Zbardhen dy vendimet që pritet të marrë sot Këshilli i Ministrave

0
130

Florenc Drizari

keshilliQeveria heq sot taksat për shitjen e tokës bujqësore dhe përgjysmon ato për makinat e përdorura

Ridvan Bode: Kjo reformë i adresohet nxitjes së bashkimit të tokave bujqësore me qëllim krijimin e kooperativave

 

Këshilli i Ministrave pritet të miratojë në mbledhjen e sotme dy nisma ligjore të Ministrisë së Financave për përgjysmimin e taksave, për makinat e përdorura dhe heqjen me 10 për qind të taksës për shitjen e tokës bujqësore. Më herët, ka qenë ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ka prezantuar dy nismat e lartpërmendura duke publikuar dhe disa prej detajeve që përmbajnë draftet dhe që pritet së shpjejti të miratohen nga qeveria në mbledhjen e ditës së mërkurë.
Propozimi i Ministrisë së Financave për përgjysmimin e taksave vjetore për makinat e përdorura pritet të ketë një efekt në buxhetin e shtetit prej rreth 2.5 miliardë lekë.
Lidhur me projektligj, ministri Bode ka thënë se pas miratimit në mbledhjen e qeverisë, drafti do t’i nënshtrohet diskutimeve në komisionet parlamentare.

Ndërkaq, lidhur me nismën tjetër të Ministrisë së Financave, për heqjen e taksës me 10 për qind për shitjen e tokës bujqësore nga fermerët, ministri Bode ka deklaruar se ky vendim vjen pas heqjes së TVSH-së në import të lëndëve të para që përdoren në bujqësi, te kafshëve të racës si dhe furnizimit të rrjetave të peshkimit nesër në mbledhjen e qeverisë miratojmë një tjetër projektligj të rëndësishëm.

HEQJA E TAKSAVE PËR MAKINAT

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”, pritet të miratohet në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Ndryshimi i parë është ai propozuar në nenin 4, pika 3, në ligj, i cili konsiston konkretisht në përgjysmimin e masës së taksës, ndryshimin e vlefshmërisë së saj dhe detyrimin për pagimin në kohë të saj. Kështu, përgjysmimi i taksës fikse për të dy llojet e karburanteve respektivisht nga 25 lekë në 12.5 lekë për naftën dhe nga 20 lekë në 10 lekë për benzinën, bën të mundur përgjysmimin e taksës vjetore të mjeteve të përdorura që pronari i mjetit paguan.

Aktualisht, taksa e automjeteve të përdorura është vjetore dhe vlen për vitin kalendarik në të cilin ajo paguhet. Ndryshimi i propozuar bën të mundur që vlefshmëria e taksës të bëhet 365 ditë, e njëjtë me afatin e siguracionit të mjetit TPL dhe me afatin e vlefshmërisë së Kontrollit Teknik Vjetor .

Janë parashikuar gjithashtu penalitete për pronarët e mjeteve, të cilët nuk kryejnë pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, në masën 5% të shumës së papaguar të çdo muaji, por jo më shumë se 25% për çdo vit.

Në dispozitat kalimtare është parashikuar që pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, të gjithë pronarët e mjeteve që nuk kanë paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura për vitin 2013, pavarësisht kur e kanë pasur datën e pagesës së taksës, do të paguajnë sipas këtij ligji. Aplikimi i penalitetit për vonesë në pagesën e taksave, për të gjitha mjetet që u ka kaluar afati i vlefshmërisë së taksave pavarësisht kur e kanë kryer pagesën e taksave, do të fillojë nga data 1 janar 2014.

HEQJA E TATIMIT 10% PËR TOKËN BUJQËSORE

“Kjo reformë i adresohet nxitjes së bashkimit të tokave bujqësore me qëllim krijimin e kooperativave, fermave bujqësore”, – ka sqaruar një ditë më parë ministri i Financave Ridvan Bode.

Sipas relacionit shpjegues të Ministrisë se Financave për këtë projektligj, thuhet se ”Për një ndryshim në ligjin nr 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar, propozohet në mbështetje të neneve 78, 83 dhe 155 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe parashikon propozimin e një shtesë në nenin 8/1 “Të ardhura të përjashtuara”, si më poshtë vijon: Pas pikës 10, shtohet pika 11 me përmbajtje si më poshtë vijon: 11. “Të ardhurat që përfiton një fermer i regjistruar, nga shitja e tokës bujqësore me sipërfaqe mbi 1000 m2, te një fermer apo person fizik a juridik që kryen aktivitet bujqësor dhe që plotëson kushtet e përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave për mos ndryshimin e destinacionit të tokës së blerë”.

Ky ndryshim bën të mundur përjashtimin e të ardhurave që fermeri përfiton nga shitja e tokës bujqësore, kur sipërfaqja e saj është mbi 1000 m2, me kusht që blerësi i saj të jetë një fermer apo person fizik a juridik, i cili operon në fushën e aktivitetit bujqësor dhe që nuk do ta ndryshojë destinacionin për të cilën kjo tokë bujqësore është blerë. Në këtë mënyrë garantohet që lehtësimi fiskal i uljes së kostos së blerjes së tokës bujqësore me 10%, t’i adresohet nxitjes së bashkimit të tokave bujqësore me qëllim krijimin e kooperativave, fermave bujqësore etj. Është parashikuar gjithashtu që Këshilli i Ministrave me anë të një vendimi do të përcaktojë rregullat që garantojnë ndalimin e ndryshimit të destinacionit të tokës bujqësore.

 

 

Nishani dekreton referendumin për mbetjet, më 22 dhjetor mbahen zgjedhjet

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi një ditë më parë datën e referendumit për mbajtjen e zgjedhjeve për shfuqizimin e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve. “Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 152, pika 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dekretoi datën 22 dhjetor 2013, për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr. 10463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, – thuhet në dekretin e kreut të shtetit. Pasi shpjegon në relacion kërkesën e paraqitur në KQZ nga shoqëria civile dhe vijimësinë e procesit në KQZ dhe Gjykatën Kushtetuese, Presidenti Nishani argumenton: “Bazuar në nenin 152, pika 3 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës cakton datën e referendumit brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv nga Gjykata Kushtetuese. Në përputhje me këtë përcaktim kushtetues si dhe me nenin 119, pika 6 të Kodit Zgjedhor të vitit 2003, kërkesa për referendum duke mos kaluar në të gjitha procedurat e kërkuara, brenda datës 15 mars 2012, u shty deri në vitin 2013. Ndërkohë, neni 119, pika 2 e Kodit Zgjedhor të vitit 2003 nuk lejon mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm brenda periudhës 6 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit deri 3 muaj pas mbledhjes së parë të Kuvendit të ri (sipas një përllogaritje kjo periudhë korrespondon me datat 7 mars 2013 – 17 dhjetor 2013). Për sa më sipër, Presidentit të Republikës i mundësohet caktimi i datës 22 ose 29 dhjetor 2013 si datë për zhvillim referendumi. Në këto kushte, Presidenti i Republikës vendosi të caktojë datën 22 dhjetor 2013 si datë për zhvillimin e referendumit të përgjithshëm me objekt shfuqizimin e nenit 22, pika 3, dhe nenit 49 të ligjit nr. 10463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency