Itali, Spanjë, Qipro – rikthehet kriza e euros

0
163

euroIshte vjeshtë 2011. Kriza e euros u përhap si flaka në letër nga ekonomitë e vogla popullore si Greqia dhe Portugalia deri tek peshat e rënda, Itali dhe Spanjë. Që prej futjes së euros, kostot e punës janë rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe me të njëjtin ritëm është ulur aftësia konkurruese e sipërmarrjeve

 

Kriza e euros muajt e fundit nuk ka qenë aq shumë në vëmendje të opinionit, por me afrimin e zgjedhjeve në Itali është u rrit sërish nervozizmi në tregjet financiare. Dhe Italia nuk është i vetmi vend problematik.

Ishte vjeshtë 2011. Kriza e euros u përhap si flaka në letër nga ekonomitë e vogla popullore si Greqia dhe Portugalia deri tek peshat e rënda, Itali dhe Spanjë. Në veçanti kryeministri italian i përfshirë nga skandalet, bëhej vazhdimisht figurë qesharake dhe e çoi në pikën më të ulët reputacionin e vendit të tij. Pastaj në 12 nëntor erdhi lajmi çlirues: Silvio Berlusconi dha dorëheqjen. Postin e tij e mori Mario Monti. Me rimëkëmbjen e financave shtetërore profesori i ekonomisë rifitoi besim jo vetëm për vendin e tij, por edhe për euron.

 

Italia

Për eurozonën Italia mbetet një rast problematik, mendon eksperti gjerman i ekonomisë Lars Feld: “Me pranimin e qeverisë Monti vendi u tregua vetëm përkohësisht i gatshëm të çojë përpara me më shumë konsekuencë konsolidimin dhe të ecë në drejtim të reformave strukturore”, – thotë Feld në bisedë me “Deutsche Welle”-n.

Në të vërtetë partitë e mbështetën vetëm me gjysmë zemre kursin reformator të Montit. Kur filloi reforma në tregun e punës, partia e Berlusconit ia tërhoqi mbështetjen qeverisë së teknokratëve dhe bëri të detyrueshme zgjedhjet, që do të mbahen tani. Këto zgjedhje janë prova e vërtetë e lakmusit për gatishmërinë italiane për të ndryshuar, mendon Lars Feld. Nëse italianët do ta kapërcejnë këtë provë, nuk dihet. “Asnjë nga kandidatët për kryeministër në Itali nuk premton kthesën vendimtare në reforma”, – shkruan “Commerzbank” në një analizë të saj. Si kandidati i favorizuar konsiderohet socialdemokrati Pier Luigi Bersani. Në fushatën elektorale ai nuk zhvilloi një vizion për të zgjidhur problemet ekonomike të vendit, shkruajnë analistët e “Commerzbank”.

Ndërkohë problemet janë gjigante. Që prej futjes së euros kostot e punës janë rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe me të njëjtin ritëm është ulur aftësia konkurruese e sipërmarrjeve italiane. Vendi dikur inovativ dhe produktiv, ka rënë në vendin e 42-të të listës së World Economic Forum për aftësinë konkurruese. Raporti “Doing business” i Bankës Botërore, i cili vlerëson klimën e biznesit, e radhit Italinë në vend të 73-të pas Bullgarisë dhe Kazakistanit. Në eurozonë vetëm Greqia ka një pozicion më të keq.

Pas Greqisë, Italia ka borxhin më të lartë shtetëror me një borxh 130 për qind të PBB-së. Papunësia është në nivelin 11 për qind. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) ka rënë në gjashtë tremujorë radhazi. Këtë vit PBB pritet të bjerë nën nivelin e vitit 1999. Vetëm Portugalia gj endet në situatë të ngjashme të mjerueshme.

Për Italinë pozitive janë deficiti i ulët buxhetor, një industri relativisht robuste dhe një sistem bankar relativisht i qëndrueshëm, të cilit nuk i është dashur të përballet me ndonjë flluskë imobiliesh.

Ajo që evropianët jashtë Italisë dhe investuesit e kanë të vështirë të kapërdijnë është ngjitja e shpejtë e 76-vjeçarit Berlusconi, i cili kandidon edhe një herë për postin e kryeministrit. Në fushatën elektorale ai kërcënoi me daljen e Italisë nga unioni monetar.

Punët nuk do të shkojnë deri këtu, besojnë analistët e “Commerzbank”. Ata presin që zgjedhjet t’i fitojë kampi i qendrës së majtë përreth Bersanit dhe që nervoziteti në lidhje me Italinë të bjerë. Një rrezik më të madh për eurozonën ata shohin tek Spanja.

 

Spanja

Falimentimi i kompanisë së imobiljeve “Reyal Urbis”, më i madhi në historinë e tregut të pasurive të patundshme në Spanjë.

Qeveria në Madrid po humbet kontrollin. Qoftë deficiti buxhetor qoftë borxhi i përgjithshëm janë në rritje. Këtyre u shtohet edhe një sektor privat me borxhe të larta. Kreditë e këqija shtohen në bilancet e bankave. 40 miliardë euro ka huazuar Spanja nga partnerët në eurozonë, për shpëtimin e bankave të saj.

Deri tani paraqitej si avantazh situata e qëndrueshme politike. Por duket se edhe në këtë drejtim Madridi po humbet pikë. Kryeministri Rajoy akuzohet se ka marrë pagesa të paligjshme. Ai i hedh poshtë akuzat dhe për momentin qëndron në post, por theksi është tek “për momentin”.

Në mes të recesionit dhe skandalit me para të paligjshme, vendi kërcënohet nga falimentimi i dytë më i madh në historinë e tij, në sektorin e imobiljeve. Kompania spanjolle “Reyal Urbis”, administratore e pasurive të patundshme, ka një borxh prej 3,6 miliardë eurosh dhe pas dështimit të negociatave me bankat, shpalli falimentin këtë javë. Që prej shpërthimit të krizës së imobiljeve, çmimet e shtëpive në Spanjë kanë rënë me 40 për qind. Në horizont nuk duket asnjë përmirësim.

 

Qipro

Vendi i tretë më i vogël në eurozonë, Qipro, kërcënohet në mënyrë akute nga pamundësia për të shlyer borxhet. Shteti ishull me vetëm 800.000 banorë kërkoi që në verë 2012 të hynte nën ombrellën e shpëtimit. Ombrella me siguri do të kishte vend për një shtet me PBB prej vetëm 0,2 për qind të performancës ekonomike të eurozonës. Nevoja financiare e Qipros prej rreth 17 miliardë eurosh është çikërrimë në krahasim me paketat e shpëtimit për Greqinë.

Por Qipro konsiderohet si një parajsë fiskale, në radhë të parë për pasanikët rusë. Qeveria gjermane, e cila dëshiron të rizgjidhet në vjeshtë, nuk dëshiron të krijojë përshtypjen se me paratë e taksapaguesve po shpëton pasurinë e rusëve.

E megjithatë Qipro nuk do të lejohet të falimentojë. Edhe pse bëhet fjalë për një vend të vogël, është shumë e madhe frika e politikanëve se kështu mund të krijohej një rast precedent, që do të trondiste sërish besimin e sapo rifituar tek euro. Pritet që në fund të marsit të vendoset për paketën e shpëtimit për Qipron.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency