Fyle: Nëse miratohen tri ligjet, Shqipëria merr statusin në mars

0
133

Ina Jano

fyleEurokomisioneri: Në varësi të progresit, mund të jetë i mundur edhe një raport për Shqipërinë

 

Në mars Shqipëria merr statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, nëse tri ligjet do të miratohen dhe do të ketë progres për reformat që duhet të ndërmerren. Ky ishte mesazhi që komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, zgjodhi të jepte për gjithë politikën shqiptare. Ai nënvizoi se nëse do të ketë progres për reformat e kërkuara atëherë, në pranverë do të ketë një tjetër progres raport tjetër për Shqipërinë. “Në varësi të progresit, mund të jetë i mundur dhe një raport për Shqipërinë”, – u shpreh eurokomisioneri Fyle. Ai tha se për të gjitha vendet e tjera do të ketë një raport, ndërsa për vendin tonë kjo do të ndodhë vetëm nëse do të ketë progres, duke qenë se herët e fundit Shqipëria nuk arriti dot të merrte statusin e vendit kandidat pasi nuk plotësoi kushtet e vëna nga BE. “Duke parë punën për zgjerimin, në pranverë Komisioni Evropian do të publikojë raport monitorimin e tij të fundit për Kroacinë dhe një sërë raportesh, në bazë të të cilave Këshilli do të gjykojë nëse është bërë progres i vazhdueshëm për të hapur negociatat me Serbinë dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, dhe të miratojë një mandat për të çelur negociatat me Kosovën për stabilizim-asocimin”, – deklaroi Fyle.

Shqipëria nuk arriti që të merrte në dhjetor statusin e vendit kandidat, edhe pse Komisioni Evropian e kishte propozuar atë drejt parlamentit. Megjithatë gjatë raportimit të tij, Fyle u shpreh se në fakt Shqipëria duhet që të bëjë progres nga rekomandimet që kanë mbetur pa u plotësuar. Në fillim qeveria shqiptare dhe gjitha klasa politike duhet që të plotësonin 12 rekomandime, që ishin lënë si detyra shtëpia nga Evropa për vendin tonë. Në tetor, duke plotësuar pjesën më të madhe të tyre, vendi ynë arriti që merrte rekomandimin për statusin me kushtin e vetëm që të plotësoheshin edhe tre ligje të tjera. Ndër këto tre ligje, të cilët nga e gjitha klasa politike morën emrin ligjet e integrimit, kanë ngelur pa u votuar në Kuvend, miratimi i rregullores së Parlamentit, ligji i nëpunësin civil, ligji për Gjykatën e Lartë. Opozita i bllokoi këto ligje më pretendimin e çështjes së Fierit. Ajo vuri si kusht votën për ligjin e gjykatës së lartë, zbatimin e vendimeve të gjykatës, për qarkun e Fierit. Nga pjesa më e madhe e klasës politike kjo u quajt si një çështje periferike dhe që nuk mund të pengonte integrimin e vendit. Megjithatë në samitin e radhës, atë të dhjetorit, Shqipëria nuk mundi dot të hedhë një hap tjetër përpara, pasi këto tre ligje nuk ishin miratuar. Në këtë sesion parlamentar, Kryetarja e Kuvendit zonja Jozefina Topalli ka pohuar se tri ligjet do të jenë çdo javë në parlament, në rend të ditës. Shansi i fundit që vendi të marrë statusin, është marsi dhe deri më atëherë ligjet duhet të jenë miratuar. Megjithatë kjo çështje mbetet në dorë të opozitës, pasi mazhoranca nuk i ka numrat për të miratuar ligjet më 3/5 e votave. Eurokomisioneri Stefan Fyle, ka raportuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg. Sipas tij në procesin e zgjerimit një rëndësi të veçantë këtë vit ka dhe marrëdhënia e fqinjësisë së mirë. Fyle deklaroi se komisioni mbështet plotësisht hetimet e EULEX për krimet e dyshuara të kryera gjatë dhe pas periudhës së konfliktit në Kosovë, të përmendura në raportin e Dick Marty. Komisioneri Fyle beri të ditur se 2013-ta do të shënojë edhe avancim në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave me Kosovën.

 

 

 

Argita Malltezi: Rama të bëjë transparencën e tokës së blerë në Dajt me çmim qesharak 

Vajza e Kryeministrit Berisha, me anë të një deklarate për shtyp, i ka kërkuar kreut të selisë rozë që të bëjë transparencën e tokës që ai ka blerë në Dajt dhe që është duke ndërtuar shtëpinë e tij me zonjën Linda Basha. “Ti sulmon pse unë kam deklaruar me transparencë të interesuarve çmimin e tokës me të cilin e shisnin pronarët privatë. Të kujtoj që transparenca është standard ligjor dhe moral të cilin duhet të gjesh kurajon ta zbatosh dhe ti, për të deklaruar para shqiptarëve burimin e 100 milion lekëve kredi pa interes të gruas suaj si dhe arsyen e çmimit qesharak prej 2 dollarësh me të cilin keni blere tokën e sarajeve me gjatësi 57 m linear që po ndërton në Dajt, ndërkohë që disa vite më parë çmimi edhe në zona më të thella ka qenë dhjetë herë më I larte”, – deklaron zonja Malltezi. Më tej ajo shprehet se ende ka mbetur anonim burimi i 100 milionëve lekëve kredi pa interes. Duke nënvizuar se në fakt ajo i ka bërë transparentë të gjitha të ardhurat e saj, zonja Malltezi pohon se edhe pallati i bashkëshortes së zotit Rama ka mbetur pa një emër konkret. “Përsëri, i kapur nga paniku, ti mendon se duke më përmendur mua tarifat e shitjes së tokës nga privati tek privati, mund t’i shpëtosh transparencës dhe të fshehësh burimin e padeklaruar të mbi 1 milion euro të ndërtimit të pallatit pajë nga një pensionist dhe kunati yt i vetëpunësuar dhe mungesën e faturave të ndërtimit të këtij pallati”, – thuhet në reagimin e vajzës së Kryeministrit Berisha. Zonja Malltezi shprehet se të gjitha tarifat e studios së saj janë bërë transparente dhe për këtë arsye, kjo është një pikë për të cilën nuk mund të ketë asnjë reagim të asnjë lloji nga ana e opozitës.

 

 

PD: Interesat e shqiptarëve po dëmtohen nga mosvotimi i tri ligjeve

Ata të cilët janë duke u dëmtuar më shumë nga mosvotimi i ligjeve janë vetëm shqiptarët. Kështu deklaroi dje deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, i cili në një deklaratë për shtyp i bëri thirrje selisë rozë që të marrë guximin dhe të votojë tre ligjet e integrimit. Ligjvënësi demokrat radhiti të gjitha humbjet që pësojnë shqiptarët duke mos u votuar tre ligjet e integrimit. Sipas Bogdanit, tri ligjet janë kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Ne e ftojmë Rama për t’u bashkuar me ne dhe me gjithë shqiptarët në procesin e integrimit. Mosvotimi i tri ligjeve, jo vetëm bllokon statusin, jo vetëm vonon integrimin, por dëmton interesat e çdo shqiptari”, – u shpreh deputeti Bogdani në komunikimin e tij me median. Ai tha se me bllokimin e statusit Rama i ka hequr shqiptarëve mundësinë që të futen në tregun evropian të punës, i ka vështirësuar mundësinë e shkëmbimeve tregtare dhe biznesit shqiptar i ka ngushtuar horizontin. “Me bllokimin e statusit, Rama i ka hequr shqiptarëve mundësinë që të futen në tregun evropian të punës, i ka vështirësuar mundësinë e shkëmbimeve tregtare dhe i ka ngushtuar horizontin biznesit shqiptar, i ka hequr mundësinë e së paku 30 milionë eurove investime të menjëhershme nga projektet e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian. Vetëm me urdhrin e tij për të mos votuar tre ligjet të rinjtë dhe studentët shqiptarë humbasin mundësinë që të studiojnë dhe të financohen në studimet nga fondet e Bashkimit Evropian për të studiuar në Universitetet më të mira të botës, sikurse përfitojnë bashkëmoshatarët e tyre në vendet që kanë marrë statusin. Duke mos votuar tre ligjet zoti Rama i ka hequr pushtetit lokal shumë projekte në shërbim të qytetarëve të tyre, komunat, bashkitë dhe qarqet e Shqipërisë nuk do të mund të përfitojnë projekte të drejtpërdrejta të Bashkimit Evropian”, – tha Bogdani.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency