De Biazi luan për gjithçka

0
139

Altin Vorpsi 

de-biassiNdaj Norvegjisë, De Biazi do të firmoste për një barazim vetëm pas ndeshjesh. Komisari teknik i Shqipërisë tregoi dje se shpreson që ti rrëmbejë disa pikë të rëndëishme atyre që kur u hodh shorti i konsideroi një nga rivalët më të mëdhenj.

 

Ditët para njërës prej sfidave më kryesore të Shqipërisë në Eliminatoret e Brazil 2014 kanë qenë të bujshme pasi fanella e kombëtares tonë është pranuar dhe refuzuar nga disa të rinj që për ekspertët e FSHF konsiderohen si talente. Kjo ka qenë edhe një nga pikat më të rëndoëshme të konferencës për shtyp që mbajti dje Xhovani De Biazi.

 

Prurjet e reja

Gjithçka rrotullohet tek dy prurjet e reja në kombëtare, Migjen Basha dhe Valdet Rama, por edhe te refuzimi i Elvis Kabashit. Dy të parët janë tashmv nën urdhërat e De Biazit, por ende nuk mund të thuhet se mund të luajnë ndaj Norvegjisë, pasi kanë ende probleme me dokumentacionin.  Vetë trajneri kuqezi sqaroi në fillim të konferencës për shtyp se, sipas të gjitha gjasave, asnjëri prej tyre nuk do të mund të zbresë në fushën e blertë ndaj norvegjezëve: “Në listë kemi 25 futbollistë, sepse janë përfshirë edhe Migjen Basha me Valdet Ramën. Sigurisht, Rama nuk do të mund të luajë ndaj Norvegjisë për arsye dokumentacioni, ndërsa për Bashën shpresojmë që bekimi të vijë nga lart. Nëse vendimi i FIFA-s merret sot, ai mund të luajë menjëherë. Megjithatë, i kemi thirrur për t’i pasur të grumbulluar, sepse të dy këta lojtarë mund t’i aktivizojmë në miqësoren me Lituaninë,” pohoi De Biazi.

 

Diplomati i “mushkonjave”

Një tjetër pikë e “nxehtë” e konferncës për shtyp ishte edhe ajo kur komisari teknik i shqipërisë i ktheu përgjigje (diplomatike) homologut të vet tek Norvegjia që etiketoi lojtarët kuqezi si “si mushkonja të bezdisshme”.”Trajneri i Norvegjisë ka më shumë eksperiencë se unë, ndaj duke patur parasysh edhe moshën, thjesht po them se jam dakord me të. Me të vërtetë besoj dhe shpresoj që të jemi të bezdisshëm si mushkonjat, edhe pse jemi më të shkurtër se ata. Mushkonjat të japin bezdi, por ndonjëherë të prishin edhe gjumin. Unë shpresoj të ndodhë kështu për Norvegjinë dhe trajnerin e saj”, tha komisari teknik nga Italia.

 

Takime kyçe

Fushata kualifikuese ka mbërritur në një pikë delikate, ku fitorja mund të na shpjerë përpara, drejt përmbushjes së ëndrrës së madhe, ndërsa disfata hedh në erë gjithçka kemi ndërtuar deri më tani. Këtë gjë e di më mirë se askush tjetër vetë De Biazi, të cilit i duhet t’i bëjë mirë llogaritë. Dy përballjet radhazi me Norvegjinë do të përcaktojnë shumëcka për kombëtaren shqiptare në këto eliminatore. Për italianin, pavarësisht se kundërshtari është dukshëm i favorizuar në letër, dy ballafaqimet mbeten të hapura: “Kalendari e ka dashur që me Norvegjinë të ndeshemi dy herë radhazi. Na presin dy ndeshje kyçe të këtyre eliminatoreve, që do t’i zhvillojmë brenda dy muajve. Bëhet fjalë për dy ndeshje tepër të rëndësishme, kundër një kundërshtari të fortë me cilësi. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, ndryshe rrezikojmë shumë. Personalisht besoj dhe mendoj se në këtë përballje të dyfishtë me norvegjezët gjithcka është e hapur.” Pyetjes së gazetarëve nëse do të firmoste për barazimim, De Biazi i është përgjigjur shkurt dhe me njëfarë buzëqeshjeje: “Noshta pas takimit”.

 

“Kabashi dhe Brahimi janë për shpresat”

Në fund të konferencës u rihap çështja “Kabashi”. Talenti i Juventusit refuzoi përfundimisht dhe zyrtarisht fanellën kuqezi. Mbi këtë pikë De Biazi nuk u tregua i ashpër, duke e lidhur gjithçka me moshën e tyre të re: “Brahimi dhe Kabashi janë futbollistë të rinj, që akoma nuk kishin treguar cilësitë e nevojshme për të qenë pjesë e kombëtares A. Me përfaqësueset e moshave kanë bërë mirë dhe prisnim momentin e duhur për t’i grumbulluar, por nëse dikush kërkon t’i djegë etapat, atëherë do të mbetet vetë i djegur. Kabashin e kisha shumë në konsideratë, por ndoshta është këshilluar keq. Unë e kisha në konsideratë, por presioni “ose luaj në kombëtaren ose nuk vij”, është shenja e parë që tregon se nuk mund të shkosh gjëkundi”.

 

 

Lista e De Biazit

Dy ditë më parë komisari teknik i Shqipërisë, Xhani De Biazi, ka publikuar listën e lojtarëve për dy ndeshjet e radhës: ndaj Norvegjisë për kualifikimet e Botërorit 2014 dhe kundër Lituanisë, katër ditë më vonë (miqësore). Bie në sy fakti se italiani ka preferuar një listë të gjatë, me plot 25 lojtarë, por që me shumë gjasa do të ngushtohet deri në nisjen drejt Norvegjisë në 20 lojtarë. Gjithsesi, ajo çka të bën përshtypje është fakti se edhe këtë herë ka risi: Migjen Basha dhe Valdet Rama. Dy lojtarët kosovarë janë grumbulluar për herë të parë me kuqezinjtë, edhe pse zyrtarisht që të dy kanë ende probleme aktivizimi me kuqezinjtë. Mesfushori i Torinos ka pasaportë shqiptare, por duhet të presë OK-in e FIFA-s për të luajtur, duke qenë se në 2008-ën ka zhvilluar një ndeshje me U-21 të Zvicrës. Ndërkohë lojtari i Valadolidit pritet që ta marrë gjatë këtyre ditëve pasaportën shqiptare. Për sa i përket repartit difensiv, i vetmi ndryshim është rithirrja e mbrojtësit të Flamurtarit, Franc Veliu. Ky i fundit ishte lënë jashtë që nga vera e 2012-ës dhe vetëm tani De Biazi ka gjykuar se mund t’i nevojitet. Në fakt, në këtë mes ka luajtur rol edhe mungesa e Renato Arapit për arsye dëmtimi. Në mesfushë risi mund të konsiderohet, përveç Migjen Bashës, rikthimi i Jahmir Hykës. Ky i fundit ka luajtur si titullar në Zvicër gjatë kësaj kohe me Luzernin, ndaj edhe është rithirrur nga De Biazi. Mirëpo është lënë jashtë skuadre Gjergj Muzaka, i cili të paktën për dy muajt e fundit ka treguar se është lojtari më në formë në kampionatin shqiptar. Përveç Valdet Ramës, i cili këtë të shtunë luajti për herë të parë si titullar te Valadolidi në Spanjë, janë grumbulluar edhe Armando Sadiku, Erjon Bodgani, Edgar Çani dhe Hamdi Salihi. Ndonëse kilometra larg Shqipërisë, në Kinën e largët, sulmuesi shkodran i është përgjigjur pozitivisht ftesës së De Biazit. Mbetet jashtë ekipit sërish Xhevahir Sukaj, i cili, edhe pse ka shënuar 13 gola deri tani me Sepahanin (11 në kampionat dhe 2 në Champions- in aziatik) përsëri nuk është konsideruar nga ana e teknikut italian për këto dy ndeshje.

 

Vendimi

Tirana “shigjeton” Taganin dhe Tafajin

Humbja turpëruese 3-6 në fundjavë përballë Flamurtarit ka shkaktuar kaos te Tirana, ku bordi drejtuesi i klubit është mbledhur dhe ka larguar administratorin Salih Tagani dhe drejtorin teknik Alban Tafaj.

Sipas bordit drejtues të klubit që është në varësi të Bashkisë së kryeqytetit, përgjegjësia për të gjitha këto probleme që kanë kaluar bardheblutë, përfshirë edhe ato të vonesave të rrogave të lojtarëve, janë vetëm faji i dy të shkarkuarve. Një veprim i tillë në fakt duket disi i çuditshëm, duke pasur parasysh se pak kohë më parë, për një seri të njëjtë rezultatesh e dështimesh, nga drejtimi i skuadrës u largua trajneri Artur Lekbello. Këtë radhë, trajneri Nevil Dede nuk është prekur, si dhe nuk është marrë asnjë masë ndaj lojtarëve. Ndoshta bordi drejtues i është frikësuar faktit se masa ndaj futbollistëve apo trajnerit të ekipit do të përkeqësonin situatën me lojtarët që kanë disa muaj pa u paguar dhe kanë paralajmëruar se mund të bojkotojnë plotësisht ekipin kryeqytetas duke e lënë mes katër rrugëve.

Ndërkohë, për të kaluar këtë situatë krize, si administrator i klubit është zgjedhur ish-lojtari dhe trajneri i bardhebluve, Krenar Alimehmeti. Meqë ky i fundit njeh shumë mirë ambientin bardheblu dhe është një nga figurat më të respektuara nga tifozeria e Tiranës, bordi drejtues i ekipit mendon se ai do të jetë në gjendje të udhëheqë skuadrën për të dalë nga kriza që e ka mbërthyer në këtë sezon, ku mungon si mbështetja e sponsorëve të mirëfilltë, ashtu edhe ajo e bashkisë, e cila deri tani ka qëndruar shumë larg ekipit.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency