Horror në kryeqytet, zbulohen dy pedofilë duke abuzuar me fëmijë

0
117

Elton Qyno

landfilldiI moshuari tenton të kryejë marrëdhënie në ambientet e një ashensori

Pjetër Ndoi fshihet prapa kazanëve të plehrave, ndalohet nga vetë banorët

 

 

Tirana pushtohet nga pedofilët. Pas zbulimit të rastit të mostrës së Laprakës, Ardian Prrenjasi, sërish efektivat e policisë nr. 3 kanë bërë zbulimin e një personi tjetër, me prirje pedofilie, i cili është kapur nga policia në kushtet e flagrancës. I arrestuari është shtetasi Pjetër Ndoi, i cili është kapur nga banorët e një pallati në kushtet e flagrancës, duke tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale në një ashensor. Fill pas kësaj situate, Pjetër Ndoi, 67 vjeç, është përballur me dhunën fizike të banorëve, të cilët kanë filluar ta keqtrajtojnë fizikisht, fill pas largimit të fëmijës 15-vjeçar. Ky i fundit është larguar në drejtim të banesës së tij, që ndodhet në pallatet e para të rrugës “Don Bosko”, por disa prej banorëve kanë bërë ndalimin e 67-vjeçarit, ndërkohë që në vendngjarje ka shkuar me shpejtësi një patrullë e “Shqiponjave”, e cila ka bëri arrestimin në kushtet e flagrancës së shtetasit Petër Ndoi, 67 vjeç, nga Tirana. I moshuari është shoqëruar menjëherë në komisariatin nr. 3 në Tiranë, ku gjatë mbrëmjes së djeshme është marrë në pyetje nga oficerë të policisë së këtij rajoni. Ndërkohë, në komisariat janë shoqëruar edhe prindërit e 15-vjeçarit, që i përkiste komunitetit rom, të cilët kanë bërë kallëzim penal ndaj të moshuarit, i cili po tentonte të joshte minorenin për të kryer marrëdhënie seksuale brenda në ashensor.

Fshehja tek kazanët

Sipas banorëve të zonës ku ndodhi edhe incidenti autori i këtij krimi të rëndë është larguar menjëherë nga ashensori dhe është fshehur në disa kazanë plehrash, që kanë qenë shumë afër pallatit. Kanë qenë banorët ata që i janë afruar të parët pedofilit të moshuar, duke bërë që ndaj tij të ushtrohet edhe dhunë fizike nga banorët, që kanë parë prekje intime që i moshuari i bënte fëmijës 15-vjeçar. Sipas burimeve të policisë, i moshuari ka tentuar t’i ofrojë para minorenit në këmbim të dhunës seksuale. Por për shkak se ai nuk ka preferuar të kompromentohet, atëherë i moshuari ka filluar ta prekë në vende intime dhe ta puthë, teksa së bashku ishin brenda në ambientin e ashensorit. Mirëpo teksa kryheshin këto veprime nga i moshuari, fëmija ka filluar të bërtasë dhe sapo është hapur ashensori, ai ka dalë me vrap duke kërkuar ndihmën e të ëmës. Thirrjet në publik kanë tërhequr vëmendjen e banorëve të zonës, të cilët menjëherë kanë parë Pjetër Ndoin të dalë nga ashensori dhe të fshihet në zonën ku qëndrojnë disa kazanë plehrash. Por ky veprim nuk e ka ndihmuar aspak të moshuarin, i cili është zbuluar menjëherë dhe për pasojë disa nga banorët e zonës kanë bërë ndalimin e tij dhe më pas e kanë keqtrajtuar. Ky është rasti i tretë brenda një harku shumë të shkurtër, që në zonën e Laprakës ndodhin të tilla raste pedofilie. Tashmë dhe pas skandalit të vrasjes së Julian Çelës nga monstra i Laprakës, edhe qytetarët janë ndërgjegjësuar, duke denoncuar në polici çdo rast të dyshimtë. Pritet që në ditët në vijim, Pjetër Ndoi të dalë para Gjykatës së Tiranës, ku do të njihet me masën e sigurisë, që do të kërkojë Prokuroria e Tiranës. Ndaj tij është ngritur akuza e “Kryerjes së veprimeve të turpshme ndaj të miturve”.

Pezullohen kërkimet

Reshjet e shiut të dendur kanë bërë që forcat e ushtrisë dhe policisë të pezullojnë kërkimet në landfillin e Sharrës. Sipas tyre, kushtet e vështira të motit e kanë bërë të pamundur futjen e mjeteve për kërkimin e trupit të 11-vjeçarit Julian Çela, pasi veç kërkimit me ekskavator në zonën e gërmimit qëndrojnë disa ekspertë të xhenios, të cilët bëjnë edhe verifikimet e nevojshme, pikërisht në vendin ku kryhen gërmime. Gjatë ditës së djeshme në landfillin e Sharrës, nuk ka pasur asnjë punëtor të xhenios, por edhe anëtar të familjes së Julian Çelës, i cili për gati katër muaj me radhë mendohet se është hedhur nga monstra i Laprakës në masivin e mbeturinave në Sharrë. Të gjitha mjetet agregate kanë qëndruar dje të palëvizura, ndërkohë që disa nga punonjësit e landfillit të Sharrës nuk janë lejuar të hyjnë në zonën e mbeturinave, ku monstra i Laprakës ka treguar se kishte hedhur trupin e minorenit Julian Çela. Pritet që kërkimet të rifillojnë në ditën e sotme, nëse situata e reshjeve do të përmirësohet, ndërkohë sipas burimeve të policisë, ka shumë pak shpresa për gjetjen e trupit të pajetë, për shkak jo vetëm të kohës së gjatë të kaluar, por edhe të terrenit shumë të vështirë, siç është landfilli i Sharrës. Gjatë këtyre muajve janë shkarkuar në vendin e hedhjes së mbeturinave dhjetëra tonelata plehra, duke krijuar një pirg të madh të tyre, pikërisht në zonën ku mendohet se është hedhur trupi i pajetë i 11-vjeçarit Julian Çela. Vetë familjarët kanë kërkuar që të marrin situatën në dorë, duke ushtruar kontrolle private në landfillin e Sharrës, por që në fakt një gjë e tillë nuk është lejuar nga ana e policisë së Tiranës. Në zonë nuk është lejuar të hyjë asnjë person, pasi tashmë zona është rrethuar me shirita policie.

 

Rastet e denoncuara nga banorët

Tiranë, zbulohen tri raste

dy në pranga, një në kërkim

Gjatë ditës së djeshme, policia ka zbuluar tri raste pedofilie, ku dy nga autorët janë arritur të arrestohet, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim. Komisariati nr. 3, që mbulon edhe zonën e Laprakës, ka zbuluar dy raste, ndërkohë që komisariati nr. 4, ka zbuluar një rast të vetëm dhe se autorin e këtij krimi të shëmtuar e ka shpallur në kërkim. Sipas burimeve të policisë, gjithçka ka ndodhur me ndërgjegjësimin e qytetarëve të Tiranës, të cilët të tronditur nga krimi i rëndë, kanë denoncuar në polici çdo rast të dyshimtë për abuzim seksual. Kështu, vetëm ditën e djeshme, në polici janë regjistruar dhjetëra telefonata, të cilat kanë denoncuar raste konkrete, të cilat tashmë të gjitha janë në verifikime sipër, ndërkohë që në kuadër të këtyre telefonatave, janë zbuluar tri raste vetëm ditën e djeshme.

 

Policia shkak mosmarrëveshjen e qerasë

Bomba “Molotov” pikës së

internetit ku u zhduk Juli

Bomba “Molotov” mbi pikën e internetit ku u pa për herë të fundit 11-vjeçari Julian Çela. Persona ende të paidentifikuar kanë sulmuar me shishe benzine pikën e internetit në rrugën “Pandi Dardha”, duke bërë që një pjesë e ambienteve të saj të digjen, por jo plotësisht. Policia e Tiranës, e cila është njoftuar për ngjarjen, ka pohuar se krimi mund të jetë kryer në shenjë proteste nga banorë të lagjes ose për shkak të konkurrencës. Gjatë ditës së djeshme, në polici janë shoqëruar disa persona, ndërkohë që dyshimet e policisë flasin më shumë se akti kriminal i shkatërrimit të pronës është bërë për shkak të konkurrencës ose mosmarrëveshjes me dhënien e qerasë, duke hedhur poshtë versionin e parë, se ngjarja kishte lidhje me zhdukjen e Julian Çelës. Djali i pronares të qendrës së internetit deklaron se nuk janë në dijeni se kush dhe për çfarë qëllimesh mund të jetë bërë. Pas ngjarjes pronarët zhvendosën qendrën pak metra më poshtë. Pas hetimeve të para, policia bëri të ditur se tentativa për djegien e dyqanit nuk ka lidhje me zhdukjen e Julianit, por shkak i ngjarjes dyshohet të ketë qenë një konflikt që pronarja e qendrës së internetit kishte me qiradhënësin e parë. Sipas policisë, mosmarrëveshjet për pagesën e qirasë dyshohet të jenë shkaku i konfliktit mes tyre. 11-vjeçari Julian Çela rezulton i zhdukur prej 30 nëntorit 2011, ndërkohë që fati i tij mbetet ende mister, pavarësisht se Ardian Prrenjasi, i etiketuar si monstra i Laprakës, deklaroi pak ditë më parë në polici se e ka vrarë dhe e ka hedhur trupin e tij në mbeturinat e Sharrës.

 

Akti i ekspertimit: A. C. është dhunuar nga Prrenjasi

Pranga të moshuarit në zonën e “Don Boskos”

Kërkoi të abuzonte me një fëmijë 13-vjeçar

Një tjetër rast abuzimi seksual me të miturit është regjistruar gjatë ditës së djeshme, ku sërish epiqendra ka qenë zona e “Don Boskos” në Tiranë. Këtë herë, një 75-vjeçar është prangosur teksa ai dyshohet se ka abuzuar me një fëmijë të moshës 13 vjeç, pikërisht poshtë një pallati në zonën e “Don Boskos”. Rasti është shënuar rreth orës 19:00, ndërkohë që policia ka bërë me dije se pas kontrolleve të shumta ka arritur të lokalizojë brenda dy orëve abuzuesin e moshuar, i cili ishte fshehur në një banesë në zonën e Laprakës. Policia e Tiranës nuk bëri me dije emrin e personit të arrestuar, por sqaroi se rasti tashmë po hetohet me imtësi me qëllim mbledhjen e të gjitha provave materiale. Ndërkohë, fëmija 13-vjeçar gjatë mbrëmjes së djeshme është marrë në pyetje nga oficerët e policisë, në prani edhe të psikologes, ku ka treguar me detaje të gjithë skenën e prekjes nga ana e të moshuarit. Vetë 75-vjeçari ka mohuar akuzën e bërë, duke treguar se fëmija ka qenë i tronditur dhe se e ka prekur nga duart, me qëllim që ta qetësonte.

Akti i ekspertimit

Fëmija me inicialet A. C. është abuzuar seksualisht nga monstra i arrestuar në Laprakë. Ky konkluzion ka ardhur zyrtarisht nga Prokuroria e Tiranës, e cila duke iu referuar edhe aktit të ekspertimit mjekoligjor, ka konstatuar se 10-vjeçari i mbajtur peng prej rreth 20 orësh është abuzuar seksualisht gjatë natës nga monstra Ardian Prenjasi. Duke iu referuar gjithnjë burimeve pranë prokurorisë, fëmija është dhunuar seksualisht dhe psikologjikisht, ndërkohë që askush nga njerëzit e shtëpisë, por edhe familjarët e të dëmtuarit, që ndodheshin vetëm 5 metra larg banesës së Ardian Prrenjasit, nuk kanë dëgjuar asnjë gjë të dyshimtë. Gjithçka ka ndodhur në fshehtësi totale, ndërkohë që Prrenjasi ka qëndruar i qetë, edhe pse kishte abuzuar me fëmijën e komshiut të tij. Vetëm kur ka zbardhur dita e diel, ai ka filluar të thurë planin për vrasjen e fëmijës, duke i kërkuar se nëse nuk do të rrinte i qetë, atëherë ai do ta vartë në litarin, të cilin e kishte lidhur në një pjesë të dhomës, si dhe do t’ia priste gjuhën me thikë, nëse bërtiste. Ky presion psikologjik ka detyruar minorenin që të qëndronte i heshtur, deri në momentin e hyrjes në ambientet e shtëpisë së efektivave të policisë, të cilët bënë të mundur edhe lirimin e tij, ndërkohë që nga ana tjetër ka kryer arrestimin në flagrancë të Ardian Prrenjasit, poshtë lavamanit.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency