Përdhunim e shuarje cigaresh në trup prostitutës, nëse s’fitonte 1300 euro

0
141

Elton Qyno

prosti25-vjeçarja nga Kuçova tregon ferrin në policinë e Tiranës. Denoncon dy tutorët e saj

 

Një 25-vjeçare nuk ka mundur të përballojë torturat çnjerëzore të dy tutorëve të saj, duke vendosur të dalë në rrugët e Londrës në Angli dhe të kryejë marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës. Rasti në fjalë është një fotokopje e shumë rasteve të tjera, ku shumë prej vajzave në Shqipëri janë mashtruar nga të dashurit e tyre dhe më pas e kanë gjetur veten në udhëkryqet e rrugëve ku ushtrohet prostitucion. I tillë është dhe fati i 25-vjeçares nga fshati Gore i rrethit të Kuçovës, e cila me shpresën për të dalë nga mjerimi dhe për t’i dhënë përfundimisht fund atij, është future akoma dhe më thellë në të, duke u shndërruar në një skllave seksi. Shtetasja me inicialet P. V. ka punuar që nga viti 2011 dhe deri në vitin 2012 si prostitutë në rrugët e ndryshme të Londrës, ku fitonte shuma të konsiderueshme, që varionin nga 1 mijë deri në 1300 euro në natë. Në fakt, këtë nivel të ardhurash 25-vjeçarja e kishte si normë të përditshme që dy personat Joant K. dhe Fatmir  B. ia kishin vënë si normë për të kryer. Nëse një gjë e tillë nuk do të arrihej nga 25-vjeçarja, atëherë ndaj saj fillonte tatëpjeta, duke u përballur me dhunën fizike, përdhunimin në mënyrë sistematike dhe deri në shuarjen e cigareve njëra pas tjetrës në vende të ndryshme të trupit. Të gjitha këto forma ia kishin kthyer jetën në ferr shtetases me inicialet P. V. nga Kuçova, ndërkohë që eurot e fituara nga klientët që kryenin marrëdhënie me të, ajo ua jepte në mbrëmje dy tutorëve të saj. Të gjitha këto para ata i harxhonin për punët e tyre në Shqipëri dhe Angli, ndërkohë që justifikoheshin se pjesa më e madhe e lekëve shkonte për ushqimin dhe veshmbathjen e 25-vjeçares.

Dëshmia në polici

Për gati dy orë me radhë, 25-vjeçarja me inicialet P. V. ka rrëfyer të gjithë jetën e saj të kaluar në ferrin e dy tutorëve. Në prani të një psikologeje dhe mes lotëve që i dilnin herë pas here nga sytë, 25-vjeçarja ka treguar se një vit qëndrimi në Londër ka qenë një tmerr për të, pasi gjatë kësaj kohe është dhunuar në mënyrë të përsëritur jo vetëm fizikisht, por edhe seksualisht. Në dëshminë e saj, e reja ka treguar se gjatë vitit 2010 është njohur me shtetasin 35-vjeçar Fatmir B., i cili i ka premtuar martesë të shpejtë, duke i premtuar se duhet të largoheshin në Angli, me qëllim sigurimin e të ardhurave. Këtë rreng, në fakt, e dëmtuara nuk e ka pikasur që në fillim, por e ka besuar të dashurin e saj, i cili i ka dhënë garanci se në Angli i priste një shoku i tij, ku dhe do të strehoheshin. Për pasojë gjithçka është miratuar dhe nga prindërit e vajzës, të cilët jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Pasi janë larguar nga Shqipëria në drejtim të Italisë, në Francë dhe më pas kanë mbërritur me shumë mënyrë dhe para nën dorë për falsifikimin e pasaportave, 25-vjeçarja e ka gjetur veten të strehuar në banesën e shtetasit 40-vjeçar Joant K. Ky i fundit kishte njohje me shtetasin 35-vjeçar dhe pas disa ditësh qëndrimi, sipas dëshmisë së vajzës së dëmtuar, ka qenë i pari Fatmiri ai që i ka kërkuar të ushtronte prostitucion në rrugë për shkak të mos mjaftimit të lekëve. Një gjë të tillë, 25-vjeçarja e ka refuzuar me ngulm, por më pas është përballur me dhunën fizike të Fatmirit dhe kërcënimet me jetë. Pas disa ditësh ka qenë shoku i tij, që ia ka kërkuar të dilte në rrugë, por sërish e reja ka refuzuar. Ajo është lënë pa bukë dhe pa ujë, për kokëfortësinë e saj, ndërkohë që më pas është përdhunuar sistematikisht nga 40-vjeçari Joant K. Në vijim torturat kanë vijuar me rrahje me rripin e pantallonave deri në shuarjes e cigareve në vende të ndryshme të trupit. E ndodhur në këtë situatë, 25-vjeçari ka vendosur të dalë në rrugë, dhe se të gjitha paratë që ka përfituar nga klientët me të cilët kryente marrëdhënie ia dorëzonte dy tutorëve të saj, të cilët e ruanin në distancë.

Kapja nga policia

Teksa ushtronte prostitucion në rrugët e Londrës, 25-vjeçarja ka arritur të shpëtojë nga kthetrat e dy tutorëve të saj, të cilët e mbanin në vëzhgim në distancë. Mirëpo ajo që ka bërë mos ndërhyrjen e tyre, ka qenë afrimi i një makine policie, ku efektivët që ndodheshin në të kanë bërë arrestimin e 25-vjeçares duke e shoqëruar më pas në rajonin e policisë. Pas kësaj vajza ka qëndruar për një kohë të gjatë në një qendër rehabilitimi, ndërkohë që disa ditë më parë ajo është riatdhesuar duke u strehuar në fshatin SOS, aty ku ndodhet dhe Qendra e Viktimave të Trafikut të Qenieve Njerëzore. Ditën e djeshme 25-vjeçarja ka bërë denoncimin në polici të dy personave dhe se tashmë çështja në ngarkim të Joant K. dhe shokut të tij, shtetasit Fatmir B. është duke u hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërkohë, për sa i përket sigurisë fizike të kallëzueses, policia sqaron se ajo tashmë është marrë në mbrojtje.

 

 

Pritet kërkesa për ekstradimin në Emiratet e Bashkuara

Hajdin Sejdisë i ulet tensioni në

qeli, shtrohet në spitalin e Kukësit

 

Është ndaluar në Morinë Hajdin Sejdia, ish-biznesmeni i njohur në mesin e viteve ‘90 në Shqipëri. Policia njofton se ai po kalonte kufirin me emër të tjetërsuar Avni Sejdia, por sistemi TIMS ka zbuluar dokumentacionin fals. Sejdia ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli me akuzën e mashtrimit gjatë aktiviteteve të tij në vendet arabe. Ndërkohë, gjatë shoqërimit të tij në dhomat e paraburgimit të Kukësit, Sejdia ka shfaqur probleme serioze të shëndetit, çka ka detyruar dërgimin e tij në spital. Në mëngjes gjendja është përmirësuar, i arrestuari u vendos në qeli në pritje për vlerësim të masës së sigurisë. Sejdia në Shqipëri u bë i njohur me gropën e famshme të quajtur “gropa e Hajdin Sejdisë”. Ai arriti ta hapte atë, duke premtuar se do të ndërtonte një pallat të madh, por që në fakt gjithçka rezultoi mashtrim. Gropa mbeti në mëshirë të fatit për disa vite me radhë, ndërkohë që u kthye në çerdhe prostitucioni dhe infeksionesh të ndryshme. Sejdia kohët e fundit lëvizte i qetë në Shqipëri, ku edhe ishte administrator i një kompleksi tregtar në Durrës. Në kohën që Sejdia kishte blerë tokën, u kishte premtuar shqiptarëve dhe miqve të tij të politikës se aty do të ndërtonte hotelin më të madh në Ballkan. Gropa u hap për hedhjen e themeleve të pallatit 52-katësh, sipas parashikimeve të miliarderit nga Kosova, por që më pas u anulua. Sejdia në të vërtetë nuk e nisi kurrë “pallatin e ëndrrave”. Hajdin Sejdia erdhi sërish në Shqipëri në vitin 2004. U vendos në “Sheraton” dhe asokohe u tha se kishte fituar lirinë nga drejtësia zvicerane që e kishte arrestuar po për mashtrim. Një vit më vonë, Sejdia u martua në Tiranë.

 

Ngjarja në Lezhë

Digjet makina e trajnerit të karatesë

Një automjet është përfshirë nga flakët rreth mesnatës në lagjen “Besëlidhja” të Lezhës. Makina “Opel” me targa AA 083 AB në pronësi të shtetasit Dritan Suli, trajner karateje, ka qenë e parkuar në parkimin e pallatit. Burime në vendngjarje thonë se automjetit i është thyer xhami dhe më pas dyshohet të jetë spërkatur me benzinë duke iu vënë zjarri. Automjeti është shkrumbuar tërësisht. Zjarrfikësja ka arritur të shuajë flakët e zjarrit, ndërkohë që banorët janë e pallatit janë tronditur nga shpërthimi. Pronari i makinës thotë se automjeti ka qenë në gjendje të mirë teknike duke përjashtuar kështu rënien e zjarrit në mënyrë aksidentale. Zjarri ka shkrumbuar tërësisht automjetin në brendësi, ndërsa tek pjesa e motorit nuk ka pasur dëmtime, çka hedh dyshime për zjarrvënie të qëllimshme. Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe grupi hetimor, i cili po heton për zbardhjen e ngjarjes.

 

Protesta

Goditën policinë, arrestohen 5 persona

Pas protestës së banorëve të Fushë-Arrëzit policia ka vendosur në pranga 5 persona dhe ka shpallur në kërkim 3 të tjerë. Këta akuzohen për kanosje dhe prishje të rendit publik. Ndërkaq kompania turke ka pezulluar punën në fabrikën e pasurimit të bakrit ku punojnë 170 persona. Thuhet se përfaqësuesit turq janë larguar nga zyrat. Një ditë me parë banorët kërkuan punësim në fabrikë, pastrim të ajrit e ujit, ndotje që sipas tyre shkaktohet nga puna me bakrin. Kompania turke e ka marrë me koncesion fabrikën, por banorët shprehen të pakënaqur sepse turqit nuk mbajtën premtimet. Gjatë protestës u plagos edhe shefi i rendit Pëllumb Uka. Aktualisht, ndaj pesë personave të arrestuar është ngritur akuza e “Goditjes së forcave të rendit me mjete të forta” dhe “Kundërshtim të efektivave të policisë”.

 

4-vjeçari

Durrës, policia gjen një fëmijë të humbur

Gjendet nga policia e Durrësit në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Kënetës dhe i pashoqëruar nga prindërit një fëmijë 4-vjeçar. Fëmija është shoqërua për në ambientet e policisë. Në pamundësi për të gjetur adresën e plotë të tij, policia e qytetit bregdetar kërkon ndihmën e publikut. Në informacionin e shpërndarë nga uniformat blu thuhet se fëmija i gjetur mban të veshura një bluzë me ngjyrë të kuqe dhe një palë pantallona të shkurtra. 4-vjeçari është me ngjyrën e flokëve të verdha. Policia i bën thirrje kujtdo që ka ndonjë informacion për prindërit apo të afërmit e vogëlushit, të kontaktojë sa më parë me uniformat blu.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency