Rama përcakton platformën e koalicionit me aleatët, Dule zyrtarizon divorcin me PS-në

0
166

Gëzim Saliu

rama ne tryezeTryeza me aleatët, diskutimet për skemën e mbrojtjes së votës, Ngjela: Të jemi të përqendruar

Koçi: Koalicioni aktual, i provuar në zgjedhjet lokale, është mekanizmi fitues për 23 qershorin

 

Pas më shumë se 6 muajsh, kreu socialist Edi Rama ka thirrur dje tryezën me aleatët e koalicionit të majtë, ku u përcaktua platforma elektorale si dhe skema e ruajtjes së votës për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Në këtë takim, objektivi kryesor mbeti synimi për krijimin e një koalicioni me bazë të gjerë, ku sipas asaj që u diskutua, pritet që radhët e koalicionit të majtë të shtohen me 4 parti të reja. Ndërkohë, në tryezën e djeshme mungoi kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, mungesë e cila zyrtarizoi edhe më shumë divorcin e tij nga koalicioni opozitar. Edhe pse aleatët e shpjeguan para mediave mungesën e Dules për arsye teknike, duket se faktorët që ndajnë PS-në dhe të majtën në tërësi me PBDNJ-në janë më të mëdha se ato që i bashkojnë.

 

Tryeza

Për rreth 80 minuta, kreu i Partisë Socialiste, Rama, ka diskutuar me krerët e partive aleate të koalicionit të majtë lidhur me frontin e ardhshëm opozitar, fushatën elektorale dhe skemën për mbrojtjen e votës. Në takimin ku merrnin pjesë, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi, kreu i PDS-së Paskal Milo, kreu i PLD-së Spartak Ngjela kreu i PSV ’91 Petro Koçi dhe kreu i PSM-së Gjergji Koja u vendos platforma që do të ndiqet nga koalicioni i majtë në parlamentaret e 23 qershorit. Në përfundim të takimit kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi deklaroi se nuk ka shumë rëndësi numri i partive, sesa fryma e bashkëpunimit. “Ky është fillim i mbarë. Tashmë e rëndësishme është që opozita ka një platformë bindëse. Më pas do të diskutohet edhe marrëveshja për formën e bashkëpunimit. Ka një marrëveshje për të realizuar fitoren në zgjedhje dhe një për të qeverisur vendin në zgjedhjet e ardhshme”, – tha Gjinushi. Ndërsa kreu i PSV ‘91, Petro Koçi, theksoi se koalicioni me të cilin opozita konkurroi në lokalet e 8 majit mbetet një mekanizëm fitues edhe për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. “Riaktivizimi i koalicionit me rreth 30 parti është mjaft i mirë për Shqipërinë, sepse ka të bëjë e objektivin për të fituar zgjedhjet. Duke përputhur forcën organizative me numrin e nevojshme të partive në koalicion, nevoja e qytetarëve për ndryshim do të realizohet”, – u shpreh Koçi. Ndërsa kreu i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela nënvizoi në fjalën e tij se në tryezë u vendos për rritjen e spektrit të partive të koalicionit, i cili sipas tij ka arritur 30. “Por çështja është tek fushata elektorale. Çdo njeri duhet të dijë të bëjë fushatë elektorale dhe duhet të jetë krijues për mbrojtjen e votës. PD-së i kanë rënë aksionet, por ne duhet të ruajmë votat. Kemi bërë një skemë perfekte për ruajtjen e votës. Do na duhet një marrëveshje bilaterale që do e bëjë kreu i PS me secilën parti. Është një frymë për fitore nga ky koalicion. Duhet të jesh i aftë të shfrytëzosh këtë mendim që ka opinion se fitohet majtas. Duhet të fillojë një fushatë shumë e mirë, në të gjitha poret e shoqërisë. Duhet të dalë formula, ose platformë për dalje nga kjo gjendje e rëndë. Kjo është kriza nga e cila do e nxjerrë shoqërinë opozita”, – deklaroi kreu i PlD-së, Ngjela.

 

Koalicioni aktual i PS-së

Partia Socialdemokrate, Skënder Gjinushi

Partia Demokracia Sociale PDS, Paskal Milo

Partia Socialiste e Vërtetë ‘91 PSV 91, Petro Koçi

Partia Socialiste e Moderuar, Gjergj Koja

Partia Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela

Partia G99, Ervin Mete

Partia Toleranca e Re e Shqipërisë, Avdi Keci

Partia Aleanca Arbnore Kombëtare, Gjet Ndoj

Partia Ardhmëria Shqiptare, Emin Subashi

Partia Bashkimi Republikan Shqiptar, Zane Llazi

Partia Demokrate për Integrim e Prosperitet, Halim Seitaj

Partia Demokratike e Bashkimit Mysliman të Shqipërisë, Sabri Jacaj

Partia e Gjelbër PGJ, Edlir Petanaj

Partia e Pajtimit Kombëtar, Spartak Dobi

Partia e Punës e Shqipërisë e Riorganizuar, Marko Dajti

Partia e Unitetit Kombëtar, Idajet Beqiri

Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, Ymer Kurti

Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve, Kadri Isufaj

Partia Reformatore Demokratike, Skënder Halili

Partia Rruga e Lirisë, Shukrane Muda

 

Ftesa e Ramës ndaj AK-së revolton Dulen: Jemi larg koalicioneve të tilla

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nuk do të përfshihet në koalicion me asnjë nga partitë e mëdha në rast se pjesë e aleancave të këtyre dy forcave do të jenë Aleanca Kuq e Zi dhe PDIU. Duke marrë shkas edhe nga ftesa e ripërsëritur e kreut socialist Rama ndaj AKZ-së për tu përfshirë në një front të gjerë opozitar, kreu i PBDNJ-së bën të ditur distancimin e tij nga PS-ja. “Është e njohur publikisht se PBDNJ nuk do të bashkëpunojë me forcat politike të cilat kanë probleme me vizionin evropian dhe me demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Rrjedhimisht nuk ka hapësirë bashkëpunimi të PBDNJ me kategori të tilla forcash politike. Por kjo nuk do të jetë prioritet vetëm i PBDNJ, është një aspekt tejet negativ i jetës politike të vendit tonë, ku forca serioze politike, qeverisëse, siç janë PS e PD flirtojnë për bashkëpunime me forca të tilla politike të cilat cenojnë rëndë profilin evropian të sistemit tonë politike dhe situatës politike”, – tha Dule për “AS”. Nga ana tjetër, kreu i PBDNJ-së ka theksuar se forca që ai drejton është duke diskutuar me të gjitha partitë politike, duke mos i mbyllur derën asnjë force.

 

Tensionet e Preshevës, thirrja e SHBA-së: Tirana zyrtare t’i rezistojë tundimit nacionalist

Ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, deklaroi se SHBA mbështet integrimin në strukturat euroatlantike të Ballkanit Perëndimor, por apeloi kujdes për çështjet etnike. Arvizu duke theksuar se pjesë e rëndësishme është dialogu, Prishtinë-Beograd, nënvizoi se interesi për shqiptarët etnikë prodhon retorika nacionalistë që kthehen në rrezik për integrimin. “Sikurse e dinë të gjithë SHBA mbështesin të gjithë anëtarësimin në strukturat euro-atlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe nga të gjitha pjesët e lëvizshme, ajo që është më kritikja dhe më e rëndësishmja është pjesa e dialogut, Prishtinë-Beograd. Qartazi për njerëzit në Shqipëri ka vërtet interes shumë të madh për mirëqenien e shqiptarëve, qoftë nëse ata jetojnë në Kosovë, Maqedoni, në Preshevë, në Malin e Zi. Por, ana e kundërt e kësaj është se shqiptarët etnikë që jetojnë në këto zona shohin drejt Tiranës, shohin tek qeveria dhe shohin tek drejtuesit politikë, për drejtim dhe udhëheqje, prandaj është absolutisht kritike që të ndodhë integrimi i Ballkanit Perëndimor të këtij projekti që ne të gjithë e mbështesim. Prandaj është e rëndësishme të mund t’i rezistohet tundimit që të përfshihen në retorikë nacionaliste, veçanërisht në klimën e zgjedhjeve, pasi kjo vetëm shërben se mund të shpërqendrohemi nga qëllime më të rëndësishme, që janë qëllime që të gjithë shqiptarët i bashkëndajnë”, – tha ambasadori amerikan pas një takimi që pati me kreun e FRD, Bamir Topi. Po ashtu, lidhur me debatin e Preshevës ka folur dje edhe ambasadori amerikan në OSBE Ian Kelly, i cili nënvizoi rëndësinë e një zgjidhjeje afatgjatë dhe të qëndrueshme. “Çështje të tilla nuk duhet të ngrihen në nivelin e përgjigjeve që po shohim aktualisht. Ato shmangin më tej vëmendjen prej çështjeve të mirëfillta shqetësuese që duhen zgjidhur në Ballkan, çështje që kërkojnë përpjekje, kompromise, dhe dialog të përbashkët. Qeveria e Serbisë dhe përfaqësues të komuniteteve vendore në Serbinë jugore duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive me njëri-tjetrin për të trajtuar sfidat ekonomike, sociale, dhe politike me të cilat përballet zona. Për pasojë, nxisim të gjitha palët që të vazhdojnë të punojnë për të gjetur një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme, me ndihmën e Misionit të OSBE-së, në mënyrë që t’i kthehen trajtimit të çështjeve më të gjera”, – tha Kelly përpara Këshillit të Përhershëm në Vjenë.

 

 

Takimi për aksidentet, Rama: Në mandatin e parë do t’i ulim 50%

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka premtuar uljen me 50% të aksidenteve gjatë mandatit të parë në rast se në 23 qershor, socialistët do të dalin fitues. Gjate një tryeze për sigurinë rrugore, akuzoi qeverinë për nivel të lartë korrupsioni me fondet e parashikuara për ndërtimin e mirëmbajtjen e rrugëve. Kryesocialisti foli për shifra në rritje të aksidenteve në rrugë, duke theksuar se nga 307 të vdekur nga aksidentet në vitin 2005, në vitin 2012, kjo shifër është 335. Duke bërë të ditur se çfarë parashikon program socialist për këtë çështje, Rama nënvizoi se një ndër masat më të rëndësishme do të jetë ndryshimi i strukturës së policisë së shtetit, pjesë e së cilës është edhe policia rrugore. Në tryezën e organizuar nga PS, ishin ftuar specialistë të fushës, të cilët paraqitën shifra dhe shkaqe të rritjes së aksidenteve. I pranishëm në këtë tryezë, kryetari i grupit të punës për infrastrukturën Artan Lame, tha se PS ka një strategji të qartë për përmirësimin e situatës rrugore në Shqipëri.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency