Kategoria Superiore, më “e lexueshme” se kurrë

0
154

Altin Vorpsi

kategoriaPas 14 javësh kampionat çdo gjë është e qartë. Të paktën për pjesën më të madhe të skuadrave që marrin pjesë në Kategorinë Superiore nuk është “mister” e ardhmja
Si rrallëherë në këtë edicion të Superligës disa skuadra dinë që në këtë pikë se çfarë i pret në fund të edicionit. Skënderbeu doli praktikisht i paprekur nga merkatoja dimërore, kështu humbja me Vllazninë nuk është shqetësuese sa u përket shpresave për titull. Ndërkohë, përforcimet e Tiranës dhe Teutës duket se kanë qenë të sakta kështu vendi i dytë dhe i tretë mendohet se do të jenë “mollë e ndaluar” për ekipe si Laçi, Flamurtari apo edhe vetë Vllaznia. Ndërkaq, në fund të renditjes Tomori që ende nuk ka provuar shijen e fitores, me shumë mundësi do të jetë pjesë e të Parës vitin tjetër.

Kampionia

Skënderbeu, edhe pse pësoi humbjen e parë në këtë kampionat, duket se nuk do t’u japë më shans ndjekësve më të afërta që t’i marrin pikë të tjera. Skuadra e Josës u mund në shtëpi nga Vllaznia në një sfidë që u vendos nga një supergol. Ky fakt nuk shqetëson shumë “ujqërit e dëborës”, pasi grupi është po ai i njëjti që në sfidat e mëparshme u ndal vetëm tri herë.

Sfida evropiane

Merkatoja ka ardhur në momentin e duhur. Si Tirana edhe Teuta kanë përfituar në muajin që kaloi për të forcuar skuadrat e tyre që tani pas javës së parë së fazës së dytë duken gjithmonë e të konsoliduara. Objektivi Evropë është tashmë më se i arritshëm për të dy këto skuadra që duhet të ruhen nga para, pasi rivalizojnë me skuadra si Kukësi, Laçi, Flamurtari dhe Vllaznia.

Zona e ftohtë

Edhe pse mungojnë ende takime deri në fund duket se fati i Tomorit dhe Apolonisë është i shkruar. Këto dy skuadra që respektivisht mbajnë vendin e fundit dhe të parafundit në renditje janë “kandidatet” kryesore për të luajtur vitin tjetër në Kategorinë e Parë.

 

 

Sfida
Blateri kundërshton Platininë
Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, ka dalë hapur kundër “nxënësit” të tij, Mishel Platini, i cili ishte ideatori i një liste propozimesh që më pas u miratua nga UEFA në kongresin e fundit të saj. Konfederata Evropiane hodhi poshtë propozimet e bëra nga FIFA për të kufizuar në dy mandate katërvjeçare jetëgjatësinë e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, kërkoi që Presidenti i FIFA-s të qëndrojë në pushtet maksimumi për 12 vite, jo 8 siç parashikon propozimi i ri i bërë nga Komisioni i FIFA-s. “Reforma është në proces dhe po shkon drejt përfundimit. Dy pjesë të saj janë implementuar nga Kongresi, caktimi i një komisioni të pavarur etike dhe fakti se Kupa e Botës në të ardhmen do të caktohet nga Kongresi dhe jo Komiteti Ekzekutiv. Por tani kanë mbetur edhe 10 a 11 pika të tjera që do të diskutohen në Kongresin e ardhshëm në maj”, – tha Blater. “Jam i çuditur nga reagimi i UEFA-s, pasi ne i thamë konfederatave të konsultoheshin me federatat anëtare rreth reformave. Jam i çuditur pasi nuk dukej si një konsultim, ishte si një vendimmarrje nga UEFA ku federatat anëtare kanë nënshkruar një peticion kundër këtij vendimi. Në Kongres të gjitha Federatat kanë të drejtë të flasin individualisht pro apo kundër, nuk kërkuam që të merren vendime që tani. Nëse çdo Konfederatë merr një vendim të tillë, atëherë për çfarë arsyeje duhet të ekzistojë një Kongres?”, – vijoi numri një i FIFA-s. Duket se lufta kundër shkurtimit të mandateve nga UEFA vjen për faktin se të gjithë janë të sigurt se Mishel Platini do të jetë kandidat për postin e presidentit të FIFA-s në vitin 2015, ndërsa shumë prej emrave të njohur mes presidentëve të federatave evropiane janë kandidatë për një vend në Komitetin Ekzekutiv të institucionit që drejton futbollin botëror.
Liga e Kampioneve
Fergi: Reali duhet të jetë nën presion

Tani më shumë se kurrë “djajtë e kuq” kanë mundësi që të dërgojnë në “ferr” një rival të vjetër siç është Reali i Madridit. “Mbretërorët” ndodhen 16 pikë larg kryesuesve të Barcelonës dhe shanset që të mbrojnë titullin e La Ligës janë minimale. Në Kupën e Mbretit nuk janë favoritë për t’u kualifikuar në finale pas barazimit 1-1 me Barcelonën në shtëpi. Prandaj finalja e “Uemblit” është objektivi madhor për të triumfuar sërish pas 11 vitesh. Dhe, duke qenë se Mançesteri duket i sigurt drejt titullit kampion dhe është në pozita komode edhe në FA Cup, nuk do të ishte fundi i botës nëse do t’i eliminonte Reali dhe të mos përsëritnin tripletën e vitit 1999. “Objektivi i tyre është Evropa. Kanë bërë një start të dobët në kampionat, ndërsa me formën që po kalon Barcelona duket sikur titulli është vendosur. Objektivi primar i Zhozesë është pa dyshim Champions-i. Për ne mund të jetë e vështirë, sepse luftojmë në tri fronte, por Reali ka gjithë presionin e mundshëm, sepse luan sezonin. Për më tepër, ata do të luajnë ndeshjen e kthimit në kupë kundër Barcelonës një javë më vonë, më pas do të rikthehen në ‘Old Trafford’ të martën. Nuk kanë një kalendar të lehtë”, – tha pas triumfit me Evertonin menaxheri i Junajtid. Mirëpo 71-vjeçari nuk mendon se puna e portugezit do të shumëzohej me zero, në rast se ai do të dështonte me “djajtë”: “Liga e Kampioneve ka qenë gjithnjë një objektiv madhor për Realin. Presioni jo domosdoshmërish bie mbi Murinjon, për të cilin mendoj se ka bërë një punë të mrekullueshme në Madrid. Ai ka ndërtuar një skuadër të frikshme, me dy formacione të ndryshme, të cilat i përdor herë pas here ashtu si ne. Nuk ka dyshime që ai dëshiron të fitojë sërish, sepse mesa di unë, është i vetmi trajner që mund ta fitojë Champions-in me 3 skuadra të ndryshme”. Mes dy trajnerëve ekziston një marrëdhënie urrejtjeje dhe dashurie, që e ka zanafillën pas eliminimit të Junajtid nga Porto në vitin 2004: “Ai do të përdorë inteligjencën e tij për të më mundur. Është një sfidë e madhe, sepse takohen dy klubet më të mëdha në botë dhe kuptohet se sa e rëndësishme është për Junajtid”. Sa u përket basteve Reali i Madridit nuk është vetëm favorit për të fituar ndeshjen e nesërme me Mançesterin, por edhe për t’u kualifikuar. Kështu koeficienti i fitores së spanjollëve në “Bernabeu” kuotohet 1.57, ndërsa ajo e një fitoreje të mundshme të anglezëve në Madrid me 5. Thuajse të njëjtat koeficiente janë edhe për skuadrën që do të presë biletën në çerekfinale. Ronaldo dhe Van Persi janë dy lojtarët që mendohet se do të vendosin ndeshjen me golat e tyre.

 

Racizmi
Balo i kushton shtrenjtë Interit

Interi u gjobit me 15 mijë euro nga Komisioni i Disiplinës i Federatës Italiane, për shkak të koreve raciste të tifozerisë ndaj sulmuesit Mario Baloteli. Vendimi i gjykatësit sportiv, Xhianpaolo Tosel, u motivua nga “koret fyese dhe shprehjeve të diskriminimit racor”, të ndodhura në ndeshjen e së dielës, Inter-Kievo, 3-1. Gjatë këtij takimi, një pjesë e tifozëve fanatikë pas porte nisën të këndonin “Nuk ka zezakë italianë”.
Thirrje të tilla acarojnë situatën në një moment të papërshtatshëm, dy javë përpara se dy skuadrat e Milanos të përballen në derbin e datës 24 shkurt. Koret e papërshtatshme u dënuan edhe nga presidenti Morati, i cili shprehu “keqardhjen për këto thirrje raciste” dhe kërkoi që ato të mos përsëriten në ballafaqimin me Milanin.

Itali
Delio Rosi përsëri mes skandalit

Trajneri Delio Rosi rikthehet në qendër të vëmendjes në futbollin italian për gjestet e tij antisportive. Këtë herë, tekniku që mori së fundmi drejtimin e Sampdorias, i tregoi gishtin e mesit mbrojtësit të Romës, Burdiso. Gjesti aspak sportiv u regjistrua në sekondat e fundit të takimit që u fitua nga Sampdoria me rezultatin 3-1. Minutat e fundit të ndeshjes u shoqëruan nga tension i lartë mes futbollistëve në fushë dhe pankinave përkatëse. Pak para fërshëllimës përfundimtare, Delio Rosi, i cili pretendon se është ofenduar më parë nga mbrojtësi argjentinas Burdizo, i ka treguar gishtin e mesit këtij të fundit. Gjithçka është dokumentuar me pamje, ndërkohë që ndaj këtij gjesti antisportiv, drejtësia e futbollit italian mori masa disiplinore. Kështu, Delio Rosi pezullohet për dy javët në vazhdim dhe sikur të mos mjaftonte kjo edhe vetë skuadra e Sampdorias e ka gjobitur atë. Gjoba është mirëkuptuar nga tekniku gjaknxehtë që ka thënë se paratë që do t’i hiqen nga paga klubi do t’i ofrojë për bamirësi. Ky nuk është rasti i parë që Delio Rosi humbet toruan në fushë. Në 2 maj të vitit të kaluar, kur në atë kohë Rosi drejtonte Fiorentinën, u bë protagonist i një zënkë me grushte me futbollistin e tij, serbin Adem Ljajiç dhe gjithçka pas kënaqësisë së shprehur nga ky i fundit për zëvendësimin. Zënka pasoi shkarkimin e trajnerit nga klubi violë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency