Gëzim Saliu
Kreu i PS-së: Në katër vitet e ardhshme do të bëjmë sa ç’nuk është bërë në 20 vjet
Me superlativa dhe vlerësime të larta për kandidatët për deputetë të PS-së për qarkun e Korçës, kreu socialist Rama deklaroi se ekipi i “Rilindjes” do të sjellë ndryshimin pas 23 qershorit. “Kjo zgjedhje që kemi bërë është shumë e mirë për të fituar, por është shumë e sikletshme për të qeverisur, sepse që nga Bashkimi, te Arta, te Olta, te Iliri, te Ylli, te Iliri tjetër dhe me radhë te Zamira dhe Ana, jam i bindur që nuk do na lënë një minutë rehat, sigurisht të nxitur nga Nikua për të marrë për Korçën të gjitha këto që ne sot dhe në vazhdim do të zotohemi. Jini krenarë për këtë skuadër, jini krenarë për këta deputetë, jini krenarë se PS nuk po ua kërkon votën për të çuar në Kuvendin e Shqipërisë ca të paaftë, apo parazitë, por po ua kërkon votën për t’ju përfaqësuar në mënyrën më të denjë burra dhe gra, vajza e djem, socialistë të orëve të para dhe progresistë të orëve të fundit”, – tha Rama.
Takimi
Në prezantimin e kandidatëve për deputetë të PS-së në qarkun e Korçës, kreu socialist Rama tha se me ardhjen e socialistëve në pushtet, ky qark do të pësojë ndryshime që iu kanë mohuar, sipas tij, në 20 vite. “Unë ju them vetëm kaq, në sirtarët e kryetarit të Bashkisë së Korçës, janë të gjitha projektet që na duhen për të bërë për Korçën në katër vitet e ardhshme sa ç’nuk është bërë në 20 vjet të marra së bashku. Për t’i dhënë Korçës shkëlqimin e humbur në çdo cep, për të transformuar dhe për ta kthyer si në kohët e arta Pazarin e Korçës, për të transformuar dhe për të kthyer çdo komunitet, në çdo lagje, në një komunitet që e jeton qytetin me dëshirën e madhe për të qenë pjesë e tij dhe ku fëmijët dhe të rinjtë nuk ëndërrojnë të ikin nga qyteti, por përkundrazi në këtë qytet ndjehen krenarë për gjithmonë e më shumë vizitorë që do të vijnë. Dhe për ta bërë Korçën një hapësirë të kulturës ballkanike, po edhe të kulturës mesdhetare dhe evropiane”, – premtoi Rama. Më tej, lidershipi i koalicionit të majtë pohoi se Korça duhet të japë në 23 qershor leksionin e madh jo vetëm për qeverinë aktuale po për të gjitha Qeveritë që po vijnë se pushteti nuk duhet të ushtrojë presion tek mësuesit. “Kam dhe një mesazh shumë qytetar, shumë të sinqertë për drejtorët e shkollave këtu në Korçë, Pogradec, Devoll dhe në Kolonjë. Lëreni Saliun në rrugën e tij. Saliu është i humbur dhe ju nuk e shpëtoni dot. Lëreni Saliun dhe mos humbisni të drejtën për t’u respektuar në punën tuaj dhe për t’u respektuar si pjesëtarë të komunitetit tuaj, duke u bërë zëdhënës të presioneve mbi mësuesit dhe mbi votuesit e parë nëpër shkolla. Sepse unë ju garantoj që mbas 23 qershorit ne do të ngarkojmë me përgjegjësi publike dhe penale çdo drejtor shkolle që do të fusë hundën në lirinë e çdo mësuesi dhe të çdo nxënësi për të zgjedhur lirisht me votë atë që dëshiron”, – theksoi Rama, duke shtuar se do të ngarkohet me përgjegjësi publike dhe penale cilido drejtor shkolle që do të fusë hundën në lirinë e çdo mësuesi dhe të çdo nxënësi për të zgjedhur lirisht me votë atë që dëshiron. Në përfundim të fjalës së tij, kreu i PS-së nuk nguroi të hidhte një batutë edhe lidhur me ngjyrat e “Rilindjes”, të cilat shpeshherë janë bërë pjesë e ironisë së PD-së dhe kryeministrit Berisha. “Sa keq më vjen kur merret Saliu me ngjyrat tona. Se ne jemi më të mirë në të gjitha, po te ngjyrat pastaj nuk ka as edhe një krahasim të mundshëm. As edhe një”, – deklaroi kreu socialist Rama.
Meta: Berisha nuk pranoi kompromisin për tri ligjet
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka akuzuar dje Kryeministrin Berisha se nuk kërkon integrimin e vendit në BE, pasi refuzoi kompromisin për votimin e tri ligjeve dhe hyrjen në fuqi të tyre pas zgjedhjeve të 23 qershorit. “Shikoni se sa joserioz është Berisha edhe më çështjen e integrimit. Ka akuzuar për një kohë të gjatë PS-në se nuk voton tri ligjet, por kur unë propozova prej dy javësh një kompromis të cilin Edi Rama e pranoi, që tri ligjet të votohen tani në këtë Parlament, vetëm me një ndryshim, që ato të hyjnë në fuqi në shtator me Parlamentin e ri. Berisha bëri sikur nuk e dëgjoi këtë kompromis apo propozim dhe vazhdon atë refrenin e tij të vjetër duke thënë hajde votojini se unë tri ligjet i kam këtu. Në fakt, shqetësimi i tij nuk është integrimi evropian i vendit, por shqetësimi i tij është se si të shkojë në vendet e reja në Gjykatën e Lartë për të krijuar Kolegjin Administrativ për zbatimin e ligjit për Gjykatën Administrative, njerëz si partiakë të besuar, të cilët në vend që të japin drejtësi do të jepnin padrejtësi dhe politikë” tha Meta në një takim në qytetin e Kuçovës, ku ka prezantuar ekipin e kandidatëve për deputetë. Në këtë kontekst, ai ka theksuar se kreu i qeverisë është kthyer në një pengesë për vendin, për bashkëpunimin politik, që është domosdoshmëri për të çuar përpara reformat e integrimit. “Ai nuk i shikon gropat as në Urën Vajgurore, as në rrugën që lidh Beratin me Lushnjën dhe as në rrugën tuaj me Fierin. Ai shikon vetëm arritje historike, nuk shikon as papunësi dhe as probleme të tjera të cilat e bëjnë jetën tuaj çdo ditë edhe më të vështirë”, – deklaroi kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Ministri i Financave
Bode: Të ardhurat nga HEC-et, për të ulur borxhin
Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaron se qeveria do të përdorë të ardhurat nga privatizimi i katër hidrocentraleve, dy Bistricave, Ulzës dhe Shkopetit, për të ulur nivelin e borxhit të brendshëm, të rritur ndjeshëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti. Ai ka shpjeguar skemën për përdorimin e këtyre të ardhurave, ku bëri të ditur se u mor një borxh i përkohshëm për të shlyer detyrimet e prapambetura te biznesit, i cili do të zëvendësohet me të ardhurat e privatizimit te HEC-eve. “Në pritje të të ardhurave nga privatizimi, qeveria ka menaxhuar thesarin e shteti, duke bërë huamarrje të përkohshme 2-3 mujore në pritje të të ardhurave nga privatizimi. Në momentin që ndodhemi sot, tre ditë më parë është bërë pagesa e parë për rreth 57 milionë euro, të cilat shkojnë tërësisht në ulje të huamarrjes së brendshme. Qeveria bëri këtë në mënyrë të përkohshme, pikërisht në emër të instrumenteve ekonomike, financiarë mbështetës, për ekonominë, për qytetarët, tashmë ne nuk kemi të drejtë të përdorim më shumë se jemi autorizuar, për huamarrje, borxh, deficit”, – theksoi Bode. Sipas ministrit të Financave, deri me tani janë shlyer rreth 105 milionë euro borxhe ndaj biznesit. “Përtej shifrave të parashikuara në buxhetin e vitit 2013 dhe kontratave që janë mbështetur me këtë buxhet pati mundësinë që të lërojë në funksion të shlyerjes, së kontratave rreth 105 milionë euro më shumë”, – tha Bode, duke i cilësuar akuzat e opozitës për deficitin buxhetor si të pabazuara ne shifra dhe ne realitetin shqiptar.
Kreu i PR-së
Mediu: Aleanca e djathtë, për integrimin në BE
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në një takim me strukturat partiake në Devoll theksoi se “Aleanca për Mirëqenie, Punësim dhe Integrim” nuk është thjesht një bashkim partish, por ajo ka një qëllim të përbashkët – të anëtarësojë Shqipërinë në BE. “Kjo aleancë, kjo marrëdhënie që është krijuar, nuk është për t’i marrë njëri- tjetrit, por për t’u bashkuar për të dhënë për qytetarët tanë. Ky bashkim, kjo aleancë, nuk vlen për katër vjet të ardhme qeverisëse. Vlen për një jetë tonën të përbashkët, për një proces të rëndësishëm siç është ai i anëtarësimit në BE”, – tha Mediu.