave rrugë, nga të cilat 130 kilometër rrugë kombëtare, 134 kilometër rrugë rajonale dhe 256 kilometër rrugë rurale në komuna e bashki; janë ndërtuar e rindërtuar 84 shkolla, 47 qendra shëndetësore e ambulanca, 35 ujësjellës e kanalizime, përfshi edhe impiantin e Shëngjinit; janë subvencionuar mbi 600 hektarë në pemëtari, ullinj, sera, vreshta e bimë are; kanë përfituar 1280 fermerë në gjithë qarkun nga të cilët 715 fermerë në Lezhë; është dyfishuar numri i bizneseve në 4500 nga 2120 biznese që kanë qenë në vitin 2005. Për vitin 2013 mbeten prioritet vazhdimi i ndërtimit të rrugës Rrëshen-Kthellë-Urakë me gjatësi 18.7 kilometër dhe me vlerë 1.3 miliardë lekë; është në proces rikonstruksion dhe asfaltim i rrugës Laç-Milot me gjatësi 7.7 kilometër dhe vlerë 3.48 miliardë lekë; rikonstruksion dhe asfaltim i rrugës Laç-Milot me gjatësi 7.7 kilometër dhe vlerë 3.48 miliardë lekë; rikonstruksioni dhe asfaltim i rrugës Dajç – Dragushë, investim me vlerë 53 milionë lekë; rikonstruksion dhe asfaltim i rrugës Kallmet-Ungrej, investim me vlerë 200 milionë lekë. Në vitet që vijnë do të ndërtohet autostrada Lezhë – Shkodër, vaditja e kullimi i fushës së Lezhës e Zadrimës; landfilli i mbetjeve urbane dhe përpunimi i ujërave të zeza në krejt rajonin e Lezhës; përfundimi i autostradës Milot – Tiranë; rruga bregdetare Shëngjin – Velipojë; ujësjellësit e Milotit, Balldrenit dhe çdo projekt i njësive vendore; ndërtimi në qytetin Lezhë i sistemit të shpërndarjes së ujit të pijshëm dhe sisteme kanalizimet e ujëra të zeza.

 

Liberalizimi i vizave me SHBA

DASH: Mirëpresim përpjekjet e Shqipërisë

Departamenti i Shtetit Amerikan shprehet se mirëpret përpjekjet e Shqipërisë në lidhje me liberalizimin e vizave me këtë vend. Në një intervistë për “Bota Sot”, zyrtarja e DASH shprehet se edhe Presidenti Obama në vitin 2012 ka dhënë urdhër për lehtësim të këtij procesi për të gjitha vendet që plotësojnë kushtet. “Ne e mirëpresim Shqipërinë në këtë përpjekje dhe mënyrën se si ata do të punojnë me Kongresin drejt këtij qëllimi”, – thotë Elizabeth A. Finan. Departamenti i Shtetit në përgjigjen e dhënë gazetës thotë:  “Në janar të vitit 2012, Presidenti Obama, na ka urdhëruar për të ndërtuar me te gjithë kapacitetin tonë, të gjitha burimet, dhe të përmirësojmë aplikimin e vizave dhe procesin e hyrjes për vizitorët nga e gjithë bota. Ne jemi krenar për ata që kanë luajtur një rol kyç në lehtësimin e udhëtimit të qytetarëve të tyre, ku për përafërsisht një e treta e udhëtarëve që vijnë në Shtetet e Bashkuara çdo vit kërkojnë vizë. Në vitin 2012, kemi lëshuar më shumë se 5200 viza B1/B2 për qytetarët shqiptarë.”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency