Ja kush është arbitri që do të drejtojë finalen e madhe gjermane në tokën angleze
Ricoli do të mbahet mend si arbitri që i dhuroi kampionatin vjet Juves
Ishte njëri prej pesë “xhaketave të zeza” që do të kishte nderin të arbitronte një ndeshje të madhe.
Emri i Nikola Ricolit u shfaq dje në një njoftim për shtyp të UEFA-s, që zbardhi misterin e arbitrit të finales së madhe të UEFA Champions League-ës.
“CV”-ja
41-vjeçari nga Bolonja është një arbitër i FIFA-s që prej vitit 2007, ndërsa gjykon në Serinë A prej 11 vitesh. Komiteti i Arbitrave të UEFA-s zyrtarizoi dje emrin e arkitektit, i cili do të ketë asistentë të tij Renato Faveranin dhe Andrea Stefanin. Arbitri i 4-t do të jetë slloveni Damir Skomina, ndërsa asistentët pas porte Xhanluka Roki e Paolo Taljavento. Ricoli ka drejtuar finalen e parë të Ligës së Evropës në vitin 2010 mes Atletikos së Madridit dhe Fulhemit në Hamburg (2-1). Atij i janë besuar gjithashtu tri ndeshje në Evropianin e 2012-ës. Në total Ricoli ka gjykuar 26 ndeshje në Champions, 4 prej të cilave këtë sezon, përfshirë edhe ndeshjen e 1/8-ve mes Malagës dhe Portos.
Precedentët
Dortmundi nuk ka asnjë precedent në të shkuarën me këtë “bilbil”, ndërsa Bajernin e ka gjykuar në dy sfida, në të cilat gjermanët, edhe pse i kanë humbur, ia kanë dalë të kualifikohen më tej. Ndeshja e parë është ajo e kthimit të çerekfinaleve në prill të 2010-ës Mançester Junajtid-Bajern (3-2), ndërsa takimi i fundit është ai i 1/8-ve të sezonit të shkuar kur Bazeli i mundi 1-0. Në Serinë A, Ricoli është një figurë e kontestuar.
Bëmat
Ai mbahet mend nga tifozët e Milanit për golin flagrant që nuk i akordoi Muntarit në ndeshjen Milan-Juventus 1-1 (shkurt 2012). Gjithsesi, në finalen gjermane, italianët arritën të lënë shenjën e tyre. “Nuk mendoj se është një surprizë. Zgjedhja e Ricolit është e justifikuar. Ai është një nga arbitrat më të mirë të elitës së UEFA-s, ka bërë një gjykim fantastik në Evropian dhe ishte kandidat për të drejtuar edhe finalen e Kievit, por që nuk u realizua për shkak të Italisë finaliste. Është shumë i lumtur dhe është gati për finalen e Champions-it”, – deklaroi disenjatori Kolina.
Ters
Për herë të fundit që Bajerni i Mynihut ka luajtur një finale ku arbitri ka ardhur nga Italia ata janë mundur. Për të gjetur një precedent të tillë nuk duhet të shkojmë shumë larg në vite. Në finalen e 1999-ës që Bajerni humbi përballë Junajtidit në minutat e fundit ishte Kolina ai që i ra tri herë bilbilit në fund të asaj ndeshjeje të çmendur.
Deklarata
Montela ironizon Milanin: Godasin më mirë penalltitë se ne
Vinçenco Montela, trajneri i Fiorentinës, është munduar të qëndrojë i qetë pas ndeshjeve të javës së fundit të Serisë A, pasi ka parë ekipin e tij që ishte vetëm pak minuta larg pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve. Por fakti se Milani fitoi 2-1 ndaj Sienës, duke i rrëmbyer përsëri vendin e tretë, për më tepër me një gol të parë të ardhur nga një penallti e dyshimtë, ka sjellë edhe një reagim të tijin, ku është munduar të ruajë qetësinë. “Keqardhje për mënyrën se si përfundoi? Jo, nuk duhet t’i përjetojmë gjërat në këtë mënyrë. Shkojmë drejt pushimeve me një tjetër ndjenjë, atë të krenarisë”, – ishte reagimi i Montelës. “Besuam deri në fund që mund ta arrinim këtë objektiv. Jemi në dijeni edhe të ndonjë gjëje të veçantë që ndoshta nuk ka qenë e dukshme… Diferenca mes nesh dhe Milanit? Ata kanë gjuajtur penalltitë më mirë se ne…”, – ishte batuta e tij para kamerave të televizioneve, duke aluduar për 11-metërshin e dhënë në minutat e fundit në favor të kuqezinjve ndaj Sienës.
I lajmëruar se kjo intervistë e tija po ndiqej edhe nga administratori i Milanit, Adriano Galiani, Montela është munduar menjëherë që të evitojë një polemikë të mundshme. “Nuk është se po nënkuptoj gjë, ne kemi gabuar dy të tilla në këtë sezon”, – ishte fraza e radhës e trajnerit.
Por duket qartë se te skuadra e Firences janë të bindur për një komplot. Këtë e konfirmojnë edhe fjalët e shkruara në adresën e tij në Twitter nga mbrojtësi i kësaj skuadre, Gonzalo Rodriguez.
“Nëse them atë që mendoj, nuk mund të luaj më në Serinë A”, – ishte mesazhi i qartë i futbollistit argjentinas.
Largimi
Perez “përzë” Murinjon
Zhoze Mourinjo nuk do të jetë më trajner i Realit të Madridit, pasi presidenti i klubit, Florentino Perez, lajmëroi pasditen e së hënës se me vullnetin e të dyja palëve, kontrata që e lidhte trajnerin me klubin ndërpritet. “Unë mendoj se bilanci i punës së Murinjos është pozitiv, duke hedhur një hap të rëndësishëm përpara në cilësinë e klubit dhe konkurrencën tonë. Prej gjashtë vitesh nuk kalonim raundin 1/16 në Champions, ndërsa me Jose arritëm tri herë në gjysmëfinale dhe fituam një kampionat. Puna e tij ka qenë e lavdërueshme, por menduam që ky ishte momenti më i mirë për të ndërprerë këtë marrëdhënie, me synimin ngritjen e Realit në një nivel të ri sportiv”, – tha Florentino gjatë fjalës së tij në bordin e aksionerëve. Ndërsa falënderoi Murinjon për punën e tij dhe theksoi se vullneti për t’u larguar ishte i dyanshëm, e se nuk bëhet fjalë për një shkarkim, Florentino deshi të përcaktonte se nuk ka ende asnjë opsion apo parakontratë me asnjë trajner tjetër. Në mënyrë të tërthortë, Perezi hodhi poshtë spekulimet për një marrëveshje të arritur ndërkohë me Ançelottin, ndërsa tha: “Deri më sot kemi pasur një trajner. Vetëm nesër do të nisim kërkimet për një të ri”. Kujtojmë se tri vite më parë Don Florentino pagoi 15 milionë euro tek Interi për t’i rrëmbyer “orakullin nga Setubali”. Në fjalën e tij, Florentino lajmëroi edhe për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në muajin qershor, zgjedhje në të cilat ai do të konkurrojë për një mandat të ri në krye të “los blancos”.
Merkato
Humels: Nuk e tradhtoj Dortmundin
Vetëm pak orë nga finalja e parë gjermane në Champions. Si Bajerni dhe Dortmundi i kanë marrë masat e nevojshme për ta fituar këtë trofe të madh. Teksa bavarezët i sulmuan psikologjikisht verdhezinjtë duke shpallur para kohe transferimin e Gëces, qendërmbrojtësi Mats Humels gjatë një interviste për “Kicker” për herë të parë ka mohuar zërat e divorcit të tij të mundshëm nga Vestfalia. “Për 12 vite kam qenë pjesë e akademisë së Bajernit, por Dortmundi më ka mbështetur, për çka i detyrohem shumë. Nuk kam pasur asnjë kontakt me asnjë ekip, as me Barcelonën. Prandaj, spekulimet i merr era”, – tha Humels.
Rekomandimi
Ferguson: Nuk jam më shefi
Me barazimin 5-5 ndaj W.B.A., Sir Alex Ferguson i dha fund më shumë se çerek shekullit të tij në krye të Mançester Junajtidit, për të marrë tashmë një tjetër post më komod mes drejtuesve të “Djajve të kuq”.
Tërheqja e tij u njoftua disa ditë më parë, ndërsa mediat sportive në Britani dhe në mbarë botën nisën ta falënderojnë për atë që 71-vjeçari dha për vite me radhë në arenën e futbollit anglez dhe atij mbarëbotëror. Për ditë me radhë nisin të dalin detaje “të parëndësishme” nga vendimi i Sir Aleksit për t’u tërhequr. I fundit prej tyre është ai i publikuar nga “The Sun”. Tabloidi britanik shkruan për urdhrin e fundit të trajnerit skocez. “Mos më thërrisni më kurrë shef! Që tani e tutje mund të më thërrisni gjithçka të doni, vetëm shef jo!” Ky ka qenë urdhri i fundit i Fergusonit për futbollistët e tij, pak orë para njoftimit për tërheqjen nga posti i trajnerit. Vendi i lënë bosh nga Sir Aleksi do të zihet nga trajneri uellsian David Mojes, i cili pas ofertës së marrë i dha fund drejtimit 11-vjeçar të Evertonit.