Vrau të moshuarin në xhami, mohon akuzën para gjykatës

0
161

Sonja Caka

vrauGjykata e Lushnjës lë në burg 30-vjeçarin Alla, kryemyftiu aludon se vrasja ka ndodhur si hakmarrje ndaj tij

 

Nuk e ka pranuar akuzën e vrasjes së vjehrrit të kryemyftiut të Lushnjës para gjykatës, e megjithatë, nisur nga provat që ka sjellë organi i akuzës, gjykata vendosi ta linte në burg 30-vjeçarin Arjan Alla. Seanca e caktimit të masës së sigurisë është zhvilluar paraditen e djeshme në Gjykatën e Lushnjës, ku 30-vjeçari është njohur me akuzën e vrasjes së 86-vjeçarit Shemsi Muça, i vrarë disa ditë më parë në xhaminë e Dushkut. Para gjykatës, prokurori i çështjes ka renditur dinamikën e çështjes, provat që disponon dhe që çojnë në emrin e Allës si autori i dyshuar i krimit të rëndë, ndërsa kërkoi në fund caktimin e masës “Arrest me burg” për 30-vjeçarin nga Dushku. Pas prokurorit e ka marrë fjalën avokati dhe vetë i akuzuari, të cilët kanë mohuar akuzën vrasjen, madje Arjan Alla ka këmbëngulur se nuk është ai autori i vrasjes së besimtarit të moshuar në xhami. Pasi ka dëgjuar të dy palët, gjykata ka vendosur ta lërë në burg të akuzuarin, duke i lënë kohë organit të akuzës për hetime të mëtejshme.

Akuza

Arjan Alla akuzohet se të premten e kaluar goditi me thikë një 86-vjeçar në brendësi të xhamisë së Dushkut, ku i moshuari kishte shkuar për t’u falur si çdo ditë. Viktima rezulton se ishte vjehrri i kryemyftiut të Lushnjës. Pas krimit, dhëndri i viktimës, kryemyftiu Tomor Boriçi, tentoi t’i jepte ngjarjes ngjyra fetare, madje duke këmbëngulur se krimi është një goditje ndaj tij nga rrymat fetare kundër asaj që ai drejton. Por, grupi hetimor ende nuk ka gjetur lidhje midis krimit dhe pretendimeve të Boriçit. Autori i vrasjes, Arjan Alla, nuk është besimtar i xhamisë, madje rezulton të mos jetë konstatuar as si kureshtar. Nisur nga ky fakt, kryemyftiu Boriçi pretendon se Alla kishte vetëm 24 orë që ishte kthyer nga Greqia dhe hyri në xhami disa minuta para faljes së namazit, duke kryer edhe krimin. I moshuari u vra me biçak, ndërsa rezulton se është qëlluar në fyt dhe në disa pjesë të trupit. Policia fillimisht e cilësoi si vetëvrasje dhe një ditë më pas, nisur edhe nga provat e siguruara në vendngjarje, deklaroi se kishim të bënim me vrasje dhe se autori ishte Arjan Alla, një i ri i dyshuar për probleme mendore.

Dëshmia

Ka qenë një tjetër besimtar që gjeti të pajetë dhe të mbuluar nga gjaku Shemsi Muçën. Sipas burimeve policore, ka qenë Xhelo Beqiri, i cili njoftoi kryemyftiun për vrasjen dhe deklaroi për policinë se kishte parë një të ri të dilte me vrap nga xhamia. Policia dhe grupi hetimor intensifikuan hetimet dhe nga ekzaminimi i biçakut të gjetur afër trupit të viktimës, por edhe disa shenjave të goditjes, rezultoi se autori i dyshuar ishte Arjan Alla, ndërsa mbeten ende mister motivet që çuan të riun në këtë krim.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency