Berisha: Rruga e aleancës sonë, rritja e pagave dhe e pensioneve

0
163

Ina Jano

berishKryeministri përuron rrugën Sevaster – Kalivaç

Gjatë këtyre viteve në Vlorë janë investuar 400 milionë euro, në infrastrukturë, qendra shëndetësore, shkolla, shërbime etj.

 

Duke e cilësuar 23 qershorin si ditën e madhe, kur shqiptarët do të votojnë për të djathtën, kreu i qeverisë, Berisha, deklaroi se kjo është alternativa që ofron rritjen e rrogave dhe të pensioneve. Duke sjellë në kujtesë të gjitha reformat që ka ndërmarrë qeveria, Kryeministri tha se të votosh për Partinë Demokratike do të thotë që të votosh për rroga dhe pensione më të larta, për rritje të granteve për fermerët, për trefishim të kredidhënies dhe për rritje të eksporteve. “23 qershori është një datë e madhe. Ne ecim të sigurt drejt fitores, por duhet ta meritojmë atë dhe do ta meritojmë atë, pasi të bisedojmë shtruar me çdo shqiptarë, pavarësisht nga bindjet e tyre. Cili është qëndrimi ynë? Qëndrimi ynë është një përpjekje e madhe për ta nxjerrë Shqipërinë nga prapambetja, për ta vendosur në orbitën e vendeve të zhvilluar. Me këtë qëllim ne kemi asfaltuar në Sevaster, Gjirokastër, Vlorë mbarë Shqipërinë mbi 10 mijë kilometra rrugë. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar mbi 1300 shkolla, kemi ndërtuar dhe rindërtuar qindra ujësjellës dhe kanalizime. Kemi dyfishuar pensionet në çdo fshat të Shqipërisë, kemi dyfishuar rrogat. Do të bëjmë gjithçka të rrisim pensionet, të rrisim më tej rrogat. Do të bëjmë gjithçka për mirëqenien tuaj. Do të trefishojmë grandet për fermerët shqiptarë. Do të trefishojmë kredinë. Do të bëjmë që fermat tuaja blegtorale dhe prodhimet e tyre të bëhen të njohura në Shqipëri dhe mbarë Evropën. Kjo është rruga jonë, rrugë djersë, rrugë mundimi, rrugë suksesi, rrugë mëkëmbje, rrugë punësimi, rrugë integrimi”, – u shpreh kryetari i ekzekutivit nga jugu i Shqipërisë ku është duke zhvilluar një seri përurimesh. Duke u ndalur tek infrastruktura, lideri demokrat nënvizoi se tashmë është koha që infrastruktura e ndërtuar deri në këtë kohë të nxjerrë frytet e saj, ndërsa shtoi se në këtë mënyrë të gjitha potencialet e Shqipërisë do të shfrytëzohen më mirë. Ndërsa premtoi se në mandatin e ardhshëm do të fitojnë të gjithë shqiptarët nëse do të zgjedhin alternativën që integron Shqipërinë në Bashkimin Evropian. “23 qershori po vjen, ne kërkojmë votat tuaja, jo për këto që kemi bërë, i kërkojmë votat tuaja për ato që do të bëjmë. Kërkojmë votat tuaja, sepse duam, që në çdo skaj të Sevasterit, të Vlorës, të Shqipërisë kudo, të ketë infrastrukturë moderne si kjo, sepse duam që shqiptarët kudo që janë, të kenë furnizim me ujë, me energji elektrike njëlloj si qytetarët evropianë, sepse duam që shqiptarë kudo që janë të shfrytëzojnë potencialin e madh të vendit të tyre, t’i shndërrojnë pasuritë e tyre në të mira për veten dhe vendin e tyre, sepse duam që të ecim me dinjitet drejt Evropës, sepse duam që të mos na marrë njeri peng, siç na morën për tri ligje, njerëz të papërgjegjshëm, të cilët me 23 qershor do të marrin atë që meritojnë nga shqiptarët”, – pohoi shefi i ekzekutivit.

Investimet në rrethin e Vlorës

Gjatë këtyre viteve, në rrethin e Vlorës janë investuar në fusha të ndryshme 400 milion euro. Janë ndërtuar mbi 400 kilometra rrugë, nga të cilat 180 kilometra rrugë kombëtare, 95 km rrugë rajonale, 125 kilometra rrugë në komuna e bashki. Ndër rrugët më të rëndësishme mund të veçojmë, Rruga e Bregut me vlere 60milion euro 80 km, Autostrada Vlore – Fier 30 milion euro, 21 km, Rruga Transballkanike 6 milion euro, Rruga Kote – Sevaster – Kalivaç, të gjitha rrugët që të çojnë në plazhe e monumente kulture dhe së shpejti do të fillojë Novosele – Bish Poro. Gjithashtu janë ndërtuar 21 qendra shëndetësore, 31 shkolla dhe 35 ujësjellës. Qeveria ka tenderuar projektin e bypass-it të Vlorës dhe projektin që lidh rrugën Transballkanike me Portin dhe autostradën Vlore – Fier. Përsa i përket turizmit, të gjitha qendrat e banuara janë lidhur me plazhet, duke bërë që të dhjetëfishohet numri i turistëve. Ndër të tjera është miratuar projekt zbatimi 4 zonave turistike të njësive te vendore duke përfshire Vlorën dhe Orikumin. Në bujqësi janë subvencionuar 1600 hektarë pemëtari, ullinj e vreshtari. Ne 2 vitet e fundit janë mbjellë 800 mijë rrënjë ulliri ku kanë përfituar subvencion mbi 1500 fermerë. Në sektorin e energjisë elektrike, hidrokarbure, e koncesione janë investuar 230 milionë euro.

 

Përurohen shkolla në Elbasan

Shefi i qeverisë shqiptare edhe në kuadër të fushatës elektorale është duke vizituar çdo cep të Shqipërisë dhe duke kryer edhe inaugurime në vepra të ndryshme. Ditën e enjte ai është ndalur në qarkun e Elbasanit dhe ka përuruar shkollën 9-vjeçare “Adem Krasniqi”, por edhe bibliotekën e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Lideri demokrat duke vlerësuar punën e mirë që ka bërë qeveria për arsimin u shpreh se në fakt ka ende reforma që duhet të ndërmerren dhe siguroi se arsimi do të mbetet prioritet i mazhorancës. Ai premtoi se rroga e arsimtarëve do të shkojë në 700 dollarë, dhe po ashtu tha se edhe arsimi profesional do të ketë një vëmendje më të madhe.

Kryeministri inspekton punimet, autostrada Tiranë – Elbasan gati së shpejti

Për vetë rëndësinë e saj, punimet në autostradën Tiranë – Elbasan janë inspektuar disa herë nga Kryeministri Berisha, por edhe nga ministri Olldashi. Edhe ditën e djeshme, kreu i qeverisë ishte në inspektim në këtë zonë dhe vizitoi tunelin që do të lidhë dy nga kryeqytetin me të gjithë zonën juglindore. Zoti Berisha gjatë fjalës së tij shprehu falënderimet më të mira për kompaninë që po punon, 24 orë në 24 dhe për cilësinë e punimeve që janë duke u kryer. Përfundimi së shpejti i kësaj vepre, përfundimi në një kohë rekord, është dëshmi tjetër e shëndetit të padiskutueshëm të ekonomisë shqiptare, është dëshmi tjetër e shëndetit të financave të Shqipërisë, është dëshmi tjetër e vendosmërisë së kësaj qeverie, për të bërë gjithçka që qytetarët shqiptarë të kapin të ardhmen që meritojnë. Ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan dhe tunelit të Kërrabës përbën një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm për tregun shqiptar. Kjo autostradë bashkon dy qytetet më të mëdha të vendit. Ndaj edhe një herë përgëzoj përzemërsisht ndërtuesit për punën e shkëlqyer dhe garantoj se së shpejti do të nisin punimet në Rrugën e Arbrit dhe do vazhdohet me vendosmëri të madhe”, – u shpreh Kryeministri. Autostrada Tiranë – Elbasan, me katër korsi, ka një gjatësi prej 31.7 kilometrash, me një tunel 2.4 kilometra të gjatë, 21 viadukte, 7 mbikalime, 4 nënkalime. Autostrada pritet të shkurtojë së paku 50 minuta distancën e Tiranës me Elbasanin.

 

 

Dogjani: Mbledhja me PD-në, jo si te PS, ku flet veç Rama

Ish-deputeti socialist tashmë kandidat i PD-së ka reaguar dje në Facebook, duke bërë publike edhe eksperiencën e tij të parë në mbledhjet e demokratëve. Deputeti i Kukësit, Dogjani, ka qenë pjesëmarrës në takimin e së mërkurës ku Berisha takoi të gjithë kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës dhe po ashtu kryesinë e selisë blu. Me vlerësimin më të madh, për atë që dikur ishte kundërshtari i tij politik, Dogjani është shprehur se mbledhjet në PD janë të lira, ku secili shpreh mendimin e tij dhe jo si në PS, ku flet vetëm Rama. “Dje (pardje) ishte hera e parë që unë mora pjesë në një takim që u zhvillua me shtabin elektoral të PD-së të qarkut të Tiranës ku dhe unë jam kandidat për deputet i kësaj force politike. Ajo që më bëri shumë përshtypje ishte mënyra se si drejtohej mbledhja nga lideri i kësaj force, Sali Berisha. Në këtë takim pashë që Kryeministri ishte i dashur me të gjithë, i trajtonte të gjithë njëlloj dhe në mënyrë të barabartë. Më e rëndësishmja dhe kryesorja ishte se të gjithë pjesëmarrësit ishin të lirshëm të shprehnin mendimet e tyre ashtu siç i ndienin. Ndryshe nga takimet e zhvilluara tek PS, ku flet vetëm lideri dhe gjithë të tjerët nuk ndihen të lirë të shprehin mendimet e tyre, se ndryshe penalizohen si të padëshiruar nga kryetari……”, – shkruan deputeti Dogjani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency