Vrasja e mikut të Pepës, dyshohet për ekzekutimin e shqiptarit në Itali

0
218

Elton QYNO

Nikolin PrengaHetimi përqendrohet në pistën e hakmarrjes, pyeten rreth 30 persona për vrasjen e 38-vjeçarit

Policia: Atentati ndaj Nikolin Prengës, 200 metra larg shtëpisë së tij, autorët ikën me motor

 

Një vrasje e kryer disa vite më parë mund të jetë bërë shkak për ekzekutimin me shotgan pas shpine të Nikolin Prengës. 38-vjeçari, sipas policisë së Durrësit, dyshohet se ka bërë vrasjen e një shtetasi shqiptar në Itali dhe më pas është dënuar me disa vite burg nga drejtësia e këtij shteti. Mirëpo, siç duket, të afërmit e viktimës kanë qenë ata që nuk kanë pranuar të falin gjakun, dhe për pasojë kanë organizuar hakmarrjen ndaj 38-vjeçarit, të cilin e kanë qëlluar pas shpine me disa plumba, teksa ishte duke udhëtuar me makinën e tij drejt shtëpisë. Për vrasjen e 38-vjeçarit policia e Durrësit ka marrë në pyetje rreth 30 persona për të hedhur dritë mbi identitetin e vrasësve të Nikolin Prengës apo, siç njihej ndryshe, me emrin Nik Ndoj. Policia po heton të kaluarën kriminale të viktimës, i cili ka qenë i dënuar në Itali për vrasjen e një shqiptari. Sipas ekspertizës mjekoligjore, ai është vrarë me armë “Shotgun”. Viktima është i njohur për policinë, pasi në vitin 2003 ai është prangosur si bashkëpunëtori kryesor i Agim Pepës në vrasjen e kryekomisarit Gani Malushi. Nik Ndoj mendohet se ndihmoi Agim Pepën për t’u larguar nga vendngjarja, menjëherë pasi ai qëlloi me armë drejt fuoristradës së policisë, ku mbetën të vdekur komisari Gani Malushi dhe shoferi i tij. Ndonëse Ndoj u arrestua disa ditë pas ngjarjes, në gusht të vitit 2003, duke u dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës, ai fitoi pafajësinë nga Gjykata e Apelit.

Prita, 200 metra shtëpisë

Sipas policisë së Durrësit, Nikolin Prenga është qëlluar teksa lëvizte në automjetin e tij të tipit “BMW” ngjyrë jeshile me targa angleze X 23 4 X PJ. Dyshohet se personat që e ekzekutuar i kishin zënë pritë rreth 200 metra larg shtëpisë, në kohën kur po kthehej në banesë. Autorët e krimit, duke përfituar nga errësira dhe lëvizjet e pakta në një zonë pranë varrezave të reja të Durrësit, janë larguar në drejtim të paditur. Dyshohet se për t’u larguar me shpejtësi nga vendngjarja autorët e krimit kanë përdorur një mjet motorik. Nuk dihet ende me saktësi nëse personat kanë përdorur një motor apo makinë, por sipas dëshmitarëve, pas të shtënave kanë dëgjuar një zhurmë motori që është larguar me shpejtësi nga rrugica. Policia e Durrësit ka ngritur një grup hetimor i cili ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme për këtë vrasje janë marrë në pyetje edhe familjarë të viktimës. Ata kanë treguar në polici të gjitha konfliktet e 38-vjeçarit, duke pohuar se vrasja e tij është bërë për motive hasmërie dhe se nuk ka aspak lidhje me konfliktet e Agim Pepës, person ky që tashmë ndodhet në burg për vrasjen e kryekomisarit Gani Malushi. Disa nga familjarët janë shprehur, pas daljes nga ambientet e policisë, se nëse autorët nuk kapen, atëherë ata do të vënë drejtësi në mënyrë private, duke kryer hakmarrje. Dyshimet e para të policisë, por edhe të tyre, bien mbi njerëzit e afërm të personit që Prenga ka ekzekutuar me armë zjarri në shtetin italian. Disa prej këtyre njerëzve janë shoqëruar në polici, por sipas burimeve të uniformave blu, ata s’kanë pranuar autorësinë e krimit. Gjithashtu, janë kryer edhe veprime hetimore ndaj tyre, por në fakt s’është arritur të gjenden prova për implikimin e tyre direkt në vrasje.

E kaluara e Prengës

38-vjeçari ka pasur një të kaluar të errët, ku emri i tij është përfshirë në disa raste në ngjarje të rënda kriminale. Krimi ku u bë i njohur emri i Nikolin Prengës, lidhet me ngjarjen e vrasjes së komisarit Gani Malushi, për të cilin ai është dënuar për akuzën e “Kryerjes së veprimeve që pengojnë të zbardhjen e të vërtetës”. Pas dënimit me disa ditë burg nga gjykata, Prenga s’ka qenë dakord me vendimin, duke bërë apelimin e tij dhe për pasojë Gjykata e Apelit e ka nxjerrë të pafajshëm. Për këtë arsye, ai kërkoi edhe dëmshpërblim për dënim të padrejtë. Kërkesa e tij është pranuar dhe gjykata ka urdhëruar Ministrinë e Financave në vitin 2005 për dëmshpërblimin e tij për burgim të padrejtë për 464 ditë burg.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency