Rama, 6 muaj pa mbledhur në tryezë aleatët, Milo: Takimi pritet këto ditë

0
134

Gëzim Saliu

ramaKoalicioni i opozitës, i rrudhur pas rrjedhjeve të fundit, Rama në kundërshti me aleatët për frontin

 

Ka rreth 6 muaj që kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk i ka mbledhur më aleatët e tij të koalicionit opozitar. Në kohën kur javët e fundit janë shtuar thirrjet e krerëve të partive aleate të PS-së për organizimin e një tryezë opozitare lidhur me koalicionin dhe zgjedhjet e 23 qershorit, duket se kryesocialisti ka vendosur të thërrasë një takim me ta gjatë ditëve në vijim. Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, në një prononcim për “Standard”, deklaroi se në ditët e ardhshme pritet të mblidhet tryeza e opozitës. “Po, mund të them se kemi rënë dakord që të kemi një tryezë të PS-së me aleatët e saj në ditët e ardhshme”, – tha Milo.

 

Koalicioni

Duke u mbështetur më shumë tek programi dhe retorika politike në muajt e fundit, kryesocialisti ka lënë pas aleatët e tij, duke mos mbledhur për shumë kohë tryezën opozitare. Marrë shkas nga fakti se kjo tryezë pritet të mblidhet në ditët në vijim, ndoshta pas zhvillimit të punimeve të asamblesë kombëtare në 26 janar, pritet që diskutimet në të jenë të shumta. Në kërkesën e tij për mbledhjen sa më parë të tryezës së opozitës, të përsëritur edhe nga kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, Milo theksoi se janë disa çështje që do të vihen në diskutim, çështje të cilat sipas tij kanë rëndësi primare për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. “Të organizohemi nga pikëpamja e strukturës, të shpallim objektivat elektoralë dhe të përcjellim mesazhe optimizmi me qëllim që elektorati ynë të marrë sinjalet e duhura”, – tha kreu i PDS-së. Në këtë kontekst, një pikë shumë e rëndësishme e koalicionit të opozitës mbetet fronti i gjerë kundër mazhorancës në 23 qershor. Krahas refuzimit të ftesës nga FRD-ja e ish-presidentit Topi dhe AKZ-ja e Kreshnik Spahiut, Rama do të duhet të përballet edhe me kundërshtinë e një prej aleatëve tradicionalë të PS-së, Skënder Gjinushit. Ky i fundit u shpreh pak kohë më parë kundër përfshirjes së Lëvizjes Socialiste për Integrim në koalicionin e majtë, duke e cilësuar partinë e drejtuar nga Meta si të korruptuar. “Në raport me LSI-në vlerësojmë se ajo është bashkëfajtore me PD për korrupsionin rekord, për 21 janarin, për krizën ekonomike, për dështimin e integrimit. Ajo e PD bën që Shqipëria për herë të parë të jetë e fundit në rajon ne procesin e integrimit dhe e para në nivelin papunësisë, varfërisë dhe korrupsionit. Të majtës i duhen votat e të majtëve të mashtruar nga LSI në emër të anti-Nanos apo anti-Ramës dhe jo lidershipi mashtrues”, – ka theksuar kreu i PSD-së. Po ashtu, Gjinushi ka përjashtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe FRD-në e AK-në si pjesë të frontit opozitar, duke i etiketuar si fraksione të së djathtës. Ndërsa, Milo nga ana e tij është shprehur pro hapjes së koalicionit, por duke bërë të ditur rezervat lidhur me mundësinë se afrimi i këtyre partive me opozitën do të vijë vetëm për interesa të pushtetit.

 

 

Gara me koalicionet, peshorja anon nga PD-ja

Edhe pse duhen më shumë se 5 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, forcat kryesore politike kanë nisur prej kohësh përgatitjen e strategjisë së tyre, me qëllim arritjen e suksesit në këtë garë elektorale, e cila do të vendosë se kush do ta drejtojë Shqipërinë në katër vitet e ardhshme. Përkrah me programin dhe alternativën qeverisëse, një pikë po aq e rëndësishme e partive në kuadër të garës elektorale mbetet edhe koalicioni. Në këtë kontekst, në rast se do të bënim një krahasim midis dy kampeve kryesore, do të vërehej qartë, të paktën në situatën aktuale, që peshorja anon nga koalicioni i mazhorancës qeverisëse. Kështu, krejt ndryshe nga PD-ja, e cila jo vetëm që nuk ka pësuar rrudhje në koalicionin e saj, por madje edhe është shtuar me aleatë të rinj, Partia Socialiste nuk ka mundur të krijojë një koalicion me bazë të gjerë, për të cilin po flitet aq shumë kohët e fundit nga përfaqësuesit e lartë të selisë rozë. Situata në kampin e majtë bëhet më “gri”, në rast se marrim parasysh faktin se koalicioni aktual i opozitës ka pësuar rrjedhje jo të pakta që pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, kryesisht me largimin e PDK-së së Nard Ndokës dhe të PBDNJ-së së Vangjel Dules. Këto largime, ku për më tepër që PDK i është bashkuar koalicionit të djathtë, e vështirësojnë edhe më shumë mundësinë e krijimit të një koalicioni me bazë të gjerë, gjë kjo që u bë edhe më e pamundur me refuzimin e pak kohëve më parë të ftesës së PS-së për t’u bashkuar në një front kundër “regjimit” nga ana e Aleancës Kuq e Zi dhe Frymës së Re Demokratike.

 

Tregtarët e Tiranës: Rama favorizonte biznesin e miqve

Biznesi i Tiranës ka akuzuar kryetarin e PS-së, Edi Ramën, si personin që favorizonte miqtë e tij në kohën kur drejtonte bashkinë e kryeqytetit, në kurriz të biznesit të ndershëm. Tregtarët e rrugës “Fortuzi” thanë dje në takimin e zhvilluar me kreun e njësisë bashkiake numër 9 z. Indrit Fortuzi dhe znj. Eneida Guria se administrata e Ramës në 11 vitet e drejtimit të Tiranës krijoji vetëm klimën e ryshfetit. “Gjatë kohës që ishte Rama në krye të Bashkisë së Tiranës, vetëm i rriti taksat. Premtimet e tij në lidhje me taksat zero janë shashka elektorale, pasi shtet pa taksa nuk ka. Prandaj, më duken utopike ato që thotë ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Rama. Në kohën e tij, lulëzoi ryshfeti. Nëse jepje ryshfet, s’kishe pse paguaje taksa, dhe po qe miku i Ramës s’paguaje as taksa, as ryshfet”, – u shpreh një tregtar. Ndërkohë, Guria theksoi se PD beson tek politika e taksave të ulëta dhe është e vendosur të luftoj informalitetin dhe evazionin fiskal. “Vihet re dhe dëshmojnë edhe vetë, që ka shumë skepticizëm për ato që flitet, për pjesën e premtimeve, për heqje taksash për bizneset, qoftë edhe për gjëra të tjera që janë diskutuar së fundmi për mbledhje me forcë apo çfarë do lloj mënyre të tatimeve. Ne shikojmë që biznesi është koshient që taksat paguhen, paguhen rregullisht dhe marrëdhënia e tyre me administratën tatimore është e pranueshme dhe gjejnë bashkëbisedim qoftë edhe për shqetësimet që ata kanë. Ne mbështesim dhe përgëzojmë punën e administratës tatimore të Tiranës, por në të njëjtën kohë do të vazhdojmë të bashkëbisedojmë me bizneset, qofshin ato të mëdha apo të vogla”, – deklaroi përfaqësuesja e PD-së, Eneida Guria.

 

Ngjarjet e Preshevës, Majko: Atë që s’e bën politika, do ta bëjë radikalizmi

Anëtari i kryesisë së PS-së, Pandeli Majko, ka kërkuar dje një reagim më të drejtpërdrejtë të qeverisë shqiptare dhe klasës politike në vend ndaj heqjes së lapidarit në Luginën e Preshevës. Duke theksuar se atë që s’e bën politika sot do ta bëjë radikalizmi nesër, Majko nënvizoi se kjo situatë nuk duhet mbyllur vetëm me reagimet që janë bërë deri më tani. “E gjithë politika shqiptare reagoi për shkatërrimin e lapidarit të dëshmorëve në Preshevë… Edhe në Facebook! Ironike, por e vërtetë! Ajo çfarë po mbetet pas kësaj ngjarjeje të rëndë, janë pyetjet dhe çuditë… A u thirr ambasadori serb në Tiranë në Mistrinë e Jashtme për këtë çështje? A do të bëhet protestë zyrtare ndaj nga shteti shqiptar ndaj veprimeve të Beogradit? A do të kërkojë konsultime Shqipëria me mekanizmat e NATO-s ndaj një situate që prek stabilitetin rajonal? Ambasadori i Shqipërisë në OKB… do të bëjë deklaratë zyrtare për këtë situatë represive ndaj shqiptarëve në shtetin e Serbisë? Apo do e “mbyllim” këtë situatë kaq të rëndë me një deklarim për “rishikimin” e marrëdhënieve me Serbinë(!) Çfarë do të rishohim?! Çudia më e madhe zgjat 3 ditë. Sot është dita e tretë! Atë që s’e bën politika sot do ta bëjë radikalizmi nesër!”, – u shpreh në rrjetin social “Facebook” deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko.

 

Serbia reagon ndaj deklaratave të Tiranës zyrtare, Rama: Serbët s’kanë gojë të ankohen

Serbia i cilësoi jokoherente dhe destabilizuese deklaratat e qeverisë dhe zyrtarëve të tjerë shqiptarë pas heqjes së përkujtimores së dëshmorëve të UCPMB-së në Luginën e Preshevës. Nëpërmjet një komunikatë, Ministria e Jashtme serbe deklaroi se fjaloi i përdorur nxit direkt aktivitetet e mëtejshme të orientuara në destabilitetin e situatës në jug të Serbisë, por edhe në rajon, në vendet fqinje të banuara nga shqiptarët. “Nga Shqipëria presim që të sillet në harmoni me prioritetet e proklamuara dhe me aksionet e veta të mos kontribuojë në stabilitetin e situatës në vendet fqinje”, – theksohej në deklaratën e ministrisë së jashtme serbe. Ndërkohë, ndaj kësaj deklarata ka reaguar kreu socialist Edi Rama, i cili ka nënvizuar në rrjetin social “Twitter”: “Qeveria serbe s’ka gojë të ankohet për çfarë thuhet në Shqipëri, kur Serbia vepron si në Preshevë! Të keqen Serbia e ka brenda, jo jashtë”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency