Vendimi i ri, lejet e ndërtimit merren për 45 ditë

0
140

Ina Jano

berishaBerisha: Ndryshimet i japin pushtetit vendor autoritetin dhe kompetencën për zhvillimin e territorit në përputhje me planin rregullues, për çështje që nuk kanë të bëjnë me pronat dhe që i trajton qytetarët e komunave dhe bashkive të vendit si qytetarë të barabartë para ligji

 

Me vendimin më të fundit të Këshillit të Ministrave, leja e ndërtimit që merrej për 399 ditë, tashmë do të jetë në dorë të qytetarëve vetëm për 45 ditë. Kjo është një nga efektet pozitive që rrjedhin nga vendimi i djeshëm i marrë nga kabineti qeveritar “Për miratimin e rregullores uniforme të kontrollit të zhvillimit të territorit”, që është vazhdimësi e vendimit të javës së kaluar për urbanizimin. Duke u ndalur në këtë vendim të rëndësishëm, Kryeministri Berisha theksoi se këto ndryshime ligjore përcaktojnë ndryshime epokale në qëndrimin ndaj urbanistikës. “Kështu që, hapim një epokë të re, një qëndrim të ri ndaj zhvillimeve urbanistike në qytete. Theksoj edhe një herë të dashur qytetarë dhe qytetare, se është e një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse nga 399 ditë që rëndonin mbi supet tuaja për të marrë një leje ndërtimi dhe ai ishte modeli i tretë më i korruptuar i planetit, sepse nuk të grabit tjetri vetëm me pare, se edhe paratë t’i merren, por edhe me kohë, dhe ai që ta grabit kohën në mënyrë të pamerituar, ndëshkon. Pra, nga 399 ditë, ne kalojmë tani në një standard të shkëlqyer 45 ditë, me sanksionimin e parimit heshtja është miratim”, – u shpreh kreu i ekzekutivit. Ky i fundit pohoi se Shqipëria renditej e treta në botë për dhënien e lejeve të ndërtimit dhe kjo vetëm për shkak të Tiranës dhe të ish-kryetarit të bashkisë Edi Rama. Sipas Kryeministrit, këto ndryshime i japin pushtetit vendor autoritetin dhe kompetencën për zhvillimin e territorit në përputhje me planin rregullues, për çështje që nuk kanë të bëjnë me pronat dhe që i trajton qytetarët e komunave dhe bashkive të vendit si qytetarë të barabartë para ligjit. Duke folur për të gjitha ndryshimet që shkakton ky vendim, shefi i mazhorancës tha se kushtetuta e administrimit të territorit të vendit, e rregullimit të territorit mund të thuhet se për herë të parë në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, bëhet një kushtetutë vërtet demokratike. Sipas numrit një të qeverisë, kjo është një kushtetutë, e cila i jep autoritetin dhe kompetencën për zhvillimin e territorit në përputhje me planin rregullues, qytetarit të parë, të qytetarëve të qytetit apo komunës dhe këshillit teknik të saj, për çështje që nuk kanë të bëjnë me pronat. “Kushtetutë, e cila i trajton qytetarët e komunave dhe bashkive të vendit si qytetarë të barabartë para ligjit. E domosdoshme është që në përputhje me këto dy përcaktime madhore të ndryshojë edhe rregullorja e planifikimit dhe instrumenteve të planifikimit. Pra, është e vërtetë që ndryshimet ligjore kërkojnë dhe mund të hyjnë në fuqi, vetëm pasi rregulloja e instrumenteve të planifikimit të ketë pësuar ndryshimet e veta në përputhje me ligjin. Ndaj, dhe ne po e miratojmë sot dhe jemi në kohë, ndërkohë kemi dërguar ligjin me procedurë të përshpejtuar në parlament”, – u shpreh shefi i ekzekutivit.

Urbanistika

Një javë më parë, në mbledhjen e kabinetit të ministrave, zoti Berisha, duke vlerësuar në maksimum efiçencën e këtij ligji, tha se do të shpërblehen në mënyrë të barabartë, absolute, të gjithë pronarët që përfshihen në parcelën e ndërtimit, pavarësisht se ajo do të jetë truall, lulishte, parkim, garazh apo diçka tjetër. “Vendosja e këtij parimi përbën një nga arritjet më të mëdha. Ky parim zhduk të gjitha format e neveritshme të presionit e të korruptimit, të cilat në jo pak raste shtriheshin edhe brenda familjes. Zyrtarë ndër më të lartit kërcënonin me “kokë” familjarët e tyre. Kjo është absolutisht e vërtetë. Tani kanë krijuar parti e thonë do të zgjidhim pronën. Pra, merr fund kjo histori e turpshme, e neveritshme, kur ndërtuesi, zhvilluesi gjente një kapo dhe ai me thundër u shtypte të drejtat gjithë të tjerëve. Ky ligj i jep fund kësaj praktike dhe secili pronar do të marrë shumën për metra katrorë që ka në atë territor, që i përket nga ndërtimi që bëhet në territorin e tij. Kjo është arritje e madhe”, – përfundoi Kryeministri, shtatë ditë më parë.

 

TAP, ratifikohet marrëveshja trepalëshe mes Shqipërisë, Greqisë e Italisë

Dje u miratua projektligji për ratifikimin e marrëveshje trepalëshe ndërmjet Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë për gazsjellësin Trans-Adriatik. Projektligji u prezantua në mbledhjen e qeverisë nga Kryeministri, për të cilën ai u shpreh se zbatimi i këtij projekti përbën për Shqipërinë zbatimin më madhor në historinë e saj dhe me ndikim më të fuqishëm në zhvillimin ekonomik të vendit. “Ky projekt përbën për qytetarët shqiptarë, për çdo familje shqiptare, një ulje të qartë të kostos së jetesës apo të shpenzimeve që ato bëjnë sot për ngrohje dhe gatim. Përbën një mundësi tjetër të re të madhe për Shqipërinë superfuqi energjetike në rajon. Një burim tjetër të fuqishëm energjie për Shqipërinë, vend me zhvillim të shpejtë dhe me rritje të madhe të kërkesave për energji. Projekti TAP përbën gjithashtu në vetvete një nivel të ri marrëdhëniesh ekonomike, por jo vetëm ekonomike dhe më shumë”, – theksoi Berisha. Shefi i qeverisë theksoi se TAP është një projekt transformues dhe ky projekt, që është në krye të listës për vendimin historik do të merret në muajt që vijnë. Gjithashtu, Kryeministri garantoi të gjithë aktorët e mëdhenj të këtij projekti të madh, që Shqipëria sikundër deri më sot, do të përmbushë me përpikmëri të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje dhe zbatimi i këtij projekti, transformues për vendin tonë.

 

Ish-kongresmeni i Ohajos: Është koha që Shqipëria të marë statusin e vendit kandidat

Gazeta prestigjoze “The Hill” në numrin e saj të djeshëm ka botuar një shkrim për vendin tonë dhe qeverinë aktuale duke theksuar se Shqipëria duhet që të marrë statusin e vendit kandidat nga Evropa. Shkrimi mban autorësinë e ish-kongresmenit të Ohajos, Bob McEwen, i cili është një nga 6 anëtarët e Kongresit të këtij shteti. Më poshtë po paraqesim shkrimin e plotë në “The Hill”. “Duke udhëtuar në rrugët e këtij kryeqyteti evropian, është e pamundur të mos goditesh nga transformimi i pabesueshëm i Shqipërisë, nga një komb psikologjikisht i izoluar dhe stalinist vetëm disa dekada më pare, tek një vend i lulëzuar, aleat demokratik i NATO-s që ajo është sot. Trotuaret janë të veshur me bare dhe kafene, dyqanet janë plot me mallra perëndimore, hotelet janë të mbushura me biznesmenë dhe turistë – të gjitha shenja të përkushtimit të Shqipërisë drejt një ekonomie të tregut të lirë dhe shfaqjës së saj si një destinacion i nxehtë turistik. Gazetat janë të mbushura me debat të fortë politik – janë një vulë e lirisë që tregon se sa janë rritur rrënjët e një demokracie të thellë. Por siç thonë kritiket, mosmarrëveshjet janë gjithashtu një shenjë e polarizimit të thellë politik që në kohë kanë penguar progresin: Parlamenti Evropian, për shembull, i mohoi së fundmi Shqipërise statusin e vendit kandidat në BE  sepse nuk ka miratuar disa reforma të rëndësishme që janë mbërthyer në parlamentin e bllokuar. Kjo nuk është unike për Shqipërinë – vetëm shikoni fiaskot në Uashington mbi shkëmbimet fiskale, kontrollin e armëve, emërimet e kabinetit dhe sekuestrimit. Por biseda në lidhje me politikën e brendshme të Shqipërisë shpesh overshadoës një rekord të mahnitshëm që tregon fuqinë e angazhimit evropian së bashku me udhëheqjen largpamëse. Kjo sjell siguri për Evropën dhe siguri për Shtetet e Bashkuara, dhe kjo është arsyeja pse Kongresi duhet të shtyjë fuqishëm aleatët tanë evropianë për ta vënë Shqipërinë në rrugën e sigurtë drejt anëtarësimit në BE. Një pjesë e madhe e meritës për përparimet e Shqipërisë i shkon Kryeministrit Sali Berisha, i cili mbikqyri anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009 dhe ka udhëhequr reforma politike, ekonomike dhe sociale. Shtatë vitet e tij në detyrë jane shënuar nga ulja e taksave, privatizimeve, tregëti e liberalizuar dhe ligjeve të punës, si dhe liri më të madhe dhe drejtësi sociale – duke përfshirë edhe kalimin në vitin 2010 të një ligji historik anti-diskriminues që mbron të drejtat e LBGT. Shqipëria e njeh problemin e saj me korrupsionin dhe po e lufton atë. Duke filluar në vitin 2005, Shqipëria miratoi legjislacionin që përfshinte ndryshime model në konfliktin e interesit dhe prokurimin publik, transparenca në financimin e fushatës elektorale dhe heqjen e imunitetit për prokurorët. Sistemet e auditimit të brendshëm u reformuan dhe një taksë e sheshtë 10 për qind u prezantua. Ndërkohë që bota lufton me traumat ekonomike, ekonomia e Shqipërisë dhe sundimi i ligjit janë forcuar me vendimet e qeverisë për të hequr dy të tretat e të gjitha lejeve dhe licencave dhe të sigurojë “one-stop-shop” për regjistrimin e biznesit. Kjo ka reduktuar koston dhe kohën për regjistrimin e bizneseve të reja (dhe mundësite për ryshfet) nga rreth 5.175 $ dhe 42 ditë në 2004 në $ 1,40 dhe 30 minuta në vitin 2010. Çdo komb mund të marrë një shembull nga ky sulm mbi burokracinë dhe korrupsionin që është një nga reformat që mbajnë firmën e Berishës. Shqipëria po korr shpërblimet. Vendi ka ngjitur 55 vende ne klasifikimin e Bankës Botërore mbi lehtësirat për të bërë biznes dhe në 2011 u emërua vendi i dytë më i mire për reformat. Në vitin 2010, Kombet e Bashkuara i dhanë Shqipërisë çmimin e Shërbimit Publik për “përmirësimin e transparencës, përgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë në shërbimin publik”. Investimet e huaja direkte (FDI) jane rritur 315 për qind midis 2005 dhe 2010, ndërsa investimet e huaja direkte (FDI) kanë arritur në 1 miliard dollarë. Gjatë të njëjtës periudhë, Shqipëria u ngjit nga vendi 68 në vendin e 18-të nga 141 vendet e anketuara nga OKB-ja për performancën e FDI, dhe nga vendi 83 në vendin e 12 vend në renditjen vjetore botërore mbi lirinë ekonomike, një arritje kyç mbi anti-korrupsionin. Kujtohuni se është një vend me 70 për qind mysliman dhe se aktualisht ka 200 ushtarë të NATO-mbështetëse të saj në terren në Afganistan. Kjo mbështetje nuk është vetëm duke kontrolluar një kuti. Ka pak vende në botë ku njerëzit aq ngrohtësisht përqafojnë idealet demokratike dhe janë aq tërësisht të orientuar drejt Evropës. Ky angazhim për demokracinë dhe pluralizmin, për të eliminuar korrupsionin, drejt sigurisë evropiane, drejt një ekonomie të tregut të lirë, për marrëdhënie paqësore me fqinjët e saj, meriton të shpërblehet me anëtarësimin në Bashkimin Europian – dhe sa me shpejt. Shqiptarët kanë udhëtuar  nga diktatura në liri me guxim dhe shije. Është koha për Brukselin për ta njohur zyrtarisht e për të pranuar se duke i dhënë statusin e kandidatit zyrtar Shqipërisë me një afat kohor për anëtarësim dhe me mbështetjen financiare për ti ndihmuar për të arritur atje. Ata e meritojne ketë.”

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency