Takimi me Ramën Arvizu: Bashkëpunoni për të plotësuar KQZ-në

0
169

 

Gëzim Saliu

 

arvizuGjiknuri: Zgjidhja në Parlament, PS e përgatitur të shkojë në zgjedhje edhe me këtë KQZ

 

 

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë bashkëpunim mes palëve politike në vend për gjetjen e një zgjidhjeje që do të bënte të mundur funksionimin normal të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas një takimi që zhvilloi lidhur me këtë çështje me kreun socialist Edi Rama në selinë e PS-së, ambasadori amerikan në Tiranë Alexander Arvizu tha se SHBA mbetet e shqetësuar për mënyrën se si po funksionon aktualisht institucioni më i lartë zgjedhor. Duke bërë të ditur se mazhoranca dhe opozita mbeten ende larg marrëveshjes, kryediplomati amerikan theksoi se për këtë çështje ai ka komunikuar dhe do të vazhdojë të komunikojë me palët për të bërë të mundur konstituimin e plotë të KQZ-së. “Një çështje me shqetësim për SHB-në, komunitetin ndërkombëtar përfshi edhe vetë shqiptarët mbetet funksionimi i plotë i KQZ-së. Ne vijojmë të bisedojmë me miqtë tanë të besuar dhe partnerët, duke tentuar për të kuptuar nëse ekziston mundësia që partitë të punojnë së bashku për të bërë të mundur konstituimin e plotë të KQZ-së në mënyrë që jetë plotësisht funksionale për t’i shërbyer nevojës së zgjedhjeve. Ne bisedojmë edhe me parti të tjera dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë. Gjithmonë jam optimist për një zgjidhje, por gjithashtu jam realist. Ne dëgjojmë dhe lexojmë me shumë vëmendje deklaratat e Kryeministrit, zotit Rama dhe zotit Meta, por ata natyrisht s’janë ende afër një zgjidhjeje”, – tha Arvizu, duke shtuar se me kryeministrin Berisha nuk ka folur ende për këtë çështje, por se ka pasur kontakte intensive me përfaqësues të lartë të PD-së.

 

Partia Socialiste

 

Pas takimit në zyrën e kryesocialistit Rama me ambasadorin amerikan Arvizu, sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, tha se zgjidhja për çështjen e KQZ-së mbetet Parlamenti. “PS ka pasur qëndrim konstant, jemi të hapur për çdo zgjidhje, në parlament, mënyra e zgjidhjes mbetet në negociatë, deri kemi dëgjuar tranzigjencë nga shkelësi i ligjit që është Berisha. Mundësitë janë qe KQZ të kthehet në parlament se aty është vendi ku u cenua legjitimiteti i saj”, – pohoi Gjiknuri. Por nga ana tjetër ai theksoi se PS është e përgatitur për të shkuar në zgjedhjet e 23 qershorit edhe me KQZ-në aktuale. Sipas Gjiknurit, deri tani nuk ka asnjë sinjal konkret nga e djathta për të nisur bashkëpunimin në kuadër të gjetjes së një zgjidhjeje për plotësimin dhe funksionimin në formë të plotë të institucionit më të lartë zgjedhor. Ndërkohë pak kohë më parë, kreu socialist Rama deklaroi se Partia Socialiste është e gatshme për një kompromis me PD-në sa i përket KQZ-së. “Ne jemi gati të negociojmë e të gjejmë një kompromis për KQZ-në, edhe pse ai institucion është shkatërruar, duke u kthyer në një organizatë partie, për hir të një procesi sa më normal”, – tha Rama nga autobusi i “Rilindjes”. Ndërkohë që dy ditë më parë në një bashkëbisedim me gazetarët para punimeve të ditës së dytë të konventës zgjedhore, lidershipi i socialistëve bëri të ditur se KQZ aktuale është si një organizatë politike që nuk garanton asnjë standard të zgjedhjeve. “Nëse duan ta mbajnë KQZ-në si organizatë partie, le ta mbajnë, aty e kanë. Ta mbajnë bashkë me përgjegjësinë që do të mbajnë para popullit nëse KQZ do të sillet si organizatë partie në zgjedhje. Nuk mund të ketë zgjedhje normale me Saliun, ne këtë e dimë”, – deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama.

 

 

 

 

Ekonomia

 

Rama: Nga janari 2011 mbyllen 23 biznese në ditë, do t’i japim frymëmarrje

 

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi mazhorancën qeverisëse se po e çon vendin drejt humnerës financiare. Në një dalje publike nga selia e PS-së, kreu socialist tha se ekonomia shqiptare ka 5 vjet që nuk rritet, madje, sipas tij, ajo ka pësuar tkurrje. “Mbi bazën e shifrave zyrtare, qysh prej janarit të vitit 2011 janë mbyllur më shumë se 19 mijë biznese, që do të thotë se nga janari i vitit 2011 mbyllen 23 biznese në ditë, ose një biznes në orë. Ndërkohë që, të dhënat fiskale të 4-mujorit tregojnë se të ardhurat në buxhet nga tatimi mbi vlerën e shtuar, që është treguesi më i thjeshtë, më i drejtpërdrejtë, më i qartë dhe më domethënës për gjendjen e ekonomisë janë më të ulëtat në 5 vitet e fundit. Janë edhe më të ulëta sesa në vitin 2009, kur kjo qeveri grabiti votat dhe i dha vetes një mandat të dytë në kundërshtim me vullnetin e popullit sovran. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë më të ulëta se në vitin 2009 dhe janë më të ulëtat e gjithë këtyre viteve. Kjo do të thotë që biznesi nuk fiton më siç fitonte deri katër vite më parë dhe nuk investon më. Këto janë fakte dhe jo broçkulla rrugësh”, – tha Rama. Më tej, kryesocialisti pohoi se nga xhiroja e biznesit së vogël në rënie nuk paguajnë vetëm biznesmenët e mëdhenj apo të vetëpunësuarit me biznes të vogël, por mbi të gjitha paguan ekonomia shqiptare. Në këtë kontekst, Rama theksoi vendosmërinë e PS-së për të hequr taksën e biznesit të vogël dhe përgjysmim e tatimit mbi fitimin për këtë biznes, që në 100 ditët e para të qeverisjes. “Ne do ta përgjysmojmë tatimin e fitimit të biznesin të vogël në 100 ditët e para të qeverisjes. Ne do të vendosim lirinë e konkurrencës në rrugën e gjithë sipërmarrjes së madhe në 100 ditët e para të qeverisjes. Do të krijojmë për sipërmarrjen e madhe ato kushte që të marrë frymë lirisht se për ndryshe duke u mbytur sipërmarrja e madhe, duke u shkatërruar biznesi i vogël, po mbytet dhe po shkatërrohet ekonomia shqiptare, vetë Shqipëria ekonomikisht dhe financiarisht. Për të rilindur ekonominë në 23 qershor ka vetëm një rrugë. Vota për PS-në, për të vetmin program qeverisës që e shpëton vendin nga kriza, për të vetmin program qeverisës që hap rrugën për investime dhe për punësim, për të vetmin program qeverisës që nxjerr arsimin nga tuneli gjithmonë e më i errët ku 57% e atyre që janë sot 15 vjeç janë analfabetë funksionalë dhe ku 15% janë analfabetë total dhe me radhë në të gjitha fushat e tjera”, – përfundoi kreu i PS-së Edi Rama.

 

 

 

 

 

Takimi në Kombinat

 

Kreu i PS-së: SHBA nuk ruan votat, në 23 qershor fitojmë në Tiranë me 50 mijë vota

 

Pas punimeve të konventës zgjedhore si edhe prezantimit të kandidatëve për deputetë në qarqet e vendit, kreu socialist Edi Rama u është rikthyer dje takimeve me qytetarët e kryeqytetit. Në takimin në njësinë nr .6 në Kombinat, kryesocialisti ka zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët e kësaj zone, duke vënë në dukej arsyet se përse duhet votuar programi i PS-së më 23 qershor. I pyetur nga një qytetar nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë diçka për ruajtjen e votës me 23 qershor, duke sjelle në vëmendje 8 majin, Rama tha se Amerika është miku më i madh i shqiptarëve, porse, sipas tij, ajo nuk është në Shqipëri për të qeverisur shqiptarët. “Nëse ti pret që votat tona t’i marrë Amerika për ne, mos prit. Amerika është miku më i madh i Shqipërisë, por Amerika këtu nuk është për të bërë qeverisjen, Shqipërinë do ta qeverisin shqiptarët. Në 23 qershor mos mbaj mendjen tek 8 maji, nëse fituam me 10 vota dhe ato 10 vota na i vodhën, këtë herë do të fitojmë me 50 mijë vota. Ne do të marrim aq shumë vota sa ai të rrijë të vjedhë mëngjes, drekë, darkë, vota ai nuk vjedh dot më, nuk e kalon dot lumin”, – tha Rama. Nga ana tjetër, kreu i PS-së foli për taksimin progresiv, duke thënë: “Berisha edhe në 2005 premtoi përgjysmim taksash, por asgjë nuk realizoi. Me Saliun do pasur kujdes, sepse aty ku premton, aty është më keq. Kështu ndodhi me biznesin e vogël, kështu ndodhi me fermerët. Ne do të përgjysmojmë tatimin mbi fitimin dhe do heqim tatimin e dyfishtë”. Po ashtu, i pyetur nga qytetarët lidhur me shërbimin shëndetësor, Rama tha se ky i fundit do të ofrohet falas dhe se PS do të heqë taksën e ilaçeve. “Këta thonë se nëse s’ke lekë nuk duhet të sëmuresh, se shëndeti është mall. Por për ne kujdesi shëndetësor është e drejtë që duhet të merret falas dhe shoqëria të kontribuojë që të paguhet nga shteti. Ne do të thellojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor dhe kushdo që ka nevojë do të shkojë atje, për të marrë shërbimin falas e gjithçka tjetër me radhë”, – pohoi ai. Ndërkohë lidhur me procesin e legalizimeve, kreu i PS-së theksoi se mazhoranca qeverisëse e gjeti Shqipërinë me 200 mijë ndërtime pa leje e po e lë sipas tij me 400 mijë.

 

“Kryeministri ngeli rrugëve dil në rrugë dhe gënje kush ta hajë ta hajë. Merri, shikoji çdo fushatë elektorale në çdo fushatë thotë do t’i legalizojmë të gjitha shtëpitë. Në 2005 ka thënë se në fund të bitit 2006 të gjitha ndërtimet pa leje do legalizohen. Kështu bëri dhe në 2007, kështu dhe tani. Gënjen. Nxjerr njerëz me metër dhe i di shqiptarët për budallenj. I ka ecur në fakt se ka njerëz që akoma i besojnë. E gjeti Shqipërinë me 200 mijë ndërtime pa leje e lë me 400 mijë. Dhe ka legalizuar vetëm 8%. Duhet të presësh 165 vjet të legalizohesh shtëpinë”, – deklaroi kryesocialisti Rama.

 

 

 

Batuta e Ramës për Saimir Tahirin

 

Në takimin me banorët e njësisë nr. 6 në Kombinat, kreu socialist Rama në bashkëbisedim e sipër, nuk ngurroi të bënte shaka me kreun e PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri, i cili ishte pjesëmarrës në takim. “I vogël, i vogël, por këta të vegjlit kur qëllojnë të mirë qëllojnë të mirë, por kur qëllojnë të këqij, për dreq”, – tha Rama.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency