Rama: Gati të votojmë ligjet e BE-së, por të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve

0
109

ramaaaRama zbardh negociatat me AK-në: Më kërkoi futjen e tri femrave në listën e PS-së

Votimi i emigrantëve, kreu i PS-së: Çfarë është kjo lojë rraqe-rraqe?

“Nuk do të ketë 3-4 kandidatë të LSI-së në listat e PS-së”

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaron se forca e tij politike do të votojë ligjet e integrimit, por me kushtin që ato të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. I ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në “TV Klan”, Rama theksoi se PS do të jetë e gatshme t’i përgjigjet ftesës së kreut të LSI-së për një kompromis mes palëve për kushtet e Brukselit. “Sot (dje) kryetari i LSI-së ka bërë një propozim për një kompromis për kalimin e dy ligjeve, se e treta është rregullorja, që të votohen dhe të hyjnë në fuqi me Parlamentin e ri. Dhe mua më bën sens dhe nuk ka pse e gjithë periudha e verës të përdoret. Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi kësaj ftese për kompromis. Dhe të votojmë në rast se pranohet që këto ligje të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve. Nuk e kishim diskutuar këtë po është konform principit që kemi ne”, – tha kreu i PS-së.

 

Listat

Duke bërë të ditur se listat e deputetëve të PS-së do të pësojnë ndryshime, Rama tha se mund të ketë sërish prurje të reja. “Më duket se më shumë sesa pakënaqësi, listat janë parë me përgjegjësi. Deputetë aktivë me kontribut që kanë pranuar pa asnjë kusht që të promovojmë filozofinë tonë dhe se ne jemi një skuadër. Kjo është një betejë për të zgjedhur një qeveri, që nuk do ta gëzojë mandatin e deputetit. Edhe nëse ka të tjerë që nuk do jenë as pjesë e listës në Parlament dhe as pjesë e ekzekutivit, ato janë pjesë e fuqisë madhore për të kthyer faqen e këtij vendi. Unë kam pasur fatin të bashkëpunoj me njerëz të tillë”, – u shpreh ai. Më tej, kryesocialisti nënvizoi: “Nuk do kemi një grup parlamentar qorr edhe shurdh. Qorra dhe shurdhë që shkojnë dhe ngrejnë kartonin për të rrëmbyer KQZ-në. Ministrat do jenë 24 orë në krye të detyrës dhe do t’i përgjigjen Parlamentit për gjithçka kanë detyrë t’i përgjigjen. Nuk ka rikompozime për të larguar njerëz. Unë kam bërë gabim me Musa Ulqinin dhe ka një moment reflektimi dhe ja tani ai është pjesë e skuadrës sonë kombëtare, do të jetë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. Kudo ndërtohet një skuadër është e mundur të bëhen edhe gabime”. Po ashtu Rama bëri të ditur se në listat e PS-së nuk do ketë 3-4 kandidatë të LSI-së.

 

AK-ja

I pyetur nga gazetari Fevziu se pse Aleanca Kuq e Zi u kthye nga shqiponjë në sorrë, Rama bëri të ditur disa detaje nga negociatat me Kreshnik Spahiun. “AK ishte një forcë që u shfaq si opozitare dhe me eksese shpeshherë të papëlqyeshme, por opozitare. E kam thënë që doli si një forcë djathtas. Spahiu ka qenë kryetar i komisionit të zgjedhjeve në ‘96. E kam parë si një forcë që lindi nga një konflikt brenda së djathtës. Duke u theksuar si një forcë antisistem dhe antiregjim dhe kam thënë diçka tjetër: mbetet për tu parë se çfarë është. A është shqiponjë apo është sorrë? Pastaj erdhi periudha e negociatave. Kemi bërë negociatat të gjata me LSI-në, shumë serioze. Kemi këmbyer edhe letra të shkruara. Kemi bërë negociata edhe me PBDNJ-në, PDS-në, të gjitha kanë pasur vështirësitë e veta dhe kanë qenë serioze dhe të qartë dhe çfarë kërkonin palët. Negociata të tilla mua më vjen zor ti tregoj si ato me AK. Negociatori Damian Gjiknuri ka qenë përgjegjës dhe çdo ditë që kalonte ishte i qartë se kishim të bënim me një provokacion”, – pohoi Rama. Më tej ai bëri të ditur edhe kërkesat e Spahiut duke thënë: “Kërkoi bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Kërkoi të ngrijmë marrëdhëniet me Greqinë derisa të hiqet ligji i luftës. Këto të dyja do ishin marria e një lufte të ftohtë ballkanike. Kërkoi të arrestohej Sali Berisha brenda100 ditësh. Domethënë ta bëjmë edhe më martir. Këto ishin të shkruara, ca broçkulla të tjera më vonë. Më pas kërkoi që partia e parë dhe partia e dytë negociojnë për emrin e Kryeministrit, ato broçkulla ka thënë kur shkonte me dylbi atje. Më pas tha varja atyre se ne duam 5 deputetë te lista e PS-së. 5 figura që t’i biem ne. – Po si – e pyeta? Po nuk ka rëndësi – më tha. Leni këto – më tha – se këto i zgjidhim. Të kemi tri femra në listat e deputetëve. Kërkoheshin kaçube në listat tona që të fshiheshin këta kuqezinjtë”.

 

 

Komisioni hetimor

Kryesocialisti shpjegoi dje versionin e tij të incidentit të ndodhur në Akademinë Diplomatike të Vjenës me diplomatin, Egin Ceka. Sipas Ramës, komisioni hetimor është një sajesë e mazhorancës dhe veprimi i Cekës, tha ai, ishte provokativ. “Personi që aty u shfaq si një provokator i nivelit më të ulët, duke shkelur etikën, jo të një diplomati, por etikën e një qytetari, duke u afruar edhe derdhur një lum fjalësh të padenja. Fjalë fyese jashtë çdo lloj kornize të aktivitetit të tij si përfaqësues i diplomacisë shqiptare. Nuk ka pasur asgjë për t’u shënuar në sjelljen time, përveçse kërkesa ime, e përsëritur disa herë, që ai të largohet, pasi vuri në pozitë të gjithë njerëzit e pranishëm aty”. Rama hodhi akuza në adresë të trupit diplomatik shqiptar në të gjithë botën, duke e cilësuar atë një trupë që nuk është në shërbim të atdheut.

 

Votimi i emigrantëve

Kreu socialist foli gjithashtu edhe lidhur me votimin e emigrantëve, ku tha se kjo është një lojë e mazhorancës. “Çfarë propozohet tani? Ç’është është kjo lojë rraqe-rraqe? Si mund të bëhet votimi i emigrantëve për dy muaj? Si kujtoni ju se është kaq e thjeshtë të ndërtohet infrastruktura? Ne kemi kërkuar që më parë, por votimi nuk mund të bëhet tani në dy muaj”.

Familjet në grevë, Rama: Zgjidhje për strehimin pas 23 qershorit

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë takimit me banorët e njësisë numër 5 në kryeqytet, teksa dëgjoi shqetësimin e një familjareje të grevistëve “të ngujuar” në rrugën “Margarita Tutulani” në kryeqytet i bëri thirrje që të ndërpresin grevën. Sipas Ramës, problemi lidhet me dy anë, e drejta e ish-pronarëve për të rimarrë pronën e tyre dhe e drejta e familjarëve që nuk kanë vend ku të strehohen. “Këtu, me sa kuptoj unë, ka dy anë. Njëra është ana që lidhet me aktin famëkeq normativ të nxjerrjes nga shtëpia të familjes së ish-pronarëve, që për hir së vërtetës e drejta kërkon t’i marrin shtëpitë e tyre. Por, nuk vendoset një e drejtë duke bërë një padrejtësi. Vendosja e të drejtës për të strehuar pronarët në shtëpinë që u kanë marrë dikur është e vonuar. Por në emër të kësaj të drejte është bërë padrejtësi e madhe dhe nga gjithçka nga kjo padrejtësi janë familjet që nuk kanë të ardhura për të përballuar jetesën”, – tha Rama. Kreu i PS-së u kërkoi banorëve të mos shpenzojnë energji, duke i premtuar se më 23 qershor PS do t’i japë zgjidhje afatgjatë problemit të tyre. “Që të thuash që të bëjmë diçka sot është realisht një shpresë e kotë. Askush nuk duhet të shpresojë të bëjë gjithçka pa shporrur këto forca që sillen nëpër territor si forca pushtuesish dhe i vënë flakën fshatit, pa larguar këtë qeveri dhe ‘pushtetin familjar’ që ka kapur fijet e interesave të vendit dhe i ka kthyer në nyje të interesit ë vet. Ju jap një këshillë miqësore është të përpiqemi të gjemë një rrjet solidariteti dhe t’ju japim mundësi për t’ju strehuar deri më 23 qershori dhe të marrim angazhimin që me një projekt dhe program të posaçëm t’ju garantojmë strehim afatgjatë. Ndalojeni këtë grevë urie se është shpenzim i madh energjie dhe është përpjekje për tu parë dhe dëgjuar nga qorrat dhe shurdhët që sot sundojnë mbi Shqipëri”, – bëri thirrje Rama.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency