Berisha fiton garën e parë përballë PS-LSI

0
167

Ina Jano

beroKryeministri, mbi gjysmë milioni fansa kundrejt 376 mijë të koalicionit PS-LSI

 

Ndryshimet më të fundit në arenën e politikës shqiptare duket se nuk kanë ndikuar në botën virtuale, aty ku Kryeministri Berisha është fituesi absolut. Rreth një javë më parë, Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi largimin e saj nga koalicioni qeverisës, lëvizje kjo që u pasua nga bashkimi i saj me kampin opozitar dhe tërheqjen e ministrave nga kabineti i drejtuar nga zoti Berisha. Dje Kryeministri Berisha ka arritur në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, shifrën prej më shumë se gjysmë milioni të miqve të tij (500.937 deri në orën 23:00), arritje të cilën shefi i qeverisë e ka vënë edhe vetë në dukje, me anë të një statusi ku ka falënderuar të gjithë fansat e tij dhe i ftuar ata që të shpërndarë faqen, në këtë mënyrë edhe informacioni mund të shpërndahet në një masë edhe më të madhe.

Kryetari i ekzekutivit e ka hapur faqen e tij të Facebook-ut në 5 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa vetëm tri ditë më vonë, në 8 dhjetor në ditën e rinisë ai e bëri atë publike në ceremoninë në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Për një periudhë prej katër muajsh, Facebook-u i Kryeministrit ka kapur këtë shifër të konsiderueshme, duke e shndërruar në një rekord të ri për të gjithë politikanët në vend.

Nga ana tjetër, lideri i Partisë Socialiste, konkurrenti kryesor i Berishës në zgjedhje, nuk ka arritur ende shifrën 300 mijë miq në faqen e tij, ndërsa ai paralelisht përdor edhe Twitter-in një rrjet social ky jo shumë i përhapur në Shqipëri. Kryesocialisti Rama e ka hapur këtë faqen që për zgjedhjet lokale të 2011-ës, kur konkurronte me Lulzim Bashën, garë të cilën e humbi dhe sot zoti Basha drejton Bashkinë e Tiranës. Kurse ish-aleatët e Kryeministrit Berisha, deri para një javë bashkëqeverisës me të, e kanë hapur në 5 mars 2012 faqen e tyre zyrtare në këtë rrjet mjaft popullor në Shqipëri, por kanë mundur që të thithin rreth 76 mijë fansa. Vetë kryetari i LSI-së nuk ka një faqe të tijën zyrtare, por faqja që ekziston është ajo e partisë së tij.

Ajo që vlen për t’u përmendur është fakti se faqja e Kryeministrit Berisha është shumë aktive dhe nga ana tjetër ajo fton që të gjithë qytetarët të jenë aktivë. Në lidhje me faqen e kreut të qeverisë janë rreth 44 mijë persona të cilët flasin dhe komentojnë për të, ndërkohë që të gjithë qytetarët janë të lirë që të komentojnë dhe të bëjnë propozimet e tyre të pacensuruar. Nga një vëzhgim i bërë, komentet janë përgjithësisht pozitive, ndërsa ka edhe qytetarët të cilët bëjnë propozimet e tyre për të gjitha problemet që kanë. Sigurisht që Kryeministri ka një staf i cili e menaxhon faqen e tij, dhe shqetësimet e njerëzve nuk bien në vesh të shurdhët. Ajo që vlen për tu përmendur është fakti se zoti Berisha ka bërë publik numrin e tij të telefonit, ku nëpërmjet mesazheve ose mënyrave të tjera të komunikimit ai është i gatshëm tu përgjigjet të gjithëve atyre që i shkruajnë. Një mënyrë kjo që ka rezultuar mjaft efikase, ashtu siç edhe qytetarët shpesh i kanë komunikuar publikisht Kryeministrit se hallet e tyre janë zgjidhur. Nga ana tjetër në faqen e tij, kreu i kabinetit qeveritar, tregon edhe një anë tjetër të tijën, një familjar të përkushtuar për familjen e tij. Nuk mungojnë edhe foto nga çastet familjare me nipërit dhe mbesat, të cilat janë edhe fotot që marrin më shumë pëlqime nga mbi 500 mijë miqtë e tij. Përballë këtij realiteti tejet miqësor, aspak burokratik dhe zyrtar, qëndrojnë faqet e Edi Ramës dhe të LSI-së. Vështirë të dallosh ndonjë moment tjetër, veç aktiviteteve politike respektive të të dyja partive politike në këto Facebook, ndërsa për rrjedhojë edhe të numrit më të vogël të miqve, edhe komentuesit janë më të pakët. Ajo që bie në sy këto ditët e fundit në Facebook-un e Edi Ramës, janë sharjet dhe kritikat e socialistëve të thjeshtë të cilëve nuk i pëlqen realiteti i ri, ai i bashkimit të PS-së dhe LSI-së në një koalicion parazgjedhor. Duhet marrë parasysh edhe fakti që një pjesë e madhe e fansave dhe miqve në këto faqe Facebook-u janë jo vetëm anëtarë partish, por së pari qytetarë dhe me të drejtë vote. Nëse ju referohemi shifrave që ofron Facebook-u atëherë mund të themi me bindje se diferenca mes një koalicioni (dy partish), që është ndërtuar për të mundur Kryeministrin Berisha është rreth 124 mijë persona. Dhe nëse kemi parasysh edhe zgjedhjet e kaluara vendore, ku numrat e fansave në Facebook nuk zhgënjyen të gjithë analistët që i llogaritën ato paraprakisht si vota, atëherë i vetëm zoti Berisha, pa përkrahjen e miqve dhe fansave të Partisë Demokratike, del fitues i padiskutuar i zgjedhjeve, duke e bërë të pavlefshëm koalicionin e ri mes PS-së dhe LSI-së.

 

 

 

 

PD, Ramës: Lër monologët dhe sqaro investimet prej 1 milion eurosh

Për Partinë Demokratike, kreu i PS-së, Edi Rama, është duke bërë monolog dhe deri më tani nuk ka bërë publike asnjë nga shifrat e investimeve të pallatit 5-katësh në pronësi të bashkëshortes së tij. Laura Vorpsi, zëdhënësja e selisë blu, kërkoi dje nga Rama që të paraqesë të gjitha faturat se ku ka kaluar kjo shifër kaq e madhe. “Z. Rama, publiku është vështirosur nga monologët e tu, ai kërkon nga ju që të paraqesësh faturat e paguara dhe kanalet bankare e tatimore të 1 milion eurove pa origjinë të investuar në pallatin në pajë në rast se ato fatura ekzistojnë dhe nuk janë zëvendësuar nga para gjobash apo origjinë nga trafiqe kriminale të organizatave me të cilat ju jeni i lidhur këmbë e krye. PD i kërkon z. Rama të marrë të gjitha përgjegjësitë publike dhe të mos fshihet si frikacak për dy lejet e ndërtimit të firmosura prej tij për interes familjar dhe në kundërshtim flagrant me ligjin e konfliktit të interesit dhe shkelje të rëndë të Nenit 62 të ligjit të Urbanistikës për ndërtimin e pallatit në pajë të gruas së tij në vendin e ndaluar me ligj, sheshin e pallateve”, – u shpreh Vorpsi. Zëdhënësja e PD-së deklaroi se gënjeshtrat e Ramës, do ta shoqërojnë atë deri në zgjedhjet e 23 qershorit. “PD ju fton z. Rama të bëni publike fondet e ndërtimit, firmën e ndërtimit dhe faturat që ju paguani për ndërtimin e rezidencës suaj në malin e Dajtit. Zoti Rama është koha të lini mënjanë monologët boshë, se me ato nuk mund të mbuloni pallatin në pajë as dhe truallin dhe vilën që po ndërtoni për vete në malin e Dajtit, me burime parash të dyshimta. Partia Demokratike ju deklaron juve se pallati familjarëve dhe rezidenca juaj verore me gjatësi 57 metra, do të ju shoqërojnë ju deri në kutinë e votimit”, – përfundoi Vorpsi.

 

 

Giddens, Berishës: Evropa duhet të përfshijë Shqipërinë në rrjetin energjetik

Kryeministri Berisha priti dje lordin anglez, sociologun me famë botërore, prof. Anthony Giddens, të cilit i uroi mirëseardhjen dhe e vlerësoi si një nga sociologët që e kish ndjekur me më shumë vëmendje në tre dekadat e fundit, sidomos si nismëtar i “Rrugës së Tretë”. Kryetari i qeverisë duke e njohur Lordin Giddens me realitetin ekonomiko- financiar shqiptar e vuri theksin tek rëndësia që i jepte qeveria shqiptare sektorit energjetik me ndërtimin e 316 hidrocentraleve të madhësive të ndryshme, që do të respektonin e ruanin mjedisin. “Ne, – tha Berisha, – presim një vendim shumë të rëndësishëm në muajin qershor, për të qenë gazsjellësi TAP, i cili kalon përmes Shqipërisë, fituesi për furnizimin e Evropës me gazin azer, çka do sillte në vend miliarda euro investime si edhe gazifikimin e Shqipërisë”. Ndërsa e falënderoi Kryeministrin për mikpritjen, Lordi Anthony Giddens vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në këtë fushë, e cila, sipas tij, mbetet faktori kryesor për prosperitetin e një vendi. Ai tha se Shqipëria, krahas prodhimit duhet t’i kushtojë vëmendje përfshirjes në rrjetin evropian të energjisë. Profesor Anthony Giddens tha se Evropa duhet të rrisë vrullshëm investimet brenda vetes dhe Shqipëria si pjesë e saj, gjithashtu. Kreu i qeverisë i bëri të njohur lordit anglez lehtësirat për investitorët e huaj, sidomos të sektorit energjetik. Kryeministri Berisha e uroi prof. Anthony Giddens për titullin “Honoris Causa”, ndërsa ky i fundit i dhuroi Kryeministrit librin e tij “Pasojat e modernitetit” të përkthyer në shqip.

 

HEC-i i Devollit, Berisha: Mandatin e ardhshëm priten vepra të mëdha

Koncesionet janë leva e Arkimedit. Dhënia e veprave me koncesion është zhvillim i qëndrueshëm në vend. Këto vepra të gjitha kthehen në pasuri publike pas afatit të koncesionit. Kështu u shpreh Kryeministri Berisha dje në konferencën me temë “Statkraft në Shqipëri dhe projekti i hidrocentralit të Devollit”. Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se në katër vitet që vijojnë shqiptarët do të njohin ndërtime të veprave madhore. “Kemi firmosur për ndërtimin e 360 HEC-eve, 300 prej tyre janë në përfundim të ndërtimeve. 4 vitet që vijnë Shqipëria do të njohë punimet civile me të mëdha, ndërtime të veprave më të mëdha ndoshta se çdo vend tjetër”, – deklaroi Kryeministri në konferencë. Ndërsa duke u ndalur në përgjithësi në koncesionet, lideri i mazhorancës i cilësoi ato si levën e Arkimedit, që shtyn përpara gjithë zhvillimin e vendit dhe të ekonomisë. “Koncesionet janë levë e Arkimedit për të shndërruar në vlera pasuritë ujore dhe ato të vendit. Shekuj e shekuj ujërat e Devollit janë derdhur në det, të fjetura dhe të pavlera. Kjo është përpjekja jonë e madhe në fushën e energjetikës që ka dhe një synim, dhe ka synim zhvillimin e qëndrueshëm në Shqipëri. Këto vepra të gjitha kthehen në pasuri publike pas afatit të koncesionit”, – nënvizoi lideri i ekzekutivit. Më tej zoti Berisha vuri theksin dhe tek investimet duke garantuar se qeveria do krijojë një klimë pozitive për bizneset e huaja. Sipas Kryeministrit, një ndër hapat e parë për krijimin e një klime pozitive, ka qenë ulja e taksave. “Shqipëria ka dëshmuar përpjekje shumë serioze si vend tërheqës për investimet tuaja. 5-6 vite më parë vendosëm taksën e sheshtë dhe jam i gëzuar. Parlamenti shqiptar vetëm një javë më parë votoi heqjen e çdo takse dhe tarife për çdo kapital të importuar për kapital në Shqipëri. Hoqëm TVSH-në për hekurin e çelikun që do përdoren për ndërtimin e HEC-eve në Shqipëri. Shqipëria do mbetet vendi i taksave të ulëta, do bëjë gjithçka për mjedisin më miqësor, për këta investitorë të huaj”, – përfundoi fjalën e tij, lideri i mazhorancës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency