Mungesa e anëtarëve të opozitës në KQZ Berisha e Topalli: Orkestrim politik i Ramës, PS të sjellë emrat në Kuvend

0
151

Ina Jano

beroKryeministri shprehu bindjen se mazhoranca duhet të sigurojë besimin e opozitës në proces, nënvizoi se reforma zgjedhore u bazua në propozimet e opozitës

 

Misioni i OSBE/ODIHR-it ka mbi një javë që ka zbarkuar në Shqipëri, për të vëzhguar zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit. Misioni i kryesuar nga Conny McCormak, pas takimeve të javës së kaluar me ministrin e jashtëm Aldo Bumçi, ditën e djeshme ka zhvilluar një bisedim me kryetarin e qeverisë shqiptare, zotin Berisha. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli, ka takuar drejtoren e NDI-së për Shqipërinë, Ana Kadovic. Krerët e lartë të shtetit kanë akuzuar liderin e opozitës Rama, si përgjegjësin kryesor të situatës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në të njëjtën linjë të dy eksponentët e lartë të selisë blu janë shprehur të gatshëm që të ndihmojnë në zgjidhjen e situatës, duke nënvizuar edhe mundësinë për të mbledhur edhe Parlamentin për të votuar tre emrat që do të duhet të propozojë opozita.

Berisha

Kryeministri Berisha e ka siguruar zonjë McCormak se zgjedhjet e radhës në Shqipëri do të njohin standarde të larta, ndërsa ka siguruar mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare në kryerjen e detyrave, për të cilat ky mision është mandatuar. Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, në takim është diskutuar edhe për situatën në KQZ, institucionin kryesor përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor në vend. “Në lidhje me problemin e KQZ-së, Kryeministri u shpreh se Partia Socialiste po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor, duke keqpërdorur anëtarët e saj në KQZ, nëpërmjet orkestrimit politik të dorëheqjeve të tyre, megjithatë Kryeministri u shpreh i gatshëm për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së me emrat që opozita do të propozojë”, – citohet nga njoftimi për media i zyrës së shtypit të Këshillit të Ministrave. Nga ana tjetër Zonja McCormak shprehu kënaqësinë për takimin dhe për detyrën e kryesimit të misionit të 11-të vëzhgues të ODIHR-it në Shqipëri, me të cilën ajo është ngarkuar. Zoti Berisha shprehu besimin se të gjitha partitë politike janë të angazhuara për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm. Kryeministri nënvizoi se Kodi Zgjedhor tashmë ka trajtuar në mënyrë konsensuale, gjatë reformës së fundit zgjedhore, rekomandimet e ODIHR-it të viteve 2009 dhe 2011, duke e bërë kështu kornizën ligjore edhe më të mirë, edhe më solide, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e Këshillit të Evropës. Kreu i qeverisë shprehu bindjen e tij se mazhoranca duhet të sigurojë besimin e opozitës në proces, nënvizoi se reforma zgjedhore u bazua në propozimet e opozitës. Numri një i mazhorancës e njohu shkurtimisht shefen e Misionit të ODIHR-it në përmirësimet e infrastrukturës zgjedhore si hartimi i listave dixhitale të zgjedhësve, pajisja me karta identiteti e të gjithë votuesve, rritja e numrit të qendrave të numërimit, zvogëlimi i numrit të zgjedhësve për qendër votimi etj. Për shefin e qeverisë këto janë ndryshime që do të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e standardeve të procesit, do të shkurtojnë kohën e numërimit, do të rrisë transparencën dhe besueshmërinë e rezultatit zgjedhor. Zonja McCormak e falënderoi Kryeministrin për panoramën dhe qartësimet mbi çështje të caktuara të procesit përgatitor zgjedhor dhe ndau të njëjtin mendim me Kryeministrin për rëndësinë shumë të madhe të ka transparenca e procesit zgjedhor për besueshmërinë e këtij procesit. Ajo e njohu kreun e qeverisë me eksperiencat e saj 30-vjeçare në administrimin e zgjedhjeve si dhe me strukturën e Misionit Vëzhgues të ODIHR-it. Përfaqësuesit e ODIHR vlerësuan thirrjet e Kryeministrit Berisha për vendet anëtare të OSBE-së, Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, atë të Këshillit të Evropës, Parlamentin Evropian etj. për dërgimin e një numri sa më të madh vëzhguesish.

Topalli

“Interesi ynë më i madh është mbarëvajtja e zgjedhjeve. Jemi të angazhuar për një proces zgjedhor të standardeve më të larta ndërkombëtare. Transparenca e zgjedhjeve të kaluara u cilësua si maksimale, krahasuar edhe me vende të tjera. Transparenca është shtylla kryesore e legjitimitetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor”. Kështu u shpreh dje, Kryeparlamentarja Topalli në takimin që pati me drejtoreshën e NDI, Ana Kadovic, dhe ekspertin zgjedhor Sam Sager. “Si Kryetare e Kuvendit shpresoj që Kryetari i PS, Rama të sjellë emrat për KQZ-në. Unë shpresoj shumë që Rama të mos e përdorë këtë si alibi kur të humbë zgjedhjet”, – u shpreh Topalli. Ajo tha: “Parlamenti është gati në çdo moment të mblidhet për të votuar emrat që opozitës i takon të sjellë, sipas kodit zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vijon punën e tij në respekt të ligjit. Përbërja e këtij komisioni është votuar me konsensus mbi principin e balancimit dhe anëtarët e tij duhet të zbatojnë dhe respektojnë ligjin”. Në takim u theksua se vendet në KQZ duhet të plotësohen dhe është e rëndësishme që të gjitha palët të ndikojnë dhe të kontribuojnë në besimin tek zgjedhjet. NDI do të këtë një numër vëzhguesish në zgjedhjet e 23 qershorit dhe për Jozefina Topallin prania sa më e madhe e vëzhguesve është shumë e rëndësishme.

 

Konferenca e OSBE-së

Shqipëria, lider për tolerancën fetare, shembull për Evropën

Kreu i qeverisë, Berisha, mori pjesë dje në Konferencën e Nivelit të Lartë të OSBE-së mbi Tolerancën dhe Mosdiskriminimin. Gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, Kryeministri vuri në dukje se në Shqipëri ekziston toleranca fetare dhe për këtë arsye, ai tha se vendi ynë është i gatshëm që të japë kontributin e tij pozitiv në këtë drejtim, për të përmirësuar sa më shumë shoqëritë tona. Por ajo nuk la jashtë vëmendjes edhe probleme të tilla diskriminuese që ka vendi ynë, si homofobia. “Le të shohim vendin tim. Në disa aspekte, ai është një shembull i jashtëzakonshëm, i shkëlqyer, i tolerancës ndërfetare, që është një aset shumë i madh, një virtyt shumë i madh ose marrëdhëniet ndëretnike brenda vendit. Ai ka treguar tolerancë, mirëkuptim. Por, po të shohim dhunën në familje, dhunën ndaj grave që është gjithashtu një model i diskriminimit dhe shprehje e murit patriarkal. Le të flasim për homofobinë, është e kundërta. Në fakt, është një situatë e shumë e pafavorshme për ta. Unë mora si shembull vendin tim, por ndodh gjithandej”, – shtoi Berisha. Kryeministri u shpreh edhe në lidhje me antisemitizmin, duke thënë se ky është një problem i madh për të cilin duhet që të mbahet qëndrim. “Ka gjithashtu edhe disa çështje kryesore, për të cilat duhet të mbajmë qëndrim. Njëra prej tyre është antisemitizmi. Njerëzit mund të kenë pikëpamje të ndryshme mbi zhvillimet politike në Lindjen e Mesme, por, kurrë, kjo nuk duhet të vërë në hije qëndrimin kundrejt holokaustit. Qëndrimi ndaj tij nuk është thelbësor vetëm për hebrenjtë, por është njësoj thelbësor për ata që e shikojnë”, – u shpreh lideri i mazhorancës. Ai soli në vëmendje edhe multireligjionin, dhe mori në këtë rast shembullin e Zvicrës. Edhe ministri Aldo Bumçi, gjatë fjalës së tij në konferencë, por edhe më vonë në prononcim për mediat, u shpreh se përzgjedhja e Shqipërisë nga OSBE nuk është e rastësishme, duke theksuar se ky është një aktivitete që zhvillohet një herë në tre vjet. “Vlerat e Shqipërisë tashmë njihen botërisht në fushën e harmonisë fetare, një harmoni e qenësishme dhe e vërtetë. Njihet historia e mrekullueshme e shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku Shqipëria ishte një nga vendet e vetme ose të pakta ku komuniteti hebre në fund të luftës ishte dhjetë herë më i madh se sa para luftës. Në respekt të këtyre vlerave, OSBE dhe vendet anëtare përzgjodhën Shqipërinë për këtë konferencë”, – përfundoi ministri i Jashtëm, Bumçi.

 

Konventa e PS-së

Bogdani: Deklaratat e Ramës për statusin, trillime

Deputeti Gerti Bogdani, në një deklaratë nga selia blu, akuzoi Ramën se të gjitha deklaratat e tij dy ditë më parë gjatë prezantimit të programit të PS-së, janë trillime dhe mashtrime, sidomos ato që lidhen me statusin e vendit kandidat. “Dita e djeshme për z. Rama ishte kulm i falsitetit. Ai qëndroi në një skenë false, rrethuar me pemë false, ndriçuar me llambadarë falsë dhe iu përgjigj pyetjeve false të parapërgatitura të militantëve të tij, që i shiti si të pavarur! Dhe si gjithmonë, i pangopur edhe vetë me falsitetin e tij, ai vijoi sulmet false, të mbushura plot me gënjeshtra mavi, kundrejt PD-së, sepse tashmë të gjithë e dinë: Ai nuk ka asnjë plan, përveç atij për rritjen e taksave, që tashmë i është kthyer në ves! Edi Ramën nuk e ngop më as falsiteti dhe as vesi i rritjes së taksave dhe shkatërrimit të vendeve të punës. Ai shpik dhjetëra trillime dhe justifikime mavi për mosvotimin e 3 ligjeve, duke hyrë në ditën e 220 të gënjeshtrave që mbajnë peng ëndrrën evropiane të qytetarëve shqiptarë! Ai pati guximin t’i gënjente shqiptarët, duke u thënë atyre se statusi i vendit kandidat nuk është bllokuar nga tre ligjet, kur të gjithë qytetarët e dinë se e vetmja arsye që bllokon statusin e vendit kandidat është karrigia e tij në Partinë Socialiste!”, – u shpreh ligjvënësi Bogdani. Ai solli në vëmendje edhe të gjitha taksat që Rama ka rritur kur ka qenë në krye të bashkisë, ndërsa përmendi atë të taksës së pastrimit dhe gjelbërimit për bizneset e vogla që u rit me 500%. Bogdani u shpreh se qeverisja e PD-së ka bërë shumë, por është e vetëdijshme se ka ende për të bërë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency