Shembet ndërtesa trekatëshe, nxirret pas disa orë kërkimesh 32-vjeçari

0
185

Elton Qyno

shembetMetush Rama ishte duke punuar me matrapik në ndërtesën e ish-TEC-it në zonën e Kombinatit

Banorët: Dëgjuam që bërtiti dhe më pas nuk u ndie më. Tri orë kërkime për trupin poshtë gërmadhave

 

Dëshira për të mbledhur disa kilogramë më tepër hekur i ka shkaktuar vdekjen shtetasit 32-vjeçar Metush Rama, i cili u mbulua nga gërmadhat e një ndërtese trekatëshe, që ndodhet pranë ish-TEC-it në zonën e Kombinatit. I riu ka qenë duke punuar me një matrapik në momentin kur janë rrëzuar disa nga kolonat e objektit ku ai nxirrte shufrat e hekurit dhe më pas e gjithë ndërtesa trekatëshe ka rënë mbi të, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas banorëve të zonës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30 dhe se kanë arritur të dëgjojnë vetëm një të bërtitur të punëtorit që po përpiqej të nxirrte skrap nga kolonat e betonit, të ndërtesës së ish-TEC-it në Kombinat. Kaq ka mjaftuar që ata të njoftonin menjëherë policinë për ngjarjen e rëndë. Forcat e komisariatit nr. 6 kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje, ku kanë parë pirgun e rrënojave të rrëzuar. Gjatë marrjes në pyetje të banorëve, efektivët e policisë kanë mësuar se kishin dëgjuar një person që bërtiti, në momentin kur janë rrëzuar kolonat. Nisur nga kjo situatë, policia ka vendosur të bëjë verifikimet nën rrënoja, duke thirrur një ekskavator dhe një fadromë. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e zjarrfikëseve, të cilat të ndihmuara nga dy mjetet xheniere, kanë arritur të lokalizojnë vendin ku ndodhej trupi i pajetë i 32-vjeçarit Metush Rama, i cili kishte marrë plagë të shumta në trup, si rezultat i rrëzimit të kolonave të objektit trekatësh.

Kërkimet e policisë

Për gati tri orë me radhë efektivët e komisariatit nr. 6 kanë kryer kontrolle në zonën e gërmadhave. Dy mjetet xheniere kanë shkuar për rreth 30 minuta me vonesë, ndërkohë që në operacionin e kërkimit kanë marrë pjesë edhe disa prej banorëve të zonës. Nëpërmjet dy ekskavatorëve, policia e Tiranës ka arritur të heqë pjesën më të madhe të gërmadhave dhe kolonave të betonit, derisa ka arritur të gjejë edhe trupin e pajetë të 32-vjeçarit Metush Rama. Nga këqyrja fizike e këtij të fundit është konstatuar se Rama ka pasur shumë plagë në trup, kryesisht në kokë dhe këmbë, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Familjarët e të ndjerit kanë shkuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes, ku edhe ata kanë bërë kërkime së bashku me policinë. Pas gjetjes së trupit, familjarët e kanë marrë atë për të bërë ceremoninë e varrimit në Sharrë. Familja e 32-vjeçarit jetonte në kushte të vështira ekonomike dhe 32-vjeçari ishte njeriu i vetëm që punonte. Gjetja e tij është bërë falë dëshmisë së disa prej banorëve të lagjes, ku ndodhej objekti në të cilin punonte viktima. Kanë qenë pikërisht banorët që bënë njoftimin e policisë dhe më pas treguar se kishin arritur të shihnin një person që po punonte me matrapik në zonën e ndërtesës, duke nxjerrë shufra hekuri nga kolonat. Më pas, disa prej banorëve kanë deklaruar në polici se kishin dëgjuar një të bërtitur të fortë, gjë e cila ndikoi për fillimin e menjëhershëm të kërkimeve në gërmadhat e objektit.

Skrapi i paligjshëm

Nxjerra e skrapit në zonën industriale në Kombinat është një veprimtari e paligjshme. Sipas policisë së Tiranës, këto ndërtesa janë pronë e Ministrisë së Ekonomisë dhe se është e ndaluar të vidhen materiale dhe aq më tepër të shemben ndërtesat. Mirëpo në kushtet e mungesës së një roje në Kombinat, shumë nga qytetarët kanë abuzuar, duke shkuar për të vjedhur skrapin dhe në shumë raste arrijnë të nxjerrin atë në shufrat e betonit, pikërisht aty ku dhe Metush Rama ishte duke punuar gjatë mbrëmjes së djeshme. Ky nuk është rasti i parë që persona të ndryshëm humbin jetën në këtë mënyrë, pasi ka pasur edhe raste të tjera në qytete të ndryshme që kanë humbur jetën si pasojë e nxjerrjes së skrapit nga objekte shtetërorë që janë të braktisura.

 

Asnjë nga efektivat e policisë nuk ka pësuar dëmtime

Durrës, qëllohet patrulla e policisë

autorët ndiqen, por nuk arrihet arrestimi

Një automjet i policisë është sulmuar me armë në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga një tjetër automjet, i cili mësohet se ka qenë me targa të huaja. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 4:00 të mëngjesit të djersëm pranë Urës së Dajlanit. Patrulla e policisë i ka kërkuar mjetit me targa të huaja që të ndalonte me qëllim ushtrimin e një kontrolli. Mjeti me targa të huaja, jo vetëm që nuk ka ndaluar, por ka rritur shpejtësinë, madje ka qëlluar me armë zjarri dy herë ndaj patrullës së policisë, duke e detyruar këtë të fundit të dilte nga rruga gjatë ndjekjes. Asnjë nga dy efektivët nuk janë lënduar nga të shtënat, ndërsa makina është dëmtuar rëndë nga përplasja në një kanal anësor të rrugës. Policia bën me dije se ka nisur hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personave që ndodheshin në makinën me targa të huaja. Deri në orët e vona të mbrëmjes asnjë nga personat nuk është arritur të arrestohet nga policia e Durrësit, ndërkohë që pas ngjarjes janë ngritur dhjetëra postblloqe, por nuk është arritur të kapen drejtuesit e makinës që qëlluan mbi patrullën e policisë. Kontrolle të shumta janë kryer edhe në disa banesa në fshatrat e Durrësit, kontrolle këto që kanë rezultuar pa sukses. Aktualisht puna e policisë është mbështetur vetëm në hetimet operative, ndërkohë që dyshimet flasin se brenda mjetit ku udhëtonin dy persona, mund të kishte ndonjë sasi droge. Ky është variant që besohet më tepër nga ana e policisë, ndërkohë që variant i dytë, mund të jetë edhe se dy personat që ishin brenda në makinën me targa italiane, mund të kenë qenë të dehur.

Gjirokastër

Bllokohen dy mushka të ngarkuara me drogë

 

Dy mushka të ngarkuara me drogë u kapën nga policia e Gjirokastrës, kurse pronarët e tyre u larguan. Sipas informacionit zyrtar, ishin 60 kg kanabis sativa, e blerë në Lazarat. Droga po transportohej me kafshët në drejtim të Tepelenës, por ishin pikasur me kohë nga policia. Për t’iu shmangur postbllokut tek Uji i Ftohtë, kafshët janë drejtuar për nga zona e Lekasit, ku dhe u bllokuan nga agjentët e antidrogës. Dy personat, pasi lanë ngarkesën, mundën të arratiseshin në sy të policëve, të cilët, edhe pse i kanë ndjekur disa qindra metra me vrap, nuk kanë bërë të mundur arrestimin e dy personave. Burime pranë policisë thanë se dy personat tashmë janë arrestuar dhe se janë shpallur në kërkim policor. Ndërkaq, ndaj tyre është ngritur akuza e trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

 

Ngjarja në Durrës

Dy gra tentojnë të vetëhelmohen me fotoksinë

 

Regjistrohen dy raste vetëhelmimi në qytetin e Durrësit. Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë me dije se Vjollca Mushnika, 44 vjeçe, banore në lagjen numër 7, është vetëhelmuar me medikamente, ndërkohë që po dje Xhevahire Rrushi, 50 vjeçe, ka tentuar t’i japë fund jetës, duke u vetëhelmuar me fotoksinë. Nga hetimet paraprake mësohet se 50-vjeçarja banore në lagjen nr. 9, dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës për shkak të depresionit, ndërkohë që nuk dihen ende shkaqet e 44-vjeçares. Dy gratë janë nisur menjëherë drejt spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërkohë që policia ka nisur hetimet. Shkak i këtyre dy rasteve të vetëhelmimit duket se ka qenë depresioni, që ka ndikuar në marrjen e vendimit ekstrem nga dy femrat.

 

Aksidenti

Treni përplas makinën, një i plagosur

 

Një automjet është përplasur nga treni në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në periferi të Tiranës, teksa mjeti me targa AA 286O SI, i drejtuar nga Ilir Lleshi, 45 vjeç, po tentonte të kalonte shinat e trenit. Nga përplasja, ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe kanë nisur hetimet. Sipas tyre, i plagosuri është nisur drejt Spitalit Ushtarak në gjendje të rëndë për jetën. Ndërkohë, në policinë e Tiranës është shoqëruar makinisti i lokomotivës, i cili është marrë në pyetje lidhur me këtë ngjarje. Sipas tij, ka qenë makina ajo që i ka dalë përpara dhe se makinisti nuk ka pasur mundësi kohore të ndalte trenin, për shkak se ishte në një distancë tepër të vogël. Nisur nga kjo situatë, ka ndodhur edhe përplasja e fuqishme, duke sjellë shkatërrimin e mjetit dhe plagosjen e drejtuesit të tij.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency