Aleanca PS-LSI Milo: Çdo koment nuk ka më vlerë, Majko: Po hesht, po s’i them dot “derrit” dajë

0
198

Gëzim Saliu

milo“Lëvizja e LSI-së do të kishte më shumë kuptim, po të ishte bërë 7 apo 10 muaj më parë”

 

Aleanca PS-LSI do të kishte kuptim, nëse do të ishte bërë 7 apo 10 muaj më parë. Kështu deklaron kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i cili shton se çdo hamendësim për koalicionin PS-LSI tanimë nuk ka më vlerë. “Janë shtruar shumë pikëpyetje rreth këtij koalicioni. Nëse marrim parasysh historinë e bashkëpunimit mes këtyre dy partive nuk mund të mos quhet e natyrshme. Sa i përket kohës së bashkëpunimit kjo lë pak vend për diskutim. Mirë do ishte të ishte bërë nja 6, 7 apo 10 muaj më parë. Do të kishte pasur më kuptim lëvizja e LSI-së dhe do t’i kishte dhënë forcë aksionit opozitar. Kjo ngjarje ka ndodhur dhe nuk zhbëhet më”, – deklaroi Milo në emisionin “Zip” në “VP”. Por pavarësisht nga kritikat, aleati tradicional i PS-së theksoi: “Kjo aleancë mes PS-së dhe LSI-së duhet t’i shërbejë fitores së opozitës në zgjedhjet e 23 qershorit dhe të shërbejë si katalizator për të homogjenizuar aksionin opozitar kundër mazhorancës aktuale”.

 

Pandeli Majko

Deputeti, dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë së PS-së, Pandeli Majko, ka shfrytëzuar rrjetin social Facebook për të bërë një sqarim për një artikull të pasqyruar në njërën prej të përditshmeve në vend, e cila e kishte cituar të ishte shprehur “koalicionin PS-LSI e thirri në skenë historia”. Duke bërë të ditur se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar nga ai që ka shprehur më parë, Majko theksoi se angazhimi i tij do të jetë për fitoren e PS-së. “Mund të kem thënë mjaft këto ditë prilli, por jo këtë deklaratë që citon si titull gazeta (në një sallë të mbushur me emigrantë në Larisa të Greqisë). Unë hyj tek njerëzit që për hir të familjes sime politike, di të hesht, por jo ti them “derrit” emrin “dajë”. Në 23 qershor unë do të punoj për fitoren e Partisë Socialiste. Kjo është “historike” për mua dhe shumë socialistë të tjerë. Dhe pa diskutim që nuk jam vetëm në këtë opinion që po shkruaj. “Historikja” e opozitës sipas meje fillon me largimin e qeverisë aktuale”, – tha deputeti socialist. Më parë edhe deputetë të tjerë të PS-së kanë shprehur kritikën e tyre sa i takon marrëveshjes PS-LSI. Një ndër kundërshtarët kryesorë brenda rradhëve të grupit parlamentar socialist mbetet deputeti Erion Braçe, i cili ka theksuar se një ndër çështjet kryesore që ndan bashkimin me forcën e drejtuar nga Ilir Meta është demonstrate e 21 janarit. Ndërkohë, ditën e djeshme, një ndër mbështetësit e kësaj aleance të re brenda së majtës, anëtari i kryesisë së PS-së Ben Blushi deklaroi se koalicioni i opozitës do të jetë më i madh se në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2009. Në hapjen e zyrës elektorale në Elbasan, ku Blushi është edhe drejtuesi i fushatës së PS-së dhe njëkohësisht kryesuesi i listës së deputetëve, deputeti socialist theksoi se koalicioni opozitar duhet i zgjeruar për shkak se e djathta është e pabotueshme. “Koalicioni opozitar po zgjerohet dita-ditës. Fushata ka frymëzimin e duhur e koalicionit opozitar”, – tha Blushi.

 

Koalicioni LSI-PS, dorëhiqen prefektët e Fierit dhe të Durrësit

Me pranimin e koalicionit parazgjedhor me Partinë Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim po vijon të lirojë postet politike që mbante në qeveri dhe administratën publike. Gjatë ditës së djeshme kanë paraqitur dorëheqjen prefekti i Fierit, Robert Bitri, si dhe ai i Durrësit, Genci Alizoti. Prefekti i dorëhequr, Bitri, i cili është aktualisht kreu i LSI-së për Fierin tha se rikonfigurimi i Këshillit të Qarkut po shqyrtohet në kryesinë e LSI-së. LSI në total ka marrë nga koalicioni me PD-në drejtimin e rreth 33 posteve të rëndësishme. LSI përfaqësohej më parë në ekzekutiv me postin e zëvendëskryeministrit, ministrin e Ekonomisë, ministrin e Shëndetësisë dhe ministrin e Jashtëm. Po ashtu, forca politike e drejtuar nga Ilir Meta mori 7 poste zëvendësministrash në ekzekutiv, në disa prej sektorëve më të rëndësishëm, siç janë Ministria e Arsimit, Punës, Transporteve, Ekonomisë, Integrimit dhe Bujqësisë dhe Punëve të Jashtme.

 

LSI, Rama: Zgjedhje me standarde evropiane

Lëvizja Socialiste për Integrim thekson se debatet e lindura sa i takon konfigurimit të KQZ-së, pas aleancës PS-LSI, përbëjnë një problem ligjor e kushtetues. Sipas sekretarit të përgjithshëm të kësaj force, Luan Rama, domosdoshmëri është zhvillimi i zgjedhjeve me standard evropiane. “Për konfigurimin apo raportet brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ky është një problem ligjor, kushtetues dhe ne do t’i qëndrojmë asaj frymë të artikuluar edhe në raport me të gjithë zhvillimet politike në vend edhe nga Kryeministri Berisha, që Kushtetuta i ka parashikuar të gjitha çështjet drejt dhe në përputhje me Kushtetutën, me Kodin Zgjedhor dhe me të gjitha aktet që normojnë të gjithë veprimtarinë e KQZ-së apo të gjitha trupave zgjedhore. Ne do të ecim më tej me synimin dhe me përgjegjësinë, jo se kush merr thelën apo kush ka në dorë bilbilin por me përkushtimin që të realizojmë një proces zgjedhor korrekt, të ndershëm, transparent, në përputhje me standardet evropiane që edhe Shqipëria më në fund në zgjedhjet e 23 qershorit të fitojë të ardhmen e vet evropiane duke realizuar zgjedhje në përputhje me standardet evropiane”,- tha ai.

 

Ambasada e SHBA-së organizon në Shkodër debatin e parë politik

Debatet rinore lidhur me zgjedhjet parlamentare planifikuar nga Ambasada e SHBA-së nisën dje në Shkodër. Ambasada beson se debate të tilla do të ndikojnë në zhvendosjen e politikës shqiptare larg retorikës joefektive dhe përqendrimin në tema që iu shërbejnë qytetarëve në të ardhmen. Në debatin e parë në qytetin e Shkodrës, 3 forca politike, PS, LSI dhe FRD, janë përfaqësuar në debat nga të rinj të forumeve rinore për të diskutuar problematikat sot si dhe për të dhënë zgjidhjet ndaj së ardhmes. Në çelje të debatit, ambasadori Arvizu theksoi se vende të tilla do të përfaqësojnë fillimin e një epoke të re. “Jemi këtu për një arsye tepër të veçantë dhe a është një komponent ky i zgjedhje demokratike dhe një procesi demokratik. Gjerësisht pjesëmarrja e të rinjve. Dhe unë e di mjaft mirë se dhe në SHBA, shpesh herë të rinjtë lihen në radhët e fundit të politikës. Më duhet të theksoj se problematikat rinore janë tejet reale, ato janë çështje që na përkasin të gjithëve. Ne sinqerisht shpresojmë që këto debate të përfaqësojnë fillimin e një epoke të re të një diskursi të përgjegjshëm politik në Shqipëri, të udhëhequr nga liderët e ardhshëm të Shqipërisë”, tha kryediplomati amerikan. Krahas Shkodrës, Ambasada Amerikanë në Tiranë do të zhvillojë edhe 2 debate të tjera parazgjedhore ku pjesëmarrës do të jenë përfaqësues të Forumeve Rinore të partive, asaj Demokratike, asaj Socialiste, nga Lëvizja Socialiste për Integrim, Fryma e Re Demokratike si dhe nga Aleanca Kuq e Zi. Ndërsa temat për diskutim do të prekin fushat si, Arsimi dhe Punësimi, shteti ligjor dhe lufta kundër korrupsionit, ekonomia dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency