Kategoria Superiore, Tirana gjen forcat për “Evropën”

0
152

Altin Vorpsi

 tiranaBardheblutë përfituan nga ndalesa e Flamurtarit dhe e Teutës

Tirana këtë edicion rrezikon të mos luajë vitin tjetër në Ligën e Evropës

 

 

Kur dukej se gjithçka kishte humbur, bardheblutë janë rikthyer pikërisht atëherë kur duhej. Barazimi i Teutës (në Korçë) dhe i Flamurtarit (në Vlorë) i ka dhënë shansin e fundit skuadrës së Nevil Dedes për t’iu afruar vendeve që mund t’i dërgojnë në kupat e Evropës.

 

Mes polemikash

Vetëm pak javë më parë, Tirana e pa veten në mes të polemikave të shumta. Dede, pas humbjes turpëruese me Flamurtarin, aludoi se disa prej lojtarëve nuk ishin impenjuar si duhet. Problemet me pagat kanë bërë që shumë titullarë të mirëpaguar të lëshojnë në fushë. Në këtë mes, humb vetëm Tirana, që rrezikon seriozisht të mos futet në kupat Evropës.

 

Caka dhe e ardhmja

Marsel Caka është fytyra e re e Tiranës. Pikërisht përballë Kastriotit ai mbushi 18 vjeç dhe në të njëjtën kohë bëri një prezantim dinjitoz me fanellën bardheblu. Ishte lojtari më i mirë në fushë. Me kalimin e minutave u kuptua fare mirë se mosha e tij nuk përbënte kurrfarë diference. Ai bëri detyrën në perfeksion dhe lëvdatat nuk i munguan prej të gjithëve. Me shumë mundësi që edhe Tirana, ashtu si shumë klube të mëdha në Evropë ka hedhur sytë drejt të ardhmes. Talente të reja rriten dhe mund të japin kontributin e tyre për të ngritur Tiranën në nivelet që ka qenë 5-6 vite më parë.

 

Situata

Titulli i tretë radhazi për Skënderbeun afrohet gjithnjë e më shumë, pavarësisht se korçarët frenohen në shtëpi nga barazimi pa gola me Teutën. 6 javë përpara fundit, diferenca me Teutën ndjekëse qëndron 11 pikë dhe, duke llogaritur që ndeshjet me rivalë të vështirë janë të pakta, atëherë çështja “titull” mund të konsiderohet një kapitull i mbyllur. Kjo, edhe për faktin se nga ndalesa e kampionëve me Teutën nuk përfitoi Flamurtari, që po ashtu u ndal në barazim pa gola në shtëpi me Besën. Kuqezinjtë, nëse kishin ndopak shpresa për t’i dhënë jetë garës për titull, tani hedhin sytë tek vendi i dytë dhe pjesëmarrja në Evropë. Një objektiv i ndërlikuar, duke parë që java ka folur pikërisht për ndjekëset, pasi Kukësi, Tirana dhe Vllaznia kanë marrë pikët e plota, duke u rikthyer fuqishëm në garën për Evropa Ligën. Fitorja e Kukësit ishte domethënëse, pasi vulosi fatin e Shkumbinit që pas gati dy dekadash duhet të lërë elitën e futbollit shqiptar. Edhe pse matematika lë gjithçka të hapur, tashmë Apolonia, Tomori, Shkumbini dhe Luftëtari duken të destinuar për të luajtur në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm. Lajm përbën fitorja e Tiranës, pasi në një nga periudhat më të këqija të saj gjen suksesin me djemtë e ri në fushën e lojës, ku evidentohet debutuesi Caka në portën e bardhebluve. Tashmë me kreun thuajse të blinduar nga Skënderbeu dhe me katërshen e fundit që njeh fatin e vet, kampionati shqiptar do të fokusohet vetëm tek zona evropiane, ku Teuta, Flamurtari, Kukësi, Vllaznia dhe Tirana do të konkurrojnë për dy vende që të çojnë në Evropa Ligë.

 

 

 

Kupa e Shqipërisë

Laçi dhe Kukësi kërkojnë arbitër të huaj

Ethet e kupës rikthejnë idenë e importimit të gjyqtarëve të huaj. Në zyrat e FSHF-së prej disa ditësh është depozituar një kërkesë nga klubi i Laçit, për të mundësuar gjykimin e ndeshjes së parë gjysmëfinale të kupës me Kukësin nga gjyqtarë të huaj, e motivuar me faktin e shmangies së çdo lloj paragjykimi për problemet që mund të sjellin gabimet arbitrare. Kërkesa është e mbështetur në rregulloren e veprimtarisë sportive, neni 104 i saj, në të cilin janë të specifikuara rastet kur një ndeshje mund të gjykohet nga arbitra. Burime pranë FSHF-së pranojnë se është depozituar një kërkesë e tillë nga klubi i Laçit, por që rrezikon të mos merret parasysh, pasi nuk është respektuar pika 3 e nenit 104, sipas të cilit kërkesa e një klubi duhet bërë 10 ditë para zhvillimit të ndeshjes. Gjithsesi, një vendim zyrtar për këtë çështje ende nuk është marrë. Nga ana tjetër pritet që edhe klubi i Kukësit të depozitojë në FSHF një kërkesë për të pasur gjyqtarë të huaj në ndeshjen e kthimit në Laç, e programuar për datën 17 prill. Në thelb, kërkesat e të dyja klubeve, përveçse të bazuara në rregulloren e veprimtarisë sportive, janë të motivuara edhe me rëndësinë historike që kanë këto ndeshje për këto skuadra, që kurrë më parë nuk kanë arritur të luajnë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Gjyqtarët e huaj kanë qenë një zgjidhje e përdorur në disa raste nga FSHF-ja, për ndeshje të konsideruara kyçe për fatet e një sezoni futbollistik dhe në shumicën prej tyre takimet e gjykuara nga arbitra të huaj kanë prodhuar emocione të forta dhe shumë pak polemika. Hera e fundit që një ndeshje është gjykuar nga arbitra të huaj në vendin tonë, është finalja e Kupës së Shqipërisë, Besa-Vllaznia, e fituar nga kavajasit 2-1 dhe e gjykuar nga slloveni Damir Skomina.

 

Merkato

Meha kërkon Bundesligën

Mesfushori shqiptar i Paderbornit, Alban Meha, ka deklaruar se ka ardhur koha që ai të luajë në Bundesligë, pas tetë vjetëve të kaluar nëpër ekipet e rangjeve më të ulëta të futbollit gjerman. Meha thotë se janë pjekur kushtet që në karrierën e tij të ndryshojë diçka dhe se tani është koha e duhur ta provojë veten në njërën prej ligave më të forta evropiane. “Mendoj se tani është koha e duhur që të bëj ndryshim në karrierën time. Besoj se ka ardhur koha ta provoj veten në Bundesligë, pas plot tetë vjetëve sa kam luajtur në Bundesliga 2 e rangje më të ulëta”, – tha Meha. E ndiej se jam pjekur që të sfidoj Bundesligën dhe ma merr mendja se nuk do të dështoj. Ka dy vjet që luaj me sukses me Paderbornin në Bundesligën 2 dhe kjo më ka ndihmuar dhe bëhem gati për elitën e futbollit gjerman”, – shtoi fantazisti.

Djaloshi i lindur në Mitrovicë deri tani ka veshur fanellat e Shtutgarter Kikers, VfL Kirshhajm, SV Rojtlingen, Eintrakt Trier dhe së fundi SC Paderborn. Lojtari që mahnit me gjuajtje nga distanca, nuk dëshiron të zbulojë emrat e ekipeve nga Bundesliga që e kërkojnë, por thotë se bëhet fjalë për ekipe që kanë traditë në elitë. “Kam oferta të shumta dhe mjaft konkrete nga disa klube të Bundesligës, por nuk dua që të tregoj emrat e tyre. Një gjë është e sigurt, se ato janë ekipe të qëndrueshme në Bundesligë, e që do ta kem më të lehtë të tregoj vlerat e mia”, – theksoi mesfushori. Ai e pranon se është bërë i kërkuar falë paraqitjeve në fanellën e kombëtares shqiptare, por edhe golave të fundit që kanë ardhur në ndeshjet e saj, por edhe të Paderbornit. “Përfundimisht fanella e kombëtares më kë sjellë në një pozitë shumë më të volitshme sa u përket ofertave, por këtu nuk kanë munguar as paraqitjet në ekipin tim. Shpresoj se do të vazhdoj si deri tani dhe t’u gëzohem fitoreve të reja”, – vijon 26-vjeçari.

Meha është shprehur optimist sa u përket gjasave të Shqipërisë për të shkuar në Botërorin “Brazil 2014”. “Jemi duke ecur në rrugë të mbarë. Nuk duhet të kënaqemi me këto që kemi arritur, por duhet të kërkojmë më shumë. Ekipi me ardhjet e fundit ka fituar shumë dhe ne duhet të shfrytëzojmë këtë. Ndeshja e ardhshme me Norvegjinë, mund të jetë vendimtare drejt qëllimeve tona”, – përfundoi mesfushori i Paderbornit dhe i kombëtares shqiptare, Alban Meha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency