Zgjedhjet e 23 qershorit, testohen 800 fletët e para të votimit për Qarkun e Fierit

0
131

Florenc Drizari

numerimiTestimi i fshehtë, KQZ bën provën e parë për numërimin elektronik

KQZ teston në mungesë të medias numërimin elektronik, “procesi rezultoi i suksesshëm”

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve testoi katër ditë para afatit zyrtar procesin e numërimit elektronik të votave për Qarkun e Fierit. Testimi u bë një ditë më parë në palestrën e shkollës “Hasan Prishtina” në Tiranë, me rreth 800 fletë votimi. Burime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se testimi i procesit u bë mes administratës së KQZ-së, anëtarë dhe drejtorë të saj, si dhe specialistëve të firmës që ka marrë përsipër zhvillimin e procesit (firmën spanjolle INDRA). Edhe pse testimi i fletëve dhe i pajisjeve të numërimit elektronik të votave u bë jashtë syrit të medias, procesit mësohet se ka rezultuar i suksesshëm. Këtë e konfirmoi edhe anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj, i cili i kontaktuar në telefon, u shpreh se procesi u testua me të gjithë komponentët e tij sikur të ishte ditë zgjedhjesh dhe në tërësi, ai rezultoi i suksesshëm. “Testimi u bë në bazë të gjithë procedurave që përcakton kodi zgjedhor. Në fund u pa sesa përputhje ka numërimi elektronik me numërimin me dorë. Procesi zgjati pak sepse përfaqësuesit edhe shpjeguan teknologjinë e sistemit – ishte provë vetëm për KQZ-në”, – tha anëtari i propozuar nga Partia Demokratike në komisionin më të lartë të administrimit zgjedhor. Gjithashtu z. Osmanaj konfirmoi se testimi i djeshëm nuk u bë në bazë të vendimit që KQZ mori disa ditë më parë, vendim i cili parashikon mbajtjen e testit të parë më datën 13 prill. Ndërkaq, testi i dytë pritet të mbahet 15 ditë para zgjedhjeve. Për zhvillimin e testit të parë “zyrtar”, do të përdoren 6000 fletë votimi të cilat pritet të vijnë në ditët në vijim, ndërkohë që përfaqësuesit e partive politike në vend, disa ditë më parë kanë hedhur dyshimet e tyre për zhvillimin e këtij procesi.

Projektvendimi “Për miratimin e procedurave që do të ndiqen për plotësimin e fletëve të votimit (fletë votimi test), që do të përdoren gjatë testimit paraprak të sistemit elektronik të numërimit të votave” në Fier është miratuar me konsensus nga anëtarët e KQZ-së. Sipas këtij vendimi sasia e fletëve të votimit të cilat do të plotësohen dhe më pas do të numërohen në testin e parë do të jetë 6000 copë. Për të simuluar procesin e votimit, do të përzgjidhen grup-mosha të ndryshme zgjedhësish, si student, zgjedhës që votojnë për herë të parë dhe zgjedhës të moshës së tretë e të tjerë.

Duke folur në emër të Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj, kërkoi 300 fletë votimit për të zhvilluar një test paraprak, ndërsa kërkesat e tij u mbështet edhe nga kryetarja e KQZ-së, Lefterie Lleshi.

Pikëpyetjet për Fierin

Numri i lartë i partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit duket se vazhdon të mbetet një rrezik për aplikimin e suksesshëm të teknologjisë së numërimit elektronik të votave në Qarkun e Fierit. Vendimi i marrë nga KQZ-ja në muajin mars për caktimin e jo më shumë se 42 partive politike në fletën e votimit për këtë qark, duket se vë në pikëpyetje aplikimin e teknologjisë për numërimin elektronik, për vetë faktin se dy partitë e mëdha deklarojnë një pjesëmarrjeje sa më të gjerë të subjekteve në koalicionet e tyre. Në tavolinën e anëtarëve të KQZ-së ka qenë edhe një variant tjetër me 66 parti të renditura në fletën e votimit, por që ky u kundërshtua nga përfaqësuesit politik në komision me argumentin se ngushtohen germat e subjekteve zgjedhore dhe bëhen më pak të identifikueshme për zgjedhësit. Edhe pse listat zyrtare për 2013-ën për dy koalicionet e PD-së dhe PS-së nuk janë bërë ende zyrtare, vetëm numri i partive që janë rreshtuar deri më tani në kampet respektove, ngre dyshime për garantimin e procesit. Sipas përfaqësuesve të kompanisë së përzgjedhur nga KQZ-ja për aplikimin e teknologjisë në Fier, INDRA, në variantin e miratuar më tetë mars, nëse kalohet numri i 42 partive në fletën e votimit, skanerët nuk mund të bëjnë leximin e vullnetit të shprehur nga qytetarët.

 

 

 

PR, kërkesë në KQZ, pas largimit të LSI-së, kërkon një anëtar në KQZ

Pas largimit të LSI-së nga koalicioni i djathtë, Partia Republikane kërkon një anëtar në KQZ si forcë e dytë më e madhe në kampin e mazhorancës. Nënkryetari i Partisë Republikane Arjan Madhi deklaroi për median një ditë më parë se pas daljes së LSI-së nga koalicioni me PD-në, PR është forca e dytë më e madhe në koalicionin mazhoritar dhe për këtë i takojnë më shumë të drejta në komisionin më të lartë të administrimit zgjedhor.

Madhi argumenton se pesha e PR-së është e konfirmuar dhe legjitimi, pasi ka 32 mijë vota dhe në vitin 2009 ka fituar një mandat, ndërkohë kërkon që KQZ të zbatojë ligjin në mënyrë që të mos krijojë mundësinë e hamendësimeve për njëanshmëri.

“PR peshën e saj politike e ka të konfirmuar dhe legjitime, pasi përfaqësohet me një mandat në Kuvend dhe ka 32 mijë vota të fituara në vitin 2009. Kodi Zgjedhor përcakton vendin e partive në bazën e mandateve, dhe niset nga numri i votave që ka fituar. Ne renditemi si forca e dytë mazhoritare”, – deklaroi Madhi për “News 24”.

“Ky është një fakt i njohur dhe mbi këtë bazë i kërkojmë KQZ për të siguruar baraspeshimin politik në komisione pasi është një element thelbësor që do të garantojë respektimin e palëve në një proces. Nëse do të ndodhte një veprim i kundërt, gjithçka vihet në pikëpyetje për shkak të mungesës së besimit, pasi do të kemi komisione të njëanshme”, – shtoi Madhi. Largimi vetëm pak ditë më parë i LSI-së nga koalicioni me PD-në dhe bashkimi me PS-në ka “trazuar” ujërat në dy kampet në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

 

Firmoset marrëveshja për monitorimin e zgjedhjeve mes Lefterie Lleshit dhe Endirë Bushatit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nënshkroi dje një marrëveshje me Autoritetin për Mediat Audiovizive lidhur me monitorimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Nënshkrimi i marrëveshjes u bë nga kryetarja e KQZ-së, Lefterie Luzi (Lleshi) dhe kryetarja e AMA-s, Endirë Bushati.

“Marrëveshja e miratuar një ditë më parë me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u nënshkrua në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është angazhimi i palëve për përcaktimin e rregullave, për shfrytëzimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të Autoritetit për Mediat Audiovizive për monitorimin e fushatës zgjedhore.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Autoriteti për Mediat Audiovizive vendos në dispozicion të Bordit të Monitorimit të Medias, studion e monitorimit me pajisjet teknike si dhe personelin teknik për monitorimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas marrëveshjes së nënshkruar ditën e sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr përsipër shpenzimet financiare për pagesat e personelit që do të angazhohet në monitorim”, – thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e KQZ-së. Më herët përfaqësues të këtij komisioni konfirmuan domosdoshmërinë e kësaj marrëveshjeje si një kusht ligjor i përcaktuar në kodin zgjedhor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency