Anxhela Tato
Riekspertimi: Fraktura të forta dhe thyerje në kafkë, viktimës i janë shkulur thonjtë e gishtave
Mes flamujsh kuqezi, 42-vjeçarit Ilir Kareli i jepet lamtumira nga familjarët dhe miqtë
Dhuna makabre ndaj të dënuarit Ilir Kareli është mbajtur e fshehtë në raportin shëndetësor të palës greke, ku nuk bëheshin publike 15 shenja dhune. Ky konstatim është bërë gjatë ekspertizës së dytë nga ana e mjekësisë ligjore së vendit tonë, sipas të cilës 42-vjeçari ka fraktura të forta në kafkë dhe thyerje të saj. Sipas organit të akuzës së Fierit, nga 15 shenja dhune që ndodhen në trupin e Ilia (Ilir) Karelit dhe që i kanë shkaktuar vdekjen, në aktekspertizën e palës greke raportohen vetëm disa prej këtyre. Kjo ka qenë edhe arsyeja që nga ana e organit të akuzës ka nisur hetimi për këtë krim makabër, duke urdhëruar riekspertimin e trupit të 42-vjeçarit nga ana e ekspertëve të institucionit të Mjekësisë Ligjore së kryeqytetit. Kanë qenë vetë familjarë të viktimës, të cilët pas plagëve të konstatuara në turpin e Ilir Karelit, kanë ngritur dyshimet se ekspertiza greke ishte e cunguar dhe jo reale. Nga të dhënat e para të mjekësisë ligjore mësohet se Ilir Kareli ka fraktura të forta dhe thyerje të kafkës. Të dënuarit i janë hequr edhe thonjtë e gishtave. Ndërkohë, nga ana e Prokurorisë së Fierit tashmë ka nisur procedimi penal për vrasjen e Ilir Karelit në qelitë e burgut të Nigritas, ku e transferua për ta mbajtur në izolim.
Ceremonia mortore
Mes lotësh dhe flamujsh kuqezi, Ilir Kareli është përcjellë për në banesën e fundit. Miqtë, të afërmit dhe shokët e tij mbanin në duar flamurin kombëtar kuqezi, teksa shoqëronin drejt banesës së fundit Ilia Karelin, të njohur në Shqipëri me emrin Kudret Kume. Ceremonia e varrimit të 42-vjeçarit u zhvillua në Zhupan të Fierit, në fshatin e tij të lindjes. Familjarët e 42-vjeçarit kanë ngritur dyshimet në lidhje me ekspertizën e palës greke, duke bërë një kallëzim penal. Pas kallëzimit nga ana e familjarëve, Prokuroria ka kërkuar një riekspertim të trupit të viktimës, pasi, sipas tyre, akti i ekspertimit të sjellë nga Greqia ishte i paplotë. Nga ana tjetër, halla e Karelit ka deklaruar: “Nëse i kanë hequr organet gjenitale, grekët do të mbajnë përgjegjësi”. Një prej të afërmve ka treguar se Kareli ishte i masakruar, ndërsa ishte i dëmtuar edhe në organet gjenitale. “Viktima ishte i goditur në të gjitha pjesët e trupit, bile syri i djathtë ishte pothuajse i plasur. Gjoksi i majtë komplet i shtypur, komplet mbrapa shpatullat. Ishte i shtypur edhe në pjesët gjenitale të njeriut”, – thotë i afërmi i Ilia (Ilir) Karelit. “Ishte i goditur në të gjitha pjesët e trupit, syri i djathtë ishte pothuaj komplet i plasur, gjoksi i majtë komplet i shtypur, shpatullat komplet, pjesët gjenitale. Vendosëm që ekspertiza të bëhej prapë”, – është shprehur njëri nga familjarët. “Duart i kishte të mbledhura, dukeshin të djegura, dy gishta nuk i hapeshin”, – u shpreh më tej halla e tij. Familjarët e tij kishin paralajmëruar një protestë në qendër të qytetit me arkivol, por nëna e Karelit kërkoi që trupi i të birit të dërgohej në shtëpi, në fshatin Zhupan të Fierit.
Hetimet
Merret në pyetje shefi i burgut të Nigritas, mohon fotot dhe letrën e shkruar nga Kareli
Përgjegjësi i rojave të jashtme të burgut të Nigritas, Athanasios Tusios, u jep përgjigje pretendimeve të të dënuarve në letrën e publikuar në shtypin grek. Sipas tij, nuk ka mundësi që të dënuarit të kenë hedhur letrën në internet, pasi të dielave nuk ka vizita të të afërmve dhe gjatë ditës së djeshme kanë qenë në gatishmëri të gjithë të punonjësit. Nga ana tjetër, ai thekson se të dënuarit nuk kanë qasje në internet, pasi kjo është e ndaluar. Ndërkaq, ditën e djeshme drejtori i rojave të brendshme dhe 15 zyrtarë të burgut të Nigritas janë pyetur në policinë e Serresit për procedurat e marrjes së të dënuarve dhe kushtet e ruajtjes së tyre. Ata thanë se Ilir Kareli ishte vendosur në një qeli të posaçme të survejuar nga kamerat. Fokusi është tani në rezultatet e hetimit dhe në rezultatet e testeve histologjike dhe toksikologjike, pas përfundimit të ekspertizës mjekoligjore, nga e cila rezultoi se Ilia Kareli kishte fraktura në kafazin e kraharorit dhe lëndime të shumta mbi trupin e tij, disa ditë para se të hynte në burgun e Nigritas. “Kushdo që është fajtor për vdekjen e Karelit, do të paguajë”, – tha drejtori i burgut të Nigritas, Antoni Stabulis. Ai shtoi se disa video e foto që janë postuar në internet janë të pabaza e të pasakta dhe nuk janë marrë në qelinë e Karelit. “Ta lejojmë drejtësinë të bëjë punën e saj dhe të mos mashtrojmë botën”, – tha Stabulis. Sipas ekspertizës greke, rezulton se “40-vjeçari Ilia Kareli është rrahur, duke u goditur në pjesën e brinjëve në 2 javët e fundit, si dhe është dhunuar me elektroshok vazhdimisht në 10 ditët e fundit”. Gardianët dhe shefi i burgut, Harry Konsolidis, akuzohen për shpërdorim detyre. Ndërkaq, autoritetet e burgjeve mohojnë letrën e Karelit, pasi, sipas tyre, të burgosurit s’kanë qasje në internet.
Të burgosurit/ “Iliri pranoi krimin dhe pasojat, gjeni vrasësin”
Të dënuarit e burgut të Nigritas në Greqi kanë nënshkruar një letër, ku përshkruajnë nga këndvështrimi i tyre vrasjen e gardianit të burgut të Malandrinos, Jorgos Tsironis, nga shqiptari Ilia Kareli, por edhe vdekjen e shqiptarit. Ata e përshkruajnë gardianin një “tiran dhe torturues”, ndërsa thonë se vrasja e Karelit u bë me saktësi profesionale. Të burgosurit kërkojnë të kryhen të gjitha hetimet e nevojshme që parashikon ligji dhe të vihen para drejtësisë vrasësit e Ilia Karelit. “I burgosuri ishte i gatshëm të pranonte të gjitha pasojat e ligjit dhe dënimin për veprën që kreu”, – thuhet në letër. Të dënuarit gjithashtu kërkojnë të merren masat e nevojshme për të përcaktuar shkakun e vdekjes dhe të publikohen fotot, që nga momenti që Ilia Kareli hyri në burgun e Nigritas, foto që sipas tyre, vërtetojnë se atë e kanë rrahur rëndë edhe në burgun e Nigritas. Sipas hetimeve më të fundit që bëhen publike nga mediat greke lidhur me vdekjen e Karelit, goditjet që ka pësuar shqiptari nuk përputhen në kohë, d.m.th. thyerja e kafazit të kraharorit dhe shenjat në dorën e djathtë, janë bërë në kohë të ndryshme. Nga ana tjetër, zyrtarët e burgut të Malandrinos kanë paraqitur dokumente dhe prova, të cilat sipas tyre, vërtetojnë se shenjat në duart e Karelit nuk janë bërë në burgun e Malandrinos dhe as gjatë transferimit të tij në polici.
Reagime
PD: Qeveria të zbardhë ngjarjen dhe të vërë drejtësi
Partia Demokratike i ka kërkuar qeverisë të marrë hapa për zbardhjen e ekzekutimit të shqiptarit në burgun grek. Deputetja demokrate, Albana Vokshi, në një dalje për mediat kërkoi nga ekzekutivi shqiptar të marrë në konsideratë dhe të trajtojë me seriozitet maksimal, pretendimet dhe kërkesat e familjarëve të viktimës. “Partia Demokratike i kërkon qeverisë shqiptare të ndërmarrë çdo hap të mundshëm institucional që do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen e drejtësisë, për rastin e Ilia Karelit që u torturua dhe u ekzekutua në burgun grek. Partia Demokratike, i kërkon qeverisë shqiptare që të marrë në konsideratë dhe të trajtojë me seriozitet maksimal, pretendimet dhe kërkesat e familjarëve të viktimës. Partia Demokratike e dënon ngjarjen e rëndë, dhe çdo lloj shkelje të të drejtave të njeriut dhe ushtrimit të dhunës ndaj të dënuarve shqiptarë në burgjet greke, dhe kërkon hetim dhe drejtësi për rastin e Ilia Karelit”.
Kreshnik Çollaku: Verifikim trajtimit të shqiptarëve nëpër burgje
Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Çollaku, ka reaguar për vrasjen e shtetasit shqiptar, Ilia Kareli, në burgun grek. Sipas Çollakut, duhet ngritur në mënyrë urgjente një grup pune për verifikimin e të drejtave të të burgosurve shqiptarë në Greqi. “Ministria e Jashtme, Ministria e Drejtësisë dhe Avokati Popullit duhet në mënyrë urgjente të ngrenë grup pune për verifikimin e gjendjes së të drejtave të të gjithë të burgosurve shqiptare në Greqi. Duket se rasti i Ilia Karelit nuk është i vetmuar, por një fenomen shqetësues. Është detyrim i qeverisë shqiptare dhe shtetit shqiptar të garantojë respektimin e të drejtave të shtetasve të saj nëpër botë. Gjithashtu qeveria shqiptare duhet energjikisht t’i kërkojë qeverisë greke garantimin dhe respektimin e ligjeve konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut…!!!”, – shkruan Çollaku në rrjetin social “Facebook”.