Ligji për Albcontrol, qeveria pa përgjigje për bllokimin e llogarive nga Becchetti

0
25

Projektligji i qeverisë që parashikon prishjen e kompanisë së shërbimit të fluturimeve ajrore “Albcontrol” dhe kalimin e saj në një entitet të ri juridik, u prit me debate të hënën në komisionin parlamentar të Ligjeve.

Deputetë të opozitës kërkuan nga përfaqësuesit e qeverisë sqarime për dhjetëra milionë euro të kompanisë që mbeten të bllokuara për shkak të humbjes së gjyqit të arbitrazhit nga shteti shqiptar ndaj biznesmenit Francesco Becchetti.

Deputetja e PD-së Dhurata Çupi e cilësoi projektligjin abuziv dhe ngriti pikëpyetje për arsyet e ndryshimit të statusit juridik.

“Është një projektligj që kërkon të fshehë të vërtetën, atë të vërtetë që lidhet me transferimin e 60 milionë eurove nga buxheti i shtetit pasi ishte bllokuar veprimtaria e Albcontrol-it dhe çdo qindarkë që kalon tek kjo kompani i kalon Becchetti-it”- tha ajo.

Çupi kërkoi përgjigje për shumën totale të parave të bllokuara në llogarinë e kompanisë dhe mënyrën se si do të shlyhet kredia prej 5 miliardë lekësh ndaj shtetit shqiptar, e cila nuk përmendet në draftin e qeverisë.

Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, tha se projektligji kishte të bënte me politik-bërjen e ministrisë për të rregulluar një nga entet që ka në varësi dhe se nuk i takonte asaj të jepte përgjigje për çështje të tjera.

Muçaj anashkaloi pyetjen e drejtpërdrejtë për shumën totale të parave të bllokuara në llogaritë e Albcontrol-it jashtë vendit dhe për mënyrën e shlyerjes së kredisë, por dha garanci gojore se të gjitha do të transferoheshin nga njëri ent në tjetrin.

“Unë nuk jam audituese”- tha ajo duke shtuar se “do të jenë auditituesit që do të përcaktojnë gjendjen e aseteve, aktive dhe pasive, në momentin e transferimit”.

Sipas zyrtares së qeverisë qëllimi ishte për të rritur efikasitetin e entit në përputhje me kodin ajror dhe siç u shpreh ajo, “mbrojtjen e këtij institucioni nga çfarëdolloj sulmi spekulativ, apo tjetër, që mund të ndodhë brenda ose jashtë Shqipërisë…”.

Sipas draftit të ardhurat e agjencisë zëvendësuese të Albcontrol do të duhet të “përdoren ekskluzivisht për mbulimin e kostove”, një truk juridik që, sipas relacionit, nënkupton se këto fonde do të jenë imune përkundrejt kërkesave për bllokim.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do ta paguajë gjobën prej 108 milionë euro të vendosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ndaj Becchetit, por ndryshe nga sa pretendon Rama, pagesat po bëhen përmes llogarive të kompanisë publike, Albcontrol pranë organizatës Eurocontrol, duke e vënë këtë kompani në rrezik falimenti.

Totali i këtyre shumave të bllokuara deri në dhjetor 2022 ishte 6.75 miliardë lekë [mbi 60 milionë euro me kursin e kohës). Shuma e bllokuar besohet se është shtuar me të ardhurat e vitit 2023 dhe të muajve të parë të vitit 2024.

Projektligji u miratua vetëm me votat e anëtarëve socialistë të komisionit./BIRN

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here