Vjedhja e pikturave të Mios, gjykata thërret Niko Peleshin

0
193

Sonja Caka

pikturatProkurori: Dëmi i shkaktuar nga vjedhja e 27 pikturave të Mios, 6.6 milionë lekë. Pikturat lëvizin nëpër ekspozita brenda dhe jashtë vendit vetëm me leje të bashkisë

 

Kreu i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi, është thirrur si dëshmitar nga gjykata në procesin gjyqësor për zhdukjen e 64 pikturave nga fondi i galerisë “Guri Madhi”, ndërsa vetëm 27 prej tyre ishin krijim i të madhit Vangjush Mio. Ardhja e kryebashkiakut në këtë proces është kërkuar me këmbëngulje nga i pandehuri Vladimir Topi, ish-drejtori i galerisë dhe avokati i tij. Kërkesa e tyre u pranua nga trupi gjykues duke vendosur ta thërrasë në seancën e radhës në pozicionin e dëshmitarit. Më pas, prokurori i çështjes, Elsjon Sadikaj, ka paraqitur dokumente dhe prova të tjera shkresore, të cilat, sipas tij, vërtetojnë akuzën e shpërdorimit të detyrës nga ana e ish-drejtorit të galerisë. Prokurori, gjithashtu, ka paraqitur edhe rezultatet e përgjimeve ambientale midis Xegës dhe Topit, të cilat, sipas tij, kanë vërtetuar faktin se inventarët e kryer ndër vite kanë qenë fiktivë dhe janë bërë nga njerëz joprofesionistë. Akuza ka përllogaritur edhe dëmin e shkaktuar nga zhdukja e pikturave të Mios, i cili arrin në 6.6 milionë lekë të reja.

Konkluzioni

Gjatë paraqitjes së konkluzioneve para gjykatës lidhur me hetimet e kryera në galerinë “Guri Madhi” në Korçë, prokurori ka vlerësuar se të gjitha pikturat në këto 10 vitet e fundit janë mbajtur në kushte të mjerueshme dhe pjesa më e madhe e tyre janë dëmtuar prej lagështirës. Përgjatë këtij harku kohor, sipas prokurorit Sadikaj, asnjëherë nuk është kërkuar fond për investim nga Ministria e Kulturës, me qëllim përmirësimin e kushteve apo edhe për të lëvizur këtë krijimtari brenda dhe jashtë vendit për çelje të ekspozitave të ndryshme. Sa herë është ndërmarrë një veprim i tillë, sipas tij, është marrë leje vetëm nga bashkia. Sipas prokurorit, duke pasur parasysh edhe përgjimet ambientale mes ish-drejtorit dhe të pandehurit tjetër Sotiraq Xega, çdo vit ka pasur një inventar për fondin që gjendej në galeri dhe përherë ky inventarizim ka qenë fiktiv, pra asnjëherë i plotë dhe fizik. Gjithashtu, prokurori theksoi në konkluzionet e tij se gjatë kontrollit të bërë në shtëpinë e piktorit Sotiraq Xega janë gjetur 400 piktura, të cilat gjatë ekspertizës dolën të gjitha piktura të tij dhe asnjëra e vjedhur, pra ishin totalisht krijime të tijat. Ndërkohë, në konkluzionet e tij, prokurori Sadikaj theksoi ndër të tjera edhe vlerën e dëmit ekonomik të shkaktuar nga vjedhja e 27 pikturave të piktorit të njohur Vangjush Mio. Sipas tij, vlera e këtyre pikturave është 6.6 milionë lekë, ndërkohë që këtij dëmi i shtohet edhe vlera ekonomike e 37 pikturave të tjera të vjedhura nga fondi i galerisë “Guri Madhi” në Korçë, të cilat u përkasin të tjerë piktorëve të shquar në vendin tonë.

Kërkesa

Pas përfundimit të konkluzioneve të prokurorit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ish-drejtorit të akuzuar Vladimir Topi dhe avokatit të tij, të cilët nuk i pranuan këto konkluzione, duke kërkuar nga gjykata që në seancën e radhës të vijë për të dëshmuar kryebashkiaku Niko Peleshi. Kërkesa e tyre u pranua nga trupi gjykues dhe vendosi që në seancën e radhës të thirret për të dëshmuar z. Peleshi. Një seancë më parë, prokurori ka lexuar dëshminë e ish-përgjegjësit të galerisë Sotiraq Xega, i cili ka dëshmuar se një nga pikturat e Mios i është dhënë kryebashkiakut të Korçës, Niko Peleshi, i cili ia ka dhuruar atë kryebashkiakut të Selanikut. Nga dëshmia e lexuar prej prokurorit Elsjon Sadikaj, mësohet se Xega ka hedhur dyshime të forta për vjedhje pikturash nga ana e ish-drejtorit Vladimir Topi dhe ish-magazinierit Vaskë Nico.

Ngjarja

Vitin e kaluar, në galerinë e arteve “Guri Madhi” të qytetit të Korçës, u zhdukën 64 piktura, 27 prej të cilave i përkisnin Piktorit të Popullit Vangjush Mio. Piktori Sotiraq Xega dhe ish-drejtori i galerisë “Guri Madhi” në Korçë, Vladimir Topi, akuzohen për shpërdorim detyre pas zhdukjes së 64 pikturave nga fondi i galerisë. Ndërkohë, pas ndarjes së çështjeve, nuk dihet ende se kur do të rifillojë sërish gjyqi ndaj përgjegjësit Sotiraq Xega, i cili ndodhet në Tiranë për arsye shëndetësore.

 

Vendimi

Mashtroi miq dhe të afërm duke u marrë para, dënohet 10 vjet burg

Mashtrimi nuk po njeh kufij, jo vetëm në persona të njohur, por edhe brenda rrethit miqësor apo familjar. I tillë është edhe rasti i të pandehurit Pandeli Ciko, i cili është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 10 vite burg për mashtrim me pasoja në dëm të disa personave. Shumat e përfituara kanë qenë në euro, paund britanikë dhe para shqiptare. Viktima të mashtrimit kanë rënë miq, familjarët dhe të njohur të Pandeli Cikos. Sipas gjykatës, i pandehuri Pandeli Ciko ka mashtruar shtetasin Përparim Zelka, duke i vjedhur me anë të mashtrimit shumën e 65.000 eurove. I dëmtuari Zelka ka pasur njohje të afërta me të pandehurin Ciko dhe ky i fundit nëpërmjet shpërdorimit të besimit dhe gënjeshtrës i ka vjedhur atij shumën prej 65.000 mijë eurosh. Kështu në datën 10.4.2003 i dëmtuari i ka dhënë të pandehurit një shumë parash prej 65.000 mijë eurosh, duke hartuar edhe deklarata noteriale me nr. 345 rep. datë 10.4.2003, sipas së cilës i pandehuri merrte shumën prej 65.000 eurosh me interes mujor 1000 euro, për një afat prej katër vitesh. I pandehuri ka lënë si garanci dy kamionë, një sipërfaqe toke, që gjendej në Marikaj, me numër pasurie 92/10, zona kadastrale 2596, me sipërfaqe 3940 m2. Nga përmbajtja e deklaratës rezulton se nëse shuma e parave nuk kthehej nga i pandehuri brenda afati katërvjeçar, atëherë pasuritë e mësipërme, do të kalonin në favor të shtetasit Përparim Zelka. Kjo deklaratë noteriale nuk është depozituar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si barrë mbi pasurinë. I pandehuri Ciko, jo vetëm që nuk i ka kthyer paratë, por ai për llogari të tij ka shitur edhe tokën si dhe kamionët, të cilët i kishte lënë si garanci për të shlyer borxhin, duke i mohuar në gjykim borxhin ndaj shtetasit Zelka. Më tej, rezultoi se i pandehuri ka mashtruar edhe shtetasin Vasil Kovaçi, i cili ka qenë shofer prej katër vitesh tek shoqëria që i pandehuri kishte ngritur. Kovaçi ka deklaruar se nga viti 2004-2007 i ka dhënë atij shumën prej 16.800 eurosh. Ai ia ka kërkuar te pandehurit disa herë këtë shumë parash, por ai nuk ia ka dhënë duke e mbajtur me pretendimin se do të shiste parkun (në tokën që kishte lënë si garanci) e të merrte lekët e tij. Por, si të mos mjaftonin të njohurin, në këtë skemë mashtrimi kanë rënë preh edhe familjarët e tij. I pandehuri Ciko ka mashtruar edhe shtetasin Spiro Gjoka, (baxhanakun e tij), duke i marrë atij një shumë parash prej 20.000 mijë paund dhe shtatëqind mijë lekësh. Ndërkohë që, e mashtruar ka mbetur edhe kunata e tij Violanda Ciko, vajza e së cilës i është bërë garante për një kredi, ndërsa i ka gjetur edhe para të tjera. Në momentin që paratë nuk janë kthyer dhe kredia nuk është shlyer, kunata e tij ka shlyer vetë kredinë dhe pasurinë e ka hedhur mbi vajzën.

Lezhë

Vrau vajzën, braktiset nga familjarët në gjykatë

Braktiset nga familja dhe gjendet i vetëm në sallën e gjyqit 53-vjeçari i akuzuar për vrasjen e të bijës 19-vjeçare. Nikollë Begu është njohur dje me masën e sigurisë, për akuzën e vrasjes së vajzës së tij fundjavën e kaluar në Tale të Lezhës. Gjyqtari i çështjes ka pranuar kërkesën e prokurorit Ervin Beqiri, duke lënë në burg babanë-vrasës, ndërsa ky i fundit është shprehur i penduar për krimin e kryer. Begu u mbrojt dje nga avokati Fran Lleshi, i cili ka argumentuar veprimin e klientit si të ndikuar nga gjendja e rëndë psikologjike që i ishte krijuar gjatë debatit me vajzën. Por, pavarësisht nga pretendimet e avokatit dhe shprehjes së pendesës nga ana e 53-vjeçarit, gjyqtari Jak Jaku ka caktuar masën “Arrest me burg” për të akuzuarin. Vrasja e 19-vjeçares Velantina Begu ndodhi pasditen e së shtunës brenda në banesë.

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency