BE, 783 milionë euro, si aplikohet për të përfituar kredi të buta për bizneset dhe individët

0
158

Ervin Kaduku

krediMe një total prej 783 milionë eurosh për vitet 2011 dhe 2012, asistenca financiare e huaj dhënë Shqipërisë përbën një burim të konsiderueshëm të ardhurash

 

Shumë subjekte dhe individë shqiptarë hasin vështirësi të panumërta për të gjetur kredinë që duan në banka të nivelit të dytë, madje ka edhe nga ata që u drejtohen fajdexhinjve, duke marrë hua private, tepër të dënueshme dhe me interesa jashtëzakonisht të larta. Por, shumica e tyre nuk e di fare se në vendin tonë kanë vërshuar ndër vite edhe fonde të konsiderueshme financiare nga Bashkimi Evropian, që ndihmon Shqipërinë si një vend që është në rrugën e aderimit. Dhe kjo nuk është vetëm ndihmë për qeverinë. Po si mund të aplikohet për të përfituar nga fonde të tilla?

 

Ndihmat

Me një total prej 783 milionë eurosh për vitet 2011 dhe 2012, asistenca financiare e huaj dhënë Shqipërisë përbën një burim të konsiderueshëm të ardhurash për ekonominë shqiptare. Kjo ndihmë përbëhet nga kredi të buta të kontraktuara nga qeveria shqiptare dhe të shpenzuara kryesisht në vepra infrastrukture; në kontrata shërbimesh kryesisht në këshillime; dhe në grante të akorduara direkt nga donatorët, kryesisht për organizata jofitimprurëse vendore. Angazhimet e donatorëve për 2013 arrijnë në euro 401 milionë dhe do të jepen nga Banka Botërore (60%), BE (21%), Gjermania (13%) etj. Për momentin, asistenca financiare e BE-së është e vetmja që parashikohet në rritje, dhe është kryesisht në formë kontratash ose grantesh direkt me përfituesin (e jo nëpërmjet kredive të buta). Për këtë arsye, ne do të mundohemi të orientojmë lexuesin në këtë kanal ndihme komplekse në dukje, por shumë të dobishme për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.

 

IPA: BE shpenzon për Shqipërinë 95 milionë euro/vit

Vektori kryesor i lëvrimit të ndihmës financiare të BE-së drejt Shqipërisë është Instrumenti i Para-Aderimit (në anglisht IPA). Ky instrument përbëhet nga një bashkësi ligjesh dhe procedurash të BE-së që rregullojnë shpenzimin e një buxheti të caktuar të vënë në dispozicion nga BE, nëpërmjet një marrëveshjeje mes Komisionit Evropian dhe qeverisë shqiptare. Përveç IPA, ka dhe programe të tjera të financuara nga BE, ku organizatat nga Shqipëria mund të përfitojnë si p.sh. Programet Evropiane, por IPA është ndjeshëm më i madhi dhe më i përshtaturi për profilin e Shqipërisë. Totali i ndihmës financiare të BE-së për Shqipërinë në kuadrin e IPA-s për 2012 është 94,6 milionë EUR, dhe për 2013 është 98.1 EUR milionë. Shqipëria si vend që nuk e ka marrë akoma statutin e kandidatit, mund t’i përfitojë këto fonde IPA vetëm nga dy përbërësit e parë të saj.

Rreth 87 milionë EUR (IPA Komponenti I) shpërndahen nëpërmjet një procesi prokurimi që administrohet tërësisht nga Delegacioni i BE-së në Tiranë: që nga përgatitja e Termave të Referencës (ToRs), tenderimi, seleksionimi i fituesit, kontraktimi, pagesat, raportimi dhe mbyllja e projektit. Këto fonde aktualisht janë kanalizuar në sektorët e transportit, në drejtësi dhe rend, mjedis dhe zhvillim social (ku kryesisht përfshihen edukimi profesional dhe grupet vulnerabël). Mënyrat kryesore të kontraktimit janë me kontrata shërbimesh, punësh (services & works) dhe grantesh.

Komponenti II, ose Bashkëpunimi Ndërkufitar (CBC), ka një buxhet prej rreth 10 milionë EUR në vit dhe parashikon pjesëmarrjen e autoriteteve vendore – qendrore dhe lokale – në strukturat vendimmarrëse të alokimit të këtij fondi. Për programet CBC bilaterale, janë strukturat qeveritare dhe rajonale kufitare të dy vendeve pjesëmarrës që përgatisin ToRs, tenderojnë dhe seleksionojnë fituesit. Delegacioni i BE-së ndërhyn nga faza e kontraktimit e tutje, por ushtron kontroll nëpërmjet aprovimit ex-post të vendimeve të fazave të mëparshme. Për CBC multilateral (marrin pjesë përfitues nga më tepër se dy vende kufitare), nga 2013 e tutje, Delegacioni nuk ndërhyn aspak dhe i gjithë procesi administrohet nga struktura të programit të quajtura Komitete Menaxhimi ku çdo vend pjesëmarrës në program ka përfaqësuesit e vet.

 

Aplikimet

Subjektet shqiptare të interesuara mund të aplikojnë për fonde të IPA vetëm pasi Lajmërimi për Prokurim përkatës (Procurement Notice) ose Thirrja për Aplikime për Grante (Call for Applications) të publikohet nga Komisioni Europian. Lista e projekteve që do të financohet në vitin pasardhës si dhe një shpjegim më i detajuar i çdo projekti (por jo TORs, dhe as Udhëzimet për Aplikantët në rastin e granteve) publikohen në Vendimin Zbatues (VZ) të Programit Vjetor të vitit në fjalë (Implementing Decision) të paktën disa muaj përpara lançimit të tenderëve përkatës. Në VZ e çdo viti jepet një informacion i detajuar për projektet që janë buxhetuar për t’u financuar dhe që do të lançohen së shpejti. Ky informacion u jep kohë aktorëve ekonomikë të interesuar për t’u përgatitur, për të identifikuar partnerët potencialë dhe për të filluar mbledhjen e informacionit përkatës në funksion të tipit të kontraktimit – kontrata shërbimesh dhe pune apo grante. P.sh., në VZ e vitit 2012 të Komponentit të Parë të IPA, BE do të financojë 16 projekte, për një total prej EUR 81,640,000 (deri tani është hapur tenderimi vetëm për një projekt). Ndërkohë subjektet e interesuar mund të konsultojnë Fishat Individuale të secilit projekt, fisha që shoqërojnë VZ në fjalë. Në bazë të çdo fishe, Delegacioni i BE-së në Tiranë do të ndërtojë Dosjen e Prokurimit dhe do ta publikojë të paktën në faqen ëeb të tij dhe detyrimisht në faqen web të EuropAid. Zakonisht “tenderi” rri i hapur për jo më pak se tre muaj. Vendimi Zbatues IPA I për vitin buxhetor 2013 pritet të nënshkruhet dhe hyjë në fuqi brenda 6-mujorit të parë të 2013.

Drejtoria e Zgjerimit në BE ndjek të njëjtën dinamikë dhe politikë transparence dhe për komponentin e bashkëpunimit ndërkufitar. P.sh. për buxhetin CBC të vitit 2012 (që është EUR 10,283,169 dhe që akoma nuk ka filluar tenderimin) aktorët e interesuar mund të konsultojnë online VZ të Komisionit Evropian për CBC me Malin e Zi, Kosovën dhe Shqipërinë (deri më datë 6 Mars 2013, VZ 2012 për CBC Shqipëri–Maqedoni nuk ishte publikuar). Aty do të gjejnë buxhetet totale në dispozicion të përfituesve, limitet kohore të tenderimit dhe kontraktimit, si dhe prioritetet ku do të orientohen projektet.

 

…të publikuar në faqet web të Komisionit Evropian dhe të qeverisë shqiptare

Të interesuarit për të shkuar më larg në eksplorimin e mundësive të pjesëmarrjes në ndihmën financiare të BE-së për Shqipërinë nëpërmjet IPA, duhet të ndjekin rregullisht dhe njëkohësisht publikimet në faqen e: i) Drejtorisë së Zgjerimit së BE-së (për një këndvështrim të përgjithshëm mbi IPA, për kuadrin ligjor të këtij instrumenti, për VZ-të e përvitshme për të dy komponentët, si dhe për fishat individuale të projekteve dhe programeve CBC); ii) EuropAid (për Thirrjet për Aplikime ose Lajmërime për Prokurime në Shqipëri dhe më gjerë); iii) Delegacionit të BE-së në Tiranë (për aktivitetet e BE-së në Shqipëri, për Lajmërimet për Prokurime si dhe për disa Thirrje për Aplikime në Shqipëri), dhe të; iv) Ministrisë së Integrimit Evropian (për dokumentacionin zyrtar në gjuhën shqipe të kuadrit ligjor BE – Shqipëri dhe për Thirrjet për Aplikime për CBC).

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency