Florenc Drizari
Denar Biba: Ndarja e mandateve të bëhet në KQZ, nëse procesi përfundon sipas 2009-ës, çdo subjekt zgjedhor mund të çojë në Gjykatën Kushtetuese procesin
Një ditë pas votimit në Komisionin e Ligjeve të projektvendimit të relatorit Edi Paloka për ndarjen e mandateve sipas 2009-ës, anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste në KQZ dhe deputetë të PD-së vazhdojnë përplasjet në distancë me deklarata kontradiktore. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, deklaroi se kjo çështje u ezaurua në KQZ dhe tashmë është Kuvendi i Shqipërisë që do të vendosë në seancën e radhës plenare ndarjen e tyre, ndërsa numri dy i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Denar Biba, kërkoi që kjo çështje të rikthehet për shqyrtim në komisionin më të lartë të administrimit zgjedhor.
Pas ngërçit të krijuar në KQZ rreth dy muaj më parë lidhur me ndarjen e mandateve, ku përfaqësuesit e propozuar nga opozita në komision nuk pranuan të votonin variantin e propozuar nga administrata, për faktin se kërkuan hetime lidhur me dyshimet e ngritura prej tyre për lëvizje të popullsisë në Qarkun e Kukësit, çështja u dërgua nga KQZ-ja për gjetjen e një zgjidhjeje në Kuvendin e Shqipërisë. dy ditë më parë Komisioni i Ligjeve organizoi një seancë pyetësore me dy krerët e KQZ-së, Lefterie Lleshi dhe nënkryetarin Denar Biba, dhe pas dëgjesës publike deputetët e mazhorancës votuan me shumicë të thjeshtë variantin e relatorit Edi Paloka, variant i cili rekomandon ndarjen e mandateve sipas zgjedhjeve të shkuara parlamentare.
Përplasja Rusmali – Biba
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, deklaroi për mediat se çështja e ndarjes së mandateve është e mbyllur dhe se zgjidhja i përket Kuvendit të Shqipërisë. Sipas z. Rusmali dy anëtarët e propozuar nga Partia Socialiste në KQZ bllokuan procesin në kundërshtim me ligjin dhe tashmë është investuar Kuvendin për zgjidhjen e kësaj situate. “Konferenca e Kryetarëve ka përfshirë në kalendarin trejavor të punimeve vendimmarrjen për caktimin e mandateve, Komisioni i Ligjeve është mbledhur dhe ka zhvilluar dy seanca duke i paraqitur seancës plenarë të Kuvendit të Shqipërisë rekomandim me një projektvendim të hartuar nga relatori ynë. Sot çështja është objekt i shqyrtimit të brendshëm parlamentar. Sot parlamenti është në ushtrim të kompetencave të veta të përcaktuara me ligj; sot parlamenti është i gatshëm dhe i vullnetshëm që brenda afateve të mund të trajtojë dhe ti japë zgjidhjen përfundimtare të çështjes, kjo është situata”. Por ndryshe nga ky qëndrimi i kreut të Komisionit të Ligjeve, nënkryetari i KQZ-së Denar Biba deklaroi se auditi i ngritur nga PS konstatoi se të dhënat e ofruara nga Ministria e Brendshme janë të sakta ligjërisht, por jo moralisht, pasi sipas tij, punonjës policie nga Tirana janë regjistruar si banorë të zonave të thella të Kukësit. Për këtë çështje Denar Biba kërkon që vendimmarrja për ndarjen e mandateve të bëhet në KQZ. “Numrat e dërguar nga Ministria e Rendit në atë kohë rezultojnë të saktë formalisht, moralisht janë të cedueshëm, por unë deri në këtë pikë mund të shkoj, nuk mund të shkoj më tutje. Ju mbetet subjekteve të interesuar, prokurorisë të hetojë, por përsa i takon institucionit të Komisionit të Zgjedhjeve të thërrasim një mbledhje të KQZ-së me temë pikërisht caktimin e mandateve”, – deklaroi Biba. Ndërkaq, kryetari i Komisionit të Ligjeve deklaroi dje se çdo veprim për ta zgjidhur këtë çështje jashtë Kuvendit të Shqipërisë do të ishte e kundërligjshme. Sipas tij, lidershipi i majtë po keqpërdor anëtarët e propozuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për qëllime politike. “Çdo veprim tjetër jo vetëm që është absurd nga çdo pikëpamje, por edhe haptazi i kundërligjshëm. Në qoftë se duhet ti bënim një analizë veprimit të dy anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, karshillëkut të tyre, karshillëku nuk është gjë tjetër veç një keqpërdorim i shëmtuar që lidershipi i PS po i bën këtyre njerëzve që i ka dërguar atje që të zbatojnë ligjin, jo urdhrat e lidershipit”, – u shpreh Rusmali. Por nga ana e tij, nënkryetari i KQZ-së Biba, paralajmëroi se nëse çështja e ndarjes së mandateve shkon për votim në parlament me skemën e zgjedhjeve të kaluara, atëherë partive politike u lind e drejta për ta ankimuar procesin në Gjykatën Kushtetuese. “Nëse ndarja e mandateve përfundon me regjistrimin e 2009-ës, çdo subjekt zgjedhor mund të çojë në Gjykatën Kushtetuese procesin zgjedhor dhe gjykata me të gjitha shanset do ta shpallë procesin të paligjshëm”, – deklaroi Biba.
KQZ miraton modelin e tabelave të rezultateve për 2013-ën
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi mbledhjen e saj të radhës ku miratoi modelet e tabelave të rezultateve për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë 2013. Modelet e miratuara do të përdoren nga Grupet e Numërimit të Votave dhe Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor, gjatë procesit të numërimit të votave. Pas numërimit të çdo kutie votimi Grupet e Numërimit do të plotësojnë këto tabela me rezultatet sipas subjekteve politike dhe pas firmosjes nga ana e tyre, do t’ia përcjellin KZAZ. Në përfundim të procesit të numërimit KZAZ-të do të plotësojnë tabelën përmbledhëse ku do të pasqyrojnë të dhënat sipas subjekteve politike për të gjitha qendrat e votimit.
Siguria në vend, Flamur Noka pritet të raportojë para Kuvendit
Deputetët e Komisionit të Sigurisë janë përfshirë në debate mes tyre lidhur me situatën e sigurisë në vend. Deputetët socialistë e kanë cilësuar situatën kriminale në vend si alarmante ndërsa kanë kërkuar raportim të ministrit të Brendshëm Flamur Noka. Komisioni i Sigurisë vendosi që më 5 shkurt të raportojë Ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Një tjetër kërkesë e socialistëve ishte edhe thirrja për të raportuar në komision edhe të ministrit të Ekonomisë Edmond Haxhinasto në lidhje me privatizimin e kompanisë “Albpetrol”. Socialistët gjithashtu kanë kërkuar që të raportojë në komision edhe Drejtori i Shërbimit Inteligjent me arsyetimin se kanë fakte që shërbimet inteligjente do të përdoren gjatë fushatës dhe zgjedhjeve të 23 qershorit. “Kam përshtypje dhe kemi fakte që po behën përpjekje për të përdorur institucionet e sigurisë në funksion të veprimtarive politike gjë që është shumë alarmante. Si mund të shpjegohen sot purgjet që po bën dhe po ndjek drejtori i ri i SHISH, jo më larg se tre ditë më parë ai ka shkarkuar nga detyra 24 vetë, pa përmendur rastet e mëparshme”, – tha Ilir Gjoni. Por nga ana e tij, kryetari i Komisionit të Sigurisë Leonard Demi hodhi poshtë akuzat e nënkryetarit socialist Ilir Gjoni. “Institucionet e sigurisë të vendit tonë po punojnë jo për të dëmtuar zgjedhjet, por për të garantuar zgjedhje sipas standardeve Evropiane. Prandaj zoti Gjoni shqetësimet e juaja politike mendoj mos i ngrini këtu për fushatë, por kur të bëni fushatë elektorale”, – tha Leonard Demi.
Topalli: Rama i ka hequr shqiptarëve qindra milionë euro, 23 qershori është fundi i bllokimi
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli akuzoi sërish kryesocialistin Rama për bllokimin e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, duke vënë theksin tek mosvotimi i tri ligjeve në parlament. Zonja Topalli shprehet e rebeluar nga qëndrimi që mban lidershipi i majtë në lidhje me këtë çështje dhe thotë se shqiptarët humbin miliona euro në vit përfitime nga fondet e BE-së. “Për mua është e papranueshme, e pakuptimtë, e pafalshme që dikush të bllokojë votimin e 3 ligjeve për të bllokuar statusin e Shqipërisë. Shpesh rebelohem për këtë. Duke bllokuar statusin z. Rama i ka hequr shqiptarëve qindra miliona euro, ka hequr mundësinë e shumë investimeve të reja në Shqipëri, ka hequr shansin e krijimit të vendeve të reja pune. I ka hequr studentëve shqiptarë mundësinë e financimit nga fondet e BE-së për të studiuar në vendet e Evropës dhe të Botës. Më kujtohen përpjekjet e tij për të bllokuar NATO-n e vizat. Këto, u kryen, se nuk vareshin nga vota e tyre. Në 23 Qershor është fundi i bllokimit”- shkruan kryeparlamentarja Topalli nga profili i saj në Facebook. Për këtë çështje kryetarja e Kuvendit e riktheu shembullin e anëtarësimit të Kroacisë në BE, duke thënë se “të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se 20 vite më parë, Kroacia dhe Shqipëria ishin qindra vite larg njëra-tjetrës, por shqiptarët në këto 20 vite kanë ndryshuar vendin e tyre më shumë se ç’ka ndryshuar çdo vend tjetër në botë”. Ndërkaq, vota pro tri ligjeve të integrimit vazhdon të sjellë përplasje mes klasës politike shqiptare, ku edhe pse BE refuzoi statusin e kandidatit për Shqipërinë në fillim të dhjetorit të shkuar, palët shpesh herë akuzojnë njëra-tjetrën për përgjegjësitë në mosmarrjen e statusit. Por debatet mes mazhorancës dhe opozitës pritet të vijojnë me tej po të kujtojmë faktin se ditën e hënë, Komisioni i Ligjeve do të marrë në shqyrtim projektligjin për nëpunësin civil, një nga draftet e vëna si kusht nga BE-ja.