De Biazi zbulon të ardhmen e Canës

0
133

Altin Vorpsi

de biazKomisari teknik nga Italia promovon Hysajn, që njihet si njëri nga beniaminët e Tares

56-vjeçari dha mendimin e tij është sa i përket finales së Kupës së Italisë, Roma-Lacio

 

 

Futbollistët shqiptarë në Itali kanë “engjëllin” e tyre mbrojtës. Ai nuk ka flatra, as nuk është i veshur i tëri me të bardha. Ai është një njeri normal, që i ndjek ata me vëmendje, pasi po punon fort për të kthyer në realitet ëndrrën e tërë Shqipërisë. Flasim për komisarin teknik të Shqipërisë, Xhani de Biazi, që ndoqi nga shkallët e stadiumit të Triestes sfidën e javës së fundit të Serisë A, Kaljari-Lacio (1-0), gjatë së cilës dha opinionin e tij për disa nga futbollistët kuqezi që luajnë në kampionatin italian. 56-vjeçari beson se Lorik Cana, aktualisht pjesë e Lacios, do ta mbyllë karrierën në Francë.

 

Për Canën

“Besoj se Petkoviçi ka dalluar mirë karakteristikat e Canës. Ai në fillim mendoi që ta përdorte në mesin e fushës, por në mbrojtje vuri re se mund të merrte rezultate të mira, kështu vendosi ta vinte në këtë rol. Loriku jeton në Francë dhe besoj se ka raporte të mira. Ai në kokën e vet mbase mendon ta mbyllë atje karrierën, edhe pse tek Lacio ndodhet mirë. Ekipi italian po zbulon tani një Lorik ndryshe, një lojtar që ka kualitet të mirë që mund të ndihmojë shumë bardhekaltrit”.

 

Për Hysajn

Sa i përket mbrojtësit të krahut të Empolit, Hysaj, De Biazi tha: “Ai është një lojtar me cilësi të mira. Ka vrap, fizik dhe ka lindur në 1994. Pra është një talent i ri që me Empolin ka vënë në dukje gjithçka që disponon. Unë jam i mendimit që nëse Lacio e afron, atëherë do të bëjë një blerje të mirë”.

 

 

Opinioni për finalen e Kupës

De Biazi e mbylli prononcimin e tij me një vlerësim për skuadrën e Lacios, që më 26 maj do të luajë ndaj Romës në finalen e Kupës së Italisë. “Prej disa vitesh Lacio po zhvillon kampionate me nivel shumë të lartë, duke pasur kënaqësinë e fitimit të Superkupës dhe Kupës së Italisë, ndaj besoj se për këto arritje duhet vlerësuar”.

 

 

 

“Medalje e Artë”

IWF nderon Gudar Beqirajn

Akademiku i njohur shqiptar, Gudar Beqiraj, është nderuar me “Medaljen e Artë” nga Federata Botërore e Peshëngritjes. Një gjë e tillë është konfirmuar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, i cili ka sqaruar se një nderim i tillë për Beqirajn është bërë gjatë kongresit zgjedhor të Federatës Botërore të Peshëngritjes, që po mbahet në Moskë. Gjozaj ka sqaruar se Beqiraj, përkrah një tjetër figure të peshëngritjes botërore nga Kina, është nderuar për kontributin e tij shumëvjeçar në shtangën botërore e veçanërisht në atë shqiptare, sidomos për rolin e tij në organizimin e Kampionatit Evropian të Peshëngritjes për Të Rritur, që u mbajt në gjysmën e parë të muajit prill në Tiranë. Siç dihet, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiraj, ishte edhe kryetar i Komitetit Organizator të Evropianit të Peshëngritjes për Të Rritur, të parit eveniment sportiv të këtij niveli që u mbajt për herë të parë në Shqipëri. Ky Evropian mori vlerësime maksimale, si nga Federata Evropiane e Peshëngritjes, ashtu edhe nga Federata Botërore e Peshëngritjes. Ndërkohë, pas përfundimit të votimit për kreun e organizmit që qeveris shtangën botërore për 4 vitet e ardhshme, hungarezi Tamas Ajan, është rizgjedhur në postin e presidentit të Federatës Botërore të Peshëngritjes. Gjoza nuk e ka fshehur kënaqësinë për këtë fitore të Ajanit, duke deklaruar se “një mik i Shqipërisë dhe i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes do të vazhdojë të jetë në krye të Federatës Botërore”.

 

Tenis

Shqipëria, për të katërtin vit në kupën “Dejvis”

Për të katërtin vit radhazi, Shqipëria do të marrë pjesë në turneun më prestigjioz të tenisi për ekipit përfaqësuese, siç është kupa “Dejvis”. Sipas trajnerit të ekipit tonë përfaqësues, Fatos Nallbanit, synimi kryesor i pjesëmarrjes në këtë veprimtari është përfitimi i përvojës në nivel ndërkombëtar, si dhe ngjitja e shkallëve të vendit tonë në renditjen botërore. Nga data 20, deri më 26 maj 2013, në San Marino do të zhvillohen ndeshjet e nivelit të tretë të kupës “Dejvis”, që është veprimtaria më e rëndësishme ekipore në sportin e tenisit. Ky është edicioni i katërt radhazi në të cilin merr pjesë edhe ekipi përfaqësues i Shqipërisë, që këtë radhë do të përbëhet nga Flavio Deçe, Rei Pelushi, Genajd Shypheja dhe Kevin Kaceli dhe drejtohet nga trajneri Fatos Nallbani. Duke folur në kompleksin sportiv “National Sport Park” në kryeqytet, para nisjes për në San Marino, trajneri i ekipit tonë përfaqësues, theksoi se synimi kryesor i pjesëmarrjes në këtë veprimtari, është përfitimi i përvojës në nivel ndërkombëtar, si dhe ngjitja e shkallëve të vendit tonë në renditjen botërore. “Natyrisht, kjo veprimtari është mjaft e rëndësishme për ne si sport dhe si Federatë”, – ka deklaruar Nallbani. “Tenisi është një sport që po rritet gradualisht në vendin tonë dhe për këtë arsye, synimi ynë është që në përfundim të pjesëmarrjes tonë në këtë edicion të kupës “Dejvis”, të lëmë prapa disa shtete të tjera në renditjen botërore, në mënyrë që të ngjisim dalëngadalë shkallët e kësaj renditjeje, duke dalë nga niveli i tretë ku gjendemi tani, në atë të dytin e kështu me radhë”, – ka vijuar trajneri kuqezi. “Jemi optimistë për një gjë të tillë, sepse mosha mesatare e 4 tenistëve që do të konkurrojnë në San Marino, është nën 18 vjeç dhe, si rrjedhojë, premton mjaft për të paktën një dhjetëvjeçar, – ka vijuar ish-sekretari i Federatës Shqiptare të Tenisit. – Prandaj kjo veprimtari mbart një rëndësi të veçantë për ne, sepse do të shërbejë si një përvojë mjaft e çmuar”. “Këta janë tenistë të rinj, të cilët, përveçse do të përjetojnë atmosferën e pjesëmarrjes në një nivel kaq të lart të tenisit botëror, do të kenë gjithashtu mundësi të matin forcat me tenistë ndërkombëtarë, që mbajnë pozicione të respektuara, si në renditjen e ITF-së, ashtu edhe në atë të ATP-së, – ka theksuar ai. – Prandaj, kjo veprimtari është shumë e rëndësishme dhe jemi shumë të përqendruar për një paraqitje sa më të mirë”. Nallbani ka shtuar se Federata Shqiptare e Tenisit falënderon Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bankën Kombëtare Tregtare, për mbështetjen e dhënë për ekipin përfaqësues të tenisit në pjesëmarrjen në kupën “Dejvis”. Shorti i grupeve hidhet të martën, ndërsa në këtë nivel të tretë marrin pjesë ekipet përfaqësuese të 13 kombeve. Këto 13 ekipe do të ndahen në 4 grupe (3 me 3 skuadra dhe një me 4), ku do të luhen dy ndeshje teke dhe një ndeshje çiftesh. Të parët e grupeve A dhe B do të përballen me njëra-tjetrën dhe fituesit e këtyre dueleve do të shkojnë në garat e nivelit të dytë të kupës “Dejvis”. Ja edhe 12 ekipet që do të ketë përballë Shqipëria në këtë nivel dhe përbërjet e tyre:

 

Shqipëria – Flavio Deçe, Rei Pelushi, Kevin Kaceli, Genajd Shypheja, Fatos Nallbani (trajner)

 

Armenia – Ashot Gevorgian, Khaçatur Khaçatrjan, Sedrak Khaçatrjan, Mikajel Avetisjan, Vahe Avetisyan (trajner)

 

Azerbaijan – Ajkhan Manafli, Samir Gafarov, Arif Gulijev, Jalçin Manafli (trajner)

 

Gjeorgjia – Nikoloz Basilashvili – Aleksandre Metreveli, George Tsivadze, Shota Meparidze, Viktor Bakshi (trajner)

 

Greqia – Teodoros Angelinos, Aleksandros Jakupoviç, Haralampos Kapojanis, Markos Kalovelonis, Jorgo Kalovelonis (trajner)

 

Islanda – Birkir Gunarson, Vladimir Ristiç, Rafn Kumar Bonifacius (trajner/lojtar)

 

Lihtensthajni – Tomas Vajrather, Timo Kranz, Vital Flurin Lojç, Robin Forster, Jurgen Tomordi (trajner)

 

Maqedonia – Shendrit Deari, Stefan Miçov, David Micevski, Predrag Rusevski, Dejan Marinkovikj (trajner)

 

Malta – Methju Asciak, Bradli Kallus, Rafael Samut, Bernard Kasar Torrexhiani, Marko Kapello (trajner)

 

Mali i Zi – Ljubomir Çelebiç, Ivan Saveljiç, Igor Saveljic, Pavle Rogan, Mirko Bjelica (trajner)

 

Norvegjia – Joakim Bjerke, Stian Boreti, Erling Tveit, Kristian Rud, Anders Haseth (trajner)

 

San Marino – Diego Zonzini, Marko de Rosi, Pietro Grasi, Domenico Viçini (trajner/lojtar)

 

Turqia – Anil Jyksel, Mehmet Xhem Ilkel, Efe Jurtaxhan, Durukan Dyrmysh, Aladin Karagoz (trajner)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency