Takimi me fermerët në Shijak Kryeministri: Alternativa “mavi”, rrënim për fermerët

0
148

Ina Jano

 

berishaNë mandatin e ardhshëm ne do të 3-fishojmë grantet për fermerët shqiptarë. Shqipëria e zhvilluar kalon nga zhvillimi rural

Shefi i qeverisë, Sali Berisha, i sapokthyer nga kryeqyteti Baku i Azerbajxhanit, ndaloi në një nga fermat më të zhvilluara në Shijakut, për të bashkëbiseduar me fermerët dhe për të marrë mendimet e tyre, të cilat, siç është theksuar disa herë ,do të mishërohen në programin e PD-së për zgjedhjet e 23 qershorit. Kryeministri, krahas parashtrimit të shkurtër që u bëri reformave të ndërmarra nga mazhoranca, ironizoi edhe programin e Partisë Socialiste për të hequr TVSH-në për prodhimet bujqësore. Kreu i mazhorancës tha se alternativa e ofruar nga opozita është  një alternativë “mavi”, e cila synon që të rrënojë fermerët shqiptarë, prodhimet e të cilëve do të prisheshin dhe do të kalbeshin nëpër fusha. “Ne hoqëm çdo lloj takse apo tarife për çdo lloj materiali importi që do t’ju duhet për suksesin e fermave tuaja. Unë ju garantoj se ky vendim mund të jetë ndofta i vetmi që ndonjë vend ka ndërmarrë. Alternativa ‘mavi’ thotë se do të heqë TVSH-në për prodhimet e qumështit. Por sot ne prodhojmë 343 litra qumësht për frymë dhe në qoftë se i heqim TVSH-në qumështit që vjen nga vende të tjera, natyrisht, konkurrenca bëhet shumë e pandershme. Ne përpiqemi t’i ndihmojmë fermerët tanë, por nuk kemi buxhet që t’u japim 3 euro për lopë, çdo ditë. Ndaj, ne heqim të gjitha detyrimet fiskale e të tjera. Kështu që, ideja ‘mavi’ për të hequr TVSH-në për qumështin, grurin, miellin është se si t’i rrënosh fermerët tanë në fushë, në stallë, në arë. Kjo nuk do të ndodhë. Nuk kanë shans. Një ditë vizitova fabrikën e përpunimit të peshkut ku thashë: t’i lëmë ata me ngjalat, ne të vazhdojmë projektin tonë”, – tha Berisha.

Në bashkëbisedim me fermerët e blegtorët, Kryeministri parashtroi objektivat e programit për bujqësinë për katër vitet e ardhshme. Zhvillimi i qëndrueshëm rural dhe zhvillimi i bujqësisë, u shpreh numri një i qeverisë, është synimi i kësaj platforme zhvillimi, ndërsa garantoi se mbështetja për ta do të trefishohet. Ai u shpreh: “Për qeverinë time, për Partinë Demokratike, zhvillimi i qëndrueshëm rural, zhvillimi i bujqësisë dhe i të gjithë sektorëve të saj mbeten një përparësi absolute në projektin tonë Shqipëria, vend i zhvilluar. Ne besojmë se ky projekt kalon para së gjithash, nga zhvillimi rural i qëndrueshëm, zhvillimi i fshatit shqiptar. Ndaj gjatë viteve të shkuara, në një nga aktet më madhore, për të dëshmuar këtë interes e përkushtim, ne mbi dyfishuam pensionet e qytetarëve shqiptarë në fshat. Ne kemi angazhuar më shumë se 60 për qind të të gjitha investimeve në Shqipërinë rurale”, – nënvizoi lideri i mazhorancës. Ky i fundit shpalli edhe objektivin e tij për të dhjetëfishuar prodhimin bujqësor në vend, ndërsa nga ana tjetër garantoi mbështetjen më të madhe për të gjithë fermerët. Sipas numrit një të kabinetit qeveritar, fermerët janë një pikë thelbësore për të gjithë zhvillimin ekonomik dhe ndaj tyre duhet të kushtohet vëmendja më e madhe. Zoti Berisha përmendi edhe ata të cilët nuk i përmendin asnjëherë fermerët dhe zonat rurale, duke thënë se injorimi i tyre nuk është diçka pozitive, por sipas Kryeministrit ata frekuentojnë vetëm trekëndëshin Rogner-Sheraton dhe ndonjë lokal tjetër.

Një çështje tjetër, e cila u diskutua, ishte edhe regjistri dixhital i tokës, por edhe subvencionimi, për të cilin të interesuarit u shprehën se janë duke u vonuar shpërndarja e tyre. Për këtë kategori Kryeministri rezervoi këtë përgjigje: “Lidhur me detyrimin që ka agjencia, do ta shlyejë pa diskutim. Ndodhi një problem. Aplikimet qenë shumë më të mëdha, sesa fondi dhe ne vendosëm të bëjmë gjithçka për t’ju përgjigjur atyre. Por kjo nuk do të thotë se vendosëm t’i përgjigjemi atyre, për të mos shlyer detyrimet ndaj jush. Kjo ka krijuar një lloj vonese, por do t’i keni patjetër”. Blegtorët dhe fermerët e zonës së Shijakut, u shprehën se do të dëshironin që të përmirësohej sistemi i vaditjes, për të cilin Berisha pohoi se puna ka nisur, por në mandatin e ardhshëm ajo do të përfundojë për të krijuar një rrjet të plotësuar. Fermerët gjithashtu e siguruan Kryeministrin për mbështetjen dhe për votën e tyre të sigurt në 23 qershor, ndërsa nuk munguan edhe ata të cilët i uruan Berishës jetë të gjatë dhe sigurisht fitoren për një mandat të tretë.

 

 

Forumi Ekonomik Botëror

Berisha: Shqipëria, rritje ekonomike në kohë krize

Kreu i mazhorancës, ekspoze për arritjet e Shqipërisë në 20 vjet demokraci dhe reformat e qeverisë

Në Baku të Azerbajxhanit, ku u mbajt edhe Forumi Ekonomik Botëror, zoti Berisha mbajti një fjalë, ku u përqendrua në zhvillimet pozitive të vendit tonë të ndodhura që pas vitit 1990, por edhe bëri një ekspoze të shkurtër të të gjitha reformave që qeveria ka ndërmarrë për të liberalizuar tregun dhe për ta bërë ekonominë sa më efiçente. Ndërkohë që jashtë vëmendjes së fjalës së kreut të qeverisë shqiptare nuk mbeti as projekti TAP.  “Duhet t’i shprehim mirënjohje Presidentit dhe qeverisë së Azerbajxhanit, pasi në një rajon jo aq të qetë, ata u treguan të guximshëm, morën vendime të guximshme mbi projekte shumë të rëndësishme rajonale dhe tani, ata janë në prag të një vendimi shumë të madh mbi çështjet e energjisë, për të gjithë Evropën, i cili është vendimi që do të merret nga konsorciumi Shah Deniz dhe do të përcaktojë të ardhmen e gazit dhe sigurisë së energjisë në një rajon më të gjerë se sa ky”, – u shpreh Kryeministri. Gjithashtu, Berisha tha se zhvillimet në Shqipëri gjatë viteve pas diktaturës, janë mbresëlënëse dhe vendi ka arritur progres në disa fusha kryesore, si në rritjen e GDP-së, penetrimin e internetit, rritjen e investimeve të huaja, të numrit të turistëve etj. Po ashtu lideri i qeverisë shqiptare në forumin ekonomik në Baku foli gjithashtu edhe për disa nga nismat e mazhorancës të cilat, i kanë dhënë një hov të ri ekonomisë dhe investimeve në vend. “Mendoj se kjo krizë ka nxjerr disa mësime. Ne duhet të fokusohemi dhe të përdorim gjithë potencialin për prodhimin e mallrave. Skema jonë po funksionon me modesti dhe do të punojë më mirë në të ardhmen”, – deklaroi Berisha. Kryeministri gjithashtu dha një intervistë për “CNN Internacional”, ku ndër të tjera ritheksoi se reformat e ndërmarra nga qeveria, mbajtën vendin larg krizës globale.
“Vite para nisjes së krizës, Shqipëria iu nënshtrua një sërë reformash të shëndetshme që bënë të mundur që vendi të mos përfshihej nga kriza. Ne u bëmë vendi i parë në rajon që aplikoi taksën e sheshtë prej 10 për qind dhe lehtësuam të gjitha burokracitë për investimet e huaja”, – tha zoti Berisha. I pyetur nga gazetari i “CNN” se sa kishte ndikuar kriza financiare, sidomos në Eurozonë në ekonominë shqiptare, Kryeministri u përgjigj se kishte ndikuar mjaftueshëm sa për të ulur rritjen ekonomike dhe rënien e investimeve të huaja, por jo të zhyste vendin në recesion. I ndalur tek misioni i qëndrimit në Baku, Kryeministri nuk mohoi se qëllimi kryesor është marrja e gazsjellësit TAP,  gazsjellësit që nis nga fushat gazmbajtëse azere e kalon nëpër Turqi, Greqi dhe Shqipëri për të përfunduar më pas në Itali e pjesën tjetër të Evropës Perëndimore.

 

Gazifikimi i Shqipërisë dhe lobimi për TAP

Zoti Berisha qëndrimin në Baku e shfrytëzoi për të lobuar për gazsjellësin TAP. Kryeministri pati një axhendë intensive, duke u takuar me përfaqësuesit e aksionerëve të “Shah Deniz”. Kompania shtetërore e Azerbajxhanit për naftën dhe gazin natyror “Socar”, mund të jetë kompania që do të asistojë qeverinë shqiptare në hartimin e masterplanit për gazifikimin e vendit dhe më pas për zbatimin e tij. Kjo mundësi u diskutua në takimin e Kryeministrit me Presidentin e kompanisë “Socar”, Rovnag Abdullajev. Ai iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Berishës jo vetëm për të parë mundësitë e investimit në fushën e energjisë, por shprehu gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në projektin e madh të gazifikimit të vendit. Kompania shtetërore azere për naftën dhe gazin natyror është një nga katër aksioneret e konsorciumit ndërkombëtar “Shah Deniz 2”, që së shpejti pritet të marrë vendimin përfundimtar për transportin e gazit nga Kaspiku drejt Evropës Perëndimore nëpërmjet Projektit Trans-Adriatik ose Nabukos. Kreu i qeverisë u takua me të gjithë aksionerët e konsorciumit, britanikët e British Petrolium, francezët e “Total”, norvegjezet e “Statoil” dhe azeret e “Socar”. Gjatë takimit, Kryeministri vuri në dukje avantazhin që paraqet Projekti Trans-Adriatik, si projekti më ekonomik, që i shërben jo vetëm Evropës Perëndimore, por edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency