KQZ shtyn miratimin e rregullores për të premten, debate dhe akuza mes anëtarëve

0
141

Florenc Drizari

kqzAkuza për lirinë e fjalës, Biba: Na bëtë priftërinj, mos na rruani mjekrën. Kosovrasti: Aq mjekër sa ju jep kodi

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi në parim rregulloren “Për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së”, ndërkohë që votimi në tërësi pritet të bëhet paraditen e së premtes. Edhe pse anëtarët e komisionit pranuan me konsensus shqyrtimin e ndryshimeve për rregulloren, debate dhe akuza mes tyre u shkëmbyen për të drejtën e fjalës dhe ndërhyrjen e përfaqësuesve politik në punët e brendshme të këtij institucioni. Kërkesa e nënkryetarit socialist të komisionit Denar Biba, që përfaqësuesit ligjorë të qëndrojnë jashtë këtij debati, solli edhe reagimet anëtarëve të mazhorancës. “Unë nuk mundem dot t’ju mbyll gojën asnjërit prej juve këtu që ka të drejtë fjale. Të tërë do ta marrin fjalën sipas kodit, si ta duan dhe të thonë çfarë të duan. Vendimmarrja më pas është në tavolinë”, – u shpreh kryetarja e KQZ-së, Lleshi. Pas shkëmbimit të disa batutave mes kryetares Lleshi dhe nënkryetarit Biba për të drejtën e fjalës, situata u tensionua kur përfaqësuesi ligjor i PD-së, Niazi Kosovrasti, citoi Kodin Zgjedhor ku çdo anëtar ka të drejtën e fjalës.

BIBA – KOSOVRASTI

Duke iu drejtuar nënkryetarit Denar Biba, Niazi Kosovrasti tha se: “Diskutime të tilla që mund të jenë subjektiviste dhe jo në përputhje me ndonjë nen, se po qe se do i referoheni ndonjë neni që na përjashton neve partive politike për t’u marrë me ketë çështje apo me ndonjë çështje tjetër, unë do të isha dakord, por nuk ka asnjë kufizim për të drejtën e përfaqësuesve të partive politike. Nuk mundet që ta thoni që nuk kanë punë përfaqësuesit e partive politike me punën tuaj”.
Ndërkaq, në replikën e tij, nënkryetari Biba deklaroi: “Kur na bëtë priftërinj në këtë tavolinë, tashi mos na e rruani mjekrën; sepse na vutë në këtë pozicion”. Nga ana e tij, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genc Gjoncaj, duke ulur tonet e bisedës citoi se e drejta e fjalës nga anëtarët është e garantuar në Kodin Zgjedhor. “Ne kur kemi çështje për të ndërhyrë, do të ndërhyjmë. Por unë e kuptova shqetësimin që tryeza juaj të ketë më shumë hapësirë”, – tha ai.

LESHI – GJONÇAJ

Deklarata e zëdhënëses së KQZ-së, Drilona Hoxhaj, e bërë disa ditë më parë në lidhje me mungesën e sjelljes së listës me emrat e anëtarëve të KZAZ-ve, nga Partia Socialiste, riktheu debatet për përdorimin politik të KQZ-së. “Nuk mundet që zëdhënësi të flasë në emrin tuaj, ndërkohë që perceptimi është që zëdhënësi flet në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zëdhënësja e KQZ-së nuk ka folur në emër të komisionit. Ajo ka folur në emrin e tuaj (Lefterie Lleshit) dhe ju jeni përdorur politikisht dhe kjo është një gjë shumë e rëndë”, – tha përfaqësuesi ligjor i PS-së pranë KQZ-së, Genc Gjonçaj. Ndërsa kryetarja Lefterie Lleshi tha se edhe gjatë ditës së djeshme, opozita e ka sjellë me mangësi listën dhe formalisht ajo është e pavlefshme për KQZ-në. “Deklarata juaj është politike. Unë nuk jam përdorur politikisht. Kam bërë një deklaratë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe po deklaroj dhe sot që ajo listë që keni sjellë jo në afatin e duhur kohorë, edhe sot në KQZ e ka vlerën minus. Sepse lista shoqërohet me dokumentacionin shoqërues. Unë jam duke përgatitur një letër dërguar PS për ta kompletuar për ato që keni sjellë. Lista sipas kodit shoqërohet bashkëngjitur me dokumentacionin plotësues”, – deklaroi kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi.

 

 

BATUTA DHE DEBATE NË KQZ

Lefterie Lleshi: Unë nuk mundem dot t’ju mbyll gojën asnjërit prej juve këtu që ka të drejtë fjale. Të tërë do ta marrin fjalën sipas kodit, si ta duan dhe të thonë çfarë të duan. Vendimmarrja më pas është në tavolinë.
Denar Biba: Po është rregullorja jonë…
Lefterie Lleshi: Ore djalë, ore djalë e lexon kodin ti? Çfarë është kjo?!
Denar Biba: Po moj nuse e lexoj kodin unë.
Lefterie Lleshi: Ore ç’është kjo?! Po na bën të qeshim me…
Denar Biba: Po shyqyr që të çeli buza njëherë. Ti thuaj faleminderit. E para e punës që të bëra të qeshje.
Lefterie Lleshi: Epo e kemi shumë të rëndësishme sot rregulloren dhe s’duhet të qesh siç duket.
Denar Biba: Qesh, qesh, se çlirohesh.
Niazi Kosovrasti: Z. Biba! Diskutime të tilla që mund të jenë subjektiviste dhe jo në përputhje me ndonjë nen, se po qe se do i referoheni ndonjë neni që na përjashton neve partive politike për t’u marrë me ketë çështje apo me ndonjë çështje tjetër, unë do të isha dakord, por nuk ka asnjë kufizim për të drejtën e përfaqësuesve të partive politike. Nuk mundet që ta thoni që nuk kanë punë përfaqësuesit e partive politike me punën tuaj.
Denar Biba: Z. Kosovrasti! Ju jeni aty, ne jemi këtu sipas rregullave. Z. Muho ka thënë para ca kohësh një shprehje të bukur…
Niazi Kosovrasti: Z. Biba do ishit i nderuar po të më citonit kodin.
Denar Biba: Jam i nderuar edhe kur citoj kolegun.
Niazi Kosovrasti: Kodi, kodi e rregullon veprimtarinë tonë.
Denar Biba: Më fal, jam absolutisht i nderuar edhe kur citoj kolegun.
Niazi Kosovrasti: Pa diskutim, por kodi e rregullon veprimtarinë tonë.
Denar Biba: Kur na bëtë priftërinj në këtë tavolinë, tashi mos na e rruani mjekrën; sepse na vutë në këtë pozicion.
Niazi Kosovrasti: Priftërinj me aq mjekër sa ju jep kodi.
Denar Biba: Aq aq, mirë e ke.
Niazi Kosovrasti: Po s’mund ta zgjasësh mjekrën ti or zotëri. S’mund ta zgjasësh. Do ta mbash aq sa të thotë kodi.
Denar Biba: I nderuar, në lidhje me rregulloren…
Niazi Kosovrasti: Jo, jo, në lidhje me atë që thanë se na ndaloni ne.
Denar Biba: do t’ju kërkoja që të mos ishit kaq prezent në këtë pjesëmarrje. Do t’ju lutem me zemër në dorë.
Niazi Kosovrasti: Po s’mund të hiqni të drejtat tona ju. Z. Biba s’mund ta bëni dot kurrë një gjë të tillë. Hiqeni nga mendja. E keni bërë dhe herë të tjera.
Denar Biba: Do ta bëjë sa herë ta ndjej.
Niazi Kosovrasti: Shif ligjin dhe Kushtetutën dhe asgjë tjetër.
Denar Biba: Po s’ma tregon ti ligjin dhe kushtetutën mua.
Niazi Kosovrasti: Ta tregojë shumë mirë unë, edhe ligjin edhe kushtetutën.
Genc Gjoncaj: E drejta jonë është e garantuar me kod zgjedhor. Ne kur kemi çështje për të ndërhyrë, do të ndërhyjmë. Por unë e kuptova shqetësimin që tryeza juaj të ketë më shumë hapësirë.

 

Zgjedhjet, ODIHR vijon takimet me krerët e KQZ-së në Tiranë

Përfaqësues të ODIHR-it zhvilluan dje një takim me anëtarët e KQZ-së, lidhur me përgatitjet e procesit parazgjedhor. Ekipi vlerësues i ODIHR-it, zyrës së OSBE-së, i specializuar në vëzhgimin e proceseve zgjedhore, vijoi të mërkurën takimet në Tiranë me qëllim vlerësimin e situatës parazgjedhore dhe hartimin e një raporti mbi nevojën apo jo të dërgimit të ekipeve të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Delegacioni i ODIHR-it, që kryesohet nga Nicola Schmidt, nëndrejtore e departamentit të zgjedhjeve, nisi takimet me drejtuesit e KQZ-së, kryetaren Lefterie Lleshi dhe nënkryetarin Denar Biba, për të vijuar më pas me takimet me përfaqësuesit e partive politike dhe të shoqërisë civile. Gjithashtu ekipi zhvilloi të martën takime me kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Jashtëm, Edmond Panariti, të cilët shprehën angazhimin e qeverisë shqiptare për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm. Në përfundim të takimeve në Tiranë delegacioni i ODIHR-t pritet të publikojë një raport me rekomandimet për gjendjen në Shqipëri. Autoritetet shqiptarë kanë kërkuar praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë edhe në zgjedhjet e këtij viti, të cilat shihen si një test kyç për funksionimin e demokracisë shqiptare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency