Përplasja në Vlorë Gjika: Arbeni po na e punon pas shpine, Malaj: Lëri servilizmat, e di mirë ku fle lepuri

0
126

Gëzim Saliu

16-maj-Gjika2

Malaj: Socialist nuk të bën lista e Ramës. Kryebashkiaku: Tërhiqu nga gara, i je borxhli Vlorës për votën që të ka dhënë

 

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i bën thirrje kandidatit të pavarur për deputet, Arben Malaj, që të tërhiqet nga gara në këtë qark, pasi në të kundërt, sipas tij, shërbimi do të jetë në favor të mazhorancës qeverisëse dhe jo Partisë Socialiste. Duke bërë të ditur nëpërmjet një daljeje publike kundërshtinë e tij ndaj kandidimit të Malajt, Gjika tha se të gjithë socialistët vlonjatë janë të indinjuar dhe të revoltuar nga ky veprim i tij. “Jemi kundër veprimit politik të z. Arben Malaj për të kandiduar si kandidat i pavarur në qarkun e Vlorës në zgjedhjet politike që do të mbahen në 23 qershor. Dhe jo vetëm që ne nuk e mbështesim, jo vetëm që jemi kategorikisht kundër, por jemi të gjithë shumë të indinjuar e të revoltuar për faktin që një anëtar i familjes sonë të madhe socialiste, një drejtues i PS-së në qendër, me të drejtë fjale e vote në kryesi e në strukturat drejtuese, në një formë që ne e vlerësojmë si të pabesë e të pamoralshme, del nga pas shpine e kërkon të përdhosë atë që do të jetë në qarkun e Vlorës e në të gjithë Shqipërinë: Fitorja historike e këtij populli që prej 8 vitesh mezi pret të çlirohet me fuqinë e votës së tij nga pushteti hajdut e vrastar i Sali Berishës”, – tha Gjika. Më tej, duke folur në emër të socialistëve vlonjatë, kryebashkiaku i këtij qyteti pohoi se Malaj i është borxhli këtij qarku, i cili, sipas tij, ka ndikuar në karrierën politike të ish-deputetit të PS-së. “Si kandidimi i z. Malaj, i z. Prifti, ashtu edhe hedhja në prehrin e Berishës i Islamit etj. janë, për mendimin tonë, tentativa për t’i dhënë alibi Berishës që synon t’i vërsulet me babëzi votës popullore për ta tjetërsuar e për ta vjedhur, e për të thënë pastaj se nuk ishte ai që i vodhi, por ishte PS që humbi, për shkak të gjoja përçarjes. Ndaj ju bëjmë thirrje z. Malaj, të hiqeni mënjanë e të mos na futeni në mes, se rrezikoni të bëheni parzmore e mburojë e Sali Berishës”, – deklaroi Gjika.

Arben Malaj

Ndaj deklaratave të kreut të Bashkisë së Vlorës nuk ka munguar reagimi i drejtpërdrejtë i kandidatit të pavarur për deputet në këtë qark, Arben Malaj, i cili kërkoi nga Gjika që të merret me punët e bashkisë dhe të lërë mënjanë sulmet në emër të kryesocialistit Rama. “Zëri i vlonjatëve do të vijë nga vota e qytetarëve me 23 qershor, dhe jo nga deklaratat e Gjikës. Shpëtimi ka detyrim të merret me punët e bashkisë, dhe jo me sulme ndaj kolegëve. Unë kurrë nuk do të sulmoj kolegët, por vetëm do të qartësoj opinionin publik pas çdo deklarate servile. Presioni juaj ndaj strukturave të PS-së për të penguar fushatën time modeste dhe pozitive është rritur ndjeshëm dhe në nivele të turpshme. PS nuk është Bashkia e Tiranës apo e Vlorës. Ndërsa unë u kam shërbyer dhe do t’u shërbej socialistëve dhe njerëzve të mrekullueshëm të vendit tim të dashur. Berisha merr më shumë vota, në qoftë se Shpëtimi nuk bën mirë punët e bashkisë, ngaqë lodhet me kontrollin e partisë. Nëse Edi Rama nuk e dëgjoi Shpëtim se kush duhet të ishte në përfaqësimin e Vlorës dhe hoqi tre prej tyre, Vlora nuk do ta dëgjojë Gjikën se kush i shërben Berishës, aq më tepër që kjo në Vlorë dallohet lehtë që nga buza e detit”, – u shpreh Malaj. Kandidati i pavarur për deputet kërkoi më tej përdorimin e të gjitha energjive pozitive për një rezultat të plotë të opozitës në Vlorë, pasi siç theksoi ai, socialist nuk të bën lista e Ramës, por dashuria dhe përkushtimi për njerëzit. “Rama do të kërkojë një ditë ndjesë, siç po bën përditë për gabimet që i përsërit, nuk do të doja që t’ju kërkonte prapë juve personalisht të lexonit fletën e lavdërimit. Ndaj mos harxhoni asnjë sekondë kohë për të sulmuar njëri-tjetrin, populli është më i zgjuar se ne të dy për ta kuptuar se ku fle lepuri. Frika dhe urrejtja primitive nuk synojnë suksesin e PS-së, por mbijetesën personale. Ata nuk e barazojnë PS-në në Tiranë me Ramën dhe as PS-në në Vlorë me Gjikën”, – theksoi Malaj, duke kërkuar në fund të reagimit të tij nga kryebashkiaku Gjika: “Mos e keq përdor kohën për deklarata kundër kolegut tënd. Mbështet më të mirët. Thuaj me zë të fortë atë që shpesh e thua me zë të ulët. Thuaje për të mirën e Vlorës dhe të Shqipërisë”.

 

Ministri i Drejtësisë

Halimi: Rama urdhëroi votën kundër reformimit të drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, u është përgjigjur dje akuzave të PS-së lidhur me sistemin e drejtësisë në vend, duke theksuar se kryesocialisti Rama urdhëroi deputetët e tij për të votuar kundër reformimit të këtij sistemi, duke bllokuar ligjet me shumicë të cilësuar. “Urdhëroi votën kundër për reformimin e sistemit të drejtësisë. Ai bllokoi të gjitha ligjet me 3/5 për 3 vjet dhe urdhëroi deputetët e vet të mos votojnë ligjet edhe kur ishin me shumicë të thjeshtë. “Urdhëroi votim kundër ligjit të regjistrimit të pronave në mënyrë dixhitale kundër ligjit për monitorimin elektronik të të dënuarve, bllokoi për tre vjet Kodin Penal. Urdhëroi votim kundër ligjit për One Stop Shop për noterët. Urdhëroi votim kundër ligjit për administratën gjyqësore, kundër rritjes se pagave të tyre. Votoi kundër 500 zonjave dhe zonjushave që punojnë në ato gjykata dhe deputetja e tij i quajti qenër dhe krimba në Parlament studentët e drejtësisë. Për turp opozita!”, – shkruante ministri në rrjetin social Facebook. Më tej, Halimi bëri të ditur arritjet e qeverisë në sistemin e drejtësisë, duke theksuar se në çdo projekt ka hasur bllokimin e PS-së. “Qeveria kërkoi të ngrinte Gjykatën Administrative, projekti u bllokua nga Edi Rama. Një nga tri ligjet e integrimit ka të bëjë me reformimin e Gjykatës së Lartë, çka do të sillte më shumë shpejtësi dhe cilësi në gjykim. Projekti u bllokua nga Edi Rama. Sot nuk kemi Gjykatë Administrative dhe Gjykatë të Lartë më të mirë, për shkak të Edi Ramës. Gjykata Administrative do të ishte ndihmë e madhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të biznesit, Gjykata e Lartë do të ishte ndihmë e madhe për drejtësinë dhe gjyqësorin në përgjithësi duke qenë maja e sistemit. Të dy këto shërbime kaq të rëndësishme për qytetarët nuk i kemi sot, sepse i ka bllokuar Edi Rama. Por në 23 qershor qytetarët do të votojnë kundër bllokimit dhe pro zhvillimit. Ne jemi ndryshimi. Përpara!”, – përfundoi reagimin e tij ministri i Drejtësisë Eduard Halimi.

 

FRD

Oketa: Do të marrim nga një deputet në çdo qark

Sekretari i përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa, u shpreh dje me bindje se forca ku ai bën pjesë do të sigurojë nga një mandat në çdo qark në zgjedhjet e 23 qershorit. “Besojmë fort se në të gjitha qarqet, pa përjashtuar askënd, jemi besimplotë se në të gjitha qarqet janë të gjitha mundësitë për të marrë minimalisht një vend. Nëse i referohemi Tiranës, mundësitë janë për më shumë përfaqësim”, tha ai, në rubrikën “Opinion” në “News 24”. Oketa hodhi poshtë zërat që flasin largimin e Aleksandër Biberajt nga FRD-ja, duke theksuar se mospërfshirja e tij në lista ishte një kërkesë e personale e nënkryetarit të FRD-së. Sipas Oketës, Biberaj vijon të kryejë detyrën e tij në postin e nënkryetarit të FRD-së. “Unë nuk mund të flas në emër të zotit Biberaj. Ajo që mund të them është vlerësimi maksimal për të. Përveç zotit Biberaj ka emra të tjerë që kanë preferuar të qëndrojnë jashtë listave. Një pjesë e atyre emrave që ju nuk i gjeni në ato lista do të jenë emra potenciale në poste ekzekutive. Biberaj nuk është përjashtuar nga listat e FRD-së. Ka qenë pjesë e listave, por ka gjykuar se duhet të kishte një pozicion të ndryshëm nga ai që ishte vendimi i shumicës dhe ka marrë vendimin e tij, duke preferuar të mos jetë pjesë e listave. Këtu mbaron historia. Në emër të zotit Biberaj mund të flasë vetë ai, unë nuk kam asnjë lloj atributi për të folur në emër të tij”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency