Liga e Kampioneve, Sëlltiku dhe Juventusi më të ngjashëm se kurrë

0
127

Përgatiti Altin Vorpsi

lojaDo të ketë ritëm dhe shumë shpirt në fushë. Skuadra që mundi Barçën ditën e 125-vjetorit, nuk i vë kufij vetes, duke treguar hapur se mund të mposhtë torinezët me armë të barabarta

 

 

Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur që dy skuadra të cilat u përkasin “shkollave” të ndryshme të futbollit, të puqen në një filozofi të vetme. Ky është rasti i Sëlltikut dhe Juventusit që do të luajnë sonte një pjesë të mirë të kualifikimit në çerekfinale të Ligës së Kampioneve. Si kurrë më parë, ekipi italian ka përqafuar ideologjinë e ekipeve britanike, që gati tërë lojën e tyre e bazojnë në grintën dhe kilometrat e vrapimit në fushë.

 

Formacionet

Nejl Lenon është në ankth, pasi akoma nuk di se cilët lojtarë të rreshtojë në fushë. Në veçanti teknikut skocez i mungojnë mbrojtësit, do të jetë pikërisht reparti i prapavijës ai që do t’i hapë më shumë telashe sonte. Lojtari nga Hondurasi, Emilio Izaguirre, dhe ai nga Nigeria, Efe Ambrose, janë në dyshim. Kështu mendohet se i është hapur rruga të riut nga Norvegjia, Tomas Rogne (ka lindur më 1990). Deri më tani djaloshi në fjalë ka luajtur vetëm 609 minuta në tërë sezonin. Ndërsa nga ana tjetër Antonio Konte mendon që të aktivizojë Azamoan në korsinë e majtë. Ganezi që vetëm dje iu bashkua ekipit (ishte në Afrikën e Jugut pasi zhvilloi Kupën e Kombeve me Ganën) nuk dihet ende nëse është në formën e duhur për të përballuar një sfidë të tillë. Ndërsa dyshimet më të mëdha Konte i ka në sulm. Përveç Vuçiniçit, të tërë të tjerët e nisin nga zeroja përballë syve të teknikut juventin.

 

“Incidenti”

Bardhezinjtë kanë vendosur që të stërviten në “Marrei Park”, stadiumin e rivalëve historikë të Sëlltikut, Rejnxhërs Glasgout. “Po stërviten atje? Mund të bëjnë atë që duan”, – ishte komenti nervoz i Nejl Lenonit, trajnerit të Sëlltikut, që nuk ka arritur të dërgojë dot gjurmuesit e tij në strofullën e rivalëve historikë për të spiunuar skemat e Kontes. Propozimi në fakt ka ardhur nga vetë skuadra e Rejnxhërsave, që ka treguar gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me ekipin italian, me shpresën që këta t’u marrin lavdinë rivalëve të urryer të qytetit. Kaq ka mjaftuar që tifozët e Sëlltikut të premtojnë një atmosferë edhe më të nxehtë në “Sëlltik Park”, për të shpresuar te një fitore ndaj bardhezinjve, por edhe për të bërë të dështojë plani i rivalëve të qytetit.

 

Arbitri

Italiani Pierluixhi Kolina, dizenjatori i arbitrave të UEFA-s, ka zgjedhur “bilbilin” e spanjollit Alberto Undiano Malenko për ndeshjen mes Sëlltikut dhe Juventusit, e cila do të luhet të martën në mbrëmje në Glasgou të Skocisë. Sa i përket takimit tjetër të kësaj dite, ndeshjes së parë të 1/8-ave mes Valencias dhe PSG-së në stadiumin “Mestaja”, do t’i takojë italianit Paolo Taljavento që të drejtojë.

 

 

Valencia ka gati “ilaçin” për Ibrën

Trajneri i Valencias, Ernesto Valverde, mendon se mbrojtësi francez i skuadrës së tij, Adil Rami, mund të ndalë pa probleme Zllatan Ibrahimoviçin në përballjen me PSG në Ligën e Kampioneve. Spanjollët luajnë në shtëpi ndeshjen e parë dhe tekniku mendon se ekipi që drejton mund të shfaqet si i barabartë me skuadrën që ka mbledhur një tufë lojtarësh të mirë duke shpenzuar shuma të çmendura në merkato.

“Ibrahimoviçi është një lojtar i madh, duhet të jemi të ndërgjegjshëm për këtë, jo vetëm Rami, por e gjithë mbrojtja jonë. Ai është një lojtar i aftë për gjëra të mahnitshme, jo vetëm për shkak të shtatlartësisë, por edhe gjithashtu për mënyrën si luan. Ai është një golashënues që kthehet shumë mbrapa për të marrë topin kur skuadra e tij nuk po luan mirë”, – tha Valverde. “Por ne jemi të bindur se Rami mund të merret lehtësisht me Ibrahimoviçin, ashtu si edhe me lojtarët e tjerë të PSG-së, pasi kjo skuadër nuk është vetëm Ibra”, – vazhdoi tekniku spanjoll. Ky i fundit mendon se ekipi i tij mund të përmbysë çdo parashikim duke luajtur si i barabartë dhe duke kërkuar kualifikimin përballë francezëve, ndonëse që në momentin e shortit të gjithë kanë parashikuar kualifikimin e lehtë të PSG-së.

“Po kalojmë një formë të mirë dhe jemi të motivuar. Ndeshje të këtij lloji janë një mundësi e shkëlqyer për ne, janë mundësi që i kemi para dhe nga të cilat duhet të përfitojmë, – tha Valverde në fund. – Shorti ishte para shumë kohësh dhe tani jemi në një pozicion më të mirë”.

 

Sëlltiku akuzon “Zonjën e Vjetër”: Jeni antisportivë

Sfida mes Sëlltikut dhe Juventusit ka nisur ende pa ardhur momenti, kur dy skuadrave do t’u duhet që të përballen me njëra-tjetrën në fushë. 24 ora para se të ndodhë diçka e tillë, nga ishulli kanë mbërritur akuza të rënda në drejtim të “Zonjës së Vjetër”. Duke qenë se ky nuk është takimi i parë mes dy ekipeve që sot më shumë se kurrë kanë të njëjtin “mendim” për futbollin (luajnë me zemër për të 90 minutat), është i pashmangshëm fakti që të ketë edhe nga ata “ish-ë” që rikujtojnë historinë. Njëri prej tyre sot punon si opinionist në versionin “skocez” të tabloidit “The Sun”. Për sfidën e 32 viteve më parë, Dejv Provan kujton: “Ishin një skuadër shumë e madhe. Ata ishin shumë herë më të fortë se ne. Në atë formacion të Juventusit luanin pesë lojtarë që vetëm një vit më vonë do të bëheshin kampionë bote. Edhe bukmejkërsat, i nxirrnin si favoritë, por më duhet të pranoj që edhe në atë kohë, një skuadër që është dënuar duke i hequr dy tituj kampion, pasi ka trukuar ndeshje, ishte eksperte në parregullsi. Çarliz Nikolas (sulmuesi i Sëlltikut në atë kohë) u zu me shkelma nga fillimi deri në fund të takimit. Ndërsa mua Kabrini u përpoq që të më vinte krem që do të më irritonte sytë. Ndërkohë që gjiganti Serxho Brio i tha Xhorxh Mekkluskejt (qendërsulmuesi i Sëlltikut) që në Torino do t’i priste fytin. Për fatin tonë të keq, ky absurd vazhdoi edhe në sfidën e kthimit. Kur luajtëm në Torino, për disa minuta nuk pamë dot fushën, pasi tifozët kishin hedhur tymuese dhe fishekzjarre ndërkohë që karabinierët qëndronin dhe shihnin tërë skandalin. Përpos këtij fakti një tjetër gjë ndodhi në dhomat e zhveshjes: Tardeli bëri të mundur që ne ta shihnim teksa po “mprihte” me limë takat e tij të futbollit”. Si për të treguar se raportet mes dy klubeve nuk janë të mira është edhe ai episod që ka ndodhur në 2001, kur në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, Juventusi fitoi 3-2 falë një penalltie të “vjedhur” nga Nikola Amoruzo. Tekniku aktual i Sëlltikut,

Nejl Lenon, që në atë kohë luante për Sëlltikun, u nevrikos me rivalët italianë, duke i cilësuar ata si antisportivë.

 

Nga Dorgba tek Bekami, sa rikthime në Ligën e Kampioneve

Gjashtëmbëdhjetëshet e Ligës së Kampioneve, përveç dueleve interesante, kanë rikthyer edhe shumë kampionë. Gjatë merkatos dimërore, gati tërë skuadrat që arritën të kalonin fazën e grupeve, janë munduar që të forcohen. Deri më datë 1 shkurt skuadrat në fjalë, edhe pse nuk kanë mundur që të regjistrojnë më shumë se 25 lojtarë, kanë bërë disa ndryshime. Mes këtyre skuadrave ndodhet edhe emri i PSG-së që ka mundur të lidhë një kontratë 6-mujore me Dejvid Bekamin, që ka ngritur lart këtë trofe në 1999 me fanellën e Mançester Junajtidit veshur. Ndërkohë, edhe rivalët e tyre sot, Valencia, në listën e re të federimeve pranë UEFA-s kanë shtuar emrin e një talenti si Serxho Kanales, që mungoi në fazën e parë, pasi ishte dëmtuar. Një tjetër “rikthim” i bujshëm është edhe ai i Didi Drogbasë, që pasi fitoi vjet Champions-in me Çelsin, shkoi në Kinë për të luajtur me Shangai Shenhuan. Siç dihet, aventura në Lindjen e Largët shkoi keq për afrikanin që tani luan për Gallatasarajin. Rivalët e Shalkes, përveç tij, kanë marrë edhe një tjetër lojtar të famshëm. Flasim për Uesli Shnajderin, që la Interin për Turqinë. Sa i përket skuadrës gjermane, ata nga ana e tyre kanë risjellë në arenën evropiane një tjetër yll. Flasim për Mishel Bastosin, që la Lionin këtë dimër me formulën e huazimit. Të njëjtin “udhëtim” si Drogba ka bërë edhe Nikola Anelka. Sulmuesi francez la Shangain për t’u rikthyer në Evropë tek skuadra e Juventusit. Rikthime të bujshme janë edhe ato të Nuri Shahinit (nga Liverpuli erdhi tek Borusia e Dortmundit) dhe Diego Lopezit (la Seviljen për Realin). Ndërkohë, në morinë e skuadrave të Ligës së Kampioneve ka edhe nga ato që nuk kanë ndryshuar azgjë. Flasim për Bajernin e Mynihut, Barcelonën dhe Sëlltikun.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency