Mbajtën pa dëshirën e tij në makinë një person, dënohet oficeri dhe dy vëllezërit

0
351

Sonja Caka

gjykimi“Pengu” lajmëroi vëllanë nga frika për jetën, nuk dinte ku do ta çonin

Justifikimi: E morëm për ta sqaruar për një borxh 2 mijë euro

 

Tentativa për t’i zgjidhur vetë problemet e borxheve apo përplasjet me një tjetër person kanë penalizuar me burg dhe gjobë një ushtarak dhe dy vëllezër, të akuzuar për veprat penale të “Vetëgjyqësisë” dhe “Kundërshtimit të punonjësve të policisë”. “Pengu” i frikësuar se nuk po merrte përgjigje për vendin ku do ta çonin lajmëroi të vëllanë dhe ky i fundit policinë, ndërsa dy nga tre të pandehurit e justifikuan veprimin e tyre me argumentin se u kishte 2 mijë euro borxh dhe për këtë arsye e kishin marrë dhe i kishin lënë afat 5 ditë. Referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës, tre të pandehurit Miri Muja, Emiljo Muja dhe Përparim Halilaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë në automjet shtetasin Ervar Krasniqi, për t’i kërkuar një borxh që sipas tyre, ky i fundit u kishte vëllezërve Muja. Marrja në makinë është bërë pa dijeninë e dëshirën e tij, duke pretenduar se u duhej për blerjen e një toke në zonën e Farkës. Këtu nis konsumimi i veprës penale nga tre të pandehurit, ndërsa vetëm disa ditë më parë gjykata ka dhënë vendimin. Pas mbërritjes së dosjes për gjykim, tre të pandehurit janë proceduar me gjykim të shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 1 milionë lekë gjobë Përparim Halilajn, 700 mijë lekë gjobë Miri Mujën dhe 2 muaj burg vëllanë e këtij të fundit, Emiljo Muja.

Ngjarja

Sipas vendimit, rezultoi se më 29 nëntor të vitit të kaluar, Ervar Krasniqi ka qenë duke fjetur në banesën e tij, e cila ndodhet në fshatin Farkë, Tiranë. Bashkëshortja e tij i ka thënë se e kërkonin dy djem. Ervari ka dalë dhe ka parë dy djem, nga të cilët njihte njërin prej tyre. Personi i njohur prej tij e ka pyetur nëse shitej ndonjë tokë në Farkë, pasi do ta blinte shoku i tij. Kallëzuesi u ka thënë se kishte një shoku i tij tokë dhe mund të shkonin ta pyesnin. Krasniqi ka hipur me vullnetin e tij në automjetin e dy personave, tip “Seat Ibiza” me ngjyre të bardhë dhe me targa italiane. Dy personat janë ulur përpara, ndërsa kallëzuesi është ulur prapa. Automjeti ka marrë rrugën për në Sauk. Duke parë këtë devijim rruge, Krasniqi u ka thënë se ata duhet të shkonin në Farkë për të pyetur për tokë dhe jo në Sauk. Pas një farë kohe, në të dalë në rrugën kryesore të Saukut, automjeti ka ndaluar e kanë hipur brenda tre persona të tjerë, të cilët janë ulur prapa, pra bashke me kallëzuesin dhe nuk ka folur askush. Tek Policia Ushtarake, kallëzuesi i ka pyetur se ku po e çonin, por nuk i është përgjigjur njeri. Në këto kushte, duke pasur frikë për jetën, Krasniqi i ka telefonuar vëllait të tij, duke i treguar rrethanat në të cilat ndodhej. Ndërkohë, personat që kanë qenë në automjet i kanë kërkuar përgjigje në lidhje me një problem të ndodhur në Maqedoni ndërmjet tyre. Gjatë kësaj kohe, automjeti ka lëvizur në drejtim të Rrugës së Elbasanit, tek Bërryli, Shkolla e Bashkuar e më tej. Shtetasit që ishin në automjet, i kanë kërkuar kallëzuesit një shumë prej 2000 eurosh, të cilën, sipas tyre, ai ua kishte borxh për një problem që kishte ndodhur në Maqedoni. Ata i kanë lënë 5 ditë afat Krasniqit për përmbushjen e këtij detyrimi. Pas kësaj bisede, kallëzuesin e kanë zbritur tek stacioni i autobusit të Farkës, në Rrugën e Elbasanit. Kallëzuesi ka marrë përsëri në telefon vëllanë e tij, duke i thënë se po vinte në shtëpi, ndërkohë që i vëllai kishte njoftuar policinë. Gjithashtu, Krasniqi ka bërë kallëzim në komisariatin e policisë nr. 1 Tiranë për këtë ngjarje. Punonjësit e policisë kanë filluar kërkimet, nisur nga të dhënat e servirura nga Krasniqi, dhe kanë arritur të kapin personat e dyshuar në një lokal në bulevardin “Zogu I”. Njëri nga personat, i pandehuri Përparim Halilaj, ka rezistuar me pretendimin se ai ishte nënoficer dhe për këtë shkak kishte edhe armë.

 

Vendimi

I sëmurë psikik prej shumë vitesh, gjykata urdhëron shtimin e detyrueshëm në Spital Psikiatrik

Gjykata e Tiranës ka urdhëruar shtrimin e detyrueshëm në Spital Psikiatrik për të pandehurin Abaz Picari nga Vora, pasi më parë në gjendje të papërgjegjshme i kishte vënë flakën banesën ku jetonte prej disa kohësh me familjen e tij. Ndaj tij u ngritën akuzat “Shkatërrim prone me zjarr” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, pasi përveç vënies së flakës ndaj banesës, ai ka kundërshtuar nën kërcënimin e një thike dhe të një hanxhari edhe punonjësit e policisë. Sipas vendimit të gjykatës, rezulton se Abaz Picari ka vuajtur nga çrregullimet psikike që nga viti 1979 dhe vazhdimisht është shtruar në Spital Psikiatrik. Shtetasi Abaz Picari ka jetuar me qira në fshatin Marqinet, Vorë, Tiranë, së bashku me bashkëshorten dhe vajzën e tij Nertila, të cilat janë larguar nga banesa, pasi Abaz Picari tregohej i dhunshëm me to. Banesa ku jetonte me qira, është në pronë e kushëririt të tij, shtetasit Gentian Picari. Gjithashtu, gjatë shqyrtimit gjyqësor rezultoi se më datë 10.11.2012, shtetasi Abaz Picari, në kohën kur familjarët e tjerë nuk kanë qenë në banesë, i ka vënë flakën banesës dhe në kohën që banesa ka qenë duke u djegur, Abazi është konstatuar jashtë saj nga komshiu i tyre, shtetasi Musa Picari, i cili ka banesën pranë tij. Nga dëshmia e këtij të fundit në gjykatë rezultoi se ka dëgjuar Abazin të thoshte se “e dogji banesën”. Më lidhje me këtë fakt është njoftuar policia dhe me vonë kanë shkuar edhe forcat e zjarrfikëses, që kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit. Nga ana e punonjësve të policisë nuk është bërë i mundur shoqërimi i tij, pasi ka arritur të largohet. Gjatë hetimit gjyqësor ka rezultuar se në datën 11.11.2012, i pandehuri Picari është kthyer në banesë dhe aty kanë shkuar menjëherë forcat e policisë dhe kanë kërkuar ta shoqëronin. Në këto momente, shtetasi Abaz Picari ka filluar të gjuajë nga brenda banesës ndaj forcave të policisë me sende si pllaka, xhama, të cilat kanë qenë të mbetura nga djegia, duke bërë rezistencë. Ndodhur në këto kushte, janë njoftuar forcat e policisë së operacioneve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, të cilët kanë shkuar në vendngjarje, ku shtetasi Abaz Picari i ka kundërshtuar duke mbajtur në dorë thikë e hanxhar. Në këto momente punonjësit e policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e tij. Nga dëshmia e punonjësve të policisë rezulton se i pandehuri i ka kundërshtuar ata me qëllim që ai të mos shoqërohej prej tyre.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency