Të përndjekurit, dëmshpërblim edhe për ata që nuk kanë plotësuar dokumentet

0
162

Intervistoi: Driçim Çaka

besimiFlet për “Standard” Besim Ndregjoni: Me dëmshpërblimin nuk mbyllet procesi i rehabilitimit i të përndjekurve politikë. 100 mijë familjarë të përndjekur, që nga kulakët deri të internuarit. Në Shqipëri nuk ka më shumë se 1500 të përndjekur që vazhdojnë të jenë gjallë. Të merret eksperienca gjermane, do të ishte e duhura për t’u praktikuar edhe në Shqipëri

 

 

Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni, në një intervistë për “Standard”, zbulon se ministri i Drejtësisë do të propozojë një vendim që do t’u japë mundësinë të gjithë ish-të përndjekurve politikë që nuk kanë marrë dëmshpërblimin, të kenë mundësi të dëmshpërblehen nëpërmjet një vendimi të Këshillit të Ministrave. Z. Ndregjoni shpjegon gjithashtu se me dëmshpërblimin procesi i rehabilitimit të të përndjekurve nuk do të mbyllet, pasi do të kërkohen dhe të drejta si strehimi, punësimi si dhe dënimi i krimeve të komunizmit. Sipas Ndregjonit, procesi i dëmshpërblimit do të mbarojë për 8 vjet dhe se deri tani ka filluar deri diku dhënia e këstit të dytë për disa nga ish të burgosurit politikë të cilët janë gjallë

 

Z. Ndregjoni, sa jenë plotësuar deri tani kërkesat e të përndjekurve politikë?

Për kërkesat e të përndjekurve politikë ka një ligj, ka një status, i cili përcakton të drejtat dhe detyrimet ligjore që kanë pushtet për të plotësuar kërkesat e ish-të përndjekurve politikë. Nëse e kapin çështjen në themel, kërkesat e të përndjekurve janë të shumta, por deri tani janë plotësuar disa, jo të gjitha. Në këtë aspekt mund të flitet për arsimin që duhet theksuar se deri tani është bërë mjaftueshëm për të përkrahur fëmijët e ish-të përndjekurve politikë. Të drejtat e strehimit është një fushë e cila ka vend për përmirësim. Qeveria e Partisë Demokratike u ka dhënë mundësi ish-të përndjekurve për t’u strehuar në disa qytet kryesore, por gjithsesi ka akoma për t’u bërë. Problemi kryesor i të përndjekurve është punësimi i fëmijëve të tyre dhe burokracitë që hasin për të gjetur një vend pune në administratë. Nga statistikat që kemi ne, del që as 2% në administratën shtetërore nuk janë fëmijë të të përndjekurve politikë, pavarësisht se të gjithë arsimimin e kanë. Çështja e të drejtave të tjera të të përndjekurve politikë është pak më e ndërlikuar.

 

Ende vazhdon të ketë kërkesa nga të përndjekurit për të marrë dëmshpërblimin. Çfarë do të bëhet me personat që nuk u janë njohur dokumentet nga institucionet përkatëse?

Për këtë çështje jemi takuar edhe me ministrin e Drejtësisë Eduart Halimi dhe vetë ministri është treguar i gatshëm që ata të përndjekur politikë që nuk kanë plotësuar në afat çështjen e dokumentacionit, do të pranohen me një vendim të Këshillit të Ministrave, vendim i cili do të propozohet nga ministri Halimi dhe do të pranohen të gjitha dokumentet e sakta. Duhet theksuar se të përndjekurve politikë u bëhet një sorollatje nga institucionet shtetërore që merren me problemin e dëmshpërblimit. Këtu kemi parasysh zyrat shtetërore, të cilat i sjellin të përndjekurit nga njëra zyrë në tjetrën për çdo dokument.

 

Si po ecën procedura e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit politikë?

Procedura ka ngërçin e vet, që nuk është në lartësinë që duhet. Për shembull, është folur shumë që kjo procedurë duhet të ndiqet 8 vjet rresht. Këtu lë për të dëshiruar, pasi akoma nuk ka mbaruar kësti i parë, ka filluar deri diku dhënia e këstit të dytë për disa nga ish-të burgosurit politikë të cilët janë gjallë. Për të përndjekurit dëmshpërblimi është një veprim ligjor që nuk duhet të politizohet, është një detyrim kushtetues. Të përndjekurit politikë nuk janë shtresë sociale që kërkojnë ndihmë nga shteti, të përndjekurve politikë, në bazë të konventave ndërkombëtare, në bazë të normave ndërkombëtare duhet t’u njihen çdo e drejtë.

 

Qeveria pritet të japë 2 këste brenda vitit 2013. Cilat kategori priten të dëmshpërblehen të parat?

Sigurisht kategoritë e para do të dëmshpërblehen ata të përndjekur të cilët jetojnë, pastaj do të fillojë dëmshpërblimi për trashëgimtarët e të burgosurve, të cilët sot nuk jetojnë. Ajo që ne s’jemi dakord, ka të bëjë me çështjen e dëmshpërblimit, pasi kjo çështje shikohet si një favor që i bëhet kësaj shtrese, por nuk është kështu, dëmshpërblimi është një detyrimi i shtetit ndaj të përndjekurve. Ne si të përndjekur i kërkojmë qeverisë “Berisha” që përveç dëmshpërblimit të merret edhe me integrimin e familjeve të të përndjekurve politikë si dhe kthimin e pronave. Është për të theksuar se Këshilli i Evropës ka aprovuar një rezolutë për dënimin e krimeve të komunizmit, gjithashtu edhe Parlamenti shqiptar ka miratuar një rezolutë për ish të burgosurit, por që ende nuk është vënë në zbatim.

 

Ish-të përndjekurit politikë që vazhdojnë të jetojnë edhe sot, për sa kohë pritet t’i marrin të gjitha këstet dhe a mund të thuhet se me dëmshpërblimin ekonomik, shlyhet detyrimi ndaj ish-të burgosurve, sidomos për ata të burgosur që vazhdojnë të jetojnë dhe sot?

Nuk mund të thuhet që është e mjaftueshme, ne jemi koshientë, por ndodh që të drejtat e të përndjekurve politizohen, por duhen provime kushtetuese. Nuk mund të thuhet që të përndjekurit politikë, me marrjen e dëmshpërblimit, të quhen të rehabilituar, rehabilitimi i tyre mund të quhet vetëm pas aplikimit për statusin e të përndjekurve. Në Shqipëri ende nuk janë dënuar krimet e komunizmit dhe pa u dënuar këto krime, nuk quhen të plotësuara të drejtat të përndjekurve. Që të rehabilitohen të përndjekurit politikë, duhet bërë dënimi moral i krimeve ndaj kësaj shtrese. Eksperienca gjermane do të ishte e duhura për t’u praktikuar edhe në Shqipëri. Janë 100 mijë familje të përndjekurish politikë, që do të thotë 100 mijë kryefamiljarë të përndjekur, që nga kulakët, armiqtë e frontit, të dëbuarit, të internuarit, të pushkatuarit dhe të burgosurit. Është masë rreh 40% e popullsisë duke futur edhe pronarët të cilët u burgosën, u internuan dhe shumë mënyra të tjera. Të përndjekurit politikë duhet të jenë pjesë e parlamentit shqiptarë për të kërkuar të drejtat e tyre, sigurish me partinë të cilën ka rreth 20 vjet që i mbështet dhe që u ka bërë të mundur dhënien e dëmshpërblimit.

 

Po dëmshpërblimi financiar?

Ligji e ka 8 vjet për t’u dhënë të gjitha këstet. Por në vend po bëhet një “luftë” që të dëmshpërblehen këta të burgosur, por në Shqipëri nuk ka më shumë se 1500 të përndjekur që vazhdojnë të jenë gjallë. Jam dakord që këta 1500 të dëmshpërblehen të parët, madje shumë shpejt, por procesi ndaj të përndjekurve nuk mbyllet këtu, sepse përveç dëmshpërblimit, fëmijët e të përndjekurve duhet të kenë më shumë mbështetje.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency