Borusia e Dortmundit luan për gjysmëfinalen, Malaga për historinë

0
183

Gëce në aksionPërgatiti Altin Vorpsi

Në “La Rosaleda” gjithçka u mbyll në barazim 0-0

Për Malagën kjo është prania e parë në gjysmëfinale

 

 

Nëntëdhjetë minutat e para i kanë lënë një peng të madh Borusias së Dortmundit. Të paktën tri shanse të arta për gol të humbura mizorisht nga Gëce dhe Rojs i kanë dhënë shpresë Malagës. Sonte në “Signal Iduna Arena” të dy këto ekipe do të nisin gjithçka e para… nga ai rezultat i bardhë që dha “La Rosaleda”.

 

Nën shenjën e 4-2

I veçantë është fakti se që të dy këto formacione kanë të përbashkët 4-2-shin. Këtë fundjavë Borusia mundi me këto shifra skuadrën e Augsburgut. Ndërkohë që për Malaganë, flasim ndryshe, pasi me këtë rezultat të thellë u mund nga Real Societadi.

 

Formacionet

Ndaj Augsburgut, trajneri i Dortmundit, Jyrgen Klëp, zgjodhi që të linte pushim disa prej titullarëve. Kështu për Malagën do të jetë në top-formë sulmuesi Levandovski. Ndërkohë që të njëjtën gjë nuk mund të themi për Humelsin dhe Balazikovskin. Që të dy këta futbollistë kyç të formacionit nga Vestfalia janë në dyshim. Nga ana tjetër edhe Pelegrini bëri turnover këtë javë, edhe pse mori rezultate krejt të tjera. Por në Gjermani tekniku kilian do t’u besojë lojtarëve me eksperiencë si Hoakin, Zheremi Tulalo, Hulio Baptista dhe klasit të Ickos.

 

Formacionet

 

Borusia Dortmund: Vainderfeler; Piszçek, Subotiç, Santana, Shmelcer; Gyndogan, Kehl; Rojs, Gëce, Groskrojc; Levandovski. Tr. Klëp.

 

Malaga: Uili Kabajero; Gamez, Lugano, Demikelis, Antunesh; Tulalo, Kamaço; Hoaqin, Baptista, Icko; Saviola. Tr. Pelegrini.

 

 

Gallatasaraji – Real Madrid, Murinjo: fitorja 3-0 nuk na ka garantuar asgjë

Zhose Murinjo shtyn drejt gjysmëfinaleve Realin e tij që me Gallatasarajin duelin e rinis nga fitorja 3-0 e sfidës së parë. “Shpresoj që të mos ketë besim të ekzagjeruar te ai rezultat. Po përgatitemi mirë dhe me Levanten lashë në stol 6-7 titullarë, duke dhënë një mesazh të qartë. Në Turqi do të gjejmë një ambient të nxehtë”, – tha Mou. Më tej portugezi kërkon të evitojë në mënyrë absolute idenë e një Reali që futet në fushë me bindjen se kualifikimin e ka në xhep: “Sfidat më të ekuilibruara janë ato që nisen nga rezultati i barabartë por edhe avantazhi 3-0 nuk garanton asgjë. Ju kam treguar djemve disa video në të cilat skuadrat që kishin bërë mirë në takimet e para pësuan përmbysje të pabesueshme. Shpresoj që të mos ndodhë me ne. duhet të mendojmë këtë ndeshje si një sfidë normale dhe jo duke bërë llogaritë e kualifikimit. Nëse do të humbisnim 2-0 apo edhe 3-1 nuk do të ktheheshim në shtëpi të lumtur”. Diferencat me Gallatasarajin në aspektin teknik janë aq të mëdha sa trajneri i Realit të mos shqetësohet për mungesat: “Ramos është i skualifikuar, Pepe ka një problem muskular dhe gjendjen e tij do ta vlerësojmë në minutat e fundit, nëse nuk do t’ia dalë do të luajë Albiol, por edhe Eesien e Nacho mund të bëjnë qendërmbrojtësit. Unë i besoj çdonjërit prej lojtarëve të mi. Në sulm? Do të luajë një mes Higuain e Benzema, janë të dy në formë. Kasijas? Po stërvitet mirë, madje shumë mirë”. Pavarësisht rezultateve apo kalimit në gjysmëfinalet e Champions e ardhmja e portugezit mbetet një temë e nxehtë: “E ardhmja ime nuk ka të bëjë me triumfin apo dështimin në Champions. Nëse e mendoj të drejtoj një skuadër në Turqi? Isha shumë pranë realizimit të kësaj ideje në vitin 2003, por në futboll nuk i dihet kurrë, sidomos aty ku ka shumë pasion”. Në fund të bisedës “Orakulli nga Setubali” dha një parashikim për fituesen e mundshme të Ligës së Kampioneve: “Edhe Juventusi mund ta fitojë Championsin, por ne, Bajerni dhe Barça nisemi të favorizuar”.

 

 

 

 

Bullgari

Trajneri habit publikun, duke i grisur kartonët kryesorit

Antoni Zdravkov trajneri i ekipit bullgar, Botev Vratsa, ka humbur toruan në ndeshjen kundër CSKA-së së Sofias në javën e 30-të të kampionatit. Ai është konfrontuar me gjyqtarin e takimit, Aleksander Kostadinov, i cili bëri shumë gabime në gjykim dhe nxori një prej lojtarëve të Botevit me karton të kuq. Teksa CSKA-ja fitoi në minutën e fundit 3-4, trajneri Zdravkov ia mori kartonët gjyqtarit duke ia grisur dhe ia plasur në fytyrë. Federata bullgare pritet ta pezullojë për tre ndeshje.

 

Merkato

Shalke dhe Volfsburgu janë në ndjekje të Xhemailit

Shalke 04 planifikon superblerje në merkaton e verës. Teksa kërkojnë të rikthejnë brazilianin Rafinja, mediat gjermane bëjnë të ditur se blutë nga Gelzenkirshe kanë shprehur interes edhe për mesfushorin me origjinë shqiptare, Blerim Xhemaili. Mesfushori 26-vjeçar i Napolit ka një kontratë deri në vitin 2015 me italianët dhe ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer. Kartoni i tij kushton 7 milionë euro. Për shërbimet e mesfushorit të kombëtares së Zvicrës interesohet edhe Volfsburgu.

 

Gazetari i “The Guardian”

“Mou ka firmosur për Çelsin”

Një gazetar gjerman i tabloidit britanik “The Guardian” pretendon se Çelsi ka arritur marrëveshjen me Zhoze Murinjon për rikthimin tij në “Stamford Bridge”. Rafael Honigshtain pohonte mbrëmjen e së hënës se ai kishte marrë konfirmimet e dy burimeve të ndryshme brenda klubit blu. “Dy burime të ndryshme me lidhje me klubin e Çelsit këmbëngulin se është arritur akordi me trajnerin portugez. Njëri nga burimet është menaxher i skuadrës, ndërsa tjetri një sponsor i klubit”, – shkruante në “Twitter” gazetari bavarez. Murinjo pritet të largohet nga “Bernabeu” në fund të sezonit dhe përflitet se ka arritur një akord 3-vjeçar me Abramoviçin që bëhet i vlefshëm me 3 kushte: Kualifikim në Champions, 14 mln euro në vit dhe kontratë të re për Lampardin.

 

“Zonja e Hekurt”

Klubet britanike nuk e respektojnë

Britania e Madhe ka vajtuar dje ndarjen nga jeta të Margaret Thetçerit, por figura e ish-Kryeministres së parë femër të Anglisë (1979-90) nuk është respektuar në derbin e Mançesterit. “Zonja e Hekurt”, e cila luftoi huliganizmin me masat drastike që propozoi pas tragjedisë së Hejselit, nuk është nderuar as me një minutë heshtje dhe as me shiritin e zi në krahët e lojtarëve. Arsyeja? “Premier Liga nuk i detyron dot klubet të respektojnë vdekjen e një figure politike përpara një ndeshjeje. Është e drejta e tyre ta nderojnë kujtimin e saj”, – shpjegoi një zëdhënës i Premier Ligës. Baronesha u nda nga jeta mëngjesin e së hënës në moshën 88-vjeçare, pas një hemorragjie të përsëritur cerebrale. Baroneshës do t’i rezervohet një funeral ceremonial me nderimet ushtarake ashtu si nënës Mbretëreshë dhe ish-princeshës Diana.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency