KF Tirana hesht, “Tirona Fanatics” pyet: A ju dukemi si kriminelë?

0
172

Altin Vorpsi

rreaGIMI I Tirona Fanatics ne FacebookNjë ditë pas asaj që ndodhi në fund të takimit mes Tiranës dhe Skënderbeut, kanë reaguar si grupi i tifozëve të bardhebluve dhe policia e Tiranës

 

Në një kohë kur skuadrat dhe stadiumet kanë më shumë nevojë për ata, mendon policia që të prishë gjithçka. Superndeshja mes Tiranës dhe Skënderbeut (bardheblutë triumfuan 1-0) u shkatërrua në fund, pasi forcat blu kanë shoqëruar në rajonin numër 1 një numër të konsiderueshëm tifozësh kryeqytetas. Këta të fundit kanë reaguar fort pas sjelljes jo fort “miqësore” të policisë që nga ana e saj ka bërë me dije dje se ka shoqëruar “11 persona të cilët mbanin me vete sende të ndaluara në tribunat e stadiumit”.

 

Reagimi i “Tirona Fanatics”

Grupimi i tifozëve të Tiranës “Tirona Fanatics” ka denoncuar dje dhunën e Policisë së Shtetit gjatë ndeshjes me Skënderbeun, duke nënvizuar se ajo çka ndodhi dy net më para nuk ka qenë diçka e re për to. Gjatë një deklarate për shtyp tifozët e Tiranës e kanë quajtur të tepruar, të panevojshme dhe të pajustifikuar këtë veprim të forcave të rendit ndaj tyre dhe shtojnë se një pjesë e mirë e të dhunuarve brutalisht janë tifozë ende jo në moshë madhore. Sipas këtij grupimi, është i pashpjegueshëm shkaku i kësaj dhune të forcave të rendit, ndërkohë që mohojnë kategorisht se gjatë mbështetjes së skuadrës së Tiranës të ketë pasur ofeza politike. Po në këtë deklaratë thuhet se tifozët janë dhunuar brenda në stadium, më pas gjatë shoqërimit të tyre deri në furgonët e policisë jashtë stadiumit si dhe gjatë rrugës drejt komisariatit numër 1. Pas këtij sulmi policia ka mbyllur dyert e stadiumit “Qemal Stafa”, duke lënë të ngujuar pjesën tjetër të tifozëve të kërkonin të dilnin nga stadiumi. Ndërkohë, sipas tifozerisë së Tiranës, është i pashpjegueshëm indiferentizmi i drejtuesve të klubit. Kohët e fundit drejtuesit e Tiranës kanë kërkuar me çdo kusht mbështetjen e tifozëve bardheblu, të cilët nuk e kanë kursyer asnjëherë, edhe në momentet kur rezultati më i mirë për skuadrën e Tiranës ishte barazimi. Në orët e vona të pasdites në faqen zyrtare në Facebook, “Tirona Fanatics” kanë shoqëruar me një foto feste një fjali: “A ju dukemi si kriminelë??? A ju ngjason me ndonjë skenë krimi??”

 

Premio

Ashtu siç u ishte premtuar, lojtarët e Tiranës kanë përfituar 10 milionë lekë shpërblim për fitoren e arritur të dielën ndaj Skënderbeut. Lajmi u konfirmua nga administratori i klubit, Krenar Alimehmeti. “Po, sot (dje) është shpërndarë premioja që klubi pat vendosur për fitoren ndaj Skënderbeut. Në orën 11:00, të gjithë lojtarët, normalisht ata që kanë qenë pjesë e kësaj ndeshjeje, u likuiduan dhe u lanë të lirë, pasi sot (dje) e kanë pushim. Besoj se jo vetëm ata si lojtarë, por edhe ne jemi të kënaqur kur gjërat shkojnë në kahun e duhur, ndaj shpresoj që të tilla shpërblime të mos i mungojnë skuadrës”, – ka theksuar administratori.

 

 

 

Policia e Tiranës: Shoqëruam 11 persona, njëri kishte thikë dhe dorezë hekuri

Ndryshe nga çfarë bënë publike mediat (folën për rreth 25-30 të ndaluar), policia e Tiranës bëri me dije se numri i të ndaluarve ishte 11. Në një njoftim për shtyp forcat blu njoftuan: “Janë konstatuar veprime e gjeste antisportive, janë bllokuar sende e mjete të kundërligjshme, për pasojë janë shoqëruar edhe personat përgjegjës në komisariatin e policisë, të cilët përbënin rrezik edhe për konfrontimin mes dy tifozerive”. Më tej në njoftim thuhej se shtetasve të shoqëruar u janë sekuestruar, “një dorezë metalike, një thikë, 29 fishekzjarre të bashkuara në kallëpe treshë dhe gjashtëshe gati për t’u hedhur në fushë, janë bllokuar 2 tymuese lotuese etj. Ndaj shtetasit A. D., 19-vjeçar, banues në Tiranë, ka filluar procedimi penal, pasi i është gjetur me vete dhe sekuestruar një thikë dhe një dorezë metalike”.

 

 

Evropiani i Peshëngritjes

Shqipëria e nis me këmbën e mbarë

Ka nisur dje Kampionati Evropian i Peshëngritjes për të rritur, i cili zhvillohet për herë të parë në Shqipëri. Në aeroportin e Rinasit kanë zbarkuar 35 ekipe pjesëmarrëse, afërsisht 400 sportistë dhe mbi 50 trajnerë, si dhe një numër presidentësh dhe figurash të larta të peshëngritjes. Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka bërë të ditur përmes një konference për shtyp, pak ditë më parë se me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka mbyllur të gjitha procedurat e nevojshme për këtë veprimtari, që ka ngritur zyrtarisht siparin dje, në orën 12:00. Ekipi përfaqësues i Shqipërisë, pas një grumbullimi prej 3 muajsh në qytetin e Durrësit, ku është stërvitur me disiplinë, përkushtim dhe profesionalizëm, është gati për t’i dhuruar medalje vendit tonë. Për sa u përket rezultateve, ekipi kombëtar shqiptar ka shprehur optimizmin e tij për një rezultat shumë të mirë, në veçanti të tre peshëngritësve, të Romela Begajt, të Daniel Godellit dhe Briken Çales, për të cilët, duke gjykuar mbi atë që kanë dhënë në stërvitje apo që kanë deklaruar në prag të garimit, mund të themi me siguri që do të jenë në zonën e medaljeve. Sakaq, do të jenë 12 sportistët që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të rritur, që do të vazhdojë deri më 15 prill 2013. Për femra, flamurin kuqezi do ta mbajë nënkampionia e kontinentit, Romela Begaj, si dhe e rikthyera Fetije Kasaj. 26-vjeçarja Begaj vjen në këtë veprimtari duke synuar të bëjë më në fund të vetën kurorën kontinentale, duke përfituar edhe nga fakti që do të konkurrojë në Tiranë, përballë publikut vendas, që sipas gjasave do të jetë një shtysë më tepër për të kapur majën e podiumit. Por edhe 27-vjeçarja Kasaj ka treguar se, me një garim të përmbajtur, por rikthehet gradualisht në nivele të larta edhe në nivele ndërkombëtare. Ndërkaq, për meshkuj, në mungesë të Erkand Qerimajt dhe Hysen Pulakut, të pezulluar për shkak të dopingut, barra kryesore për medalje do të bjerë në supet e Daniel Godellit, i cili ka shërbyer edhe si simbol i imazhit të Kampionatit Evropian të Tiranës, dhe të rivalit të tij, Briken Çalja. Sa i përket shqiptarëve të parë që zbritën ne pedant në kategorinë 56 kg ekipi kuqezi u përfaqësua nga dy peshëngritës të rinj dhe me perspektivë, që arritën rezultate brenda pritshmërive Federatë shqiptare të Peshëngritjes. Anxhelo Shabani u ngjit i pari në pedanë, duke gritur fillimisht 80 kg në stilin e shkëputjes, ndërsa në dy provat e mbetura ngriti respektivisht 90 dhe 95 kg. Në këtë stil Arbër Çerçizi ngriti 90 kg në provën e parë, 100 në të dytën, por dështoi në të tretën ku pretendonte të ngrinte 108 kg. Në stili e shtytjes Shabani realizoi me sukses dy provat e para duke ngritur 100 dhe 105 kg, ndërsa në të tretën nuk arriti të ngrinte 111 kg. Edhe Çerçizi nuk pati probleme në dy provat e para teksa ngriti 110, dhe 117 kg, ndërsa e pati të pamundur të ngrinte me sukses në provën e tretë 125 kg. Anxhelo Shabani e mbylli në dygarësh me 200 kg, ndërsa Arbër Çerçizi me 217 kg. Trajneri i ekipit kombëtar shqiptar, Ilir Çela, u shpreh i entuziazmuar për rezultatet e dy të rinjve Shabani dhe Çerçizi, që marrin më shumë vlerë në renditjen ekipore. Pavarësisht duartrokitjeve që mori në pedanë, Arbër Çerçizi pretendon se nuk marrë maksimumin tij. Objektivi i Shqipërisë, në renditjen ekipore sipas trajneri Çela janë tashmë për vendin e tretë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency