Topalli: Të ardhurat e çdo familjeje do të shtohen me një rrogë në vit

0
134

Florenc Drizari

TOPALLI - FOTO

Mbërrin në Kuvend projektligji për heqjen e tatimit mbi të ardhurat për pagat nën 30 mijë lekë

Kryeministri Berisha: Ju garantoj që lista e reformave do të vazhdojë pandërprerë

 

Propozimi i kryeministrit Berisha i bërë disa ditë më parë në mbledhje qeverie, për heqjen e tatimit mbi të ardhurat për pagat nën 30 mijë lekë, ka hyrë në procedurat parlamentare dhe të hënën pritet të futet në kalendarin e punimeve. Pas shqyrtimit në komisionet përkatëse, drafti i qeverisë pritet të miratohet në seancë plenare brenda muajit mars.

JOZEFINA TOPALLI

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se nisma e kryeministrit për heqjen e tatimit për pagat nën 30 mijë lekë, do të futet në kalendarin e punimeve në fillim të javës. Sipas saj, propozimi i mazhorancës ul barrën fiskale për individët dhe nxit punësimin. “Dje, në Parlament erdhi ligji për heqjen e tatimit mbi të ardhurat për qytetarët që marrin rroga nën 300 dollarë. Kjo reformë e guximshme ka impakt direkt mbi qytetarët; ajo rrit të ardhurat e familjeve të tyre me 10 %; apo i jep mundësi gjithë kësaj kategorie të përfitojë një rrogë më shumë në vit. Investitorët i nxit për të punësuar më shumë e si e tillë rrit punësimin. Punësimi dhe rritja e të ardhurave për qytetarët është qëllimi më i rëndësishëm i yni”, shkruajti kryeparlamentarja Topalli në faqen e saj të internetit, Facebook.

KRYEMINISTRI

Pak ditë më parë kryeministri i vendit Sali Berisha deklaroi heqjen e taksimit për pagat nën 30 mijë lekë, si një ndër nismat më të fundit të qeverisjes së djathtë për lehtësimin e barrës fiskale ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Duke përmendur një sërë reformash që pritet të ndërmerren nga mazhoranca, kryeministri ka cituar se: Po kështu, heqja e tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë ata që kanë rroga nën 30 mijë lekë; heqja e çdo detyrimi për të riun e punësuar për tre vjet nga sipërmarrësi. Ju garantoj që lista e reformave do të vazhdojë pandërprerë. Shqipëria e katër viteve që vijnë do të jetë Shqipëria që, pavarësisht nga kriza e rëndë ekonomike që mesa duket do të përsistojë dhe mesa duket do të vazhdojë, me këto masa që marrim do të bëjmë gjithçka që të dyfishojmë rritjen ekonomike, të dyfishojmë krijimin e vendeve të punës.

VENDIMI I QEVERISË

Këshilli i Ministrave miratoi në datën 6 mars, propozimin e projektligjit “për disa ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit shoqërues që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ndërkaq, drafti i qeverisë pritet të shoqërohet me debate të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

 

 

Administrata gjyqësore, opozita braktis mbledhjen tek ligjet

Komisioni i Ligjeve shqyrtonte një ditë më parë projektligjin për administratën gjyqësore në Shqipëri, ndërsa opozita braktisi mbledhjen. Përfaqësuesit e Partisë Socialiste në komision u larguan pas miratimit nga mazhoranca të propozimit të deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, për emërimin e kancelarit me konkurs. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi që nëpunësit e gjykatave të shkarkohen nga kancelari. Në mbledhjen e kaluar pati debate mes mazhorancës dhe opozitës për kalimin e ligjit me shumicë të thjeshtë në Kuvend. Propozimi u miratua vetëm nga PD. Edhe në mbledhjen e sotme pr/ligji u votua vetëm nga mazhoranca.

 

Ambasadori rumun: Mbështesim integrimin e Shqipërisë

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti priti dje në një takim me Ambasadorin e Rumanisë në vendin tonë, Viorel Stanila. Gjatë bashkëbisedimit ministri Panariti vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, si të bazuara në një traditë të vjetër miqësie dhe bashkëpunimi, si dhe shprehu vullnetin për të punuar për intensifikimin e mëtejshëm të tyre. Në takim u diskutua mbi axhendën dypalëshe të të dy vendeve dhe u ra dakord për përshpejtimin e punës nëpërmjet grupeve të ekspertëve të fushave të ndryshme si dhe për zhvillimin e një vizite zyrtare të Ministrit Panariti në Rumani, në një kohë të përshtatshme për të dyja palët. Ndërsa ambasadori Stanila i përcolli Panaritit urimet e homologut rumun, dhe u shpreh se mbështetja e integrimit evropian të Shqipërisë është një qëndrim tashmë i qartë i Rumanisë.

 

PD, Bogdani: Kandidatët e Ramës të lidhur me pastrimin e parave. Leskaj: gënjeshtra

Partia Demokratike dje kreun e partisë Socialiste Edi Rama se po prezanton kandidatë për deputet të lidhur me biznesin e pisët dhe krimin, ndërkohë që në deklaratën e tyre përfaqësuesit e selisë rozë i kanë cilësuar shpifje akuzat ndaj tyre dhe se për këtë do të nisin një proces gjyqësor. Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së Gerti Bogdani, tha se prej një muaji Rama prezanton para shqiptarëve “fytyrën” që dëshiron ai të ketë grupi parlamentar socialist, teksa shtoi se kjo praktikë është përdorur prej tij edhe para pak vitesh.
Ka mbi një muaj që zoti Rama kandidon në media kandidatët që e kanë kapur. E kanë kapur me para, e kanë kapur me afera, e kanë kapur me dosje penale, e kanë kapur me shërbime politike. Nuk duhet shumë të gërmosh për të ilustruar me fakte këtë. Këtë periudhë Kuvendi ka qenë në periudhë shqyrtimi për deputetin Fidel Ylli, dhe shumë shpejt kanë dalë në dritë, skema që Fideli i partisë ka përdorur për të anashkaluar ligjin për të kamufluar bizneset dhe pse jo për të pastruar para. Pra se zoti Rama dhe zoti Fidel para se të kërkojnë votën e shqiptarëve do ishte mirë të sqaronin këto pika: Çfarë domethënie ligjore kanë kontratat e shumta me të cilat Fidel Ylli ka dhuruar aksione në kompanitë e përbashkëta me deputeten Valentina Leskaj dhe ka marrë dhurata dhe apartamente pafund nga deputetja përveçse për të mos paguar taksa në shtetin shqiptar. çfarë domethënie ligjore ka mosdeklarimi i kompanisë ‘Trust Investment Group’, në deklaratën vjetore të vitit 2009, përveçse fshehje pasurie.
Nga ana e saj deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj reagoi duke i quajtur shpifje akuzat e bëra dhe se për këtë ajo do ti drejtohet gjykatës. “Dëgjova z.Bogdani të lexonte një deklaratë fund e krye të gënjeshtërt në lidhje me emrin tim, ku thuhet se z.Ylli paska marrë dhurata dhe apartamente pa fund nga Valentina Leskaj për të mos paguar taksa në shtetin shqiptar. Në respekt të opinionit publik, dua të sqaroj se i vetmi apartament që unë kam në pronësi, është një apartament modest 119 metra katror ku jetoj me bashkëshortin tim. Si mund të kem falur një gjë që nuk e kam?”-, deklaroi Valentina Leskaj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency